Reformat në sistemin mediatik në pikën zero

Autor: Sefer Tahiri

Sistemi mediatik në Maqedoni ka vite që është në krizë të thellë, që më tepër është reflektim i krizës së thellë politike, por edhe ekonomike, morale e kështu me radhë. Ky sistem është tejet i partijzuar, ndërsa në funksion të kësaj teze janë lidhjet e ndërsjella midis pronarëve të disa mediave me partitë politike. Madje në një pjesë të tyre pronarët defakto janë edhe liderë partish, ndonëse jo formalo- juridikisht. Të njëjtët pronarë mediash zotërojnë biznese të mëdha dhe së këndejmi lidhshmëria politikë- biznes- media shpesh tregohet fatale për standardet profesionale dhe normat etike. Por tek disa media komerciale në gjuhën shqipe, ndonëse kjo lidhshmëri e drejtpërdrejt midis partive dhe mediave nuk ekziston, funksionon në mënyrë jo të drejtpërdrejt, pra suptile dhe të sofistikuar.

Qeveria nuk reklamon në televizione, subvencionon gazetat

Tashmë është bërë vetëm një hap sa i përket reformimit të sistemit mediatik. Reklamimi qeveritar është mënjanuar, duke qenë njëri ndër problemet më të mëdha, ndoshta edhe krucial, që shkaktonte ndikimin e madh partiak ndaj politikës editoriale të një pjese të mediave. Qeveria miratoi vendimin për heqjen e shpërndarjes së fondeve financiare që jepeshin në emër të fushatave publike, por në anën tjetër nuk hoqi reklamimin e paguar politik gjatë fushatave parazgjedhore, të cilin sipas ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, të miratuara në vitin 2018 nuk e paguajnë subjektet politike, por buxheti i shtetit përkatësisht paratë publike të qytetarëve. Partive politike u lejohet vetë të vendosin se në cilat media duan të bëjnë publicitet të paguar, duke i vënë në pozitë të pabarabartë mediat! Ndërsa, aq më tepër nuk është praktikë evropiane reklamimi politik në mediat onlajn dhe monitorimi i tyre nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, meqë vetë-rregullimi i mediave përjashton ndërhyrjen e shtetit ndaj mediave, në cilën do formë qoftë, e mbi të gjitha ndaj financimit të tyre.

Përderisa Qeveria i ndaloi reklamat qeveritare në media, e njëjta vendosi që me 50 milion denarë ose me rreth 810 mijë euro të mbështes shtypjen dhe shpërndarjen e mediave të shkruara në vend. Fondet e parashikuara u ndahen gazetave dhe revistave në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe. Subvencionet ndahen për mediat e shtypura me karakter të përgjithshëm informativ, që publikojnë përmbajtje për rrjedhat politike, ekonomike, sociale, kulturore e të tjera. Mediat që fitojnë para qeveritare, duhet t’i kenë të realizuara të gjitha detyrimet ndaj shtetit dhe të punësuarve. Në procesin e arritjes së marrëveshjes me qeverinë ka marrë pjesë Asociacioni i Mediave të Shtypura, ndërsa Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka dhënë propozime.

           Lista e subvencioneve të lejuara në vitin 2018 për gazetat është si vijon:

  •  Nova Makedonija– 6.183.000 denarë (100.000 euro)
  • Slloboden Peçat ‒14.280.000 denarë (238.000 euro)
  • Bitolski vesnik‒ 244.500 denarë (4.000 euro)
  • Zenit, Prilep‒288.000 denarë (4.500 euro)
  • Kapital‒2.115.000 denarë (35.000 euro)
  • Koha‒ 4.930.000 denarë (82.000 euro)
  • Veçer ‒7.255.000 denarë (120.000 euro)
  • Lajm‒ 1.045.000 denarë (17.000 euro)
  • Fokus‒4.625.000 denarë (75.000 euro)
  • Ekonomia dhe Biznesi‒748.000 denarë (12.500 euro)

Qeveria e Zaevit i publikoi të dhënat sipas të cilave së paku 38 milion euro janë shpenzuar për fushata dhe propagandë në mediat elektronike dhe të shtypura në periudhën nga viti 2008-2015, ndërsa Televizioni Sitel ka marrë 7 milion euro. Bëhet fjalë për para që i ka ndarë vetëm qeveria, duke mos përllogaritur paratë e komunave, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike. Sipas të dhënave qeveritare, pushteti i ish- kryeministrit Nikolla Gruevski ka shpenzuar mesatarisht nga shtatë deri në nëntë milion euro në media, kryesisht në ato proqeveritare, të afërta me VMRO-DPMNE-në. Me përjashtime të vogla, një shumë e paktë e parave është derdhur në mediat që kanë pasur qëndrim kritik ndaj ish pushtetit. Telma dhe Alsat-M kanë marrë 35 herë më pak se televizionet e afërta me pushtetin.

