LIGJI PËR PËRDORIMIN E GJUHËVE: NJË GUR I ÇMUESHËM I KOHEZIONIT
Duke i lënë anësh manipulimet dhe paragjykimet, edhe ky ligj do të bëhet i rëndomtë si çdo ligj tjetër që rregullon të drejtën dhe obligimet në këtë fushë specifike të të drejtave të njeriut dhe sikundër që u harrua shpejt “problemi” me avancimin e arsimit sipëror, ashtu edhe shtrirja e përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet do të jetëçështje që gjithnjë e më pak do t’i shpojë sytë. Fundja, nëse kohezioni i brendshëm është një nevojë e përhershme e ndërtimit të një shoqërie të barabartësh, atëherë ky ligj është një kontribut i çmueshëm në atë drejtim.
Shkruan: Daut Dauti
Prej se ka hyrë në fuqi Ligji për Përdorimin e Gjuhëve[1], nuk prajnë qasjet kundërthënëse rreth tij, të cilat patën filluar shumë para se të adoptohej. Ata që e kanë votuar në parlament, e konsiderojnë si një avancim të jashtëzakonshëm dhe të dobishëm për shoqërinë, sepse ngritet niveli i përdorimit të gjuhëve, para së gjithash të gjuhës që e flasin të paktën 20 për qind e popullatës, që prej Marrëveshjes Kornizë të Ohrit është kategori kushtetuese si në nivel qendror, ashtu dhe në atë lokal. Kontestimet vijnë nga dy nivele dhe motive mjaft të kundërshtuara. Kontestimi i parë vjen nga partia VMRO-DPMNE dhe qarqet mediale e intelektuale të afërta me të, të cilat zgjerimin e përdorimit të gjuhëve, në rastin konkret, të gjuhës shqipe, e konsiderojnë “përtej kushtetutës” si dhe të panevojshëm dhe jo praktik. Niveli tjetër, është ai nga qarqe politike e intelektuale shqiptare, të cilat e shpërfillin përmbajtjen e ligjit (që parasheh zgjerim të dukshëm të përdorimit), duke u kapur në formulimin e “20- përqindëshit”, për të nxjerrë argumentin se shqipja nuk është e barabartë me maqedonishten, duke anashkaluar faktin në ç‘nivel ka qenë përdorimi para këtij ligji, kur as seancat e Parlamentit nuk kanë mundur t’i drejtojnë në gjuhën e “20-përqindëshit”. Këto argumente vazhdojnë të mbeten edhe si lajtmotiv për përdorim politik. Por, ligjit është i tillë çfarë është, dhe mbetet “frymëzues” për debate të pafundme. Disa aspekte të trajtimit, gjithsesi do të ishin në kontekst të eliminimit të çfarëdo lloji të paqartësive ose (keq)interpretimeve, por dhe të eliminimit të tyre në praktikë.
Duhet thënë se implementimi i ligjit e sikur kalon të njëjtën rrugë të kundërthënieve si para miratimit të tij. Sepse, ai qe negociuar midis pretendentëve për qeverinë e re pas zgjedhjeve parlamentare të 2016-tës, kur qe krijuar një balancë forcash midis partive maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM, të cilat kishin nevojë të madhe për mbështetjen e partive shqiptare për të krijuar qeveri. Në situatë të këtillë, çështja e avancimit të përdorimit të gjuhës shqipe u ishte vënë të dy këtyre partive si një nga kushtet kryesore, kurse negociator i drejtpërdrejtë ishte Bashkimi Demokratik për Integrim, si parti fituese në bllokun shqiptar. Për të qenë më të saktë, ajo ishte kërkesë edhe e të gjitha partive që e kishin nënshkruar Deklaratën e Tiranës(2017) (BDI, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa…), që pastaj do të jetë poashtu si një nga pikat referente të kontestimit nga VMRO-DPMNE, duke e bërë dhe quajtur këtë dokument Platformë të Tiranës[2], për të shtuar paragjykimet për ligjin për përdorimin e gjuhëve që ishte në tavolinë. Historia e miratimit të këtij ligji ka edhe prapaskenën e vet përtej manipulimeve me publikun: shpesh udhëheqës të BDI-së e kanë theksuar se për një ligj të ngjashëm me atë që u miratua më vonë, kishin rënë dakord me VMRO-DPMNE-në gjatë bisedimeve për qeverisje, kurse këtë e ka pohuar edhe Renata Deskovska, ministre e Drejtësisë, e cila pat deklaruar se ligji në të vërtetë “ishte shkruar nga vetë VMRO-DPMNE”. A ka qenë version i njëjtë ose jo, mbetet në suaza spekulimi, por është fakt se edhe nga VMRO-DPMNE-ja ka pasur gatishmëri në fazën e negocimit të qeverisë për avancim të dukshëm të përdorimit të gjuhës shqipe, disponim ky që është ndryshuar për nevoja politike pasi dështuan bisedimet për qeveri dhe pasi qeverinë e krijoi LSDM-ja me pothuajse të gjitha partitë shqiptare.
