Xhelal Neziri: Heshtja ndaj korrupsionit është miratim

“Numri një” i Qendrës për Gazetari Hulumtuese SCOOP, Xhelal Neziri, është një prej gazetarëve më të shquar në Maqedoni, dhe një ndër të paktët që për një kohë të gjatë merret me gazetari hulumtuese, e cila dita – ditës po bëhet më e rrallë në mediat jo vetëm në Maqedoni, por në përgjithësi, si pasojë e trendit të tabloidizimit të mediave dhe dominimit të përmbajtjeve “rozë”. Në intervistën e dhënë për verifikimiifakteve.mk flet për sfidat, me të cilat ballafaqohet gazetaria hulumtuese në Maqedoni, me theks të veçantë në fushën e korrupsionit institucional.

 

Pse  në Maqedoni është shumë pak e zhvilluar gazetaria hulumtuese, sidomos në fushën e korrupsionit institucional?

 

Xhelal Neziri: Po, gazetaria hulumtuese është shumë pak e zhvilluar në Maqedoni. Kjo buron nga dy probleme: i pari është mungesa e kondicionit financiar të mediave të mbështesin gazetarinë hulumtuese, dhe i dyti mungesa e lirisë për të hulumtuar apo publikuar storje ku zbulohen raste korrupsioni të ndërlidhura me njerëz të fuqishëm nga politika apo biznesi. Këtu ballafaqohemi me një kontradiktë, të cilin e ka prodhuar sistemi në Maqedoni: mediat e lira që mund të zhvillojnë gazetarinë hulumtuese nuk kanë mjete të nevojshme financiare, kurse mediat që kanë të hyra marramendëse nuk kanë liri të hulumtimit apo botimit të produkteve të gazetarisë hulumtuese. Duhet ta kemi parasysh se, përveç aftësive profesionale, gazetaria hulumtuese nënkupton edhe një kosto më të lartë për kompanitë mediatike. Për të pasur një storje të mirë hulumtuese, një gazetar duhet të punojë nga një deri më tre muaj në temën e caktuar. Shpenzimet në tërë këtë proces mund të jenë të larta, pasi nevojiten udhëtime, akomodime, pagesë për dokumentet e nevojshme e kështu me radhë.

 

Nga hulumtimet e juaja të deritanishme, për korrupsionin nëpër institucione shtetërore, çfarë keni përfunduar, a kanë reaguar institucionet kompetente, a rritet vetëdija qytetare?

 

Xhelal Neziri: Korrupsioni është bërë pjesë e sistemit, normalitet dhe mënyrë funksionimi. Fatkeqësisht. Nuk dua të gjeneralizoj dhe të them se të gjithë funksionarët apo institucionet janë të korruptuara, por mund të them se pjesa më e madhe e tyre nuk punojnë në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës. Në dhjetë vitet e kaluara, mbi 5 miliardë euro kanë dalë nga vendi si pasojë e korrupsionit. Ato para janë mbledhur nga tatimet që paguajmë ne çdo ditë, çdo muaj, saherë që paguajmë faturat e rrymës, ujit, telefonit, çdo herë kur futemi në shitore, restorant…Kjo dëshmon se institucionet përkatëse, si prokuroria, policia dhe gjykatat kanë dështuar në drejtim të luftimit të korrupsionit. Poashtu, edhe Komisioni Shtetëror i Antikorrupsionit, si trup i pavarur që duhet të luftojë këtë dukuri negative që na varfëron të gjithëve.

Janë vetëm gazetarët dhe një pjesë e madiave të pavarura që janë duke zhvilluar një betejë të rëndë me korrupsionin. Është detyrë e secilit individ, administrator apo profesionist nga lëmitë e ndryshme të sfidojë këtë të keqe. Në një shtëpi ku ka hajni, vetëm varfëria gjen vend. Nuk ka përparim ajo shtëpi, nëse anëtarë të familjes keqpërdorin mjetet nga buxheti i përbashkët familjar. Njëjtë është edhe me shtetin, komunën, institucionin. Mendoj se kjo vetëdije mungon te pjesa më e madhe e qytetarëve, e opinionit publik. Buxheti shtetëror, i komunave, shkollave, spitaleve apo i institucioneve në përgjithësi, kuptohet si i huaj, sikur të jetë mbushur nga para që kanë rënë nga qielli. Rrjedhimisht, keqpërdorimi i detyrës dhe mjeteve publike pranohet gati si gjë normale.

 

Thoni se nuk ka vetëdije për pasojat e korrupsionit. Ku e bazoni këtë konstatim?

 

Xhelal Neziri: Maqedonia është rast unik në botë ku janë shpalosur afera aq eksplicite korruptive, por reagimi në opinion është i vakët. Në vendet evropiane kemi dorëheqje ministrash, kryeministrash e presidentësh, vetëm se është vënë në dyshim diploma e tij, se ka përdorur makinën zyrtare për nevoja private apo ka keqpërdorur buxhetin dhe kompetencat. Te ne, të ashtuquajturat “bomba” të opozitës i paraqitën publikut tërë atë korrupsion që ndodh prapa perdeve, por kjo nuk shkaktoi reagime që do të detyronin qeverinë të dorëhiqej. Kjo është shqetësuese për Maqedoninë, për të gjithë qytetarët që kanë vendosur të jetojnë me ndershmëri në këtë vend. Para “bombave”, afera korruptive kanë zbuluar edhe gazetarët, por gjithçka ka kaluar në heshtje te pjesa më e madhe e opinionit. Heshtja në këtë rast nuk është vetëm miratim, por edhe pjesëmarrje në korrupsion.

