OBSESIONET E EKSTREMEVE IDEOLOGJIKE
Edhe në kohën e sotme, sidomos në vendet e Ballkanit Perëndimor, kemi shfaqje të totalitarizmit, por me një fytyrë tjetër më të sofistikuar. Në këtë sens, tashmë nuk i kemi trajtat e fuqisë dhe kontrollit tipik për shtetet totalitare, por kemi një hapësirë të ngushtuar, një ngërç tipik totalitar që politikën si aksion human njerëzor e redukton vetëm në dimensionin e partive politike, duke suspenduar kështu gjithë aktorët dhe ndjeshmëritë tjera shoqërore. Kemi pra, një kripto-totalitarizëm i performuar përmes fuqisë së diskursit ideologjik, që imponohet në forma të ndryshme në hapësirën publike dhe bashkë me këtë edhe te qytetarët. Kjo ka krijuar në hapësirë të deformuar politike të mbizotëruar vetëm nga ideologjitë politike, që në të shumtën e rasteve prodhojnë vetëm obsesione ekstreme ideologjike.
Shkruan: Lorik Idrizi
Shpeshherë gjatë historisë së njerëzimit, që nga zanafilla e organizimeve të para politike ka qenë gjithnjë një betejë epike mes dy ideologjive. Në teoritë e politike i njohim si ideologji: e majta dhe e djathta. Në zanafillën e mendimit politik, këto dy ideologji përfaqësohen nga dy nismëtarët e mendimit perëndimor, Aristotelit dhe Platonit. Të njëjtat ideologji politike në fakt kanë krijuar një përplasje mendimi që gjithnjë ka nxitur ide inovative dhe vazhdimësi mendimi deri te moderniteti shkencor dhe filozofik.
Edhe sot në mënyrë të sofistikuar, këto qasje në esencë kanë qëllim progresin njerëzorë, por duke krijuar kundërvënie me njëra tjetrën, në disa raste zhvendosen nga esenca dhe më shumë ekzistojnë për ta asgjësuar tjetrën se sa për ta mainfestuar në fakt atë së cilës i përkasin.
Bota dhe mendimet janë plurale, gjithashtu edhe problemet dhe zgjidhjet janë të tilla. Mirëpo, këto dy qasje, dy koncepte që ngritën si ideologji ndonjëherë shndërrohen në obsesione kundërvënëse që paraqesin gjithçka përveç qëllimit për të cilin janë krijuar, progresit njerëzorë dhe zgjidhjeve në funksion të mirëqenies humane. Shpeshherë gjatë historisë së njerëzimit pushtetet edhe sistemet e organizimeve shoqërore, duke u thirrur në nocionin liri, në të drejtat themelore të njeriut kanë degraduar në drejtim të kundërt, në persekutim të vetë lirisë. Pikërisht hapësira civile dhe aktorët e saj me aktivitetet shoqërore dhe lloje tjera të disidencës qytetare kanë krijuar kundërvënie përballë këtyre dogmave dhe ideologjive vrastare. Kështu kanë mbrojtur evolutën e dijes mijëvjeçare, e cila në disa momente ka përjetuar eklipset e veta nga dogmat dhe sistemet totalitare.
Kalimi i madh i formave të para të shteteve moderne, në shekullin XX, filloi me një rend të ri botërorë, atë të ekonomisë liberale, në kuptimin e konsolidimit dhe funksionimit ekonomik dhe jo politik, përveç dimensionit ushtarak, i cili ishte i centralizuar dhe koncentruar vetëm në dimensionin e mbrojtjes, por jo edhe në aspektin e tatimit mbi të ardhurat, sigurimin e skemave sociale për të minimizuar varfërinë apo kualitetin e jetës dhe mirëqenies së qytetarëve.
Në këtë kontekst, në një fazë tjetër u shfaq shteti totalitar që do ta asgjësonte shoqërinë civile, ndërkohë që hijet e këtij totalitarizmi do të manifestohen në forma të ndryshme, por në esencë do të mbetet i njëjtë, i centralizuar si pushtet dhe fuqi që kontrollon gjithçka. Edhe në kohën e sotme, sidomos në vendet e Ballkanit Perëndimor kemi shfaqje të totalitarizmit, por me një fytyrë tjetër më të sofistikuar. Në këtë sens, tashmë nuk i kemi trajtat e fuqisë dhe kontrollit tipike për shtetet totalitare, por kemi një hapësirë të ngushtuar, një ngërç tipik totalitar që politikën si aksion human njerëzor e redukton vetëm në dimensionin e partive politike, duke suspenduar kështu gjithë aktorët dhe ndjeshmëritë tjera shoqërore. Kemi pra, një kripto-totalitarizëm i performuar përmes fuqisë së diskursit ideologjik, që imponohet në forma të ndryshme në hapësirën publike dhe bashkë me këtë edhe te qytetarët.
Kjo ka krijuar në hapësirë të deformuar politike të mbizotëruar vetëm nga ideologjitë politike, që në të shumtën e rasteve prodhojnë vetëm obsesione ekstreme ideologjike.
Ashtu siç e shpjegon Fukuyama në librin “Ndërtimi i shtetit”, një nga rrymat e zhvillimit çoi në atë që Friedrcih dhe Brenzinski e quajtën shteti totalitar, që u mundua të zhdukë gjithë shoqërinë civile dhe t’i nënshtronte individët e veçantë për synimet e veta politike. Versioni i djathtë i këtij eksperimenti përfundoi në vitin 1945 me disfatën e Gjermanisë naziste, ndërsa version i majtë u shemb nën peshën e kontradiktave të brendshme kur ra muri i Berlinit në vitin 1989.Në këtë kontekst shoqëria civile gjithmonë ka qenë në funksion të qytetarisë, ruajtjes dhe mbindërtimin të vlerave humane kundrejt deformimeve të sistemeve totalitare dhe shkeljes së të drejtave themelore të njeriut dhe ka shërbyer si katalizatorë i progresit shoqëror dhe ekonomik.
Në këtë kontekst, filozofitë politike, pavarësisht se cilës anë i takojnë, nëse nuk kultivojnë brenda vetes një shoqëri njerëzish të lirë marrin trajta totalitare. Paradoksalisht, pas kaq vitesh në kohë demokracia, trajtat e totalitarizmit duken kudo, nganjëherë edhe në format më të vrazhda ideologjike, gjegjësisht të kundërvënies ekstreme ideologjike, që shndërrohet në opsesion politik dhe shoqëror që përthith gjithë energjitë tjera shoqërore, duke ngushtuar hapësirën e veprimit civil.
Pa dekonstrumin e këtij koncepti, që në esencë mbetet një lloj totalitarizmi partiak, shoqëritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë të jetojnë në acarime dhe ngërçe të panevojshme ideologjike, që nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat demokratike.