NGA ARSIMI TEK MEDIAT: GJURMËT E “FUQISË SË BUTË” KINEZE NË MAQEDONINË E VERIUT
Shënim: Ky është artikulli i dytë i një serie në dy pjesë. Për të ndjekur rrjedhën e plotë të hulumtimit, lexoni pjesën e parë në B-IRC.ORG
Shkruan: Enis Shaqiri
Ndikimi nëpërmjet mediave
Përveç arsimit, prezenca e Kinës në Maqedoninë e Veriut shfaqet qartë edhe përmes hapësirën mediatike të Ballkanit Perëndimor.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, Maqedonia e Veriut numëron rreth 2 milionë banorë, prej të cilëve 54.21 për qind janë maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër u përket komuniteteve më të vogla etnike.
Për një pjesë të audiencës maqedonase, narrativat rreth Kinës kalojnë përmes China Radio International (CRI) e cila disponon redaksi në gjuhë serbe, bullgare, kroate, shqipe, dhe, për shkak të ngjashmërisë gjuhësore dhe rrjeteve të shpërndarjes rajonale, kjo strukturë e bën të lehtë ripublikimin e përmbajtjeve kineze nga mediat lokale dhe amplifikimin e tyre në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi si dhe Bosnje dhe Hercegovinën
Nga ana tjetër, për publikun shqiptar, përveç CRI, një tjetër kanal i dukshëm i transmetimit është edhe Radio “Ejani” (CMGShqip) – një redaksi me seli në Tiranë/Durrës që prodhon lajme, analiza, intervista dhe kronika kulturore.
Si funksionon ky lloj ndikimi mediatik?
Shumë prej materialeve të distribuara nga Radio “Ejani” përmbajnë përmbajtje të agjencisë Xinhua ku përmbajtjet mediatike shënohen si “China state-controlled media”.
Një pjesë e madhe e këtyre materialeve përhapet përmes postimeve të sponsorizuara në Facebook, ku Meta i regjistron këto reklama në Meta Ad Library, nga ku edhe shfaqen të dhëna për kohën, shpenzimet dhe parametra të targetimit demografik.
Sponsorizimet i mundësojnë operatorëve të medias të synojnë audienca specifike (sipas moshës, gjinisë dhe rajonit) dhe kështu të amplifikojnë përmbajtje të caktuara në segmente të përcaktuara të popullsisë.
Shembull konkret që ka evidentuar BIRC është artikulli i sponsorizuar “Nga Tetova në Kunming – shija e Ballkanit takon kafenë kineze”, një reportazh mbi përvojën e një të riu 26-vjeçar nga qyteti i Tetovës, që vepron në Kinë. Ky lloj përmbajtjeje, kur shoqërohet me sponsorizime të përsëritura, rrit shtrirjen dhe efektin e mesazheve pro-kineze pa që lexuesi domosdoshmërisht të kuptojë origjinën ose qëllimin e shpërndarjes së tyre.
Së këndejmi, djaloshi nga Tetova, mori edhe një bursë shtetërore kineze për një diplomë master në provincën Yunnan, me mbështetje gjithashtu nga ambasada e Kinës në RMV, gjatë aplikimit.

Periudha për të cilën BIRC ka analizuar reklamat e sponsorizuara, përfshin një pjesë të maujit dhjetor.
Shqetësimi mbi Radio “Ejani” është ngritur edhe nga shumë gazetarë në Shqipëri, të cilët e konsiderojnë atë si një “vegël propagande” kineze që përhap mesazhe anti-Perëndimore në Ballkan. Ata në një hulumtim të BIRN Balkan, kanë argumentuar se cilësia e lartë produksionit dhe investimet e mëdha financiare e bëjnë radion një “rrezik të mundshëm” për mjedisin e informacionit shqiptar. Këto shqetësime lidhen me mungesën e transparencës mbi financimin e radios, fenomene që ndeshen edhe në raste të ngjashme tjera rajonale.