Në rrugën e implementimit Ligji u desh të hyjë në fuqi pas “leximit të tretë”, meqë nuk e nënshkroi kryetari Gjorge Ivanov i cili ishte nga fundi i mandatit të dytë. Pavarësisht se profesorë të të drejtës kshtetuese si Svetmir Shkariq dhe gjykatësja e Gjykatës së Strazburgut, Mirjana Llazarova Trajkova këtë veprim të tij e quajtën si “të palejueshme nga këndvështrimit kushtetues”[3], ai mbeti në qëndrimin e vet, madje edhe me çmimin e reperkusioneve për shkelje të obligimeve kushtetuese, të cilat, nuk u ngritën kurrë. Për ta tejkaluar këtë situatë, me qëllim të hyrjes në fuqi, u kujdes kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili e nënshkroi Dekretin që mban datë 14 mars 2018[4], me çka dhe u botua në Gazetën Zyrtare. Paralajmërimet nga VMRO-DPMNE-ja se ligji do të kontestohet përmes Gjyqit Kushtetues deri tash nuk kanë rezultuar me ndonjë veprim konkret.
Në këtë mënyrë, brenda më pak se dy dekada, në Maqedoninë e Veriut rregullativa ligjore me qëllim të avancimit të përdorimit të gjuhës shqipe është ndërruar tri herë. Dy herët e para, (më 2008[5] dhe 2011[6])është vënë theksi në avancimin në pushtetin lokal dhe në të drejtën e përdorimit në debatet parlamentare(pa të drejtë të udhëheqjes së seancave parlamentare), dokumentet personale, deri diku në gjyqësi, ndërkaq me ligjin e fundit, nga niveli lokal, gjuha shqipe përdoret edhe në nivel qendror, në qeveri e në të gjitha institucionet publike si gjuhë e dytë që e flasin 20 për qind të popullatës(sipas regjistrimit të fundit, më 2004, gjuhë që e flasin mbi 25 për qind). Natyrisht, çështja që në ligj nuk përmendet në mënyrë decide “gjuha shqipe” vazhdon të jetë objekt debati, për shkak të licitimit të qarqeve të caktuara me përqindjen e shqiptarëve. Ato qarqe me orientim nacionalist zëshëm e kanë deklaruar se shqiptarë ka nën 20 për qind, duke shpresuar se kanë lënë pasoja lëvizjet migrative të viteve të fundit, por të njëjtën gjë e theksojnë edhe qarqe shqiptare, duke thënë se ka rënë edhe numri i maqedonasve, duke e marrë si kriter numrin nxnësve nëpër shkolla. Duke e pasur parasysh se regjisrimi i popullsisë i paraparë për 2020-tën, do të shtyhet edhe një herë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme(të parapara më 12 prill 2020, por me gjasë për t’u shtyrë për shkak të ratifikimit të marrëveshjes për aderim në NATO nga disa vende), atëherëçështjet mbeten pezull edhe për disa kohë, duke i ushqyer shpresat që ligji të marrë“në thua” pikërisht te “20-përqindëshi”. Në këtë mënyrë, zërat kritikë të ligjit se ai duhet të përmendë gjuhën shqipe e jo përqindjen, kanë domethënie gjithnjë e më të madhe për një kohë të ardhme kur kjo çështje duhet të preket si në ligj, si në Kushtetutë. I pyetur në një intervistë për TV Klan Maqedoninë(tetor 2019), lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Micskovski këtëçështje e trajtoi si “jo në rregull”, por shtoi se kjo është rezultat i kompromiseve politike. Në të vërtetë, duhet thënë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është ajo që lideri i LSDM-së e pat thënë më herët se do të shkohet “përtej Marrëveshjes së Ohrit”, një fleksibilitet i cili në atmosferë të ndasive politike, rezultoi me ligjin në fjalë, por jo dhe me ndryshime kushtetuese, të cilat ishte e pamundur tëbëhen pa dy të tretat e votave.
