KOHËZGJATJA E NEGOCIATAVE: A DO TË BËHEMI PJESË E BE-SË NË VITIN 2030?

Është pikërisht procesi i negociatave me BE-në ai që do të imponojë edhe reformat e domosdoshme në administratën e vendeve aspirantë. Këto vende, të cilët kaluan nëpër një procesi të gjatë të tranzicionit demokratik, sikur ende kanë një pjesë të trashëgimisë së mentalitetit komunist, ku administratori ishte shef i qytetarit, e jo anasjelltas.

Shkruan: Xhelal Neziri

Politikanët e zgjedhur në funksione të ndryshme shpesh janë edhe amatorë. Madje, edhe pa njohuri themelore për vendet ku zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë apo me votat e të zgjedhurve. Kjo nuk është një dukuri e panjohur në sistemet demokratike. Për dallim nga sistemet moniste, ku politikanët nevojiteshin të kryejnë shkolla përkatëse, në demokraci fiton ai që grumbullon më shumë vota. Jo rrallë herë politikani mund të jetë një qytetar pa arsim të lartë, bujk, punëtor apo me përgatitje profesionale që nuk përputhet me funksionin ku është zgjedhur. Andaj, lokomotiva kryesore e një shteti demokratik është pikërisht administrata shtetërore, apo burokracia. Në zgjedhje demokratike legjitimohet një platformë apo vizion politik, e personifikuar në politikanin në krye të institucionit, i cili për realizimin e vizionit të tij mbështetet nga shtresa të burokratëve profesionistë. Teoricienët e njohur të politikës Juan Linz dhe Alfred Stepan, në librin e tyre “Evropa Postkomuniste: Problemet e Tranzicionit Demokratik dhe Konsolidimit”,  thonë se në vetvete burokratët nuk janë demokratë, por ata kanë për detyrë t’i bëjnë demokracitë funksionale dhe efikase.

Javën e kaluar isha pjesë e një delegacioni në Bruksel, ku pata rastin të ndjek nga afër seancat sqaruese midis përfaqësuesve të Maqedonisë dhe Veriut dhe Shqipërisë, nga njëra anë, dhe atyre të Bashkimit Evropian (BE), nga ana tjetër. Takimet kishin të bëjnë me kllasterin e Agjendës së Gjelbër, ku Komisioni Evropian (BE) i paraqet ndryshimet e fundit në ligjet e saja me qëllim që vendi t’i harmonizojë gjatë procesit të negociatave. Projekti u zbatua nga UNOPS dhe u mbështet nga Nordic Support for Progress of North Macedonia. Këto seanca që zhvillohen në kuadër të procesit të skriningut, si paradhomë e hapjes së kapitujve nga gjashtë kllasterët e procesit negociues për anëtarësim, i shërbejnë Brukselit të kuptojë nivelin e harmonizimit të ligjeve nacionale në Shkup e Tiranë me ato evropiane. Njëkohësisht, zyrtarët e KE-së e kanë shumë më lehtë të kuptojnë edhe kapacitetet e administratës vendore që të zbatojnë në praktikë të gjitha harmonizimet me ligjet evropiane, që ndryshe njihen si “acquis communautaire”.

Prandaj është pikërisht procesi i negociatave me BE-në ai që do të imponojë edhe reformat e domosdoshme në administratën e vendeve aspirantë. Këto vende, të cilët kaluan nëpër një procesi të gjatë të tranzicionit demokratik, sikur ende kanë ruajtur një pjesë të trashëgimisë së mentalitetit komunist, ku administratori ishte shef i qytetarit, e jo anasjelltas. Ky raport nxiste konformizmin ndër të punësuarit në administratë, i cili më pas promovohej si privilegj në shoqëri pasi “puna e shtetit të mundëson paga të larta, me shumë pak mund”. Ky mentalitet është edhe sot e kësaj dite i pranishëm, sidomos nëse shihen anketat e fundit ku puna e shtetit vazhdon të jetë më e preferuara nga personat që kërkojnë punë.

Maqedonia e Veriut vitin e kaluar hapi bisedimet për anëtarësim në BE, duke nisur procesin e skriningut. Të njëjtin duhet ta deri në fund të këtij viti, kur do të nisë edhe me hapjen e kllasterëve të parë (me kusht që deri atëherë ta ndryshojë Kushtetutën për të përfshirë bullgarët etnik në të, si pjesë e obligimit të marrë nga Propozimi Francez). Kur të përfundojë procesi negociues, atëherë vendi do të bëhet pjesë e BE-së. Qeveria e Shkupit pret që kjo të ndodhë deri në vitin 2030. Një plan goxha ambicioz, sidomos duke marrë parasysh se Serbia dhe Mali i Zi kanë hapur negociatat që para 10 viteve por që janë ende larg mbylljes së të gjitha kapitujve. Zyrtarë të lartë në Bruksel na siguruan se, në rastin e Maqedonisë së Veriut, koha e hapjes dhe mbylljes së gjashtë kllasterëve me 35 kapituj, do të varet kryesisht nga kapaciteti politik dhe institucional i vendit për të harmonizuar ligjet e vendit me acquis-in, për t’i miratuar në Parlament, për t’i zbatuar në praktikë dhe për të treguar rezultatet e pritura.

Dy dimensionet e fundit varen kryekëput nga kapaciteti i administratës shtetërore dhe nga niveli i demokratizimit të institucioneve. Administrata është makineria që e bën të funksionojë një shtet me qëllim që të përmbushë synimin parësor – t’u shërbejë qytetarëve. Një shtet mund të llogaritet si i dështuar nëse nuk arrin të mbrojë liritë themelore njerëzore, të sigurojë një jetë të dinjitetshme, të sigurojë barazinë dhe të kultivojë vlerat themelore demokratike. Andaj, një administratë publike funksionale është parakusht për qeverisje demokratike transparente dhe efektive.

Koncepti i “qeverisjes së mirë” është baza që KE ka vënë si kriter për pranimin e anëtarëve të rinj në BE dhe e njëjta është përfshirë në Kartën e BE-së për të Drejtat Themelore. Ky koncept përfshinë katër parakushtet themelore, si besueshmërinë, parashikueshmërinë, llogaridhënien dhe transparencën, por edhe kompetencat drejtuese, kapacitetin organizativ, qëndrueshmërinë financiare dhe pjesëmarrjen e qytetarëve.

Edhe pse kriteret e qeverisjes së mirë janë universale, këto parime janë të dizajnuara për vendet që duan të anëtarësohen në BE dhe që marrin ndihmë nga BE-ja përmes Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA). Përveç aqcuis-eve apo direktivave të BE-së, parimet e qeverisjes së mirë rrjedhin edhe nga standardet, kërkesat dhe praktikat ndërkombëtare të shteteve të BE-së dhe të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Sa është kapaciteti i një administrate matet me nivelin e zbatimit efektiv të këtyre parimeve themelore në administratë. Nuk është i mjaftueshëm vetëm zbatimi i shtetit ligjor, por edhe funksionimi i institucioneve demokratike, që në fokus kanë qytetarin e jo partinë apo edhe politikat në vetvete. Pa këto kapacitete Maqedonia e Veriut nuk do të arrijë deri në zbatimin efektiv acquis-eve të BE-së, që burojnë nga kriteret e përcaktuara nga Këshilli Evropian në Kopenhagë (1993) dhe në Madrid (1995).

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas 

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top