Agjencia e Mediave dhe RTVM- institucione në “status quo”

Në anën tjetër nuk mund të pritet të kemi media të lira kur kemi një Agjenci të partijzuar të Mediave, anëtarët e këshillit të së cilës janë persona partiak, me përjashtim të anëtarit të propozuar nga Shoqata e Gazetarëve, që është një ish gazetar.

Deklarativisht kishim zotime nga qeveria e re e kryeministrit Zoran Zaev se prioritet do të jenë reformat në media.

Deklarativisht kishim zotime nga qeveria e re e kryeministrit Zoran Zaev se prioritet do të jenë reformat në media. Paralelisht me heqjen e taksës radio- difuzive, rreth heqjes të së cilës ngelin dilemat, zgjidhjet e reja ligjore reformuese legalisht, pra në letër siguruan proces transparent të përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit të RTVM-së dhe Këshillit të Agjencisë së Mediave, si trup rregullator. Ka shkuar tashmë në histori koncepti i propozuesve të autorizuar dhe zbatohet modeli i ri i zgjedhjes përmes konkursit publik dhe debatit të organizuar publik me kandidatët që konkurrojnë për anëtarë të këshillave. Kandidatët që konkurrojnë për anëtarë të këshillave detyrohen të dorëzojnë së paku dy letra për mbështetje nga organizatat e ndryshme që merren me lirinë e mediave, përfshirë edhe shoqatat e gazetarëve, organizatat e të drejtave të njeriut dhe institucionet e arsimit universitar në fushën e gazetarisë dhe komunikimit. Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime sipas ligjit edhe pse ishte i detyruar të organizojë debat publik në afat prej një muaji pas përfundimit të konkursit që u hap në fund të janarit, një gjë e tillë nuk ndodhi. Deri më tani në mbledhjet e Komisionit vetëm janë konstatuar emrat e kandidatëve që i përmbushin kushtet e përcaktuara me nenin 16 të Ligjit të Shërbimeve Mediatike Audio dhe Audio-vizuale. Kreu i Komisionit nga radhët e VMRO- DPMNE-së, Ilija Dimovski është shprehur se nuk mund të organizojë debat, meqë nuk ka marrëveshje midis partive politike, të përfaqësuara në Kuvend, meqë zgjedhja e kandidatëve, si në komision, poashtu edhe në seancë plenare bëhet me dy të tretat e votave të deputetëve. Kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut do të shkojë në zgjedhje me përbërjen aktuale të Këshillit të Agjencisë së Mediave dhe drejtorin aktual të sak, Zoran Trajçevski, kuadër i dëshmuar i VMRO-DPMNE-së. Për shtatë pozita në Këshillin e Agjencisë së Mediave kanë konkurruar 28 kandidatë, ndërsa të njëjtit nuk kanë marrë asnjë njoftim nga Kuvendi lidhur me kandidimin e tyre dhe se a do të vlejë konkursi i vitit 2019 pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të prillit.

E njëjtë është gjendja edhe në shërbimin radio- difuziv publik- Radiotelevizioni i Maqedonisë së Veriut, pasi për shkak të bllokimit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime nuk mund të bëhet zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Programor të RTVM-së, që më pas do të bënte zgjedhjen e organeve të reja, sidomos drejtorit dhe zëvendësdrejtorit ekzekutiv. Për 13 pozita në Këshillin e RTVM-së konkurrojnë 18 kandidatë.

Në fakt, RTVM, edhe pas 30 viteve pas transformimit juridik- normativ të sistemit politik të vendit, mbetet institucion i pareformuar, me programacion tepër të varfër, me kuadër që ka moshë mesatare prej 56 viteve, me ndikim të madh të partive politike dhe me një akomodim pasiv të punësuarve brenda institucionit me “status quonë” që mbizotëron gjithë këto vite.