Fillimi i përnjëmendtë i zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve mund të merret themelimi i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës që e Flasin të Paktën 20 Për Qind e Qytetarëve[7](sipas Nenit 18), që ka për obligim realizimin e qëllimeve të ligjit, promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e barabartë të gjuhës zyrtare që e flasin të paktën 20 për qind e qyetarëve” dhe alfabetin e saj, përmes trupave ndihmëse për mbështetjen e institiconeve nga neni 1 alinea 3. Mirëpo, si çdo organ i ri, por dhe si çdo rregullativë e re, implementimi as mund të ishte i shpejtë e as efikas nëçdo pikëpamje. Në të vërtetë, pritjet e pjesës “më të ineresuar” se gjithçka do të fillojë me themelimin e Agjencisë(…) nuk kanë qenë reale edhe nga shkaku se nuk e kanë marrë parasysh faktin se ky organ i ri së pari u desh të merret me vetëveten(çështjet organizative, buxhetin, ekipimin), por dhe me detyrat e afatizuara për të paktën një vit. Sprova e parë e Agjencisë ishte fillimi i impelemntimit të Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit të shtetit, e cila në konsultim me ekspertë të gjuhës, u përcaktua për përkthimin e emrit të ri si Maqedonia e Veriut, emër ky që për disa profesorë(dr.Haki Imeri…)ka vërejtje se, ndonëse është përkthim adekuat, nuk është praktik sa do të ishte varianti “Maqedonia Veriore”[8]. Ndërkohë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e vet të 114-të miratoi edhe një ligj: Ligji për Inspektoratin e përdorimit të gjuhëve, i cili u soll pa deputetët e opozitës(VMRO-DPMNE-së)[9]. Ky ligj u soll në valën e reagimeve që pat shkaktuar mendimi këshillues(jo zyrtar) i Komisionit të Venecias, sipas të cilit disa zgjidhje në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve janë përtej normave evropiane për përdorimin e gjuhëve të pakicave dhe gjuhëve rajonale “duke imponuar detyrime juridike joreale ndaj institucioneve publike”[10]. Qëndrimi i këtij komisioni ende merret si jozyrtar, porse për shumë qarqe mediale dhe intelektuale shqiptare, iniciativa e Qeverisë drejtuar këtij komisioni që ishte kuptuar si veprim taktik kundrejt opozitës(për të relativizuar presionin e saj për shkak të ligjit), si një qëllim të fshehtë të LSDM-së për revidimin e disa zgjidhjeve “të tepruara”. A e forcon këtë dyshim qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë se do të merren parsysh sugjerimet e ketij komisioni?[11] Por, pakkush mendon se mund të ketë kthim prapa. Sidomos jo tash kur janë paralamërjuar zgjedhjet e parakohshme për pranverë, ku LSDM-së do t’i duhen votat e shqiptarëve.
Në Maqedoninë e Veriut, për shkaqe të manipulimit apo dhe të bindjeve, jepen vlerësime të klishizuara të stilit “këso të drejtash nuk ka askund në botë”, në këtë kontekst, edhe për përdorimin e gjuhëve. Por, një vështrim krahasues dëshmon qartë se ato nuk qëndrojnë, sepse ka shumë shembuj në botë me përvojat të ngjashme e ndoshta edhe më të avancuara. Në Maqedoninë e Veriut dygjuhësia zyrtare është e pandryshueshme, në kuptimin që maqedonishtja shkruhet para ndërsa shqipja qëndron e dyta në të gjitha vendbanimet ku praktikohet dygjuhësia. Kjo ndryshon dukshëm nga disa shtete evropiane ku ekziston traditë e gjatë e dygjuhësisë ose shumëgjuhësisë zyrtare. Për shembull, në Finlandë ku në nivel të pushtetit qendror njihen dy gjuhë zyrtare (ose “gjuhë kombëtare” siç i quajnë ata), kur vjen puna te komunat ku shumicë janë qytetarë që gjuhë amtare e kanë suedishten, në ato komuna fillimisht shenjat shkruhen suedisht pastaj finlandisht. Diçka e tillë praktikohet nga pushteti lokal edhe në komunat në Maqedoninë e Veriut ku shumicë janë shqiptarët, megjithatë, për dallim nga Finlanda, një veprim i tillë nuk parashihet me ligj por e ka imponuar praktka. Ndërsa kur vjen puna te dokumentet zyrtare të komunës, komunat me shumicë shqiptare kryesisht veprojnë anasjelltas: njëherë shkruajnë maqedonisht pastaj shqip (për dallim nga shenjat dhe tabllotë që, siç thamë: njëherë shkruhen shqip, pastaj maqedonisht). Kjo moskonzistencë është tregues që komunat me shumicë shqiptare janë në mëdyshje se a është legal veprimi i tyre që nëpër shenja dhe tabllo fillimisht shkruan shqip pastaj maqedonisht edhe pse diçka e tillë nuk parashihet në Ligj. Përgjigjen mund të na e jep një shtet me traditë 50 vjeçare të dygjuhësisë zyrtare: Kanadaja. Në Kanada nga viti 1969 është në fuqi Akti mbi Gjuhët Zyrtare me të cilin rregullohet përdorimi zyrtar i anglishtes dhe gjuhës frënge nga pushteti federal. Në këtë Akt nuk specifikohet rendi i gjuhëve por në praktikë gjuha frënge ka prioritet në Provincën Kuebek. Pra, gjykatat federale, bazat ushtarake, njësitë rajonale të ministrive dhe agjencive federale, firmat shtetërore, etj. që gjenden në provincën Kuebek, shenjat i kanë fillimisht frëngjisht pastaj anglisht, edhe pse në nivel të Kanadasë gjuhë që flitet më shumë është anglishtja.
