REFORMAT NË ARSIMIN E LARTË: A PO RREZIKOHEN INSTITUTET PRIVATE SHKENCORE?
Debati mbi reformimin e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut po hyn në një fazë gjithnjë e më intensive, ndërsa propozim-ligji i ri për arsimin e lartë dhe ai për veprimtarinë shkencore-hulumtuese vazhdojnë të prodhojnë reagime nga komuniteti akademik, universitetet dhe ekspertët e fushës. Në qendër të diskutimeve mbeten kriteret për vlerësimin akademik, autonomia universitare, statusi i instituteve private shkencore dhe ndikimi që ndryshimet ligjore mund të kenë mbi të ardhmen e sistemit universitar dhe shkencor në vend.
Versioni i përpunuar i propozim-ligjit për arsimin e lartë, tashmë pasi ka kaluar filtrin e dytë në sistemin elektronik “ENER”, ende ndodhet në procedurë qeveritare. Këtë e konfirmoi zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, i cili ka theksuar se në draftin aktual janë bërë ndryshime të rëndësishme për ta bërë ligjin më të pranueshëm për komunitetin akademik dhe palët e interesuara. Një nga ndryshimet më të përfolura lidhet me heqjen e H-indeksit si kriter bazë për avancimin dhe vlerësimin e kuadrit akademik.
Sipas Salit, reagimet e profesorëve dhe universiteteve kanë ndikuar drejtpërdrejt në korrigjimin e dispozitave fillestare. Ai ka theksuar se se H-indeksi nuk do të mbetet më kriter themelor, por vetëm një element shtesë në rastet kur ka konkurrencë të brendshme ndërmjet kandidatëve. Në këtë mënyrë, Qeveria synon të shmangë diskriminimin e profesorëve që nuk kanë mundësi të njëjta për publikime ndërkombëtare apo qasje në revista me faktor të lartë impakti.
Ky prononcim i zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali është dhënë gjatë një panel-diskutimi të organizuar në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, me temën “Konsolidimi institucional dhe legjislacioni për arsimin e lartë”. Paneli u shndërrua në një forum ku u ngritën çështje të shumta që lidhen me autonominë universitare, kriteret e rangimit, financimin e universiteteve dhe pozitën e kuadrit akademik.
Rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Bekim Fetai, ka ngritur shqetësimin se universitetet më të reja vazhdojnë të përballen me një trajtim të pabarabartë krahasuar me universitetet tradicionale. Sipas tij, edhe pse universiteti disponon kuadër me përvojë të konsiderueshme akademike, kufizimet buxhetore e bëjnë të vështirë financimin e publikimeve shkencore të profesorëve, të cilat në të ardhmen mund të jenë faktor kyç për rangimin institucional.
Fetai ka paralajmëruar se modeli i ardhshëm i vlerësimit të universiteteve mund të krijojë pabarazi të reja ndërmjet institucioneve të konsoliduara dhe atyre që ende po zhvillojnë kapacitetet e tyre. Ai ka theksuar se universitetet shqiptare, veçanërisht ato më të reja, kanë nevojë për mbështetje më të madhe institucionale dhe financiare për të konkurruar në mënyrë të barabartë.
Përveç çështjes së rangimit, është diskutuar edhe problemi i mungesës së kuadrit akademik dhe pagave të ulëta për bashkëpunëtorët e jashtëm. Sipas pjesëmarrësve në debat, universitetet po përballen me vështirësi serioze për të tërhequr dhe mbajtur staf cilësor, ndërsa shumë profesorë dhe hulumtues po orientohen drejt sektorit privat ose universiteteve jashtë vendit.
Nga ana tjetër, koalicioni VLEN ka vlerësuar se reformat në arsimin e lartë tashmë po japin rezultate konkrete. Në një reagim publik, VLEN ka theksuar se ndryshimet ligjore po reflektojnë kërkesat e komunitetit akademik dhe universiteteve shqiptare. Sipas tyre, tejkalimi i pengesave ligjore të Universitetit “Nënë Tereza”, përfshirë çështjet që lidhen me Statutin, dëshmon se procesi reformues nuk ka mbetur vetëm në nivel deklarativ.
