Cfarë i kontribuon përfaqësimit të dobët te grave në jetën politike?

Cfarë i kontribuon përfaqësimit të dobët te grave në jetën politike, respektivisht kthimit te kesaj situate ne kahje pozitive?

 

Shkruan: Sefer Tahiri

 

Dy lajme kohëve të fundit në kontekst të përfaqësimit më të madh të grave në sferën politike kanë tërhequr vëmendjen e mediave dhe rrjedhimisht edhe të opinionit publik.

I pari i përket rrafshit ndërkombëtar, ndërsa i dyti atij rajonal – ballkanik.

Islanda bëhet shteti i parë evropian me shumicë parlamentare, në të cilën numër më të madh kanë gratë. 33 nga 63 vende në Kuvend ose 52 për qind i fituan gratë dhe rritja është për 9 vende deputetësh, krahasuar me zgjedhjet e fundit në vitin 2017. Asnjë vend tjetër në Evropë nuk e ka kaluar pragun prej 50 për qind, ndërsa më afër ka arritur Suedia me 47 për qind gra në Kuvend.

Më interesant është fakti se Islanda nuk ka kuota ligjore për përfaqësim të grave në Kuvend, siç e kanë shumica e shteteve evropiane.

Një hap të guximshëm sa i përket përfaqësimit të grave në politikë ka bërë kryeministri shqiptar Edi Rama. Kabineti i ri qeveritar i Shqipërisë, i kryesuar nga Edi Rama përbëhet nga 12 gra dhe 4 burra. Megjithatë, që qeveria të mos reflektojë vlera evropiane deri në fund, koncepti ballkanik ka mbetur gjallë tek ndarja e dikastereve. Ato më kryesoret mbeten në dorën e burrave!

Në këtë segment, Maqedonia e Veriut fatkeqësisht është shumë larg Islandës, por edhe larg Shqipërisë.

Historia e përfaqësimit politik të grave në Maqedoninë e Veriut 

Hulumtimet tregojnë se në 50 vende të botës, gratë janë të përfaqësuara në institucionet ligjvënëse me më shumë se 30 për qind, midis të cilave është edhe vendi ynë.

Hulumtimi mbi përfaqësimin e grave, si një dokument për politika publike tregon se Maqedonia e Veriut që nga vitet 90-ta ka bërë tre herë ndryshime në kuadrin normativ -ligjor në drejtim të përmirësimit të të drejtave politike të grave. Mes tyre janë edhe aktet e ashtuquajtura “pozitive – diskriminuese”, me të cilat avancohet gjendja dhe status i grave në shoqëri. Ndryshimet e këtilla normative kanë rezultuar me rritjen e përfaqësimit të grave në Kuvend.

Përfaqësimi i grave në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut

Në zgjedhjet e para parlamentare, të mbajtura në vitin 1991, me modelin zgjedhor të shumicës janë zgjedhur 120 deputetë, nga të cilët vetëm 5 kanë qenë gra (4 për qind nga numri i përgjithshëm i vendeve në Kuvend). Rrjedhimisht nuk ka qenë  më i madh as numri i kandidatëve gra për deputetë, i cili ishte 6 për qind.

Në përbërjen e parë parlamentare ka pasur 23 deputetë shqiptarë, të zgjedhur nga Partia e Prosperitetit Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore, që të gjithë të gjinisë mashkullore. Kjoe dhënë flet për faktin se shoqëria shqiptare në vitet e para të pluralizmit ishte shumë maskuluniste dhe nuk reflektonte aspak barazinë gjinore.

Në vend se përfaqësimi i grave të shënojë rritje, në vitin 1994 ndodh e kundërta. Në këto zgjedhje numri i grave është ulur në 4 deputete gra përkatësisht 3 për qind e numrit të deputetëve të zgjedhur, nga të cilat asnjë shqiptare. Edhe në këto zgjedhje numri i kandidateve ka qenë i ulët, edhe atë vetëm 8 për qind.

zgjedhjet parlamentare të vitit 1998 numri i grave është rritur, por vetëm simbolikisht . Janë zgjedhur 9 deputete apo 8 për qind nga numri i përgjithshëm i deputetëve.Еdhe pas këtyre zgjedhjeve shqiptarët përfaqësoheshin në Kuvend vetëm nga meshkujt. Numri i kandidateve gra në këto zgjedhje ka qenë 13 për qind.

Në kuvendet që kanë dalë nga tri zgjedhjet e organizuara parlamentare(dy të parat me modelin e shumicës dhe të treta me atë proporcional), gratë në institucionin ligjdhënës janë përfaqësuar me rreth 5 %.

