BE-JA KËRKON MASA EFIKASE KUNDËR DEZINFORMATAVE

Bashkimi Evropian nuk është i kënaqur me përpjekjet që bën vendi në luftën kundër dezinformatave. Në raportin e fundit të Komisionit Evropian thuhet se “masat aktuale kundër dezinformatave nuk janë aq efikase”. Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikoski, vlerëson se lajmet e rreme nuk janë trend vetëm në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, në vendin tonë është më e theksuar pasi edhe qytetarët tanë ngecin më shumë sa i përket edukimit mediatik në krahasim me vendet e rajonit. Publicisti Emin Azemi, thotë se nxitimi për të prodhuar lajm pa e verifikuar paraprakisht, ka rrezik ta devijojë komplet misionin e gazetarisë, duke i dhënë asaj fuqinë e një përbindëshi, që mund të rrezikojë mirëqenien publike. Ndërkohë Petrit Saraçini nga Instituti për Media dhe Analitikë (IMA), ka deklaruar se lajmet e rreme dhe dezinformatat janë shumë të pranishme në komunikimin publik në vendin tonë, sidomos në rrjetet sociale dhe në një pjesë të mediave “onlajn”. Për këtë, siç tha ai, flasin shumë hulumtime të organizatave të respektuara ndërkombëtare dhe nga vendi.

Autor: Zenel Miftari

Bashkimi Evropian nuk është i kënaqur me përpjekjet që bën vendi në luftën kundër dezinformatave. Në raportin e fundit të Komisionit Evropian thuhet se “masat aktuale kundër dezinformatave nuk janë aq efikase”.

“Publiku duhet t’i kuptojë më mirë rreziqet që vijnë nga dezinformimi si dhe të zbatohet edukimi mediatik për gjithë shoqërinë”, rekomandon Komisioni Evropian.

Brukseli gjithashtu i bën thirrje vendit të bëjë përpjekje të mëtejshme për të pamundësuar ndërhyrjet e huaja dhe manipulimin e informacionit, përfshirë dezinformimin dhe format e tjera të kërcënimeve hibride.

Në bazë të raportit të Rrjetit Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), të titulluar “Vorbulla e rrenave”, burim i dezinformatave në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbeten Rusia dhe Kina. Lajmet e rreme në vendin tonë kryesisht ndërlidhen me devijimin e vlerave që mbron Bashkimi Evropian, lufta e Ukrainës dhe ngjarje ditore politike që tentohet të deformohen.

Informimi nga portalet në rritje

Megjithëse gjithnjë e më shumë informohen nga portalet për ngjarje të ndryshme, më pak se 2 për qind e qytetarë iu besojnë atyre. Këto të dhëna i nxjerr në pah hulumtimi i Fondacionit për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, të titulluar si “Efekti i dezinformatave dhe ndikimeve të huaja ndaj proceseve demokratike në Maqedoninë e Veriut”.

“Përqindja më e madhe e qytetarëve kanë besim të plotë në informacionet që i marrin nga kontaktet personale 24 për qind, ndërsa vetëm katër për qind kanë besim të plotë te stacionet televizive vendore, si kanali mediatik më i përdorur. Informacioneve të marra nga portalet në internet dhe mediat sociale plotësisht u besojnë më pak se dy për qind, gjë që tregon se edhe pse qytetarët për çdo ditë informohen nga këto media, ata kanë shumë pak besim në to”, thuhet në gjetjet e hulumtimit.

Lajmet e rreme, sfidë për të gjithë rajonin

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikoski, vlerëson se lajmet e rreme nuk janë trend vetëm në vendin tonë, por është një problematikë që po përballet në masë të madhe i gjithë rajoni ynë por edhe më gjerë. Sipas tij, në vendin tonë është më e theksuar pasi edhe qytetarët tanë ngecin më shumë sa i përket edukimit mediatik në krahasim me vendet e rajonit.

“Problematika me lajmet e rreme mund të zgjidhet në disa hapa të caktuar, duke filluar nga edukimi mediatik, vetrregullimi i mediave dhe krijimi i platformave për detektimin e lajmeve të rreme. Ne, qytetarët duhet t’i mësojmë se si lexohen lajmet, të mësojmë se kush janë mediat e besueshme kundrejt qendrave propaganduese që shërbejnë për qëllime të caktuara politike apo gjeostrategjike. Edukimi mediatik mbetet mbrojtja më e fortë nga dezinformatat”, shprehet Çadikoski.

Sipas tij, në vetrregullimin e mediave duhet të kemi kujdes që të mos ketë dorë shteti pasi atëherë mund të kalojmë në ndërhyrje të fjalës së lirë dhe të kalojmë në censurë. Ai tha se SHGM bashkë me Këshillin e Etikës së Mediave, kanë krijuar një platformë “Promedia”, ku qytetarët mund t’i shohin mediat që respektojnë Kodin Etikë të Gazetarëve dhe janë media profesionale.

