MENDIMI ANTROPOLOGJIK NË ARSIM

Shkruan: Ilir Saliu

Për ç’arsye ekzistojnë ndërtesat dhe urat që ndërtojnë inxhinierët? Apo programet e koduara nga studiues të shkencave kompjuterike? Po zhvillimet më të fundit të mjekësisë, biologjisë, kimisë e fizikës? Kujt i shërbejnë fushat e studimit STEM?

Është fakt botëror që këto fusha, që për shumë vjet edhe te ne mbeten në vetëdijen kolektive si “fushat e parapëlqyera për të korrur sukses në jetë”, janë ndër më tërheqëset e më të kërkuarat nga studentët e rinj, falë fitimeve financiare, sigurisë profesionale, e prestigjit që mbajnë.

Megjithatë, sado fisnike e të jashtëzakonshme të jenë, mund të dalim në përfundim që ato ekzistojnë për t’i shërbyer njerëzimit. Në fund të fundit, një urë nuk ka vlerë pa njerëz që ta kapërcejnë, një program është i parëndësishëm nëse nuk sjell përfitim për njerëzit që e përdorin, e mjekësia s’është gjë pa u vënë në shërbim të të sëmurëve.

Me përmirësimin e inteligjencës artificiale, lindin pyetje të shumta rreth këtyre shkencave. Fundja, në daçim të bëjmë llogari, më parë i besojmë makinës llogaritëse sesa vetes. Ngjashëm, më shpejt krijohet një program kompjuterik nga inteligjenca artificiale sesa nga programerë profesionistë. Inteligjenca artificiale veçse ka sjellë zhvillime të hatashme edhe në mjekësi si me rastin e AlphaFold, e sistemet e famshme si ChatGPT, Claude apo Gemini vazhdimisht po bëhen më të mira në diagnostikimin e sëmundjeve. Shkencat “natyrore” pra, janë në një krizë.

Është traditë fatkeqe kjo që i ndan shkencat në ato “shoqërore” dhe ato “natyrore”, e më duket se kjo ka çuar në atë përçarje të vetëdijes kolektive që thotë se këto janë fusha që s’puthiten: njëra merret me shoqërinë, me gjërat subjektive e të ndryshueshme, a tjetra merret me natyrën, me gjërat objektive e të përhershme. Po kur kjo e fundit fillon të dominohet nga inteligjenca artificiale e makineritë? Ç’duhet të bëjnë njerëzit e këtyre shkencave?

Përgjigjja, besoj unë, qëndron në afrimin e shkencave natyrore me metodologjitë, praktikat, ndjeshmëritë dhe perspektivat e shkencave shoqërore. STEM-it i duhet më shumë mendim antropologjik.

Ajo është fusha e studimit që i vë në qendër njerëzit: anthropos – njeri dhe logos – shkencë. Në vendin tonë kjo shkencë është pak e njohur, e ende më pak e studiuar. Shpesh, kur u kam treguar njerëzve se ç’kam studiuar, kam marrë shikime të habitura e pyetje si “Po kjo çfarë është?” Të tjerë mendojnë se është veç studimi i shoqërive parahistorike apo qytetërimeve të lashta. Sigurisht, këto janë veç keqkuptime, por është për të ardhur keq që një shkencë që është në zemrën e të kuptuarit të njerëzimit të jetë lënë kaq pas dore e të qëndrojë e shkëputur tërësisht nga studimet ekzakte. Megjithatë, e ardhmja duket më e mirë për antropologjinë.