Në vitin 2002 janë bërë ndryshime ligjore, me të cilat garantohet përfaqësimi minimal i grave në Kuvend. Me ndryshimet e Ligjit për zgjedhjen e deputetëve në vitin 2002 theksohet kuota prej 30 për qind e pjesëmarrjes së gjinisë më pak të përfaqësuar në listat e kandidatëve për deputetë.

Zgjedhjet e katërta parlamentare, pas përfshirjes së kuotave përfaqësuese, janë mbajtur më 15 shtator të vitit 2002. Në këto zgjedhje nga 36 % e grave kandidate gra, janë zgjedhur 21 deputete përkatësisht 18 përqind nga 120 deputetë.

12 vite pas pluralizimit të Maqedonisë së Veriut, shqiptarët janë përfaqësuar me gra në Kuvend. 4 kanë qenë deputete të Bashkimit Demokratik për Integrim: Teuta Arifi, Nazlije Dauti, Selvije Saliu dhe Semijal Hasani, ndërsa deputetja Arifi edhe pse ishte nënkryetare e BDI-së arriti të merr vetëm pozitën e kryetares së Komisionit të Kulturës në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ndërsa Partia Demokratike Shqiptare dhe Partia e Prosperitetit Demokratik nuk janë përfaqësuar me asnjë grua. Megjithëse kuota rriti përfaqësimin e grave në Kuvend, zgjedhja e 21 deputeteve apo 18 përqind e tyre ishte larg nga synimi që gratë të përfaqësohen me 30 për qind.

Meqë u vërtetua se Kodi zgjedhor në vitin 2002 nuk i dha efektet e pritura, i njëjti pësoi ndryshime në vitin 2006.Me to parashikohej dispozitë, me të cilën në listat e kandidatëve për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve në komuna dhe qytetin e Shkupit, në çdo tre vende, një i takon gjinisë më pak të përfaqësuar.

Me këto ndryshime ligjore, rritet dukshëm numri i deputeteve në Kuvend, duke përmbushur projeksionin e përfaqësimit prej 30 për qind, i promovuar dhe mbështetur nga faktori ndërkombëtar si standard i demokracisë liberale.

Numri i deputeteve gra, që u zgjodhën në zgjedhjet parlamentare të vitit 2006 ishte 37 apo 31 për qind e numrit të përgjithshëm të Kuvendit. Prej tyre 7 ishin shqiptare apo vetëm 10 për qind nga përfaqësimi i përgjithshëm parlamentar i grave. 4 deputete ishin nga BDI dhe 3 nga PDSH. BDI përfaqësohej me deputetet: Teuta Arifi, Zymrete Jakupi, Selvije Saliu dhe Ajshe Selmani, ndërsa PDSH me Hazbije Ibishin, Flora Kadriun dhe Elmaze Selmanin.

zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2008 nga 120, janë zgjedhur 37 deputete në institucionin ligjdhënës apo 31 për qind. Mes tyre janë zgjedhur  6 deputete shqiptare, edhe atë 4 nga Bashkimi Demokratik për Integrim: Teuta Arifi, Ermira Mehmeti, Julieta Marku dhe Zymrete Jakupi, ndërsa 2 janë zgjedhur nga Partia Demokratike Shqiptare. Sadije Iljazi dhe Merale Uzairi – Ferati.

Edhe në zgjedhjet e vitit 2011 nuk ndryshon shumë numri i deputeteve të zgjedhura. Numri i tyre ka qenë 36 apo 31 për qind e numrit të përgjithshëm të ulëseve në Kuvend. Në këtë përbërje parlamentare rritet dukshëm numri i deputeteve që zgjidhen nga shqiptarët etnikë. BDI-ja kishte deputete: Vjollca Mehmeti – Nuredinin, Dëshira Imerin, Ermira Mehmetin, Julijeta Markun, Suzana Saliun dhe Hajrie Misimin. Ndërsa PDSH-ja kishte 2 deputete: Sadije Iljazin dhe Merale Uzairi – Feratin.

Meqë në parti të caktuara politike është vërejtur fenomeni i presionit ndaj grave të zgjedhura që të tërhiqen, duke ua lëshuar vendin deputetëve burra, të cilët gjenden pas tyre në listat kandiduese, është imponuar nevoja edhe e një ndryshimi thelbësor, sa i përket përfaqësimit të grave. Me ndryshimet e bëra në Kodin zgjedhor të vitit 2014, përforcohet ligjërisht koncepti i përfaqësimit të grave, pasi me to parashihet që nëse një deputeteje i përfundon mandati ose tërhiqet për shkaqe të ndryshme, vendin e saj e zë kandidatja pasuese në listë, që është e gjinisë femërore.

zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, nga gjithsej 123 deputetë (3 nga të cilët ishin të diasporës), grave iu takuan 33 për qind, që ishe në kuadër të pritjeve. BDI përfaqësohej me 7 deputete nga gjithsej 19 deputetë sa kishte fituar.

