KOMUNITETI LGBTI ANKOHET PËR DISKRIMINIM DHE DHUNË

Në raportin për RMV-në, Komisioni Evropian shpreh pakënaqësinë sa i përket luftës kundër homofobisë, bifobisë dhe transfobisë, mungesën e ndryshimeve ligjore, dhe politikave për të luftuar homofobinë dhe për të promovuar një shoqëri të barabartë për të gjithë. Ljubomir Faizov, koordinator i Programit në Qendrën për Mbështetjen e komunitetit LGBTI në Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut – Shkup, për Eurothink deklaron se diskriminimi në bazë të orientimit seksual dhe idetntietit gjinor vazhdon të jetë i lartë në vendin tonë. Elena Danova – drejtoreshë e Asociacionit për Zhvillim të Edukimit “Ekvalis”, për Eurothink thotë që vendi ynë po bën një hap përpara dhe dy mbrapa për sa i përket mosdiskriminimit në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Stefan Petrovski, Anëtar i bordit organizativ të “Skopje Pride” thotë që homofobia dhe stereotipet negative janë të pranishme dhe një problem i madh sidomos në rrjetet sociale.

Autore: Arta Sefadini

Ndërsa Bashkimi Evropian luan rol të rëndësishëm në promovimin e të drejtave të komunitetit LGBTQ+, lufton fuqishëm diskriminimin në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, në Maqedoninë e Veriut ende mbizotërojnë stereotipe negative dhe gjuhë urrejtje ndaj këtyre njerëzve.

Ljubomir Faizov, koordinator i Programit në Qendrën për Mbështetjen e komunitetit LGBTI në Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut – Shkup, për Eurothink deklaron se diskriminimi në bazë të orientimit seksual dhe idetntietit gjinor vazhdon të jetë i lartë në vendin tonë.

QINDRA RASTE TË DHUNËS NDAJ PERSONAVE LGBTI

Numri i rasteve të dhunës dhe gjuhës së urrejtjes është shumë herë më i madh se ai që njerëzit e denonocojnë. Për shkak të mosbesimit në institucione dhe frikës nga stigmatizimi shtesë, viktimat nuk i raportojnë fare rastet.

“Gjatë vitit 2023 në platformën për raportim të gjuhës së urrejtjes www.govornaomraza.mk janë regjistruar 1171 raste të gjuhës së urrejtjes, prej të cilave 298 janë të bazuara në orientim seksual dhe identitet gjinor. Vërejmë tendencat e gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI veçanërisht rreth datave të caktuara si 17 maji – Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë dhe gjatë Muajit të Krenarisë, Qershorit, një numër rekord prej 105 rastesh. Dhuna fizike e motivuar nga urrejtja gjatë vitit 2023 është dokumentuar në dy raste. Forma të tjera të dhunës së motivuar nga urrejtja (dhuna verbale, fyerjet, kërcënimet, ngacmimet, gjuha e urrejtjes dhe ndjekja) janë dokumentuar në 21 raste”, thotë Faizov.

DANOVA: DY HAPA PRAPA NË MOSDISKRIMINIM

Elena Danova – drejtoreshë e Asociacionit për Zhvillim të Edukimit “Ekvalis”, për Eurothink thotë që vendi ynë po bën një hap përpara dhe dy mbrapa për sa i përket mosdiskriminimit në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

“Edhe pse nga njëra anë një pjesë e madhe e popullatës, veçanërisht e të rinjve, po bëhet gjithnjë e më e ndjeshme ndaj pengesave me të cilat përballen personat LGBTI+ çdo ditë, megjithatë rritja e lëvizjeve antigjinore ka një ndikim serioz negativ në këtë përpjekje për të bërë progres. Edhe në disa politika lokale, lëvizje të tilla ushtronin një ndikim të rëndësishëm dhe kontribuan në përkeqësimin e situatës në nivel lokal në disa komuna”, theksoi Danova.

Stefan Petrovski, Anëtar i bordit organizativ të “Skopje Pride” thotë që homofobia dhe stereotipet negative janë të pranishme dhe një problem i madh sidomos në rrjetet sociale.

“Është një problem i madh si vetë shërbimet automatike të rrjeteve që nuk njohin dhe heqin gjuhën e urrejtjes, gjithashtu një problem shumë më i madh është dështimi i institucioneve. Të veprohet ndaj këtyre personave që përhapin urrejtje publike, por edhe privatisht kërcënojnë me mesazhe shumë persona”, thekson Petrovski.

KE: TË LUFTOHET HOMOFOBIA

Në raportin për RMV-në, Komisioni Evropian shpreh pakënaqësinë sa i përket luftës kundër homofobisë, bifobisë dhe transfobisë, mungesën e ndryshimeve ligjore, dhe politikave për të luftuar homofobinë dhe për të promovuar një shoqëri të barabartë për të gjithë.

“Nuk pati përparim në shmangien e stereotipeve negative dhe gjuhës së urrejtjes ndaj personave LGBTIQ nga tekstet shkollore, as në miratimin e një plani kombëtar veprimi për LGBTIQ si pjesë e promovimit sistematik të barazisë dhe parandalimit të diskriminimit. Nuk ka pasur progres në zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (janar 2019) në lidhje me njohjen ligjore të gjinisë me ndryshimin e Ligjit për gjendjen civile. Kuadri ligjor nuk lejon njohjen zyrtare të çifteve të të njëjtit seks”, shkruan raporti  i KE-së.