Por çka nënkupton, në fakt, “mendimi antropologjik”? Kjo është një grup shprehish intelektuale, ndër të cilat mund të përmend holizmin, që e sheh jetën njerëzore si tërësi të ndërlidhur me gjithçka që na rrethon; relativizmin kulturor, që kupton sjelljen njerëzore brenda kontekstit të vet e jo duke e veshur me kuptime të jashtme; mendimin kritik, që nënkupton zbërthimin e ndërlidhjeve të thella që njerëzit kanë me veten e botën, dhe ngritjen e vazhdueshme të pyetjeve rreth pikëpamjeve që mund t’i bartim vetë; dhe, mbi të gjitha, vëzhgimin nga afër: të përpiqesh ta kuptosh botën njerëzore duke qenë njëkohësisht pjesë e saj dhe vëzhgues. Kjo e fundit sidomos është kyçe për bashkëpunimin ndërmjet shkencave natyrore e shoqërisë. Ta përfshijmë këtë mendim në shkencat natyrore nënkupton të bëjmë pyetje të vazhdueshme rreth njerëzve për të cilët po ndërtojmë, programojmë, apo krijojmë statistika – të kuptojmë si shkenca u shërben atyre më së miri, si ndërtesat u shërbejnë njerëzve që do të jetojnë në to e lagjes më gjerësisht.

Ia vlen të përmendet që kjo qasje e ka gjetur tashmë rrugën e vet drejt fushave “të ngurta”. Ka lindur degë të reja si “antropologjia e dizajnit”, pikërisht sepse inxhinierëve dhe teknologëve u duhet një metodë për të kuptuar si njerëzit përshtatin apo braktisin teknologjinë në jetën e përditshme. Universiteti Stanford themeloi më 2019 Institutin për Inteligjencë Artificiale të Përqendruar te Njeriu, me qëllim që edukimi rreth IA-së të udhëhiqet nga ndikimi njerëzor. Programi i tyre “Human-Centered Artificial Intelligence” ndërthur qëllimisht shkencën kompjuterike me shkencat shoqërore, në vetë kurikulën arsimore.

Dhe rezultatet flasin qartë: praktikat e dizajnit të përqendruar rreth njerëzve kanë ulur gabimet pas publikimit të produkteve deri në 80 përqind në kontekste inxhinierike e teknologjike, ndërsa në sferën digjitale, degë si UX Research & Design implementojnë drejtpërdrejt teknika antropologjike në krijimin e teknologjive. Mes pafund shembujsh të tjerë, është e qartë se shkencat “ekzakte” përfitojnë pafund nga përfshirja e mendimit antropologjik.

Ironia më e madhe është se vetë njerëzit që po ndërtojnë të ardhmen teknologjike janë ndër të parët që e bëjnë këtë thirrje. Daniela Amodei, presidentja e Anthropic, ka deklaruar se cilësitë që na bëjnë njerëz “do të bëhen shumë më të rëndësishme, e jo më pak” me përparimin e IA-së. Sipas saj, kur Anthropic punëson sot, kërkojnë njerëz që janë “komunikues të shkëlqyer, me inteligjencë emocionale të lartë, empatikë e kureshtarë” – aftësi që janë pjesë kyçe e trajnimit antropologjik. Më e rëndësishmja, ajo ka thënë hapur: “Mendoj se studimi i shkencave njerëzore do të jetë më i rëndësishëm se kurrë”, pasi ndonëse modelet e IA-së janë “shumë të mira në STEM”, cilësitë që na bëjnë “veçanërisht njerëzorë” do të mbeten përherë të rëndësishme.

Kur vetë krijuesit e AI-së e pranojnë se kufiri i vërtetë i vështirësisë është dimensioni njerëzor, a nuk duhet edhe ne, në Maqedoni, ta trajtojmë atë dimension si thelbësor në edukimin teknik e shkencor?

Nëse universitetet më të fuqishme teknologjike të botës kanë kuptuar se kapaciteti teknik pa thellësi njerëzore është ndërtesë pa themel, atëherë sistemi arsimor i Maqedonisë së Veriut duhet t’i përgjigjet kohës duke e takuar STEM-in me thellësinë antropologjike. Nëse vazhdojmë t’i mësojmë studentët tanë të ndërtojnë pa i mësuar të kuptojnë për kë ndërtojnë, do të prodhojmë ekspertë teknikisht të shkëlqyer, por të verbër ndaj qëllimit të punës së tyre.

 

Kolumna është punuar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i zbatuar nga Forumi për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC, dhe i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit/es dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave që e zbatojnë atë.

to top