RMV-ja, LARG STANDARDEVE TË BE-së NË DIGJITALIZIM

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 21 mars 2023 e miratoi Konceptin për Transformim Digjital të Shoqërisë me qëllim të intensifikimit të aktiviteteve për transformim digjital të suksesshëm, si parakusht për përparim edhe në luftën kundër korrupsionit dhe përforcimin e transparencës dhe menaxhimit të mirë. Ish-ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, Admirim Aliti thotë se në Maqedoninë e Veriut ka institucione që kanë lëvizur në drejtim të transformimit digjital, por vendi akoma është larg standardeve të BE-së. “Transparenca duhet të jetë thelbi i funksionimit apo punës që bëhet në cilin do institucion publik”, thotë hulumtuesi Abedin Ismaili

Autor: Zenel Miftari

Transparenca e institucioneve në Maqedoninë e Veriut nuk është në nivelin e dëshiruar sipas matjeve të fundit përmes Indeksit të Hapjes së Rrjetit ACTION SEE, ndonëse Qeveria e vendit në krahasim me ato të rajonit, është e pozicionuar më mirë. Në praktikë nuk po bëhet mjaftueshëm për transparencë më të madhe institucionale, pasi shpesh zotimet nga ana e autoriteteve ngelin vetëm fjalë, pa rezultate konkrete. Zgjidhja për këtë çështje shihet te digjitalizimi ndërsa së fundmi, vendi ka miratuar edhe Konceptin për transformim digjital të shoqërisë.

Matja e fundit sipas Indeksit të Hapjes tregoi se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është pozicionuar si institucioni më i hapur në mesin e qeverive të rajonit. Sipas monitorimit të fundit, për RMV-në, organet në përbërje të Qeverisë janë më të mbyllurat, me faktin se këtë vit ka kthesë ku institucioni më i hapur nga pushteti ekzekutiv nuk është më Qeveria (79%), por Ministria e Mbrojtjes (89%).

Transforimi digjital parakusht për përforcimin e transparencës

Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 21 mars 2023 e miratoi Konceptin për Transformim Digjital të Shoqërisë me qëllim të intensifikimit të aktiviteteve për transformim digjital të suksesshëm, si parakusht për përparim edhe në luftën kundër korrupsionit dhe përforcimin e transparencës dhe menaxhimit të mirë.

Për të arritur qëllimet e përcaktuara nga Koncepti, Qeveria bashkë me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike paralajmëroi se do të krijojë Agjencinë për Digjitalizim, e cila do të jetë përgjegjëse për menaxhimin me mjedisin për shkëmbim të sigurt të të dhënave, vendosjen e standardeve për sigurinë kibernetike për të gjitha palët e prekura, duke ofruar udhëzime për menaxhimin e ndryshimeve në transformimin digjital të administratës dhe ngritjen e vetëdijes publike për këtë çështje. Por deri më sot nuk është krijuar ende kjo Agjenci e cila do të siguronte më shumë transparencë dhe transformim të dokumentacioneve në mënyrë digjitale.

Sipas hulumtimit të kryer nga Metamorfozis, rreth transparencës së institucioneve, rezultati i përgjithshëm i pushtetit ekzekutiv në Maqedoninë e Veriut (Qeveria, ministritë dhe organet ekzekutive) arrin në 64,92%.

Sekretariati për Çështje Evropiane, është një nga organet më pak transparente me vetëm 26% të transparencës, pasuar nga Policia Financiare me vetëm 30% të transparencës. Nga ana tjetër, një nga institucionet më transparente është Byroja për Zhvillim Rajonal me 52%, pasuar nga Inspektorati Sanitar Shëndetësor me 50%.

RMV-ja, larg standardit të BE-së në digjitalizim

Ish-ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, Admirim Aliti, deklaroi se pa dyshim që anëtarësimi eventual i Maqedonisë së Veriut në BE do ta rriste dukshëm transparencën e institucioneve, kjo për shkakun që brenda BE-së është e patjetërsueshme të adoptohen dhe implementohen rregullativa dhe standarde të lidhura me transparencën dhe qeverisjen e mirë që janë pjesë e legjislaturës së BE-së.

“Ngjashëm edhe digjitalizimi siç është treguar në shtete të BE-së si Estonia, direkt bënë përmirësimin e transparencës brenda institucioneve. Duke digjitalizuar proceset, Qeveria ka mundësi t’i bëjë të dhënat më të qasshme për publikun, t’i lehtësojë procedurat administrative, dhe njëashtu të përmirësojë mekanizmat për përgjegjësi. Në Maqedoninë e Veriut ka institucione që kanë lëvizur në këtë drejtim, por akoma është larg prej standardeve të BE-së”, u shpreh Aliti.

Transparanca, hapi i parë në luftën kundër korrupsionit

Nga ana tjetër, hulumtuesi Abedin Ismaili, deklaroi se institucionet publike janë pronë publike, në këto institucione punojnë të zgjedhurit e popullit apo të emëruar nga të zgjedhurit që i bie se pavarësisht nga këndi si shihen, kuptohet që lidhja me publikun është e pashmangshme. Kështu që, siç tha ai, transparenca duhet të jetë thelbi i funksionimit apo punës që bëhet në cilin do institucion publik kudo posaçërisht në vendin tonë.

“Në momentin që transparenca bëhet çështje e diskutueshme kemi të bëjmë me premisa manipulative në punën që bëhet brenda atyre institucionëve. Institucionet që janë të mbyllura apo “konservuara” janë me përplot dyshime në veprimtarinë e tyre, vetëm transparenca pasqyron të vërteten reale. Kjo gjë mbase është e rregulluar edhe me ligj në vendin tonë ku secili qytetar ka qasje në informacione me karakter publik. Ato institucione që janë lehtë të qasshme në këto informata i bie që janë mjaftueshëm transparente apo nuk kanë çfarë të fshehin. Në Maqedoninë e Veriut vend që pothuajse në çdo raport evropian kryetitull është ‘korrupsion i lartë’ transparenca duhet të jetë hapi i parë drejt luftës kundër korrupsionit dhe progresit afatgjatë”, deklaroi ai.

Gjithashtu Qendra për Komunikime Civile (QKC), në hulumtimin e kryer në fund të vitit të kaluar ka vënë në dukje se transparenca aktive mesatare e ministrive, e Qeverisë dhe e komunave për vitin 2023 arrin 76 për qind. Në krahasim me vitin paraprak është përmirësuar për tre për qind nga renditja e rregullt vjetore e institucioneve sipas Indeksit të transparencës aktive, respketivisht sipas publikimit proaktiv, informacioneve me karakter publik, në të cilën janë përfshirë 98 institucione.

 

Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

                                               

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top