SHTESAT E FËMIJËVE NË “LABIRINTET BUROKRATIKE”

Përkundër disa përparimeve në shërbimet elektronike, qytetarët ende vazhdojnë të enden labirinteve të institucioneve për të siguruar dokumentet e nevojshme për shfrytëzimin e një të drejte. I tillë është rasti edhe me të drejtën e garantuar të shtesave femijërore. Qytetarët ankohen se procedura për të siguruar dokumentet e nevojshme për shtesat fëmijorore realivisht mbetet e vështirë dhe kërkon shumë kohë.  Një qytetar nga fshati Përshefcë i Tetovës, thotë se relativisht nevojiten shumë dokumente për sigurimin e shtesave fëmijërore. Sipas tij, duhet shumë kohë që të kompletohen dokumentet e nevojshme. “Përafërsisht duhen nga 5 deri më 8 ditë për t’i kompletuar dokumentet, ndërkohë që duhen 600 denarë pagesa për t’i siguruar dokumentet nga institucionet përkatëse”, thotë ai. Ekspertët theksojnë se mbeten problem më vete procedurat burokratike që prindërit duhet të ndjekin për të fituar këtë “lëmoshë” për fëmijët e tyre.   

Shkruan: Lorik Idrizi

Sugurimi i dokumenteve për realizimin e një të drejte nga ana e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut gjithnjë ka qenë një sfidë dhe problem më vete. Mungesa e sistemit një sportel shpeshherë i ka detyruar qytetarët që të enden nga një institucion në tjetrin për të siguruar dokumentet e nevojshme të parapara me ligj. Në një prononcim të mëhershëm, në vitin 2020, në promovimin e idesë së shërbimeve elektronike publike, ish ministri i Punës dhe Politikës Sociale,Demjan Mançevski, kishte deklaruar se nuk ka nevojë që qytetarët të jenë  “korier” të institucioneve, por se vetë institucionet do t’i shkëmbejnë të dhënat, gjegjësisht vërtetimin për stazh,vërtetim se nuk janë në proces gjyqësor, vërtetim për pagesë të taksave etj.

“Hapi tjetër do të jetë këmbimi i menjëhershëm i të dhënave mes institucioneve”, kishte theksuar ish ministri Damjan Mançveski. Por, duket se paralajmërimet e këtilla për këmbim të të dhënave mes institucioneve dhe bashkë me këtë edhe shkurtim të dokumenteve për sgurim të një të drejte të qytetarëve, pavarësisht disa ndryshimeve, nuk janë në nivelin e pritjes së qytetarëve, sidomos kur të kihet parasysh se qytetarët akoma vazhdojnë të enden nga një institucion në tjetrin për sigurimin e dokumenteve të nevojshme për një drejtë të garantuar me kushtetutë dhe me ligje.

Dështimi i projektit “ Një pikë për shërbime”

Qeveria aktuale tre vite më parë, më 2019, nëpërmjet ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, e kishte promovuar projektin “ Një pikë për shërbime” i konsideruar si projekt gjigant dhe funksional, por që tashmë po rezulton i dështuar. Ministri aktual, Azir Aliu në prill të këtij viti paralajmëroi mbylljen e këtyre zyrave jofunksionale në  Shkup, Kumanovë, Ohër, Manastir dhe Tetovë.
Sipas analizave të kësaj ministrie, ato nuk kanë qenë funksionale pasi që një numër i vogël i qytetarëve kanë kërkuar shërbime. Vetëm 1062 dokumente nga gjitha zyrat në vend janë kryer si shërbime nga këto zyra, në kohëzgjatje për 3 vjet. Ministri Aliu kishte theksuar se në vend të tyre, do të hapen 333 sportele në kuadër të zyrave të Postave të Maqedonisë së Veriut.

Ministri aktual Aliu në parqitjet e tij publike ka theksuar se prioritet në punën e tij do të jetë digjitalizimi i shërbimeve, që është në nivel të ulët. Ai ka theksuar se po punohet intensivisht që çdo ditë të mund të shtohet një shërbim të ri digjital. Kjo ministri, ndërkohë synon dhe është duke punuar në 150 shërbime digjitale që janë në proces të promovimit.

Përkundër përpjekjeve për të marrë informacion mbi procesin aktual të digjitalizimit dhe mundësisë për t’u shkurtuar procedurat burokratike për të shfrytëzuar qytetarët të drejtën e shtesave fëmijërore nga Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës nuk arritëm të marrim një përgjigje.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka të miratuar ligjin për sistemin një sportel nëpërmjet të cilit parashihet dhënia e shërbimeve të integruara, duke shmangur endjen e qytetarëve nëpër institucione për të siguruar dokumentet e nevojshme për shfrytëzimin e një të drejte.
Në ligj mes tjerash thuhet se funksioni i sistemit një sportel është unifikimi i të gjitha të dhënave ligjore relevante në një zgjidhje juridikisht të vlefshme për fillimin e veprimtarisë dhe realizimin e të drejtave të një subjekti të caktuar dhe disponueshmërinë e të dhënave.
Ideja thelbësore e sistemit një sportel  është të kombinohen të gjitha shërbimet në mënyrë që të reduktohen shpenzimet e ofrimit të tyre dhe t’u mundësohet qytetarëve që të marrin të gjitha shërbimet në një vend.

