MË SHUMË ANALFABETË SE ABSOLVENTË: KRIZA E DIPLOMËS NË ARSIMIN E LARTË

Shkruan: Arbërim Iseini

Si çdo debat i mundshëm, edhe ai në lidhje me propozim-ligjin për arsim të lartë solli një sërë kundërvëniesh dhe alarmesh. Dhe siç ndosh shpesh, debatet nisin me fjalë madhore si autonomi, kualtiet, standarde, Europë, avancim…, por disi nuk arrijnë të prekin mjaftueshëm thelbin.

Ky propozim-ligj, i përpiluar nga 60 ekspertë, të cilët, me që ra fjala, mbeten fantazma për opinionin, vjen në një sistem i cili gjatë kohë është “i sëmurë” dhe po metastazon. Probleme me klientelizëm, cilësi të dyshimtë, plagjiatura, fragmentim i tepërt i institucioneve, formalizëm dhe një sërë koklavitjesh tjera të cilat e rëndojnë ambientin deri në atë pikë ku, nëse folet për reforma, nuk ngjallen vetëm ndjenja shprese, por edhe kërcënimi ndaj “elitës” veçmë të etabluar.

Andaj këtu lind pyetja: ky ligj a është reformues apo thjesht disiplinues?

Dilema e parë, patjetër, është autonomia. Propozim-ligji në sipërfaqe jep përshtypjen se e përforcon konceptin e lirisë akademike, autonomisë në udhëheqje dhe financim, paprekshmërinë e hapësirave universitare. Por, kur shikojmë përbërjen e organeve vendimmarrëse, kjo përshtypje disi zbehet. Këshilli nacional parashihet të ketë 15 anëtarë, prej të cilëve 6 i emëron drejtpërdrejt qeveria dhe në 2 të tjerë ka ndikim të madh. Këshilli universitar me 11 anëtarë, ku 4 emërohen nga qeveria me propozim të ministrit. Në një mjedis stabil, normal dhe institucional, kjo do të shihej si një “checks and balances”, baraspeshë midis mbikëqyrjes publike dhe autonomisë akademike. Në mjedisin tonë, është e kuptueshme që jep ndjesi rreziku nga ndikime politike.

Megjithatë, do të ishte shumë e lehtë të ndaleshim këtu dhe të thoshim se gjithçka është vetëm një sulm ndaj universitetit. Nuk është. Për të qenë të drejtë, në këtë ligj ka edhe elemente që nuk duhen hedhur poshtë automatikisht. Këtu hyjnë afirmimi i pjesëmarrjes së studentëve, barazisë dhe mosdiskriminimit, mobilitetit, si dhe përpjekja për harmonizim me standardet europiane të cilësisë. Forcohen edhe forma më bashkëkohore si arsimi dual, diplomat e përbashkëta dhe të dyfishta, mikrokredencialet, si dhe kërkesa për më shumë transparencë institucionale përmes publikimit të detyrueshëm të statuteve, akreditimeve, raporteve vjetore, llogarive përfundimtare dhe kodeve etike në uebfaqet zyrtare të institucioneve.

Në një sistem ku, për vite me radhë, shumë gjëra janë zgjidhur nëpër korridore, me një telefonatë dhe me një “do ta rregullojmë”, kjo nuk është pak. Çdo insistim për transparencë dhe llogaridhënie ka peshë. Problemi nuk është se ligji nuk e sheh krizën, por se përpiqet ta zgjidhë më shumë me mbikëqyrje sesa me zhvillim dhe më shumë me disiplinim sesa me besim.

Kjo na çon te dilema e dytë, ndoshta edhe më e nxehta. Ligji synon ta rikthejë “peshën” e titullit akademik dhe kjo, në vetvete, është një ambicie bujare dhe legjitime. Por pyetja përsëri nuk është vetëm çfarë kërkon të arrijë, por si përpiqet ta arrijë. Mbështetja e fortë te Web of Science, h-index dhe tregues të tjerë kuantitativë mund të tingëllojë si seriozitet akademik, por në praktikë rrezikon të shndërrohet në numërim mekanik, sidomos për shkencat shoqërore dhe humanistike. Nëse të gjitha disiplinat maten me të njëjtin kandar, atëherë nuk po e ngremë standardin, por po i fshijmë dallimet mes fushave, metodologjive dhe mënyrave shkencore.

Më tej, nga njëra anë, rruga për studiuesit e rinj bëhet më e ngurtë dhe më e vështirë. Nga ana tjetër, ligji lë hapësirë për angazhim të mëtejshëm të profesorëve pas pensionimit, përfshirë në nivele të larta të studimeve. Kjo krijon përshtypjen e një sistemi që flet për të ardhmen, por instinktivisht vazhdon t’i besojë së kaluarës. Në një vend që tashmë përballet me ikje të trurëve, kjo nuk është vetëm kontradiktë, por edhe një mesazh i rrezikshëm.

Por ndoshta problemi më i madh nuk është as kush do të ulet nëpër këshilla, as sa punime do të kërkohen. Problemi më thelbësor është se në shoqërinë tonë prej kohësh është lëkundur vetë kuptimi i diplomës. Nuk flasim më vetëm për cilësinë e arsimit të lartë, por për një krizë besimi në atë që diploma duhet të përfaqësojë. A është dëshmi e dijes, biletë hyrëse në një sistem të partizuar, apo vetëm një stoli simbolike që jep status pa peshë reale?

Këtu rikthehemi te formulimi i ashpër i titullit: “më shumë analfabetë se absolventë”. Jo sepse është fjalë për fjalë i saktë, por sepse emocionalisht, politikisht dhe në kontekst shoqëror e prek nervin e problemit. Jo vetëm ngaqë të diplomuarit dinë më pak, por sepse sistemi gjithnjë e më shpesh prodhon diçka edhe më të rrezikshme: gjithnjë e më shumë të diplomuar, por gjithnjë e më pak njerëz që besojnë se diploma dhe dituria janë drita që do t’i shpie përpara. Kjo nuk është më vetëm çështje dijesh, por edhe çështje besimi. Dhe, kur besimi në arsim gërryhet, nuk fiket vetëm qiriri i universitetit, fiket edhe vetë ideja se puna dhe mundi kanë ende kuptim.

Prandaj, ndoshta është koha të diskutojmë për thelbin: çfarë do të thotë dije, çfarë duhet të dëshmojë një diplomë dhe pse të dyja kanë humbur kaq shumë nga pesha e tyre në shoqërinë tonë.

Pikërisht për këtë arsye, edhe një propozim-ligj problematik si ky mund të jetë një hap në drejtimin e duhur, sepse si duket na detyron më në fund ta hapim debatin e vonuar prej kohësh mbi vetë kuptimin e reformës. Arsimi i lartë nuk mund të reformohet vetëm me qasje të zbritura prej lart, me organe, formularë dhe kritere të reja, por me reforma që burojnë nga përvoja reale e studentëve, asistentëve, profesorëve dhe nga nevojat konkrete të shoqërisë.

Nëse duam më shumë “absolventë” dhe më pak “analfabetë”, do të duhet të bëjmë shumë më tepër sesa të rregullojmë disa nene në një ligj. Përndryshe, do të mbesim duke kuruar fasada ligjore që tingëllojnë “europiane”, por zbatohen në mënyrë “ballkanike”.

 

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

to top