FRIKA NGA BUKURIA E SHUMËLLOJSHMËRISË

“Shpirtrat që janë lidhur vetëm për një kulturë asnjëherë nuk më kanë tërhequr. Mos u rrënjos askund, mos u lidh vetëm me një bashkësi, kjo gjithmonë ka qenë motoja ime”.  Emil Cioran 

Autor: Salajdin SALIHU

Kulturat pasurohet jo vetëm nga veprat e gjeniut të saj krijues, por edhe kur përthithin vlera prej kulturave tjera. Kulturat e pasura asnjëherë nuk mund të jenë të “pastra”. Sistemet kulturore janë të hapur dhe marrin e japin mes tyre.

Ka shoqëri ku bashkëveprojnë disa kultura. Ka shoqëri shumëkulturore dhe ndërkulturore. Ka shumë përkufizime mbi shumëkulturalitetin dhe ndërkulturalitetin. Në “varrezat e përkufizimeve” shpesh herë veprojnë djajtë e keqinterpretimeve. Djajtë, zakonisht, janë politikanët, që manipulojnë me ndjenjat etnike. Këtë e dëshmon edhe praktika shumëvjeçare në Maqedoninë e Veriut, ku sa herë elitat politike nuk i përmbushin pritjet e qytetarëve për një mirëqenie ekonomike, krijojnë probleme të natyrës ndëretnike dhe kështu e shpërqendrojnë vëmendjen e qytetarëve nga problemet ekzistenciale. Autoritetet politike, sa herë janë ndjerë ngushtë për shkak të aferave të ndryshme, kanë luajtur me këtë zjarr të rrezikshëm. Zakonisht kanë pasur edhe përkrahje të elitave dominuese intelektuale dhe mediave të kontrolluara, që përhapin frikë e mosdurim ndëretnik.

Në Maqedoninë e Veriut me dhjetëvjeçarë flitet për formësimin e një shoqërie shumetnike, ndërkaq në praktikë janë elitat politike që kanë ndikuar në ndarjen e shoqërisë në baza etnike.

Maqedonia e Veriut funksionon si njëfarë shoqërie shumëkulturore, por jo edhe ndërkulturore.

Shumëkulturaliteti, sipas shumë autorëve, është ekzistim i shumë kulturave në një hapësirë të caktuar, që nuk është e thënë me patjetër të kenë kontakt. Është njëfarë bashkëjetese pasive e kulturave të ndryshme në një hapësirë të caktuar, që deri diku pranohen dhe tolerohen mes tyre.

Ndërkulturaliteti është gjendje ku kulturat e ndryshme jo vetëm tolerohen mes tyre dhe janë në kontakt, por ndërveprojnë, duke krijuar edhe vlera të përbashkëta kulturore. Ndërkulturaliteti e përfshin mirëkuptimin, respektin e ndërsjellë, dialogun, kundërshtimin e çdo diskriminimi dhe bashkëpjesëmarrjen e kulturave të ndryshme në krijimin e vlerave të përbashkëta kulturore.

“Shumëkulturaliteti vetëm thotë se ekzistojnë shumë kultura dhe se jetojnë në njëfarë fqinjësie, e vetëm kaq, asgjë më shumë. Ndërkulturaliteti, megjithatë, ka domethënie më të gjerë. Ai sugjeron mundësinë dhe detyrimin për lidhje të përhershme ndërmjet kulturave, gjegjësisht të pjesëtarëve të tyre”, kurse “gjatë takimit dhe kontaktit ndërmjet dy bashkëbiseduesve ose aktorëve të dy kulturave, doemos lind diçka e tretë”, thotë Katunaric në librin “Labirinti i evolucionit” (Zagreb, 1994, f. 155).

Në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë që të jenë të shprehura ndarjet në baza etnike. Pë këto ndarje, siç thamë, ka ndikuar politika dhe elitat intelektuale që shpesh gërmojnë nëpër mademet e historisë për të nxjerr nga andej helmet e urrejtjes. Historia, megjithatë, jep shembuj të shumtë solidariteti ndëretnik. Politika këtu di t’i servojë qytetarit kiç dhe propagandë, që, sipas Milan Kunderës, janë në lidhje farefisnore. “Kiçi është ideali estetik i çdo partie politike”, thotë ai.

