NEVOJA PËR REFORMA PËRMBAJTËSORE NË LABIRINTET E QASJES PARTIAKE
Ndërkohë që trajektorja e sistemit arsimor në Maqedoninë e Veriut ka shënuar rënie-ngritje dhe eklipse të panumërta keqpërdorimesh politike, ekspertë të fushës së arsimit theksojnë se prosesi i reformave duhet të fillojë nga një debat i gjerë mes gjithë aktorëve të kësaj sfere për të krijuar një strategji afatgjate, që do të ishte një projeksion ekspertize serioze që shkon përtej ndasive partake. Një koncenzus i gjerë politik shihet si një premisë fillestare për këtë proces të vështirë dhe me shumë sfida. Investimet në shkencë dhe rishikimi i programeve studimore, gjithashtu shihen të ndërlidhura me procesin e refomrmave afatgjate në sistemin arsimor.
Jo njëherë në Maqedoninë e Veriut është theksuar nevoja për reforma në sistemin arsimor, por deri më tani nuk ka pasur një debat përmbajtësor se nga duhet të fillohet. Ndërkohë që trajektorja e sistemit arsimor ka shënuar rënie-ngritje dhe eklipse të panumërta keqpërdorimesh politike, defektet janë shtuar dhe nuk kanë kanë arritur që të eleminohen nga sistemi kompleks arsimor përmes një strategjie afatgjatë të mirëmenduar.
Njohës të rrethanave të sistemit arsimor në Maqedoninë e Veriut theksin e vënë tek keqpërdorimet politike dhe në të njëjtën kohë theksojnë se prosesi i reformave duhet të fillojë nga një debat i gjerë mes gjithë aktorëve të kësaj sfere për të krijuar një strategji afatgjate, që do të ishte një projeksion ekspertize serioze që shkon përtej ndasive partake.
President i Organizatës Joqeveritare FRP, Gordan Georgiev, thotë se premisa kryesore për të filluar reformat e mirëfillta është që të ulën në tavolinë të gjitha palët, akademia, universitetet shtetërore, universitetet private dhe ta shohim ku është faji më i madh, nëse mund ta quajmë faj. Sipas tij, elitat politike frikësohen nga një diskutim i gjerë, sepse humbin vota potenciale të përkrahësve, sepse bëhet fjalë për shumë të punësuar, shumë njerëz që kanë në sektorin e arsimit.
“Big-beng për mua është të ulemi në tavolinë të gjithë aktorët shoqëror dhe një diskutim i gjatë dhe arritja e një marrëveshjeje. Njerëz, ky është plani për këtë jemi marr vesh, kështu do ta bëjmë reformën. Pajtohemi ose jo. Kaq. Kjo duhet te jetë Bibla dhe Kurani për arsimin e lartë ose përgjithësisht për sistemin arsimor”, thotë Georgiev.
Nga ekspertë të fushës së arsimit gjithnjë e më tepër kërkohet që reformat në arsim të jenë gjithëpërfshirës dhe afatgjate dhe të mos varen nga politikat ditore.
Për rektorin e UEJL-së Abdulmenaf Bexheti, parakushti i parë për reforma substanciale është krijimi i një konsenzusi të gjerë politik, midis dy apo tre garniturave qeverisëse për një periudhë së paku 8 deri në 10 vjet, që koncepti i strategjisë së miratuar midis opozitës dhe pozitës të jetë i qëndrueshëm pavarësishtë rotacioneve dhe ndikimeve politike.
“Pra të mos preket Ministria e Arsimit dhe Shkencës, nëse do të duhet që arsimi të reformohet në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk bëhet politik ditore me arsimin pasi është diçka shumë e shenjtë për t’u politizuar në bazë ditore”, thotë Bexheti.
Për Bexhetin, sistemi arsimit dhe reformat janë shumë komplekse që të mund të bëhen në mënyrë të përshpejtuar. “Aty kërkohet sakrifica, aty kërkohet njëherë të mësohet edhe një sistem që unë e quaj `mësuesi`, keni parasysh mësuesi është sistem në vete, ta edukosh për ta përgatit një mësues. Shumë rëndë është ta prodhoni një mësues siç duhet”, thotë ai.
Çelësi përsëri është tek politika, thotë Bexheti. “Jo pse unë e mbivlerësoj politikën, por se nuk ka instrument tjetër me të cilën gjërat mund ta ndryshojnë. Aktivizmi qytetarë, organizatat jo qeveritare, mediumet mund t’i ndihmojnë procesit, por në rast se nuk ka gatishmëri dhe vullnet politik për të bërë një përmirësim të kësaj gjëje, në një kohë afatmesme dhe afatgjatë, është e kot çdo tentativë që mund të vijë”, thotë ai.
