Don Kishotët dhe Sanço Pançot e infodemisë

0
99

Autor: Sefer Selimi 

Duke qenë dëshmitar të histerisë në rrjetet sociale dhe në mesin e xhunglës së informacioneve të pakonfirmuara, çorientuese,  gjysmë të vërteta dhe të rrejshme vihet në pah një tjetër e vërtetë: tek ne mungon qasja kritike ndaj konsumimit të informacionit dhe ky është rezultat i edukimit të dobët mediatik. Sipas Indeksit të Edukimit Mediatik Maqedonia e Veriut radhitet e fundit në Evropë me vetëm 12 pikë nga gjithsej 100 dhe me një diferencë prej 66 pikësh prapa Finlandës që e kryeson listën. Thënë më thjeshtë, mes tjerash, qytetari i Maqedonisë së Veriut është i fundit në Evropë që mund të bëj dallimin në mes një lajmi të rrejshëm dhe një lajmi të vërtetë, të identifikoj burime kredibile të informacionit dhe të mund të kontrolloj vërtesësinë e fakteve. Kjo na bën që të jemi jo vetëm të rrezikuar nga kampanjat e dezinformimit por edhe një cak i lehtë për to.

Së fundmi me shoqatën Democracy Lab lëshuam në përdorim një platformë online MythBuster.mk e cila ka për qëllim t’iu kundërvihet dezinformatave, posaçërisht atyre që ndërlidhen me përhapjen e pandemisë së Covid-19. Kjo detyrë na vendosi përballë një oqeani të pafund të lajmeve të rrejshme të cilat marrin jetë, transformohen, shpërfytyrohen, tjetërsohen dhe rigjenerohen në forma nga më të çuditshmet, më qesharaket, absurdet dhe shpesh herë përtej kufirit të logjikës së shëndoshë duke u futur thellë në imagjinatë. Në pamje të parë shumë nga këto postime janë komike dhe shumë lehtë mund të përbuzen duke i injoruar pa vrarë mendjen t’u kushtosh vëmendje, por tragjedia jonë e përbashkët është që shumë njerëz, miq tanë në jetën reale dhe virtuale u besojnë. Dhe deri këtu madje ndoshta ka një tolerancë për të lënë gjithkënd të besoj brenda botës së vet gjithçka që ata e shohin të arsyeshme dhe më afër të vërtetës së tyre, por këto fushata dezinformuse nuk janë të dizajnuara për të qëndruar brenda botëve tona individuale apo edhe të rrethit tonë më të afërt. Ato janë të dizajnuara të nxisin reagime, ndjenja dhe veprime konkrete që mund të rezultojnë me dëme reale qoftë për pronën, për shëndetit individual dhe kolektiv por edhe në minimin e proceseve të caktuara shoqërore e politike.

Nëse në rrjetet tuaja është shfaqur një lajm i rrejshëm, posaçërisht prej atyre që ndërlidhen me ndodhi globale dijeni që nuk është një krijim i thjeshtë të cilin e polli një qytetar i zakonshëm por janë transformim, tjetërsim apo mutacion i një lajmi të konstruktuar për t’i shërbyer një qëllimi për të avancuar një agjendë të caktuar. Lajmet për antenat 5G në Bogovinë pa vetëdijen e tyre i përhapën qytetarë që me të drejtë janë të shqetësuar për shëndetin e tyre, por konspiracionet rreth tyre u ngritën me mijëra kilometra larg Bogovinës, në një gjuhë tjetër dhe për qëllime të tjera. Lajmet për mikroçipat në trupat e të infektuarave me koronavirus përhapën panik tek lexuesit në ndërkohë që autori ishte tallur jo vetëm me lexuesit por edhe me portalet online që shpejtuan të përhapin lajmin, duke përdorur emrin e çipsave dhe mëlmesave të tyre si emra universiteti dhe ekspertësh që kanë kryer studimin. Një tjetër lajm që e ‘’zbulonte qëllimin’’ e përhapjes së pandemisë dhe interesat e Bill Gejtsit për të shpikur vaksinën nxiti qindra lajme e postime të rrejshme që përhapën dyshime mbi punën filantropike dhe miliarda dollarët e investuara nga Fondacioni Bill dhe Melinda Gejts për luftimin e sëmundjeve infektuese në vendet më të varfra të planetit, ku një vaksinë bënë dallimin mes jetës dhe vdekjes së një fëmije. Dhe natyrisht, burimi i këtij konspiracioni ishte mijëra kilometra larg nga këtu, në ‘Fondacionin për Kulturë Strategjike’’ në Moskë, një fondacion i themeluar dhe i udhëhequr nga një ish lider i Partisë Komuniste nga koha e Bashkimit Sovjetik.

Ashtu si pandemia edhe infodemia nuk njeh kufi, racë, gjuhë ose status social. Mund të importohet nga jashtë por bëhet i rrezikshëm vetëm kur fillon transmetimi lokal e për fat të keq kjo është duke ndodhur aktualisht tek ne. Për të transmetuar lokalisht infodeminë kemi mijëra Don Kishotë me portale online dhe faqe në FaceBook, që pa asnjë standard gazetaresk apo kriter profesional gjysma prej tyre luftojnë me mullinjtë e erës ndërsa gjysma tjetër fitojnë në kurriz të frikës dhe panikut të qytetarëve. Në ndihmë të tyre janë edhe qindra sharlatanë e palaço në rolin e Sanço Panços, të cilët me një video 5 minutëshe përdhunojnë jo vetëm logjikën e shëndoshë por edhe mijëra orë të shpenzuara nga shkencëtarë, mjek e hulumtues që ndër dekada merren me studimin e epidemive.

SHARE
Previous articleReformat në sistemin mediatik në pikën zero
Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal – BIRC është organizatë joqeveritare dhe jopartiake, tërësisht e pavarur në funksionimin e saj, me seli në Tetovë. Organizata angazhohet për promoviminin dhe praktikimin e gazetarisë kualitative dhe hulumtimeve shkencore në realizimin e qëllimeve të saja për një shoqëri me vlera demokratike, për institucione transparente, për një demokraci funksionale dhe për një shtet apo rajon progresiv dhe bashkëpunues. BIRC përfshinë ekspertë të dëshmuar nga fusha e gazetarsisë hulumtuese, e analizave nga të gjitha vendet e Ballkanit dhe më gjerë.