NJË LIGJ I RI PËR NJË UNIVERSITET TË VJETËR
Shkruan: Enis Shaqiri
Është një ditë e nxehtë gushti. Ora sapo ka kaluar 11:00 dhe temperaturat kanë kaluar mbi 30 gradë Celsius.
Në një nga universitetet publike të vendit, një grup studentësh sapo kanë përfunduar një sesionin të dytë provimesh. Në korridorin e fakultetit po i presin rezultatet. Për disa prej tyre, disa pikë mund të vendosin nëse vazhdojnë semestrin apo duhet të presin edhe një afat tjetër.
Pamja nuk të kujton një institucion akademik të shekullit XXI. Më shumë ngjan me një hapësirë të lodhur nga koha, ku rutina zëvendësonte inovacionin.
Pas pak minutash, profesori i thërret për konsultime. Hap laptopin për të analizuar gabimet dhe për t’u shpjeguar rezultatet. Por projektori nuk funksionon, ngjashëm edhe kondicioneri. Pas disa përpjekjeve, mes nervozës dhe djersëve, dorëzohet dhe vazhdon me mënyrën klasike të shpjegimit.
Në anën tjetër, studentët të cilët nuk e kanë kaluar provimin, nxjerrin telefonat.
Jo për të hyrë në një platformë moderne universitare. Jo për të parë materiale të reja akademike apo burime digjitale. Por për të fotografuar disa faqe skripte, si material shtesë për provimin e shtatorit.
Ngjashëm, edhe në disa laboratorët për ushtrime praktike mungojnë pajisjet. Në bibliotekë mungojnë botimet e reja. Në auditor mungojnë mjetet që duhet ta bëjnë mësimin më praktik dhe më të lidhur me botën reale, botë kjo që dita ditës po ndryshon me shpejtësi nga inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital.
Dhe ndoshta më shqetësuesja: një pjesë e studentëve nuk diskutojnë më vetëm se çfarë do të bëjnë pas diplomimit. Shumë prej tyre flasin për mënyrën se si do të largohen nga vendi sapo ta marrin atë diplomë.
Kjo nuk është një skenë e imagjinuar. Është një përvojë e ndarë nga një student gjatë një bisede, ditë më parë, për Institutin Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal – BIRC.
Ai, në kushte anonimiteti, shpjegon se sa e vështirë është për të dhe për studentët tjerë të përballen me një sistem ku shpesh mungon jo vetëm infrastruktura, por edhe organizimi më bazik akademik.
Studenti tregon se ka pasur raste kur sëbashku me kolegët tjerë kanë pritur me orë të tëra për të marrë rezultatet e provimeve, ndërsa në fund janë detyruar të largohen pa një përgjigje të qartë.
Në disa raste, sipas tij, studentët janë dërguar nga një zyrë në tjetrën për të marrë një informacion që duhej të ishte krejt i qasshëm dhe transparent.
“Problemi nuk është vetëm një projektor që mungon apo nuk punon, ose mungesa e disa pajisjeve. Është ajo ndjenja se sistemi definitivisht nuk është ndërtuar rreth studentit”, shpjegon ai.
Në të njëjtën kohë, disa kilometra më larg, në kryeqytetin e këtij shteti, në Shkup, zhvillohet debati për një paketë të re ligjesh që premton universitete më cilësore, kërkim shkencor më të fortë, autonomi më të madhe dhe standarde evropiane.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka deklaruar se ligjet e reja për arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe sigurimin e cilësisë janë të ndërlidhura dhe synojnë reformimin e sistemit.
“Ligji (për Veprimtarinë Shkencore dhe Kërkimore) është në korrelacion të ngushtë me dy ligjet e tjerë (Ligjin për Arsimin e Lartë, Ligjin për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe Shkencë) prandaj pres që Kuvendi njëkohësisht t’i miratojë të gjithë, nënkuptohet pas dorëzimit paraprak të teksteve më të mira që do të dalin nga debati publik të cilin si Qeveri e filluam të hënën. Debatet do të mbahen edhe në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë, ndërsa shpresoj edhe në diskutim cilësor në Kuvend”, pati deklaruar muajin e kaluar, minstrja Janevska.
Në dokumente shkruhen objektiva ambicioze.
Por kontrasti është i madh.
Sepse universiteti që përshkruhet në draftligje dhe universiteti që përjeton studenti çdo ditë, duken sikur i përkasin dy realiteteve të ndryshme.
Njëri flet për autonomi, cilësi, kërkim shkencor dhe standarde evropiane.
Tjetri ende përballet me mungesë pajisjesh, laboratorësh funksionalë dhe literaturës bashkëkohore.
Ky hendek shihet edhe në pozicionin e universiteteve të vendit në renditjet ndërkombëtare. Asnjë universitet nga Maqedonia e Veriut nuk është renditur në listën më të fundit “Global 2000” të Qendrës për Renditjen e Universiteteve Botërore. Edhe universiteti më i vjetër dhe më i madh në vend, “Shën Kirili dhe Metodi”, nuk figuron në renditjen e fundit. Në vitin 2024 mezi arriti në vendin e 1.990-të, ndërsa në vitin 2025 ra edhe nga kjo listë.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja kryesore:
A mjafton një ligj i ri për të krijuar një universitet të ri?
Në Maqedoninë e Veriut kemi krijuar një zakon institucional. Sa herë një sistem nuk funksionon, shpesh besojmë se problemi është vetëm ligji.
Ndryshojmë nenet. Ndryshojmë procedurat. Ndryshojmë strukturat. Dhe shpallim reformën.