Praktika e lartpërmendur e Kanadasë është tregues për mundësinë që edhe në Maqedoninë e Veriut shenjat dhe tabllotë e organeve të pushtetit qendror që gjenden në komunat me shumicë shqiptare të shkruhen fillimisht shqip pastaj maqedonisht, përkundër faktit që një gjë e tillë nuk parashihet me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Sa i përket organeve komunale të komunave me shumicë shqiptare, kjo më as që vihet në pikëpyetje.
Kur jemi te dokumentet personale si letërnjoftimet dhe pasaportat, poashtu maqedonishtja gjithmonë qëndron e para, ndërsa shqipja e dyta. Kjo nuk është diçka e pazakontë sepse kështu veprojnë edhe shtete tjera me dygjuhësi ose shumegjuhësi zyrtare, pra pa dallim se cilit komunitet i takon bartësi, renditja e gjuhëve në dokumentet personale gjithmonë qëndron e njëjtë. Por sikur shqiptarëve t’iu kujtohet të kërkojnë që në dokumente personale shqipja të shkruhet para maqedonishtes, kjo nuk do të ishte e paprecedentë sepse në Belgjikë ku gjuhë zyrtare janë holandishtja, frëngjishtja, dhe gjermanishtja (e folur si gjuhë amtare nga vetëm rreth 1% e popullsisë), renditja e gjuhëve në letërnjoftim dhe pasaportë varet nga ajo se cilit komunitet linguistik i takon bartësi i dokumentit.(Është interesant se deri nga vitet 70-ta, shqipja është shkruar para maqedonishtes në dëftesat dhe librezat shkollore)Një problem tjetër i letërnjoftimeve dhe pasaportave që i bartin shqiptarët është transkribimi i emrit dhe mbiemrit në anglisht. Gjegjësisht, në grafën anglisht emri i bartësit të dokumentit nuk bartet direkt nga versioni shqip (që është më e logjikshme sepse edhe shqipja edhe anglishtja shkruhen me alfabet latin) por transkriptohet nga versioni maqedonisht. Si duket kjo në praktikë? Për shembull nëse një qytetar e ka emrin “Rilind”. Në maqedonisht ky emër shkruhet “Риљинд”, ndërsa në letërnjoftim dhe pasaportë te versioni anglisht i shkruan “Riljind”!
Edhe pse subjektet maqedonase nuk e parapëlqejnë krahasimin me Kosovën, për shkak se ende nuk është i pranuar në OKB, përdorimi i gjuhës serbe është krejtësisht i barabartë me shqipen në gjithë territorin dhe është shembulli më i mirë që flet se kur ka vullnet të mirë, çështjet mund të zgjidhen pa paragjykime.
Zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është ende në fillim. Shumë institucione kanë filluar ta përmbushin obligimin ligjor, e këtu shembullin më të mirë e ka dhënë vetë Qeveria, por ka dhe shumë institucione të cilat presin ose taktizojnë, shpesh edhe varësisht se i cilës etni është drejtuesi. Në institucione tjera, kuptohet, ka pengesa në zbatimin kualitativ për mungesë të kuadrit përkatës gjuhësor. Ndërsa ende është herët që të fillojë zbatimi i masave ndëshkuese për ato subjekte që qëllimisht i bëjnë obstruksion ligjit.
Duke i marrë parasysh të gjitha rrethanat, duhet thënë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e ka zgjidhur njërin nga problemet që e ka shoqëruar tranzicionin në Maqedoni që nga viti 1991, i cili shpesh ka krijuar edhe kriza serioze, kur zgjidhjet kushtetuese ishin rigide kundrejt të drejtës që e kërkonin subjektet shqiptare, sepse niveli kishte rënë madje edhe në krahasim me kushtetutën e vitit 1974. Duke i lënë anësh manipulimet dhe paragjykimet, edhe ky ligj do të bëhet i rëndomtë si çdo ligj tjetër që rregullon të drejtën dhe obligimet në këtë fushë specifike të të drejtave të njeriut dhe sikundër që u harrua shpejt “problemi” me avancimin e arsimit sipëror, ashtu edhe shtrirja e përdorimit të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet do të jetëçështje që gjithnjë e më pak do t’i shpojë sytë. Fundja, nëse kohezioni i brendshëm është një nevojë e përhershme e ndërtimit të një shoqërie të barabartësh, atëherë ky ligj është një kontribut i çmueshëm në atë drejtim.