“INSTITUCIONET, PA PLAN PËR TA LUFTUAR DISKRIMINIMIN”

Elena Danova nga “Ekvalis” thotë se institucionet nuk kanë një plan kombëtar për promovimin e barazisë dhe parandalimin e diskriminimit.

„Absolutisht jo. Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi është një hap pozitiv drejt promovimit të barazisë dhe zvogëlimit të intensitetit dhe formave të diskriminimit, por duhet ende shumë, shumë përpjekje në drejtim të promovimit të barazisë. Duket se nuk ka një sensibilitet bazë në strukturat e institucioneve dhe parlamentit në lidhje me konceptin e barazisë “, thekson Danova.

Edh pse vendi ynë ka Strategji Kombëtare për Barazi dhe Mosdiskriminim 2022-2026, nuk ka një plan veprimi konkret për zbatimin e kësaj strategjie, thotë Ljubomir Faizov.

“Një lëshim i madh në hartimin e strategjisë është mospërfshirja e organizatave të shoqërisë civile që merren me të drejtat e njeriut të personave LGBTI në hartimin e strategjisë dhe mosnjohja e mjaftueshme e diskriminimit në bazë të orientimit seksual dhe/ose identitetit gjinor në strategji“, deklaron ai.

Asgjë nuk është bërë që nga miratimi i Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në vitin 2019, për shkak të nivelit të thellë të korrupsionit dhe krimit të cilat na kanë pamundësuar për të përparuar si shoqëri, thotë Stefan nga komuniteti LGBTI për Eurothink.

“Të thuash se jemi të lumtur dhe të kënaqur që na “lejohet” të kemi krenarinë në kohë kaq të vështira globale ku ekzistenca jonë është e ndaluar është i njëjti problem thelbësor me të cilin po përballemi sepse nuk do të thotë se situata përmirësohet por mbetet e njëjtë”, deklaron ai.

Që nga viti 2019 në RMV për çdo vit mbahet “SKOPJE PRIDE”, një paradë e organizuar nga aktivistët dhe Organizatat civile për të ngritur zërin për të drejtat e komunitetit LGBTI+.

Raporti i KE-së për vitin 2023 tërheq vërejtjen në pengesën e organizimit të kësaj parade, gjuhën e urrejtjes dhe retorikën anti-LGBTIQ nga subjektet fetare.

“Në qershor 2023, autoritetet lehtësuan organizimin e suksesshëm të një parade krenarie LGBTIQ. Megjithatë, Organizatat civile dhe aktivistët LGBTIQ kritikojnë autoritetet për tkurrjen e hapësirës për Organizatat, veçanërisht ato që punojnë për të drejtat seksuale dhe riprodhuese. Rritja e retorikës anti-LGBTIQ, nganjëherë duke përfshirë figura politike dhe fetare, ka çuar në rritje të jotolerancës dhe gjuhës së urrejtjes brenda shoqërisë. Nevojiten përpjekje serioze për t’u mundësuar personave LGBTIQ të gëzojnë të drejtat e tyre“, thuhet në raportin e KE-së.

Stefan thotë që simbolika e sloganit të “Skopje Pride” për këtë vit ishte për të treguar që këto njerëz ekzistojnë dhe janë krenarë pavarësisht të gjitha vështirësive që hasin për barazi në shoqëri.

“Shënimi i pesëvjetorit të Krenarisë, i cili që në fillim nuk ka mbështetje aktive politike nga autoritetet vendase dhe aktualisht varet nga donatorët e huaj dhe nëse ka marrë mbështetje ka qenë nga një nevojë oportuniste për të treguar “mbështetje”, por fatkeqësisht në realitetin tonë fjalët dhe ligjet nuk vlejnë nëse nuk zbatohen në mënyrë aktive, nuk promovohen dhe nuk respektohen”, thkeson Stefan nga komuniteti LGBTI.

“INSTITUCIONET TË PROMOVOJNË BARAZINË”

Komisioni për Parandalimin dhe mbrojtjen nga Diskriminimi është një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së të drejtave të personave LGBTI+, por kjo nuk mjafton thotë Elena Danova.

“Nevojiten urgjentisht fushata që do të ndërgjegjësojnë dhe sensibilizojnë popullatën. Fushata të tilla duhet të vijnë nga strukturat  politike, pra qeveria dhe institucionet. Fatkeqësisht, të drejtat e njeriut të personave LGBTI+ janë jo vetëm një çështje e injoruar vazhdimisht, por janë nën sulm të vazhdueshëm si nga mjedisi ashtu edhe nga këto struktura pushteti, të cilat gjithnjë e më shumë po i nënshtrohen ndikimeve të dëmshme të grupeve antigjinore”, thekson Danova.

“LGBTI, KOMUNITETI MË I MARGJINALIZUAR”

Ljubomir Faizov nga Komiteti i Helsinkit tregon që personat LGBTI+ në vendin tonë janë ende një nga grupet sociale më të margjinalizuara, më të diskriminuara dhe më të stigmatizuara. Sipas të dhënave të hulumtimit të Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA) mbi të drejtat e personave LGBTIQ+ nga viti 2024:

– 74% e të anketuarve janë përgjigjur se personat LGBTIQ+ në Maqedoninë e Veriut shmangin mbajtjen për dore me partnerin e tyre.

– 43% e të anketuarve janë përgjigjur se personat LGBTIQ+ në Maqedoninë e Veriut shpesh ose gjithmonë shmangin lokacione të caktuara nga frika se mos sulmohen.

– 68% e të anketuarve thonë se gjatë shkollimi të tyre kanë vuajtur ngacmime, tallje, fyerje apo kërcënime sepse janë LGBTIQ+.

 

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

 

                                               

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top