MALI SHARR I TRE SHTETEVE: PARKU MË I MADH KOMBËTAR NË EVROPË (video)

Mali Sharr është një thesar i bisodiversitetit, i pasurisë së jashtëzakonshme natyrore që shtrihet në tri shtetet Maqedoni e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri.

Malet e Sharrit përfaqësojnë një zinxhir malesh që shtrihen nga pjesa jugore e Kosovës dhe Maqedonisë veriperëndimore në Shqipërinë verilindore.  Sistemi malor është rreth 80 kilometra i gjatë dhe 10 deri në 30 kilometra i gjerë.

Malet e Sharrit, janë të famshme për relievin e tyre të thyer dhe majat e larta malore. Nëpër këto male, gjenden gjurmë të epokës së akujve në formën e liqeneve të ngrira e të larta malore.

Malet e Sharrit, kanë rëndësi të madhe për gjithë mjedisin përreth për faktin se aty gjenden burimet ujore nga ku “ushqehen” lumenjtë e rajonit. Këto male bëjnë lidhjen midis tre zonave të mëdha ujëmbajtëse dhe janë të pasura me burime, lumenj, liqene dhe ujëvara.

Fauna e Maleve të Sharrit, përfshin shumë kafshë të rralla dhe të rrezikuara, ndërsa dallohet për një bimësi të jashtëzakonshme.

Me shpalljen e Malit Sharr park nacional në Maqedoninë e Veriut  rrumbullakohet rajoni i mbrojtur që shtrihet në tre shtete dhe e mbulon një zonë të mbrojtur ndërkufitare me një sipërfaqe totale prej 244.617 hektarë. Parku kombëtar në Kosovë është që nga viti 1986, ndërsa në Shqipëri ekziston zonë e mbrojtur Korabi në kategorinë e parkut natyror që nga viti 2011. Parku Kombëtar i Mavrovës dhe parku  kombëtar i Malit Sharr u shtohen këtyre zonave, kështu që e gjithë zona me vlera të jashtëzakonshme natyrore fiton mbrojtje integrale.

Pikërisht në drejtim të mbrojtjes integrale të maleve të Sharrit, në drejtim të promovimit dhe të zhvillimit të parqeve kombëtare në një takim në Tiranë është promovuar ideja e menaxhimit gjithëpërfshirës, që nënkupton parkun ndërkufitar, gjegjësisht menaxhimin ndërkufitar të maleve të Sharrit.

Parku Kombëtar i Mavrovës dhe Parku Kombëtar Malet e Sharrit në Maqedoninë e Veriut, Parku Natyror Korab-Koritnik në Shqipëri dhe Parku Kombëtar Sharri në Kosovë do të jenë së shpejti pjesë e një parku ndërkufitar, më i madhi i këtij lloji në Europë me një sipërfaqe mbi 242 mijë hektarë.

Lidhja natyrore ndërkufitare e zonave të mbrojtura hap mundësi të reja për mbrojtje më të madhe të florës dhe faunës dhe njëkohësisht mundëson përballje më të mirë me veprimet ilegale, monitorim më të mirë, mundësi më të mëdha për zhvillimin e eko-turizmit dhe formave alternative të turizmit

Ky projekt mes tre vendeve synon zhvillimin e përbashkët ndërkufitar të turizmit miqësor ndaj natyrës, menaxhim i përbashkët ndërkufitar i rajonit si dhe promovimin e përbashkët të trashëgimisë së veçantë natyrore dhe kulturore përtej kufijve.  Brenda tre muajsh do të ngritet komiteti i menaxhimit të zonës së mbrojtur që do të nisë punën për këtë projekt.

Këmbimi i përvojave për menaxhim të suksesshëm me parkun kombëtar mbetet edhe një dimension tjetët i kësaj nisme, e cila shkon përtej menaxhimeve konvencionale, duke promovuar menaxhimin integral si një nismë ndëkufitare.

 

 

 

 

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top