RIFORMATIMI I KDP-SË, AGORA E GAZETARISË ANALITIKE

Autor: Bardhyl Zaimi

 

Kur e nisëm fillimisht KDP, ne, një grup gazetarësh, e menduam si një agorë për mendimin ndryshe, të argumentuar dhe të bazuar tërësisht mbi principet e mirëqena të gazetarisë profesionale. Kanë kaluar tashmë më tepër se dy vite që portali KDP funksionon pikërisht mbi këto principe, duke i ofruar lexuesit informacion më të thelluar dhe duke i ofruar njëkohësisht përmbajtje të verifikuara nga zhanri i gazetarisë komentuese.

Portali është mirëmbajtur tërësisht mbi baza vullnetare me një pretendim të vetëm që në kaosin e madh të mediave online, të informacionit kaotik dhe në të shumtën e rasteve të pavarifikuar, ne si media të ofrojmë një qasje tjetër, që në esencë mbetet analitike dhe plurale. Ngeshëm dhe pa shumë sforcime, brenda kësaj kohe KDP arriti të krijojë një profil identifikues analitik, duke e fuqizuar ndërkohë besueshmërinë dhe relevancën e vetë.

Duke u mbështetur tërësisht në një paradigmë moderne të gazetarisë dhe duke kultivuar pluralitetin e mendimeve, por njëkohësisht edhe të debatit të argumentuar dhe të kulturuar, KDP arriti pa shumë mendjemadhësi të krijojë një rreth lexuesish të kultivuar që receptimin e tyre e shtrinin përtej “xhuglës” së informacionit të përditshëm, në ato hemisfera të receptimit që kërkojnë një lexues të kultivuar dhe që di ta dallojë atë që është realitet objektiv, apo siç quhet ndryshe në gazetari deontologji, nga hiper-prodhimi i informacioneve gjysmake që më tepër e hutojnë lexuesin në pritshmëritë për të akceptuar dinamikat politika, ekonimike, sociale dhe kulturore.

KDP tashmë gjendet në një fazë tjetër konsolidimi dhe që sot starton me përmbajtje tjera gazetareske, të cilat besojmë thellësisht se i përgjigjen pikërisht këtij misioni fillestar për një media të hapur dhe profesionale. KDP tashmë do ta zgjerojë matricën e vetë mediale me analiza të thelluara, me intervista dhe me trajtime tjera të problematikave në Maqedoninë e Veriut. Pikërisht nëpërmjet këtyre përmbajtjeve të reja, KDP do ta mbintërtojë koncepetin e vetë editorial, duke kultivuar mendimin kompetent, të argumentuar dhe tërësisht të mbështetur në principet e gazetarisë profesionale.

KDP pretendon që të hap debatin për shumë çështje që prekin jetën e qytetarëve, për shumë problematika dhe çështje më rëndësi jetike për të ardhmen europiane të gjithë qytetarëve. KDP do të jetë një agorë e dialogut të hapur, e mendimit tolerant dhe e kultivimit të pandërprerë të një qasjeje profesionale dhe në esencë plurale. KDP me formatin e ri të saj medial synon që të jetë një vektorë i mendimit paradigmatic në rrasfhin politik, shoqëror dhe kulturor.

Nëpërmjet përmbajtjeve të reja analitike, KDP, do të kultivojë një koncept modern gazetarie, që nuk e nënkupton vështrimin pasiv të ngjarjeve dhe zhvillimeve, sidomos në hapësirën gjuhësore shqiptare, por që brenda konceptit të vetë inkorporon faktografinë si esencë e gazetarisë dhe intepretimin që ngritet pikërisht mbi këtë esencë.

KDP do të kultivojë një interaksion përmbajtjësor edhe me hapësirën gjuhësore maqedonase, duke i përkthyer shkrimet me pikante dhe duke i botuar në edicionin në gjuhën maqedonase, krejt me qëllim për të nxitur një lexim autentik dhe për t’i dhënë hapësirë dialogut politik dhe interkulturor.

Shkrimet më pikante do të botohen edhe në gjuhën angleze, që gjithashtu mbetet një dimension tjetër i rëndësishëm i konceptit tonë editorial.

Ne jemi thellësisht të bindur që me këtë koncept të mbindërtuar editorial, KDP-ja do të hapë një horizont tjetër trajtimesh gazetareske që do të shkojnë në favor të një percpetimi më të thelluar të realiteteve politike dhe shoqërore, por njëkohësisht do të nxisë një debat esencial mbi zhvillmet e përgjithshme në Maqedoninë e Veriut, por edhe me gjerë në rajon dhe Europë.

Ju ftojmë që së bashku ta bëjmë këtë rrugë me shumë sfida, këtë rrugë që nënkupton gazetari profesionale dhe debat të pandërprerë demokratik mbi të gjitha temat që ndërlidhen me fatin europian të gjithë qytetarëve.

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top