BARAZIA GJINORE, MES “KUOTAVE NUMERIKE” DHE “PËRFAQËSIMIT SUBSTANCIAL”

Pjesëmarrja e grave në politikë dhe përgjithësisht në jetën publike tashmë po trajtohet në shumë dokumente strategjike në nivel ndërkombëtar, por edhe në shumë analiza, shqyrtime sociologjike dhe politike, të cilat hapin një horizont tjetër të pranisë dhe përfshirjes së grave në jetën demokratike. Koncepti i barazisë gjinore gjithnjë e më tepër po trajtohet me një sfond socio-kulturor, duke u fokusuar në teoritë kulturore të pengesave në përfaqësimin e grave, ndërlidhjen e demokracisë me barazinë gjinore. 

Një nga pyetjet themelore në studimet mbi barazinë gjinore dhe demokracinë është pse disa shoqëri arrijnë nivele të larta përfaqësimi të grave në politikë, ndërsa të tjera mbeten shumë mbrapa. Përgjigjja shpesh kërkohet në faktorë kulturorë dhe ekonomikë, të cilët formësojnë normat shoqërore, sistemet politike dhe mundësitë që gratë të hyjnë në arenën publike.

Teoritë kulturore sugjerojnë se qëndrimet tradicionale ndaj roleve gjinore janë ndër pengesat kryesore për pjesëmarrjen e grave në poste të zgjedhura. Në të njëjtën kohë, proceset e modernizimit dhe demokratizimit sjellin ndryshime të rëndësishme, duke rritur gradualisht nivelin e barazisë gjinore dhe përfaqësimit të grave në parlament.

Në një studim të autorëve, Ronald Inglehart, Pippa Norris, and Christian Welzel “Gender Equality and Democracy”theksohet se procesi i modernizimit sjell ndryshime strukturore dhe kulturore që ndikojnë drejtpërdrejt në barazinë gjinore.  Sipas këtij studimi, me rritjen e industrializimit, arsimit dhe të ardhurave, shoqëritë lëvizin drejt normave më egalitare dhe drejt demokracive më funksionale.

Ndryshimet në normat gjinore, theksohet në studim, janë pjesë e këtij transformimi të gjerë kulturor. Për shekuj me radhë, gratë kanë qenë të kufizuara në role familjare, por në dekadat e fundit ato kanë fituar akses në arsim, karrierë dhe politikë, duke përjetuar një revolucion social.

Lidhja mes barazisë gjinore dhe demokracisë mbetet e ndërlikuar.  Studimi shpërfaq se barazia gjinore nuk është vetëm rezultat i kuotave ligjore ose i rritjes ekonomike, por mbi të gjitha i ndryshimeve kulturore që shndërrojnë perceptimet shoqërore mbi rolin e grave në politikë.

Në shoqëritë dhe demokracitë më të brishta, siç rasti në Ballkanin Perëndimor, barazia gjinore kalon nëpër dhëmbëzorët tepër të komplikuar të tranzicionit. Në një analizë krahasimtare mund të shihen diferencat në vendet e rajonit, ndërkohë që të gjitha vendet përballen thuajse me të njëjtat barriera të përfshirjes së grave në procesin e vendimmarjes.

Në një punim të Merita Limanit “Women’s political participation: A comparative study of gender quota implementation in six Western Balkan countries” vihet në dukje se pjesëmarrja politike e grave është thelbësore për demokracinë dhe përfaqësimin e barabartë. Sipas autores, mungesa e grave në politikë dëmton të drejtat e njeriut dhe minon funksionimin e demokracisë. Për këtë arsye, thekson autorja, shumë vende të Ballkanit Perëndimor kanë përdorur “kuota gjinore” si mekanizëm për të rritur pjesëmarrjen e grave në jetën politike.  Sipas autores, të gjitha gjashtë vendet e rajonit kanë miratuar kuota gjinore ligjore që variojnë nga 30 përqind deri në 40 përqind.  Studimi dëshmon se kuotat kanë rritur ndjeshëm “përfaqësimin numerik të grave”  në parlamentet dhe këshillat lokalë

Megjithatë, në këtë studim, theksohet se “prania numerike” nuk përkthehet automatikisht në “fuqi reale vendimmarrëse”. Burrat vazhdojnë të dominojnë postet kyçe politike dhe qeveritare. Në shumicën e vendeve të rajonit, gratë ende përfaqësohen më pak në pozitat ministrore ose në drejtimin e partive politike.

Autorja thekson se shumë studiues sugjerojnë kalimin nga “përfaqësimi përshkrues” (numerik) në “përfaqësimin substancial”, ku gratë kanë ndikim real në politikat publike.  Sipas autores, vetëm përmes ndërtimit të një kulture pjesëmarrjeje dhe mekanizmave mbështetës mund të arrihet barazia e plotë politike.

Në këtë studim theksohet se “kuotat gjinore kanë qenë një mjet efektiv për rritjen e pranisë së grave në politikën e Ballkanit Perëndimor, por jo mjaftueshëm për të arritur barazi substanciale”. Përgjithësisht, theksohet në këtë studim, vendet kanë bërë përparim të dukshëm falë presionit ndërkombëtar dhe proceseve të integrimit evropian, por pengesat kulturore, patriarkalizmi dhe dominimi mashkullor në liderizëm vazhdojnë të kufizojnë fuqinë vendimmarrëse të grave.

Në shumë studime dhe dokumente theksohet se në Maqedoninë e Veriut, dhe në veçanti në rajonin e Pollogut, çështja e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje mbetet një sfidë e vazhdueshme. Megjithëse ekziston një kuadër ligjor që garanton kuotat gjinore dhe përfaqësimin e barabartë, realiteti shpeshherë tregon nënpërfaqësim, pengesa strukturore dhe një kulturë politike të dominuar nga burrat.

Pjesëmarrja e grave në procesin e vendimmarrjes në nivel lokal në Pollog mbetet një sfidë strukturore dhe kulturore. Pavarësisht kuadrit ligjor, realiteti pasqyron një përfshirje të pjesshme dhe shpesh simbolike. Nëse duam një demokraci gjithëpërfshirëse dhe institucione lokale legjitime, rritja e përfaqësimit të grave duhet të bëhet prioritet. Vetëm përmes barazisë gjinore mund të arrihet një zhvillim i qëndrueshëm dhe drejtësi sociale në rajonin e Pollogut.

Gjithashtu, nënpërfaqësimi i grave ul legjitimitetin e institucioneve lokale dhe dëmton besimin e qytetarëve në procesin demokratik. Një demokraci pa përfaqësim të balancuar gjinor është e mangët, sepse nuk reflekton diversitetin e komunitetit.

Kjo analizë është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit “Zërat e Barazisë, Demokracisë për të Gjithë”, i zbatuar nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal – BIRC Tetovë. Ky projekt është një subgrantim i marrë në kuadër të “Mbështetja e BE-së për Qendrën e Burimeve për Shoqërinë Civile – Faza 2” e financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe të Qendrës së Burimeve për Shoqërinë Civile.

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top