 

Sa ndikojnë storjet hulumtuese mbi raste të korrupsionit, për uljen e korrupsionit në vend?

 

Xhelal Neziri: Përderisa nuk kemi gjyqësor dhe institucione të pavarura, nuk mund askush të kontribuojë në uljen e korrupsionit. Ne si gazetarë tentojmë të ngremë vetëdijen e opinionit publik për pasojat e korrupsionit, siç janë varfëria, kriminaliteti, ikja masive e të rinjve…Këtë tentojmë ta bëjmë duke zbuluar keqpërdorimet e mjeteve publike të të zgjedhurve tanë dhe duke e ndërlidhur nevojën e reagimit. Por, më i rëndësishëm në këtë rast është funksionimi i pavarur i Prokurorisë. Ky institucion ligjërisht është i obliguar të reagojë dhe në rrugë institucionale ta hetojë çdo indicie për korrupsion, përfshirë edhe ato që paraqiten në media në formë të storjeve hulumtuese. Deri më tani, kjo nuk ka ndodhur. Tash, pasi u formua Prokuroria Speciale, besoj se gjërat do të ndryshojnë në drejtim pozitiv. Nevojitet departizimi edhe i gjykatave dhe policisë. Arrestimi i politikanëve të korruptuar do të jetë hapi vendimtar për çrrënjosjen e kësaj dukurie negative. Pasi të ndodhë kjo, qytetarët do të ndjejnë kthesën pozitive në drejtim të rritjes së investimeve kapitale në arsim, shëndetësi, infrastrukturë…Paratë që i paguajnë në formë tatimesh do t’u kthehen si investime dhe zhvillim.

 

Sa janë të hapura institucionet për informacione të karakterit publik?

 

Xhelal Neziri : Edhe pse me vonesë maksimale, gati të gjitha institucionet kthejnë përgjigje në pyetjet e bazuara në Ligjin për Qasje të Lirë te Informacionet me Karakter Publik. Ka raste kur bëjnë lajka, por ka Komision përkatës që mund të obligojë institucionin të përgjigjet. Ligji parasheh dënime me burg deri më 5 vite nëse nuk jepet përgjigje në pyetje që kërkojnë informacion të karakterit publik. Kjo e drejtë duhet shfrytëzuar nga të gjithë, me qëllim që të mbahen nën kontroll administratorët dhe funksionarët që paguhen nga tatimet tona. Fatkeqësisht, kjo e drejtë shumë rallë përdoret nga gazetarët si mjet për hulumtim dhe dokumentim të informacionit. Ende më pak e përdorin shoqatat joqeveritare. Ne e kemi patjetër t’i mbajmë nën vëzhgim institucionet, me qëllim që të parandalojmë keqpërdorimet financiare.

 

Nga përvoja juaj e deritanishme, cilat metoda janë te nevojshme për parandalimin e korrupsionit?

 

Xhelal Neziri: Bashkëpunimi midis medias, shoqërisë civile, Komisionit Shtetëror për Luftimin e Korrupsionit dhe Prokurorisë mund të sjellë rezultate të dukshme. Deri më tani, të gjitha storjet hulumtuese kanë përfunduar te lexuesi. Me institucione të pavarura, ato informacioni duhet të procesuohen nga Komisioni  kundër korrupsionit dhe Prokuroria, që me në fund drejtësinë ta ndajë gjykata. Nëse ligji nuk vlen për të gjithë njëlloj, atëherë konfliktet brenda shtetit janë një rrjedhojë logjike.

 

Për fund, si do t’i inkurajonit gazetarët e rinj që të merren me ketë sfidë, “luftimin e korrupsionit”?

 

Xhelal Neziri: Çdo njeri vjen në këtë botë me një mision. Secilit i është dhënë një rol që të përmbushë misionin e tij. Jeta e njeriut është si rrugëtimi i meteorit: ai përherë shndritë para se të bie. Edhe gazetari poashtu ka një mision – të vërtetën ta nxjerrë në shesh. E vërteta e cila do ta bëjë vendin e tij të mirë për të jetuar, do të sigurojë një kualitet të mirë jetese dhe do ta bëjë shoqërinë të sigurt për pasardhësit e tij. Korrupsioni është burimi i së keqes dhe armik i së vërtetës. Heshtja në këtë rast është aleati më i mirë i korrupsionit. Gazetarët e rinj kanë kapacitet, vullnet, guxim por edhe mjete teknologjike që të bëjnë storje hulumtuese. Atyre u nevojitet vetëm pak hapësirë mediatike dhe mbështetje që të realizojnë këtë mision.

 

 

Intervistoi: Xhenis Sulimani

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top