Por pas disa vitesh, shumë probleme mbeten të njëjta.
Auditorët janë të njëjtë. Laboratorët janë të njëjtë. Sfida kryesore mbetet e njëjtë.
Në një farë mënyre, historia e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut të jep përshtypjen se është histori e reformave të papërfunduara.
Nuk është hera e parë që arsimi i lartë reformohet në letër.
Prandaj debati për ligjin e ri nuk duhet të reduktohet në pyetjen se kush ka të drejtë: Ministria apo universitetet.
Një reformë serioze nuk matet me numrin e neneve. Matet me atë që ndodh në auditor.
Në letër, paketa e re ligjore përmban pothuajse të gjitha shtyllat mbi të cilat ndërtohen universitetet moderne.
Draftligji për Arsimin e Lartë e vendos autonominë universitare dhe lirinë akademike si parime themelore, duke garantuar të drejtën e universiteteve për të organizuar në mënyrë të pavarur studimet, kërkimin shkencor, programet akademike, personelin dhe menaxhimin e burimeve financiare.
Propozim-ligji për Sigurimin e Cilësisë parashikon një sistem të ri vlerësimi të bazuar në standardet evropiane, me akreditime periodike, vlerësim të brendshëm dhe të jashtëm dhe monitorim të vazhdueshëm të cilësisë.
Ndërkohë, Propozim-ligji për Veprimtarinë Shkencore dhe Kërkimore synon ta lidhë më ngushtë shkencën me ekonominë, inovacionin dhe zhvillimin e vendit, duke vendosur theks te infrastruktura kërkimore, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe transferimi i njohurive në praktikë.
Në aspektin konceptual, është e vështirë të kundërshtohen këto objektiva.
Por historia ka treguar se ligjet e mira nuk krijojnë automatikisht institucione të mira.
Problemi i sistemit tonë nuk ka qenë vetëm mungesa e reformave.
Problemi ka qenë mungesa e zbatimit.
Draftligjet mund të përmirësojnë arkitekturën institucionale të arsimit të lartë, por nuk mund të zëvendësojnë investimet, përgjegjësinë institucionale dhe kulturën akademike.
Asnjë dispozitë ligjore nuk mund të krijojë një laborator funksional pa pajisje, nuk mund ta mbushë bibliotekën me literaturë të re dhe nuk mund ta bindë një të ri të qëndrojë në vend nëse universiteti nuk i ofron arsye për të ardhmen.
Pyetja kryesore nuk është nëse ligji i ri është më i mirë se ai ekzistues.
Pyetja është nëse shteti do të jetë i gatshëm ta zbatojë me të njëjtin seriozitet me të cilin e ka shkruar.
Më shumë para për më të mirët?
Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me mënyrën e re të financimit të universiteteve.
Draftligji synon ta zhvendosë sistemin nga financimi tradicional drejt një modeli që lidhet më shumë me performancën institucionale.
Ideja është që universitetet të mos konkurrojnë vetëm për numrin e studentëve, por edhe për cilësinë e mësimdhënies, rezultatet në kërkimin shkencor, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ndikimin që krijojnë në shoqëri.
Në teori, kjo është logjike.
Por pyetja mbetet: çfarë do të quhet performancë?
A do të matet me numrin e publikimeve shkencore? Me ndikimin e tyre? Me punësimin e studentëve? Me projektet ndërkombëtare? Me bashkëpunimin me ekonominë?
Nëse kriteret janë transparente dhe të njëjta për të gjithë, ky sistem mund të nxisë cilësinë.
Por nëse nuk janë të qarta, performanca mund të shndërrohet në një instrument kontrolli.
Këtu hyn në lojë autonomia universitare.
Autonomia nuk është privilegj për profesorët.
Nuk është mburojë për mungesë përgjegjësie.
Është garanci që universiteti të mos ndryshojë drejtim sa herë ndryshon qeveria. Është garanci që kërkimi shkencor të mos përshtatet me interesat politike.
Por edhe universitetet duhet ta pranojnë një realitet.
Në një kohë kur mijëra të rinj largohen për studime ose punë jashtë vendit, kur kërkimi shkencor mbetet larg standardeve evropiane dhe kur ekonomia kërkon kuadro më të përgatitura, sistemi aktual ka nevojë për ndryshim.
Reforma është e domosdoshme.
Por reforma nuk fillon ditën kur ligji miratohet.
Ajo fillon kur profesori hyn në auditor.
Kur projektori funksionon.
Kur laboratori ka pajisje.
Kur studenti mëson nga literatura bashkëkohore dhe jo vetëm nga skripta të fotokopjuara.
Kur universiteti fiton projekte ndërkombëtare sepse ka cilësi, jo sepse dikush ia ka hapur derën.
Kur kërkimi shkencor nuk bëhet vetëm për të plotësuar kritere administrative, por për të zgjidhur probleme reale të shoqërisë.
Atëherë reforma fillon të marrë kuptim.
Sepse universitetet nuk ndërtohen me nene.
Ato ndërtohen me profesorë që mbrojnë integritetin akademik.
Me studentë që kërkojnë më shumë se një diplomë.
Me një shtet që investon në dije dhe jo vetëm në dokumente.
Një ligj mund të krijojë një kornizë të re. Mund të ndryshojë procedurat dhe institucionet.
Por nuk mund të krijojë vetvetiu një universitet më të mirë.
Këtë mund ta bëjnë vetëm njerëzit që hyjnë çdo mëngjes në auditor.
Dhe derisa ai auditor të ndryshojë, çdo reformë do të mbetet vetëm një premtim i shkruar në letër.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