Ish ministri i MASH-it, Aziz Pollozhani thekson se arsimi është çështje publike dhe nuk është vetëm qeveritare, aq më pak e një ministrie. Sipas tij, arsimi tangon sfera të ndryshme të shoqërisë duke filluar normalisht nga politika që merr përgjegjësinë për buxhetin dhe për krijimin e politikave.
Pollozhani thekson se reforma është një proces shumë i koklavitur që duhet të trajtohet me kujdes dhe drejtësi, duke ruajtur vlerat e arsimit, duke ruajtur autoritetin e arsimit dhe para së gjithash me këtë edhe të arsimtarit në shoqëri.
“Duhet të krijohet një strategji afatgjate, e cila do të jetë një kornizë për ecjen dhe zhvillim e arsimit nga vlerësimi se ku jemi dhe pse jemi këtu, duke vlerësuar pse duhet të ndërrohet dhe të tregohet qartë se ku dëshiron të arrijë. Kjo bëhet nëpërmjet një plani afatgjatë ose strategjie e cila e vlerëson situatën dhe tregon qartë me secilin segment ku dëshiron të arrij”, thotë Pollozhani.
Pollozhani thotë se reformat dështojnë sepse nga viti 2015 në Maqedoninë e Veriut është vetëm një program për zhvillimin e arsimit në të gjitha nivelet, prej parashkollor deri në universitete dhe që përfshinë periudhën 2005-2015.
Ky është i vetmi dokument që ka kaluar në parlament me mbështetjen e të gjitha partive politike.
“Duhet patjetër të krijohet një grup me njerëz kompetent të fushës së arsimit dhe me përvojë të cilët do të përgatisin një strategji, e cila do të shkojë në parlament dhe të marrë vërejtje edhe të opozitës, nuk bëhet vetëm. Sepse kur bëhet strategji nuk bëhet për katër ose tre vjet, më së pakti për dy mandate, më së miri edhe për tre që edhe kur të ndërrohet qeveria ajo në njëfarë mënyre mund të bëjë ndryshime për mënyrat se si të realizohet qëllimin e njëjtë që e ka paraparë strategjia”, thotë Pollozhani.
Edhe Pollozhani është për një dokument strategjik transparent që nënkupton kyçjen e më shumë faktorëve, i cili do të tregojë qartë se çka duhet bërë dhe kah duhet shkuar.
Ai gjithashtu thekson se mjetet për arsim duhet të jepen në mënyrë të mençur duke racionalizuar arsimin në të gjitha nivelet në funksion të cilësisë. Ai vë theksin te financimi në shkencë. “Shkenca është ajo që e bën njeriun më të aftë, më kompetent, në mënyrë që dijen ta transferojë edhe në teknologji, edhe në ekonomi”, thekson Pollozhani.
Rektori i UT-së, Jusuf Zeneli, thotë se në reforma duhet të përfshihen edhe programet studimore. “Në momentin që një universitet, fakultet, realizon kërkesë për akreditimin e programeve, aty duhet të shihen kushtet apo kriteret, por edhe kreativiteti, vizioni se ku dëshirojnë të arrijnë, se në cilën sferë do të punësohen dhe do të kryejnë shërbime ata studentë, ata kuadro që do të diplomojnë”, thotë ai.
Sipas tij, çështja e programeve studimore, që të jenë sa më gjithëpërfshirëse, sa më reale me sferën të cilën synojnë të përgatisin kuadrot mbetet primare. “Aspekti tjetër është edhe bashkëpunimi me universitetet tjera, sidomos në sferën ndërkombëtare”, thotë Zeneli. Këto bashkëpunime ai i sheh në drejtim të përvetësimit të përvojave më të mira në sferën e organzimit, infrastrukturës, hulumtimeve shkencore, veprimtarive botuese dhe natyrisht programeve studimore.
Gjithëpërfshirja dhe krijimi i një strategjie afatgjate mbetet një ndër premisat kryesore për një fillim të mirëfilltë të reformave në sistemin arsimor. Tashmë nga ekspertët është theksuar se nevojitet shumë këmbëngulje dhe sidomos vullnet politik për të projektuar reforma, të cilat shkojnë përtej politikave ditore dhe përtej logjikës partiake në drejtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila duhet realisht të ofrojë platformën e përfshirjes të sa më shumë aktorëve në procesin e vështirë të reformës.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.