TRIBUNË E BIRC DHE UEJL: TMERRET E LUFTËS SË UKRAINËS RRËFEHEN NË TETOVË

0
101

Një grup i shërbyesve publik të Ukrainës kanë qëndruar sot në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë për të rrëfyer tmerret e luftës së shkaktuar nga agresioni rus, i nisur më 27 shkurt të këtij viti, raporton kdpolitik.com.

Storjet e tyre mbi tmerrin e luftës u treguan në kuadër të tribunës së titulluar “Rrëfime nga Ukraina”, e organizuar nga UEJL dhe Instituti BIRC me qendër në Tetovë.

Tetjana Sçerbak, zëvendës guvernator i Rajonit të Kievit, tha se Ukraina është e vendosur të luftojë deri në çlirimin e centimetrit të fundit të territorit të saj, pa marrë parasysh çmimin që do ta paguaj.

Violetta Dvornikova, këshilltare e Kryetarit të Bashkisë së Irpinit, tha se vjen nga qyteti-hero i cili i dha goditjen vendimtare ushtrisë ruse. Ajo dha statistika të shkatërrimeve që ka lënë pas vete ushtria ruse, që përfshijnë mbi 3 mijë banesa, shtëpi, shkolla, institucione, objekte afariste dhe infrastrukturë.

Trohim Ivanov, nënkryetar i komunës së Vishgorod, e falënderoi audiencën e përbërë nga studentë dhe pedagogë të UEJL-së, si dhe nga aktivistë e gazetarë, për përkrahjen që i jep bota demokratike luftës në Ukrainë. Ai tha se në Ukrainë nuk mbrohet vetëm Ukraina por e tërë Evropa.

Nenad Çanak, politikan dhe aktivist për paqe dhe demokraci, tha se lufta në Ukrainë nuk është një ngjarje e izoluar dhe se e njëjta shpejtë mund të bartet edhe  në pjesë tjetër të Evropës.

Në cilësi të nikoqirit Rektori i UEJL-së, Akademik Abdylmenaf Bexheti, falënderoi të delegacionin nga Ukraina për vizitën, të cilën e vlerësoi si mjaft të rëndësishme për komunitetin akademik por edhe më gjerë pasi krijon mundësi që drejtpërdrejt të dëgjohen dëshmitë për vuajtjet e Ukrainasve nga agresioni i paprovokuar rus.

“Prej këtu, nga Gadishulli Ballkanik si pjesë e Evropës, gjeografikisht ndoshta më të largët nga vendndodhjet e vuajtjeve të shkaktuara nga lufta por më të afër me përjetime të ngjashme, ndoshta edhe më mizore, vetëm dy dekada më parë. Nëse dikush i kupton më mirë miqtë tanë ukrainas, ne jemi ndër ata, fatkeqësisht jo të vetëm në këtë pjesë të Evropës, sepse këndejpari, si në BeH, para tre dekadash e në Kosovë para dy dekadash, përjetuam gjëra të ngjashme që shkaktuan qindra mijëra viktima, e mos u përsëriteshin kurrë më!”, tha Bexheti.

Ai vuri në dukje rrezikun e Ballkanit dhe Evropës nga Rusia e cila, e ndihmuar edhe nga Serbia, po fabrikojnë lajme të rreme e gënjeshtra për të cilët tha se “ka preferencë dhe pjelloritet për t’i absorbuar si të vërteta”.

“Njëkohësisht, shpresoj të dëgjojmë edhe dëshmi për popullin trim Ukrainas që me shumë përkushtim dhe patriotizëm i vihet në shërbim atdheut. Në historinë e njerizimit, së paku në shekullin që e lamë pas, asnjë luftë agresive dhe e padrejtë s’ka mund të fitohet nëse nga populli, e posaçërisht rinia e tij, ka një përkushtim dhe gatishmëri për ta mbrojtur atdheun, pa llogaritur në humbjet që mund të pësojë – si ato njerëzore poashtu edhe ato materiale. Populli i Ukrainës e dëshmoi këtë, për çka do mësojnë, jo vetëm gjeneratat e reja, por shpresojmë edhe politikanët diktatorë që zakonisht për hir të pangopësisë për pushtet i bëjnë këta aventura me pasoja fatale, në fund edhe për ata vet dhe vendet e tyre gjithashtu”, tha Bexheti.

Ai tha se është për tu përshëndetur vendosmëria e komunitetit Perëndimor që reaguan në kohë në rastin e Ukrainës dhe nuk bënë gabimet e së shkuarës, kur nuk kishte unitet përballë agresorëve dhe keqbërësve.

“Urojmë dhe dëshirojmë që sa më parë të ndërpritet agresioni i padrejtë dhe të gjendet zgjidhje paqësore të qëndrueshme, e jo të lihet një derë e hapur siç ndodhi me Krimenë, gati një dekadë më parë. I lutemi Zotit që kjo të ndodhë sa më parë”, tha Bexheti.

Ndryshe, tribuna u hap me poezinë “Testamenti” të poetit Taras Shevçenko, njëri nga themeluesit e kombit ukrainas, të cilën e recitoi Seladin Xhezairi nga Instituti BIRC.

TESTAMENT

Kur të vdes, varrosmë

në një varr…

në mes të stepës së gjerë

në Ukrainën time të shtrenjtë!

Kështu do të mundem t’i shoh fushat pafund

Dnipron dhe shkëmbinjtë

─ e do të dëgjoj

sesi ai ulërin!

Kur ai të sjellë gjakun e armiqve

nga Ukraina në detin blu…

atëherë do të ngrihem nga fusha

do të lë gjithçka këtu dhe do të arrij

Zotin vetë

që të mund të lutem…

por më parë se kjo…

unë nuk njoh asnjë Zot

Varrosu dhe ngrihu!

thyeji zinxhirët!

lirinë tënde – vadit

me gjakun e armiqve të zemëruar!

Dhe, mos harro për shpirtin tim – të piish

Kujtomë tek them një fjalë të qetë, të ëmbël

në familjen e madhe,

në familjen e re e të lirë.

(25 dhjetor 1845)

SHARE
Previous articleANALIZË: Statusi juridik – kushtetues i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut
Next articleDIJA JOFUNKSIONALE DHE NGËRÇI I INTEGRIMEVE
Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal – BIRC është organizatë joqeveritare dhe jopartiake, tërësisht e pavarur në funksionimin e saj, me seli në Tetovë. Organizata angazhohet për promoviminin dhe praktikimin e gazetarisë kualitative dhe hulumtimeve shkencore në realizimin e qëllimeve të saja për një shoqëri me vlera demokratike, për institucione transparente, për një demokraci funksionale dhe për një shtet apo rajon progresiv dhe bashkëpunues. BIRC përfshinë ekspertë të dëshmuar nga fusha e gazetarsisë hulumtuese, e analizave nga të gjitha vendet e Ballkanit dhe më gjerë.