VLEN ka vënë në pah se arsimi i lartë mbetet prioritet strategjik dhe se fokusi kryesor i reformave është përmirësimi i kushteve për studentët dhe stafin akademik, si dhe ndërtimi i institucioneve më të qëndrueshme dhe funksionale. Sipas tyre, heqja e H-indeksit si kriter bazë për vlerësimin akademik përfaqëson një korrigjim të rëndësishëm, ndërsa garantimi i sigurisë në vendin e punës dhe krijimi i hapësirave për zhvillim profesional janë hapa drejt stabilizimit të sistemit universitar.
Megjithatë, përkundër optimizmit institucional, kritikat ndaj reformave nuk mungojnë. Një nga zërat më kritikë është ai i ish-inspektorit të lartë arsimor, Gjorgji Ilievski, i cili në analizën e tretë me radhë të publikuar në “NetPress” ka paralajmëruar pasoja serioze ekzistenciale dhe sociale nga ligjet e reja reformuese në fushën e arsimit të lartë dhe veprimtarisë shkencore-hulumtuese.
Ilievski ka akuzuar grupin e ekspertëve të angazhuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës se kanë krijuar dispozita që, sipas tij, “gjymtojnë” sistemin ekzistues. Ai ka argumentuar se disa nga nenet e propozuara rrezikojnë drejtpërdrejt ekzistencën e instituteve private shkencore dhe mund të shkaktojnë mbylljen e tyre masive.
Në fokus të kritikës së tij janë nenet 25 dhe 26 të propozim-ligjit për veprimtari shkencore-hulumtuese. Neni 25 parasheh që një institut privat shkencor të ketë të punësuar të paktën 10 persona nga e njëjta fushë shkencore, prej të cilëve pesë doktorë shkence, tre magjistra dhe dy persona me arsim të lartë. Sipas Ilievskit, këto kritere janë të paarritshme për shumicën e instituteve private dhe nuk përputhen me realitetin bashkëkohor të shkencës ndërdisiplinore.
Ai ka theksuar se me këto kushte praktikisht bëhet i pamundur themelimi i instituteve të reja shkencore, ndërsa ekzistueset do të detyrohen të mbyllen. Sipas tij, kjo do të sjellë humbje të vendeve të punës për një numër të madh shkencëtarësh dhe hulumtuesish, si dhe do të dëmtojë prodhimin shkencor në vend.
Po aq problematik, sipas Ilievskit, është edhe neni 26, i cili parasheh që përgatitjet për fillimin e punës së një instituti privat shkencor të kryhen nga një komision i formuar nga Qeveria. Ai e konsideron të papranueshme që kompensimi për anëtarët e këtij komisioni të paguhet nga vetë themeluesi privat që kërkon licencimin.
Përtej çështjeve procedurale, kritikat e tij prekin edhe autonominë e sektorit privat në arsimin e lartë dhe shkencë. Ai vë në dukje në këtë shkrim autorial se kompetencat që i jepen komisionit për zgjedhje në tituj shkencorë, miratim programesh dhe statute të përkohshme përbëjnë ndërhyrje direkte në sferën private dhe cenojnë parimet kushtetuese të autonomisë.
Debati për reformat në arsimin e lartë mbetet i hapur dhe i polarizuar. Nga njëra anë, Qeveria dhe përfaqësuesit e saj insistojnë se ndryshimet janë të domosdoshme për modernizimin dhe konsolidimin institucional të universiteteve, ndërsa në ana tjetër, kritikët paralajmërojnë se disa nga zgjidhjet e propozuara mund të prodhojnë pasoja afatgjata për sistemin shkencor dhe akademik në vend.
Nëse propozim-ligjet do të arrijnë të krijojnë një ekuilibër ndërmjet standardeve akademike, autonomisë universitare dhe nevojës për reforma funksionale, mbetet të shihet në fazat e ardhshme të debatit publik dhe procedurave parlamentare.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
