PSE ADMINISTRATA E PARTIZUAR ËSHTË RREZIK PËR DEMOKRACINË?

Republika e Maqedonisë së Veriut, si dhe vendet e tjera të rajonit me të kaluar komuniste, ende janë duke bërë përpjekje për reforma – profesionalizim dhe departizimin e administratës. Partizimi nga një parti në të kaluarën, që nga vitet 90-ta e e këndej, është zëvendësuar me partizimin nga shumë parti. Kjo e bën demokracinë jotërësisht funksionale, e cila nuk arrin të japë rezultatet e pritura për qytetarët.

Shkruan: Xhelal Neziri

Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë sundimit të Josef Stalinit me Bashkimin Sovjetik, forma më brutale e sundimit totalitar u instalua edhe në vendet e Evropës Lindore. Pas vdekjes së tij në 1953, gjatë sundimit të Nikita Hrushovit dhe Leonid Brezhnev, disa vendeve të Evropës Lindore iu dha më shumë autonomi për të hartuar “rrugën e tyre komuniste”. Por kontrolli i Moskës mbi këto shtete, të cilat ishin pjesë e Paktit të Varshavës, mbeti i fortë për shkak të administratës partiake të instaluar në sistemet e tyre shtetërore nga qeveritë luajale ndaj Moskës. Një situatë e tillë, e cila u quajt “kalimi i gjatë nga një regjim totalitar në atë post-totalitar”, zgjati deri në vitet 90-ta. Në këtë kohë, kur përpjekjet për reforma ekonomike dhe politike të Bashkimit Sovjetik të udhëhequra nga presidenti i fundit Michael Gorbachev dështuan, filloi demokratizimi i shteteve që ishin lodhur nga sistemi njëpartiak i pasuksesshëm dhe represiv. Njoftimi i Gorbaçovit në OKB në vitin 1998 se BRSS planifikonte të tërhiqte trupat nga Evropa Qendrore dhe Lindore ishte një sinjal për qeveritë besnike të Moskës se ato do të liheshin të pambrojtura, një moment që ushqeu më tej rrymat demokratike brenda këtyre vendeve.

DALLIMI MIDIS PARTISË DHE SHTETIT

Problemi i parë që lindi pas kalimit nga një regjim totalitar në demokratik ishte mungesa e një dallimi të qartë mes partisë dhe shtetit. Administrata ishte krijuar për t’i shërbyer partisë, ose përndryshe ishte vetë partia. Kjo do të thoshte se pas rënies së partisë komuniste filloi edhe rënia e burokracisë shtetërore. Kjo krijoi nevojën për të zëvendësuar administratën e regjimit të vjetër me një të re anti-regjim, e cila ishte e papërvojë në zbatimin e sistemit të ri demokratik. Në këtë situatë u përball Gjermania Lindore, e cila vendosi për një spastrim të plotë të administratës dhe zëvendësimin e saj me një të re. Por edhe në rastet kur vendosej të reformohej administrata ekzistuese – siç ndodhi me Rumaninë, Bullgarinë, Shqipërinë dhe shtetet e dala nga ish-Jugosllavia – shfaqeshin probleme të ngjashme për demokracinë.

Ndryshe nga Gjermania Lindore, e cila arriti të konsolidojë një administratë të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të reja demokratike, në vendet që zgjodhën reformat në vend të spastrimeve, kemi ende probleme të mëdha edhe sot. Trashëgimitë e regjimit njëpartiak, të tilla si partizimi dhe joprofesionalizmi, i bëjnë reformat e burokracisë një parakusht kryesor për një demokraci funksionale që jep rezultate të prekshme për qytetarët. Demokracia funksionale nuk nënkupton vetëm shtet juridik, por edhe institucione demokratike dhe rezultate konkrete në drejtim të zgjidhjes së problemeve të qytetarëve.

Administrata shtetërore e përdorshme ose efikase është thelbësore për demokracitë moderne. Mund të thuhet se burokratët janë vendimtarë në funksionimin e këtyre shteteve, ku politikanët e zgjedhur janë shpesh amatorë që kanë platforma të legjitimuara nga shumica në zgjedhje dhe këto mund të zbatohen vetëm nga një administratë profesionale. Burokratët janë një faktor kyç për t’i bërë institucionet demokratike dhe efikase, dhe në këtë mënyrë edhe demokracinë funksionale.

REFORMA TË PAFUNDME

Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë sot një administratë të konsoliduar dhe profesionale për shkak të konsensusit të përgjithshëm për reformat, por edhe për shkak të kritereve të vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) në kuadër të procesit të integrimit evropian. Republika e Maqedonisë së Veriut, si dhe vendet e tjera të rajonit me të kaluar komuniste, ende janë duke bërë përpjekje për reforma – profesionalizim dhe departizim të administratës. Partizimi nga një parti në të kaluarën, që nga vitet 90-ta e e këndej, është zëvendësuar me partizimin nga shumë parti. Kjo e bën demokracinë jotërësisht funksionale, e cila nuk arrin të japë rezultatet e pritura për qytetarët.

Kjo situatë kontribuon në humbjen e besimit se demokracia mund të zgjidhë problemet e qytetarëve. Sondazhi i fundit i IRI tregon një rënie të ndjeshme të mbështetjes për demokracinë si sistemi më i mirë. Pyetjes “a besoni se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes apo jo”, vetëm 51 për qind janë përgjigjur pozitivisht. Madje edhe shumica e grupmoshës 18-35 u shpreh se një formë tjetër qeverisjeje është e njëjtë ose më e mirë se demokracia.

Prej vitit 2018 është gati propozimi i ligjit për shërbimin e lartë drejtues. Është përgatitur nga Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës, në bashkëpunim me sektorin joqeveritar. Qëllimi i ligjit është profesionalizimi i administratës duke përzgjedhur drejtorët me konkurse publike. Kjo do të thotë se në vend të selive të partive politike, zyrtarët e shkallës së tretë duhet të zgjidhen nga komisione jopartiake, të përbëra nga profesionistë. Por ligji, sot e kësaj dite, mbeti në sirtarët e ministrisë.

 

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas 

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top