Si të reformohet shërbimi radio- difuziv publik- RTVM ?

Në Këshillin Programor të RTVM-së, me qëllim që të jetë më funksional nuk duhet të “delegohen” vetëm njerëz të afërt me partinë politike në pushtet.

E para dhe e padiskutueshme është përforcimi i autonomisë dhe pavarësisë institucionale dhe financiare të RTVM-së, pasi vetëm emërtimi i saj shërbim publik tregon se është themeluar nga publiku, financohet nga publiku, edhe pse në rastin e vendit tonë paratë ndahen nga buxheti i shtetit dhe duhet të jetë në shërbim të interesit publik. Në Këshillin Programor të RTVM-së, me qëllim që të jetë më funksional nuk duhet të “delegohen” vetëm njerëz të afërt me partinë politike në pushtet. Kompetencat e zëvendësdrejtorit shqiptar duhet të rriten, sepse aktualisht zëvendësdrejtori i RTVM-së nuk ka të drejtën e nënshkrimit. Edhe ky funksion, ngjashëm si drejtori duhet të departijzohet, sepse deri më tani në këtë pozitë janë ulur njerëz të afërt me partinë në pushtet. Shërbimi radio- difuziv publik, konkretisht shërbimi i dytë programor duhet të jetë më bashkëpunues me shoqërinë qytetare, sepse vetëm në këtë mënyrë do të bëhet shërbim publik dhe nuk do mbetet shërbim qeveritar- partiak. Ideja që Programi në Gjuhën Shqipe të transmetohet në 24 orë është e qëlluar, por paraprakisht duhet të bëhet analizë e qartë dhe e detajuar mbi funksionalizimin e kësaj ideje, që para së gjithash ka të bëjë me financimin, zgjedhjen e redaktorit përgjegjës me konkurs publik, ngjashëm si edhe punësimin e më shumë kuadrove, por pa libreza partiake, sigurimin e kushteve teknike- teknologjike, makinave për xhirim në terren e kështu me radhë. Programi i RTVM-së duhet të rrezatojë profesionalizëm, objektivitet dhe paanshmëri politike, duhet të prodhojë programe të larmishme kulturore, artistike dhe dokumentare që ruajnë e forcojnë identitetin etnik të qytetarëve, sepse ky është detyrim i tij. Në fund të fundit qytetarët janë ata që mbushin buxhetin e shtetit, nga i cili financohet RTVM si shërbim publik!

Mediat komerciale i përshtaten shijes së publikut

Por si është gjendja në mediat lokale? Shumica prej tyre ballafaqohen me probleme ekzistenciale, rrjedhimisht edhe me numër të vogël të punësuarve, që reflektohet ndaj programacionit.

Realisht kemi pluralizëm në sektorin televiziv komercial, sepse kemi pesë televizione me licencë tokësore për transmetim, ndërsa ekzistojnë edhe televizione tjera, që kanë licencë nacionale- kabllore. Por në aspektin e programacionit të gjitha janë televizione gjeneraliste dhe nuk ka asnjë të specializuar për ndonjë segment të caktuar programor ose që i dedikohet një publiku të segmentuar. Duhen rinovime në programacion, ndërsa si pikënisje nevojitet që të fuqizohet gazetaria hulumtuese. Gjithashtu duhet të krijohen programe, të cilat në fokus do ta kenë qytetarin, problemet dhe hallet e tij të përditshme, ndërsa në lajme dhe në programe tjera duhet të ulet prania e madhe e politikanëve dhe e drejtuesve të institucioneve. Do të ishte e preferuar, pavarësisht se e kuptojmë logjikën komerciale, të bëhen përpjekje që të zvogëlohet prania enorme e serialeve turke dhe e përmbajtjeve tjera të lehta e zbavitëse. Eteri i televizioneve komerciale ka nevojë për substancë kulturore, edhe pse ky është detyrim i shërbimit radiodifuziv publik- RTVM-së, por në kohën e rrënimit dhe moskujdesit institucional për vlerat estetike, artistike dhe kulturore, media komerciale duhet ta luajë rolin e vet. Gjithsesi se këto programe duhet të mbështeten nga biznesi, sepse janë në funksion të së mirës së përgjithshme. Statusi i gazetarëve brenda redaksive duhet të përmirësohet, edhe atë me rritjen e rrogave dhe sigurimin e kushteve më të mira të punës, por edhe mundësimin e trajnimeve të ndryshme profesionale.