Politikanët shpesh shërbehen edhe me diskurse ksenofobe. Ksenofobia është e dëmshme për çdo sistem kulturor. Ksenofobët janë armiqtë më të mëdhenj të sistemeve të tyre kulturore, sepse janë kundër hapjes dhe ndërveprimit kulturor. Veçanërisht në shoqëritë shumëkulturore, që, sipas përkufizimit, janë heterogjene, dinamike, jostabile dhe të kushtueshme. Kur mungon dialogu, komunikimi dhe cenohen raportet demokratike ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, atëherë shoqëria rrezikohet nga konfliktet. Ruajtja e stabilitetit të brendshëm në planin etnik kushtëzohet jo vetëm nga cilësia e ligjeve, por edhe zbatimi i tyre në praktikë. Ligjet duhet të garantojnë të drejtat etnike dhe kulturore të të gjithë  kombeve që jetojnë aty, pa i cenuar edhe të drejtat individuale. Në shoqëritë shumëkulturore lypset investim i përhershëm në respektimin e dallimeve kulturore, kombëtare ose fetare. Dallimet e këtilla duhet të pranohen si pasuri.

Tendencat etnocentriste e cenojnë kohezionin ndëretnik dhe krijojnë plasaritje në shtyllat që e ruajnë stabilitetin e shoqërisë. Këto shtylla janë të forta atëherë kur çdo qytetari i garantohen të drejtat individuale, kulturore dhe kombëtare; kur krijohet hapësirë e lirë për afirmimin e identiteteve kolektive dhe individuale; kur dallimet kulturore, kombëtare apo fetare cilësohen përparësi dhe jo si rrezik.

Studiuesi i njohur, Daniel Anri Pazho, në një studim mbi  shoqëritë shumëkulturore dhe ndërkulturore, është i mendimit se shumëkulturaliteti, si zgjidhje politike, synon evitimin e konflikteve ndërmjet popujve të ndryshëm ose, më saktësisht, kulturave të ndryshme. Sipas tij, shumëkulturaliteti, si korpus mjetesh politike, strategjike, praktike dhe i vlerave morale, e synon krijimin e hapësirës së njëjtë për të gjitha kulturat dhe ku asnjëra kulturë të mos jetë e diskriminuar. Pranimi i identiteteve të individëve dhe/ose grupeve (gjuhësore, kulturore dhe fetare) është element thelbësor i shoqërive të këtilla. Kështu shumëkulturalizmi, i konceptuar si tolerancë universale, i kundërvihet çdo diskriminimi. Afirmimi i dallimeve kulturore dhe pranimi i tyre si pasuri për një shoqëri dhe një shtet, e nxit procesin e ndërveprimit kulturor (ndërkulturalitetit), që është shkallë më e lartë e emancipimit shoqëror. Maqedonia e Veriut është shumë larg këtij koncepti, për sa kohë vijnë në shprehje tendencat etnocentriste.

Sociologu Gani Bobi ka shkruar se kur në një shoqëri shfaqen tendenca për sovranitet të “kulturës së madhe”, të “kulturës superiore”,  “më të lartë për nga vlerat”, “më autentike”, ndaj një kulture tjetër “më të ulët”, “më inferiore”, atëherë aty pamundësohet vendosja e solidaritetit mbinacional (Konteksti i vetëkulturës, Pejë, 1994.).

Shfaqja e tendencave të këtilla, herët apo vonë, krijon terren për konflikte të brendshme në një shoqëri. Politikat etnocentriste e godasin bazamentin e identitetit shumëkulturor dhe krijojnë terren edhe për interpretime të reja ideologjike dhe politike.

Shtetet shumëkulturore mund të funksionojnë normalisht vetëm nëse mundësohet zhvillimi i të gjithë kulturave. Sipas Habermasit kjo është e mundur vetëm në shoqëritë post-tradicionale  (“republikën radikale”, siç e quan ai), ku nuk ka përplasje ndërmjet strukturës së personalitetit (“vetëpërcaktimit post-tradicional”) dhe strukturës kulturore (identitetit grupor). Aty integrimi social dhe kulturor bëhet pa kurrfarë represioni. Kur kemi shfaqje të etnonacionalizmit, atëherë konfliktet politike reduktohen në kërkesa grupesh etnike. Kjo çon drejt konfrontimit me demokracinë. Ndërkaq demokracia kërkon pjesëmarrje të hapur politike për të gjithë qytetarët dhe pa kurrfarë diskriminimi.

Në Maqedoninë e Veriut refuzimi i të drejtave kulturore të palës “tjetër” vjen edhe si pasojë e frikës ndaj “tjetrit”. Dallimet kulturore ende nuk trajtohen si vlerë prioritare dhe si pasuri që duhen ruajtur dhe zhvilluar. Maqedonia e Veriut do të funksionojë si shtet normal vetëm nëse, siç thotë Çarls Tejlori në librin “Shumëkulturaliteti, vështrime mbi politikën e pranimit”, secili do ta ketë të drejtën të besojë se kultura e tij është e vlefshme.

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top