Ngutia për lajmin po na dërgon në dezinformim

Publicisti Emin Azemi, thotë se nxitimi për të prodhuar lajm pa e verifikuar paraprakisht, ka rrezik ta devijojë komplet misionin e gazetarisë, duke i dhënë asaj fuqinë e një përbindëshi, që mund të rrezikojë mirëqenien publike. Sepse, siç tha ai, jo vetëm trazirat dhe konfliktet rrezikojnë një shoqëri, por edhe lajmet e rrejshme.

“Burimi i kësaj të keqe i ka dy fajtorë: një- profesionalizmi i pamjaftueshëm i mediave dhe mungesa e një edukimi medaitik solid të lexuesit. Ky i fundit është absorbues enorm i produkteve mediatike, por ende nuk i ka shndërruar hijet  në kriter për të selektuar (jo)profesionalizmin e të bërit lajm, kronikë, apo intervistë.  Në anën tjetër, reduktimi i kapaciteteve profesionale brenda redaksive, ku mungon redaktori, lektori dhe tjetërsimi i gjithë këtyre kapaciteteve në disa atribute puro-teknologjike, ku vendin e botimit e ka zënë një term i ri – postimi, vendin e lexuesit, e ka zënë ndjekësi, kurse vendin e lektorit nuk e ka zënë askush,  sepse një gabim i lëshuar në një titull, reprodukohet në të gjitha portalet dhe kalon pa u vërejtur”, thekson Azemi.

Ai gjithashtu vlerëson se “futja në dyer të vogla i këtyre pseudostandardeve që i po i krijon paragazetaria, herët a vonë do të prodhojnë surrogat prej këtij profesioni, duke kaluar nga deformimi i standardeve në deformimin e realiteteve në terren”.

Ndërkohë Petrit Saraçini nga Instituti për Media dhe Analitikë (IMA) ka deklaruar se lajmet e rreme dhe dezinformatat janë shumë të pranishme në komunikimin publik në vendin tonë, sidomos në rrjetet sociale dhe në një pjesë të mediave “onlajn”. Për këtë, siç tha ai, flasin shumë hulumtime të organizatave të respektuara ndërkombëtare dhe nga vendi.

“Burimet kryesore të lajmeve të rreme dhe dezinformatave janë qendrat e fuqisë politike, në vend por edhe jashtë vendit, edhe pse ka shumë raste kur kemi lajme të rreme të cilat kanë për qëllim të mashtrojnë publikun për përfitime ekonomike. Dezinformatat dhe lajmet e rreme definohen prej organizatave serioze ndërkombëtare si një prej rreziqeve më të mëdha aktuale globale. Ato rezultojnë në rrezikimin e sigurisë së shteteve, rrënim të besimit në institucione dhe rrënim të demokracive”, thekson Saraçini.

Sipas tij nuk ka një përgjigje të thjeshtë për atë se si të parandalohen dezinformatat dhe lajmet e rreme. “Nevojitet një qasje mbarëshoqërore dhe gjithëpërfshirëse, e cila duhet të përmbajë aspekte të legjislacionit, vetërregullimit, edukimit mediatik, përgjegjësi dhe transparencë më të madhe dhe më efikase, edhe të institucioneve, por edhe të mediave. Kjo nënkupton masa afatshkurta dhe afatmesme, por edhe intervenime më afatgjatë kryesisht në kyçjen e arsimimit mediatik në shkollimin formal, që nga mosha më e re e deri në arsimin sipëror. Sigurisht se në këtë kuptim, bashkëpunimi mes institucioneve dhe mediave është esencial. Ai duhet të zhvillohet në një frymë partneriteti dhe mirëbesimi të ndërsjellë, i cili nënkupton ruajtjen e pavarësisë së mediave dhe lirisë së shprehjes, por edhe përgjegjësi më të madhe të institucioneve edhe të mediave në drejtim të informimit të qytetarëve në mënyrë më të saktë dhe të drejtë”, deklaron Saraçini.

Saraçini shton se qeveria e mëparshme shprehu vullnet të qartë dhe tregoi vetëdije deklarative për rrezikun që përfaqësojnë dezinformatat, mirëpo kjo nuk rezultoi me shumë hapa konkretë për t’i luftuar ato në mënyrë më efikase.

Ai vlerëson se qeveria e re duhet të tregojë më shumë efikasitet në këtë fushë dhe të adresojë këtë rrezik serioz, i cili është kërcënim për sigurinë e vendit dhe për demokracinë, me implikime serioze të dëmshme edhe në shumë fusha tjera të shoqërisë.

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

 

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top