Kodi zgjedhor në vitin 2015 ka pësuar avancim edhe më të madh në dimensionin e përfaqësimit të grave. Me ndryshimet që janë në fuqi parashikohet që së paku 40 për qind e kandidatëve t’i takojnë gjinisë më pak të përfaqësuar apo një në tre kandidatë të jetë femër dhe në mënyrë plotësuese edhe një vend në çdo dhjetë vende. Por, edhe pse ndryshimet ligjore u bënë në drejtim të rritjes së përfaqësimit, nga deputetët e zgjedhur në zgjedhje parlamentare të vitit 2016, 32 për qind janë gra. BDI-ja nga 10 deputetë, vetëm 2 i kishte .

Përfaqësimi i grave në Kuvend shënon përparim dhe kjo shihet nga krahasimi i zgjedhjeve parlamentare ndër vite. Sipas rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në vitin 2020, mandatin e deputetes e fituan më shumë se 1/3 e numrit të përgjithshëm apo 47 deputete përkatësisht rreth 40 për qind.

Analiza e historisë parlamentare tregon se Kuvendi asnjëherë në këto tridhjetë vite nuk është drejtuar nga asnjë grua,ndërsa deputetja Liljana Popovska ka qenë ushtruese detyre e kreut të Kuvendit vetëm 10 ditë. Krerët e Kuvendit kanë qenë Stojan Andov, Tito Petkovski, Savo Klimovski, Nikolla Popovski, Lupço Jordanovski, Lubisha Georgievski, Trajko Veljanovski dhe Talat Xhaferri.

Hulumtimi i Institutit për Lidership dhe Politika Publike

Në funksion të afirmimit të konceptit të pjesëmarrjes së grave në përfaqësimin politik në nivel qendror dhe lokal, Instituti për Lidership dhe Politika Publike ka realizuar hulumtimin në terren, gjatë së cilit janë anketuar gra dhe burra në rajonin e Pollogut lidhur me qasjen dhe pjesëmarrjen e grave në jetën politike përmes mekanizmave të demokracisë së drejtpërdrejt dhe jo tëdrejtpërdrejt. Hulumtimi eshte pjese e projektit nga Ambasada e Britanise se Madhe ne Shkup me titull “Pjesemarrja e grave ne politike ne Maqedonine e Veriut”.

Në anketë janë përfshirë plus 500 persona (44 për qind burra dhe 56 % gra). Ekzemplari është reprezentativ, sepse të anketuarit reflektojnë strukturën etnike të vendbanimeve (dimensioni rural dhe urban), moshën dhe nivelin arsimor në rajonin e Pollogut.

Rezultatet e hulumtimit mbi pjesëmarrjen e grave në jetën politike

Perceptimi i qytetarëve dhe qytetareve për përfshirjen e grave në jetën politike është i rëndësishëm, sepse është bazë për dizajnimin e ndërhyrjeve për pjesëmarrje më të madhe të grave në jetën politike. Madje 33.7 për qind e të anketuarve konsiderojnë se gratë nuk janë të përfshira në jetën politike, deri diku janë të përfaqësuara mendojnë 45.2 përqind, 14.1 për qind konsiderojnë se gratë kanë përfshirje të duhur, ndërsa 7 për qind nuk janë përgjigjur në këtë pyetje.

Тabela: Gratë nuk janë të përfaqësuara mjaftueshëm në jetën politike në Maqedoninë e Veriut

A konsideroni se gratë janë mjaftueshëm të përfaqësuara në jetën politike në RMV? %
Po 14.1
Deri diku 45.2
Jo 33.7
Pa përgjigje 7.0
Në përgjithësi 100.0

Burimi: Pyetësori i strukturuar në kuadër të projektit “Rritja e pjesëmarrjes së grave në politikë në Maqedoninë e Veriut”

Çdo i dyti i anketuar, pa dallim gjinisë konsideron se gratë aspak apo jo shumë janë të përfaqësuar në pozicionet drejtuese në nivel qendror apo republikan. Pra, perceptimi i qytetarëve dhe qytetareve në rajonin e Pollogut është se gratë janë të përjashtuara nga pozicionet drejtuese në nivel qendror.

Interesant është e dhëna se përqindja e meshkujve, që konsiderojnë se gratë janë aspak ose jo shumë të përfaqësuara është me e lartë se e grave (48.4 për qind meshkuj vs 48.2 për qind). Në rajonin e Pollogut,11 për qind e meshkujve konsiderojnë se gratë janë shumë të përfaqësuara, ndërsa me këtë konstatim pajtohen 8 për qind e grave të anketuara.

