ANALIZË: REFORMA NË ARSIMIN E LARTË NËN LLUPË
Një nga nën-sistemet kryesore shoqërore është arsimi. Kur bëhet fjalë për reforma në arsim, disi më shpesh në vendin tonë theksi vihet te arsimi i lartë. Kohët e fundit, u propozua një Ligj i ri për Arsimin e Lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Shkruan: Riste Kostovski
Së pari, para se të hyj në analizën e pikave të tij, si dikush që politikat publike i ka fushë interesi, për të zgjidhur një problem të caktuar në një segment të caktuar shoqëror, fillimisht ai duhet të definohet. Sa i përket arsimit të lartë, nga ajo që dëgjohet në diskursin publik, problemi është cilësia e arsimit të lartë.
Për të hyrë në definimin e një politike publike, programi, strategjie apo ligji, fillimisht duhet të përpiqemi të definojmë cilësinë e arsimit të lartë. Në këtë pjesë, sipas meje, nën cilësi në arsimin e lartë duhet të nënkuptohet cilësia e mësimdhënies në fakultete, qasja në literaturë, aplikueshmëria e njohurive të marra në fakultet, cilësia e ushtrimeve etj. Në këtë drejtim, drejtpërdrejt e lidhur me cilësinë në arsimin e lartë është cilësia e akomodimit të studentëve, infrastruktura, digjitalizimi i procedurave administrative etj. Që këto aspekte ose indikatorë të përmirësohen, të cilët do të përbënin indikatorin kompozit të cilësisë së arsimit të lartë, nevojitet fillimisht analizë e kapaciteteve dhe burimeve financiare. Po ashtu, në këtë pjesë, është e nevojshme të bëhet dallimi ndërmjet punës shkencore-kërkimore dhe arsimit. Konkretisht, puna shkencore-kërkimore është pjesë e arsimit, por jo kudo dhe jo gjithmonë theksohet me të njëjtën peshë. Për këtë arsye, nevojitet një qasje tjetër në punën e instituteve dhe fakulteteve. Në thelb, në fakultete fokusi natyrshëm duhet të jetë më shumë në procesin mësimor, ndërsa në institute në kërkimin shkencor. Prandaj, rregullimi linear ose uniform i publikimeve shkencore me faktor impakti dhe numrin e punimeve të publikuara, si për fakultetet ashtu edhe për institutet, veçanërisht në të gjitha shkencat, është i gabuar.
Publikimi i një punimi shkencor dhe kohëzgjatja e vetë procesit ndryshon në sektorë të ndryshëm, prandaj nuk mendoj se është e drejtë që fokusi të vendoset vetëm mbi këtë parametër.
Më tej, duke lexuar Propozim-Ligjin për Arsimin e Lartë, dhe dispozita që kriteret të mos vlejnë në mënyrë retroaktive krijon pritje negative te njerëzit që janë në proces arsimor ose janë asistentë dhe duan të ndërtojnë karrierë akademike. Këtë e theksoj sepse ndërtimi i besimit dhe krijimi i perceptimit për cilësi, transparencë dhe mungesë të nepotizmit në arsimin e lartë është drejtpërdrejt i lidhur me konceptin e cilësisë.
Për më shumë besim dhe reforma në drejtim të cilësisë së arsimit të lartë, mendoj se duhet të kemi një qasje decentralizuese, pra kriteret në një masë të caktuar të vendosen nga brenda nga vetë institucionet arsimore, sepse në këtë fushë ka heterogjenitet të madh dhe është vërtet e vështirë që me një nen apo ligj të përmirësohet cilësia ose, siç thuhet në ekonomi, performanca dhe output-i në nivel mikro në të gjitha disiplinat.
Kur flasim për cilësi në arsimin e lartë dhe publikimin e punimeve, duhet të merren parasysh edhe shpenzimet për kërkim dhe zhvillim që ndahen nga buxheti.

Burimi: Banka Botërore
Nëse e shohim këtë grafik, është e qartë se ndarjet financiare për kërkim dhe zhvillim gjatë gjithë periudhës nga viti 1997 deri në vitin 2023 (periudhë për të cilën ka të dhëna në bazën World Bank Data) janë të ulëta.
Një dimension edhe më i rëndësishëm për modelin e cilësisë së arsimit të lartë është efikasiteti i këtyre shpenzimeve. Efikasiteti përmirësohet përmes përmirësimit të kapaciteteve teknike të fakulteteve, modernizimit të laboratorëve, mjeteve për analiza etj.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
