DEMOKRACIA DHE DISIPLINA PARTIAKE: KU PËRFUNDON LIRIA E KU FILLON RENDI

 

Partitë politike janë bërthëma e organizimit shoqëror në çdo shtet demokratik. Këto organizime janë aktorët kryesorë që artikulojnë dhe adresojnë nevojat dhe interesat e qytetarëve. Ato janë organizatat politike qendrore në të gjitha sistemet moderne demokratike. 

Kur flasim për partitë politike në Maqedoninë e Veriut, ato përbëjnë pjesën më të madhe të sferës publike. Jo vetëm që janë bartës kryesorë të proceseve politike, por edhe faktor kyç në formësimin e opinionit publik. Kapaciteti i tyre demokratik përcakton edhe kualitetin e demokracisë së shtetit në përgjithësi dhe nivelin e institucioneve demokratike në veçanti. Natyrisht se tranzicioni i stërzgjatur në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor ka bërë që edhe në këtë rrafsh të ketë shmangie dhe dhe përplasje, madje serioze.

Njëkohësisht, edhe anarkia branda partive kryesore politike shkakton “tërmete” brenda sistemit politik shtetëror, të cilat më pastaj rezultojnë me institucione të brishta, joefikase, që ofrojnë shërbime jo të kënaqshme për shtetasit gjë që vë në pikëpyetje edhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

Partitë demokratike lejojnë mendimin ndryshe deri në marrjen e qëndrimit partiak me shumicë votash të organeve përkatëse, konform procedurave të parapara me statutin, si dokument më i lartë i subjektit. Këtij vullneti të shumicës më pastaj kërkohet t’i binden individët apo grupet që nuk janë pajtuar me atë qëndrim, por që nuk kanë arritur të sigurojnë mjaftueshëm vota për të imponuar qëndrimin e tyre si qëndrim partiak. Statuti i partive, njëjtë si Kushtetuta e shtetit, është një marrëveshje kolektive midis të gjithë anëtarëve të subjektit, i cili i përcakton politikat dhe procedurat e funksionimit demokratik. Masat sanksionuese për anëtarët që nuk e respektojnë statutin e partisë, edhe pse e kanë pranuar gjatë anëtarësimit, mund të jenë pezullimi i përkohshëm i anëtarësisë apo përjashtimi i përhershëm. Në disa parti përdoret edhe termi „dëbim“.

Nga fillimi i demokratizimit të Maqedonisë së Veriut me pavarësinë e vitit 1991, janë shënuar disa raste të përjashtimit nga partia. Rastet e fundit lidhen me dëbimin e Maksim Dimitrievskit nga LSDM-ja, një parti e qendrës së majtë, për shkak të mosrespektimit të vendimit të partisë që të mos rikandidojë për kryetar të Kumanovës në vitin 2021. Edhe pse fitoi garën, Dimitrievski megjithatë u përjashtua nga partia. Lëvizja BESA, një parti e spektrit të djathtë, në po të njëjtin vit përjashtoi deputetin e saj Kastriot Rexhepin pasi votoi qeverinë të cilën e kishte braktisur partia e tij. Aktualisht duket se para dilemës së njëjtë ndodhet edhe BDI-ja, një parti e qendrës, e cila sfidohet nga një fraksion i quajtur “Grupi i Zjarrit”.

 

RAPORTIN E PLOTË E GJENI KËTU!

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top