Më shumë se 50 për qind e qytetarëve në rajonin e Pollogut, pa dallim gjinie. konsiderojnë se gratë aspak ose jo shumë janë të përfshira në pozita drejtuese në nivel lokal.

            Si të përmirësohet përfaqësimi i grave në jetën politike?

Siç e pamë barazia gjinore në përfaqësimin politik në një shoqëri me demokraci të brishtë si kjo e jona, nuk mund t’i lihet vullnetit të mirë të partive politike! Andaj nevojiten vazhdimisht reforma zgjedhore., me të cilat garantohet rritja e përfaqësimit të grave në të gjitha nivelet e pushtetit. Në këtë drejtim duhet të mendohet edhe për reforma në Kodin zgjedhor, me të cilat do të rritet përfaqësimi i grave në pozitat ministrore dhe të kryetarëve të komunave.

Në anën tjetër, vetë gratë duhet të ngrenë zërin dhe të jenë më të guximshme, që të mos pranojnë dominimin e gjinisë mashkullore në vendimmarrjen politike. Rrjedhimisht përveç organizimit të tyre në forume partiake të grave, me automatizëm duhet të kërkojnë që kuota e 40 përqindëshit të vlejë edhe gjatë përzgjedhjes së organeve partiake: kryesi qendrore (këshill qendror) kuvend qendror (kongres). Mbi të gjitha duhet të kërkojnë që kjo kuotë të vlejë gjatë përzgjedhjes së pozitave kryesore partiake: nënkryetarë dhe sekretarë të partisë.

Organizatat joqeveritare, siç është shembull për tu kopjuar Instituti për Lidership dhe Politika Publike vazhdimisht duhet të adresojnë kërkesa drejtuar partive politike që të përmirësojnë përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar. Kjo duhet të bëhet duke i rikujtuar, së bashku me mediat dhe opinionbërësit, se cilat janë përcaktimet e tyre deklarative programore për barazi gjinore dhe synimet gjoja për arritjen e vlerave evropiane, ndërkohë që politikën dhe vendimmarrjen e bëjnë me mentalitet të vjetër ballkanik.

Përfaqësimi i grave në zgjedhjet lokale të vitit 2021

Zgjedhjet lokale të vitit 2021 edhe njëherë përdëftojnë faktin që partitë politike kur është në pyetje përfaqësimi i grave janë larg vlerave evropiane. Asnjëra nga partitë politike nuk përmbush as për së afërmi projeksionin për barazi gjinore në përfaqësim në pushtetin lokal.

Nga 301 kandidatë për kreun e 81 komune, vetëm 25 janë gra. Kjo do të thotë se raporti mes kandidatëve meshkuj dhe femra është 92 për qind ndaj 8 për qind, edhe pse numri i popullatës që u takon dy gjinive është afërsisht i njëjtë.

Hulumtimi i platformës 360 shkallë tregon se të gjitha partitë politike kanë qasje mospërfillëse ndaj përfaqësimit të gruas, ndërsa dallimet janë minimale apo me nuanca.

Lidhja Socialdemokrate në listat e kandidatëve për kreun e komunës, gratë i ka përfaqësuar me më pak se 10 për qind. Nga 69 kandidatë, me sa konkurron në zgjedhje partia e Zaevit, 5 janë gra, mes të cilave edhe Milikie Halimi, e cila garon për mandatin e dytë të kreut komunal në Haraçinë. Katër kandidatet tjera garojnë në disa komuna të vogla, siç janë: Makedonska Kamenica, Mogilla, Petroveci dhe Staro Nagorriçane.

Edhe VMRO-DPMNE-ja nuk mund të lavdërohet me përfaqësimin e grave në lista, sepse gratë nuk e kalojnë 5 përqindëshin. Nga 63 kandidatë, kjo parti garon vetëm me tri gra, edhe atë Berovë, Krushevë dhe Qendër, ndërsa në Qytetin e Shkupit mbështet kandidaten e pavarur Danella Arsovska.

BDI garon në 19 komuna, ndërsa është përcaktuar vetëm për 1 grua, edhe atë Teuta Arifin, e cila synon mandatin e tretë në Tetovë. PDSH-ja nga 13 kandidatë, vetëm një kandidate e ka grua edhe atë Renata Elezin, e cila garon për kreun e komunës së Gostivarit.

Ndërsa koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në njërën anë dhe Lëvizja BESA në anën tjetër nuk garojnë me asnjë kandidate.

Edhe përfaqësimi i grave në pozicionin e bartësve të listave të këshilltarëve nuk është i favorshëm për partitë politike. LSDM-ja përfaqësohet me 34 për qind, VMRO – DPMNE-ja me 20 për qind, BDI me 17 përqind, BESA me 9 për qind, koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me 3 për qind dhe PDSH-ja me 12 për qind.

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top