Por, pavarësisht ligjit për sistemin një sportel dhe përpjekjeve për të siguruar konceptin e shërbimeve të integruara për qytetarët, sidomos nëpërmjet procesit të digjitalizimit, në realitet akoma janë të pranishme “labirintet burokratike” dhe me bashkë me këtë edhe ditë të humbura për qytetarët për shfrytëzimin e një të drejte të garantuar me ligj.

Nga 5 deri më 8 ditë për të kompletuar dokumentet

Përkundër disa përparimeve në shërbimet elektronike, qytetarët ende vazhdojnë të enden labirinteve të institucioneve për të siguruar dokumentet e nevojshme për shfrytëzimin e një të drejte. I tillë është rasti edhe me të drejtën e garantuar të shtesave femijërore. Qytetarët ankohen se procedura për të siguruar dokumentet e nevojshme për shtesat fëmijorore realivisht mbetet e vështirë dhe kërkon shumë kohë.
Një qytetar nga fshati Përshefcë i Tetovës, që dëshiron të mbetet anonim, thotë se relativisht nevojiten shumë dokumente për sigurimin e shtesave fëmijërore. Sipas tij, duhet shumë kohë që të kompletohen dokumentet e nevojshme. “Përafërsisht duhen nga 5 deri më 8 ditë për t’i kompletuar dokumentet, ndërsa përafërisht duhen 600 denarë pagesa për t’i siguruar dokumentet nga institucionet përkatëse”, thotë ai. Sipas tij, ripërtrirja e dokumenteve për shfrytëzimin e të drejtës për shtesë fëmijërore bëhet një herë në 12 muaj.

E drejta e shfrytëzimit të shtesave fëmijërore është e garantuar me ligj, ndërkohë që mbrotja e statusit social të fëmijëve garantohet edhe me konventa ndërkombëtare. Por, duket se diçka tjetër është mbrojtja në letër dhe krejtësisht diçka tjetër mbetet zbatimi i të drejtave në praktikë. Siç është theksuar tashmë nga shumë analiza dhe shkrime tjera në media, administrata publike jo njëherë është treguar e ngathët në realizimin e një të drejte.

Përkundër premtimeve të vazhdueshme për lehtësim të procedurave administrative, pikërisht edhe sa i përket shfrytëzimit të të drejtës së shtesës fëmijërore, qytetarët vazhdojnë të ballafaqohen me “labirintet burokratike”, endjet e pafundme nga një institucion në tjetrin për të siguruar dokumentet e nevojshme.

Profesoresha universitare, Arta Selmani, një njohëse e mirë e rrethanave me të drejtat e fëmijëve, thotë se mbeten problem procedurat burokratike që prindërit duhet të ndjekin për të fituar këtë “lëmoshë” për fëmijët e tyre. “Institucion që paraqet urë lidhëse midis prindërve dhe shtetit, për realizimin e këtyre beneficioneve materiale janë Qendra për punë sociale, të cilat janë të stërngarkuara me shumë procedura andaj edhe janë shumë pak të qasshme me njoftimet e tyre tek grupet e magjinalizuara si dhe në vendet rurale për të ndihmuar në realizimin e këtyre të drejtave të fëmijëve”, thotë ajo.

Suaza ligjore dhe lartësia e shtesave fëmijërore

Sipas ligjit, mbrojtja e fëmijëve është veprimtari e organizuar e bazuar në të drejtat e fëmijëve, si dhe në të drejtat dhe obligimet e prindërve për planifikimin e familjes dhe të shtetit dhe të njësive të vetadministrimit lokal për udhëheqjen e politikës populiste humane. Në ligj precizohet se mbrojtja e fëmijëve realizohet përmes sigurimit të kushteve dhe nivelit të standardit jetësor që korrespodon me zhvillimin fizik, mental, emocional, moral dhe social të fëmijëve. Shteti, si dhe njësitë e vetadministrimit lokal kujdesen për dhënien e ndihmës adekuate materiale prindërve për mbajtjen, ngritjen, kujdesin, mbrojtjen e fëmijëve, organizimin si dhe sigurimin e zhvillimit të institucioneve dhe shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve .

Profesoresha universitare, Arta Selmani thekson se në suaza të mbrojtjes së fëmijëve, përveç mbrojtjes materiale, është edhe mbrojtja e fëmijëve nga keqpërdorimi, neglizhimi, ofrimi i edukimit dhe arsimimit adekuat, mbrojtja e shëndetit fizik dhe mental, etj, që fillimisht sigruohet nga prindërit ose kujdestari por edhe nga institucionet shtetërore. Në kuadër të përkrahjes materiale institucionale si e drejtë e fëmijëve e garantuar me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, numërohet edhe shtesa për fëmijë.