Por si është gjendja në mediat lokale? Shumica prej tyre ballafaqohen me probleme ekzistenciale, rrjedhimisht edhe me numër të vogël të punësuarve, që reflektohet ndaj programacionit. Kiçi dhe vlerat e dyshimta kulturore janë pjesë e pandashme e programit të transmetuar, që kryesisht është muzikor, pa edicione informative, debate, emisione dokumentare apo reportazhe, me telenovela që janë prodhime të Bolivudit ose ndonjë produksioni nga Turqia, Spanja, Brazili, Venezuela e kështu me radhë. Nëse nuk gjendet modalitet për subvencionimin e tyre, një pjesë e madhe e mediave lokale do të detyrohen të mbyllen.

Mediat onlajn- sfidë e vërtetë e shoqërisë demokratike!

Mediat onlajn në Maqedoninë e Veriut nuk janë përfshirë në ligjet e mediave- Ligjin e Mediave dhe Ligjin e Shërbimeve Audio dhe Audiovizuale Mediatike. Por kjo nuk do të thotë se ky sektor mediatik nuk është aspak i përkufizuar në aspektin normativ- juridik, pasi shumë ligje tjera, që nuk i takojnë sferës mediatike, përmbajnë dispozita të cilat e rregullojnë në mënyrë jo të drejtpërdrejt fushën e mediave, punën dhe sjelljen e tyre, krijimin e përmbajtjeve dhe shpërndarjen e tyre tek publiku onlajn.

Në drejtimim të përforcimit të vetërregullimit në media, Këshilli i Etikës krijoi Regjistrin vullnetar të mediave onlajn për anëtarët e vet, i përbërë pothuajse nga 70 portale. Sipas kushteve për anëtarësim në KEMM, portalet e internetit është e nevojshme të përmbushin kushte të caktuara, siç janë: të publikojnë impresum (redaktor përgjegjës, redaksi), themelues ose pronar dhe të dhëna për kontaktim. Duhet të pajtohen se e respektojnë Kodin e Gazetarëve dhe për këtë të kenë të publikuar banderolë në faqen e tyre të internetit, ndërsa tekstet e publikuara të jenë të nënshkruara nga autorët e tyre etj. “Në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 12 prill, Regjistri do të jetë një test për partitë politike. Do të shihet se do të promovojnë veten në mediat onlajn profesionale ose në mediat e tyre propaganduese”, tha Mlladen Çadikovski, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoninë e Veriut. Ngjashëm edhe komuniteti i biznesit do ta ketë të qartë se do të reklamojë në mediat profesionale apo në mediat që nuk përmbushin kriteret e regjistrimit.

Ky pejsazh mediatik kryesisht në mediat elektronike, të shtypura dhe onlajn, është tregues se Maqedonia nuk ka bërë reformat e duhura dhe të propozuara nga eksperti ndërkombëtar Piter Van Haute, që në vitin 2015.

Në të gjitha raportet e organizatave respektabile renditet si vend pjesërisht i lirë, madje në një grup me shtetet afrikane dhe aziatike. Sipas Indeksit të lirisë së mediave të organizatës Reporterët pa Kufij, Maqedonia e Veriut nga 180 shtete renditet në pozitën e 95-të. Disa vite me radhë, sidomos gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, Maqedonia e Veriut në indekset ndërkombëtare të lirisë së shtypit radhitej e fundit në Ballkan, ndërsa në Evropë e parafundit. Faktin se një pjesë e madhe e mediave janë në shërbim të interesave partiake- politike dhe ekonomike e ka vërtetuar edhe Komisioni Evropian, ndërsa mosbalansim dhe njëanshmëri në favor të pushtetit gjatë proceseve zgjedhore kanë evidentuar Misioni i OSBE-së- ODIHR dhe ai i Këshillit të Evropës.

Për erozionin e tërësishëm të sistemit mediatik është dashur një dekadë e plotë, ndërsa për rimëkëmbjen e tij, siç po shihet nga ritmi i jetësimit të reformave nuk do të ketë nevojë për një dekadë! Duhen më shumë se aq.

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top