REZULTATET E ANKETËS SË BIRC: ZGJEDHJET PARLAMENTARE 2020

0
836

Tetovë, 21 maj – Anketa online e Institutit Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal – BIRC me seli në Tetovë, e realizuar me shqiptarë etnikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ka treguar se muaj më i preferuar për zgjedhje është korriku kurse vendimtare për atë se cilën parti do të votojnë do të jetë platforma parazgjedhore.

Kjo anketë ka për qëllim matjen e disponimit të qytetarëve shqiptarë në në vend për temat që lidhen me zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.

Data e zgjedhjeve

Përderisa partitë politike nuk arritën të merren vesh për datën e zgjedhjeve, 35.8% e pjesëmarrësve në anketë preferojnë që të votohet në korrik (kur parapëlqen BDI dhe ASH), kurse 33.5% në qershor (kur kërkon LSDM, BESA dhe PDSH). Për në vjeshtë (kur kërkon VMRO-DPMNE) janë shprehur 22.3% kurse për në vitin 2021 – 8.4%.

Përcaktimi

Në pyetjen se “Çfarë do të ndikojë në përcaktimin tuaj se për kë do të votoni?”, 43.4% kanë thënë platforma parazgjedhore, 19.1% lideri i partisë, 18.8 partia si subjekt, 16.5 kandidatët për deputetë kurse për 2.3 përcaktuese për kë do të votojnë do të jetë interesi personal.

Prioritetet e partive politike

Në pyetjen se “Cilat tema duhet të jenë prioritetet për partitë politike?”, 26.9% janë përgjigjur tema e integrimit në Bashkimin Evropian (BE), 25.4% hapja e vendeve të punës, 24% standardi më i mirë i jetesës, 7.8% rritja e rrogës, 13% ndryshimi i Kushtetutës (zëvendësimi i termit “20 për qind” me “shqiptarë) dhe vetëm 2.9% kanë thënë se prioritet duhet të jetë afrimi me Shqipërinë dhe Kosovën. 

Rejtingu i partive politike

Në pyetjen “Nëse nesër mbahen zgjedhjet, cilën parti do ta votoni?”, 40.2% janë deklaruar për BDI, 35.8% për Koalicionin ASH-AAA, 15% për Koalicionin LSDM-BESA, 4.3% për PDSH, 0.6% për VMRO-DPMNE kurse 4% për një parti tjetër.

Liderët e partive politike

Pyetjes se “Cilit lider politik i besoni më shumë?”, 39.9 për qind kanë thënë se i besojnë Ali Ahmetit, 30.9% Ziadin Selës, 13% Bilall Kasamit, 4.6% Afrim Gashit, 4% Menduh Thaçit, 1.7% Zoran Zaevit, 0.3% Hristian Mickovskit kurse 5.5% një politikani jashtë kësaj liste.

Metodologjia

Anketa online është realizuar në periudhën 12-20 maj, në një ekzemplar prej 346 personave të moshës mbi 18 vjet. Përbëhet nga pesë pyetje të llojit të mbyllur kurse është shfrytëzuar formulari i pyetësorit të Google. Për të siguruar shtrirje adekuate gjeografike, nëpërmjet rrjeteve sociale janë targetuar vetëm komunat me shumicë apo numër të konsiderueshëm të shqiptarëve etnikë që bëjnë pjesë në njësitë zgjedhore që tradicionalisht nxjerrin deputetë shqiptarë – 1, 2, 5 dhe 6. Për të siguruar një përgjigje nga një person, mbushja e anketës ka qenë e kushtëzuar me lajmërim nëpërmjet adresës së Google, që do të thotë se për të marrë pjesë i anketuari është dashur të ketë llogari në këtë në Gmail.

Për shkak se nëpërmjet formës online nuk mund të sigurohet një ekzemplar i saktë reprezentativ si dhe pamundësisë që të marrin pjesë edhe ata që nuk kanë llogari në Google, marzha e gabimit është +-5%.

 

 

 

SHARE
Previous articlePSE ËSHTË E RËNDËSISHME LIRIA E MEDIAS?
Next articleReformat në sistemin mediatik në pikën zero
Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal – BIRC është organizatë joqeveritare dhe jopartiake, tërësisht e pavarur në funksionimin e saj, me seli në Tetovë. Organizata angazhohet për promoviminin dhe praktikimin e gazetarisë kualitative dhe hulumtimeve shkencore në realizimin e qëllimeve të saja për një shoqëri me vlera demokratike, për institucione transparente, për një demokraci funksionale dhe për një shtet apo rajon progresiv dhe bashkëpunues. BIRC përfshinë ekspertë të dëshmuar nga fusha e gazetarsisë hulumtuese, e analizave nga të gjitha vendet e Ballkanit dhe më gjerë.