Shtesa për fëmijë është e drejtë e fëmijës dhe sigurohet si kompensim në para për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve gjatë ngritjes dhe zhvillimit të fëmijës. E drejta për shtesë për fëmijë  sigurohet për fëmijë, shtetas të RMV-së, që është në shkollim të rregullt në RMV. “Këtë të drejtë mund ta realizojë njëri nga prindërit e fëmijës, kujdestari ose personi të cilit me aktvendim të Qendrës kompetente për pune sociale i është besuar fëmija dhe jeton në familje me të. Shfrytezuësi i shtesës për fëmijë duhet të jetë shtetas i RMV-së me vendbanim të përhershëm në RMV tre vitet e fundit para parashtrimit të kërkesës. Shfrytëzuesi, të drejtën për shtesa për fëmijë mund ta realizojë vetëm sipas një baze”, thotë profesoresha Arta Selmani.

Selmani thekson se sa i përket lartësisë së shtesës për fëmijë e njëjta është e përcaktuar me Ligjin për Mbrojtjen Sociale.
“Shuma e shtesës për fëmijë varet nga numri dhe mosha e fëmijëve në familje. Nëse në familje ka fëmijë të moshës shkollore, në pajtim me ligjin, shuma e shtesës për fëmijë për një fëmijë është 1.000 denarë në muaj, kurse për dy ose më shumë fëmijë në familje është 1.600 denarë për të gjithë fëmijët. Nëse në familje ka fëmijë që nuk është i moshës shkollore, lartësia e shtesës për fëmijë për një fëmijë është 1.200 denarë në muaj, kurse për dy ose më tepër fëmijë është 1.900 denarë në muaj për të gjithë fëmijët. Nëse në familje ka dy ose më shumë fëmijë, të cilët nuk janë të gjithë të moshës shkollore, lartësia e shtesës për fëmijë për të gjithë fëmijët është 1.600 denarë në muaj”, thekson Selmani.

Ajo vë në dukje se lartësia shtesës fëmijërore përshtatet me rritjen e shpenzimeve të jetesës për vitin e kaluar, të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës në janar të vitit të kaluar. Në rast kur nuk ka rritje të shpenzimeve të jetesës për vitin e kaluar, nuk bëhet përshtatja e lartësisë së shtesës për fëmijë.

Reforma substanciale dhe digjitalizim

Sipas faqes zyrtare të Entit të Statistikës të Maqedonisë së Veriut janë gjithsej 42.969 fëmijë që e shfrytëzojnë të drejtën e shtesës fëmijërore, ndërkohë që numri i përgjithshëm i personave nën 18 vjet është 394.318. Siç mund të vërehet, numri i atyre që e shfrytëzojnë këtë drejtë është shumë më i vogël se numri i përgjithshëm i personave nën 18 vjet. Ekspertët theksojnë që do të ishte mirë që kjo e drejtë të jetë e përgjithshme për fëmijët, ndërkohë që lartësia e shumës  edhe ashtu është e vogël. Një aspekt tjetër i mosshfrytëzimit të kësaj të drjete janë pikërisht procedurat burokratike për një shumë simbolike.
Profesoresha universitare, Arta Selmani, thotë se ndihma materiale institucionale nuk i përfshin të gjithë fëmijët, pra nuk është e drejtë e përgjithëshme e fëmijëve. “Këtë të drejtë mund ta realizojnë vetëm fëmijët, prindërit e të cilëve kanë të hyra mujore të ulta, minimale, të përcaktuara me ligj. Do të ishte e dobishme që ligjvënësi të parashikojë ndihmë materiale për të gjithë fëmijët varësisht se prindërit a janë të punësuar ose jo, por që përllogaritja e lartësisë së ndihmës materiale, gjegjësisht e shtesës fëmijërore, të bëhet varësisht prej të hyrave mujore të cilat i realizojnë prindërit. Kjo është situatë në të gjitha shtetet e zhvilluara e të cilat ju sigurojnë fëmijëve të hyra mujore si një lloj mase mbrojtjeje si dhe përkrahje financiare”, thekson Selmani. Meqë pretendojmë Evropën, thotë ajo,  është koha që shteti ta kthej pak “kokën” edhe tek fëmijët si pjesë më e rëndësishme dhe ardhmëria e kësaj shoqërie dhe të harmonizojë përkrahjen e fëmijëve me standardet evropiane.

Në shumë analiza, doracakë të ndryshëm, por edhe në paraqitjet më të fundit publike të përfaqësuesve të institcioneve shtetërore dhe të shoqërisë civile, është theksuar nevoja për unifikim të të dhënave dhe për digjitalizim të shërbimeve publike në mënyrë që qytetarët ta kenë më të lehtë të realizojnë një të drejtë të tyre. Ndërkohë, sistemi një sportel shihet si një mundësi që qytetarët të mos enden nga një institucion në tjetrin për të siguruar dokumentet që iu nevojiten. Reformat në administratë dhe procesi i digjitalizimit shihen si dy dimensione thelbësore për të shmnagur ngërçin e institucioneve në dhënine e shërbimeve. Gjithsesi kjo vlen edhe për të drejtën e shtesave fëmijërore në mënyrë që prindërit të mos humbin ditë të tëra në sigurimin e dokumeneteve, duke u shndërruar kështu në “korier” të institucioneve.

​#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas
Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top