REMZIE SHAHINI-HOXHAJ: BE-JA DUHET T’I MBËSHTESË TË RINJTË E BALLKANIT PERËNDIMOR

Intervistë me profesoreshën Remzije Shahini-Hoxhaj : BE-ja duhet t’i mbështesë të rinjtë e Ballkanit Perëndimor

Intervistoi: Lorik Idrizi
BIRC Institute

Remzie Shahini-Hoxhaj është profesoreshë e Komunikimit në Departamentin e Gazetarisë pranë Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ajo është themeluese dhe drejtoreshë e Institutit të Medias në të njëjtin universitet. Ka qenë ligjëruese në Universitetin e shkencave të zbatuara në Salzburg, Austri (2019–2021).

Në këtë intervistë për Institutin BIRC, ajo diskuton rolin e të rinjve në procesin e europianizimit, pengesat me të cilat përballen dhe mundësitë për bashkëpunim më të thellë ndërregjional.

BIRC: A kanë të rinjtë informacion të mjaftueshëm mbiprocesin e integrimit evropian?

Remzie Shahini-Hoxhaj : Në bazë të perceptimit tim, mendoj se të rinjtë në Kosovë nuk kanë mjaftueshëm informacione mbi procesin e integrimit europian. Mendoj se, në përgjithësi, të rinjtë nuk interesohen shumë për çështje politike dhe nuk angazhohen në aktivizëm. Besoj se situata politike në vend, populizmi dhe polarizimi i skajshëm kanë bërë që shumica e tyre të mos identifikohen me aktivitetin politik e aq më pak me çështjet e BE-së

BIRC: Cilat janë pengesat kryesore që i ndalojnë të rinjtë të përfshihen në proceset e evropianizimit dhe demokratizimit?


Remzie Shahini-Hoxhaj :
 Pengesa kryesore për një kohë të gjatë ka qenë izolimi i Kosovës dhe mosliberalizimi. Të rinjtë nuk e kanë parë veten si pjesë të BE-së, dhe kjo i ka shtyrë të mos interesohen për proceset e integrimit.

BIRC: Si mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërrajona l mes të rinjve në kontekstin e integrimit evropian?

Remzie Shahini-Hoxhaj : Besoj se projektet e përbashkëta me interesa të përbashkëta të të rinjve mund t’i kontribuojnë kësaj çështjeje. Për shembull, më shumë projekte të përbashkëta në arsim, shkencë dhe teknologji, sidomos tani me prezencën e Inteligjencës Artificiale (IA).

BIRC: A janë programet aktuale të BE-së për të rinjtë (si Erasmus+) të mjaftueshme për të promovuar evropianizimin në Ballkan?
Remzie Shahini-Hoxhaj: Mendoj se BE-ja, më shumë se kurrë, duhet të fokusohet në mbështetjen e të rinjve për t’i tërhequr ata në proceset evropiane, sidomos tani kur fondet amerikane janë reduktuar.

BIRC: Si mund të kundërpërgjigjemi në mënyrë efektive ndaj dezinformatave dhe propagandës anti-BE që ndikon te të rinjtë?


Remzie Shahini-Hoxhaj:Përmes programeve që fuqizojnë edukimin medial te të rinjtë në Ballkan, si dhe përmes rrjetëzimit të tyre me të rinj të tjerë nga BE-ja.

BIRC: A mendoni se ekziston euroskepticizëm te të rinjtë dhe çfarë e nxit atë?

Remzie Shahini-Hoxhaj: Në bazë të observimeve të mia, nuk mendoj se ekziston euroskepticizëm i madh, pasi të rinjtë e Kosovës janë shumë pak të informuar rreth BE-së dhe integrimit europian. BE-ja do të duhej të organizonte punëtori në shkolla fillore dhe të mesme për këto tematika, që të rinjtë të njoftohen më mirë me sistemin dhe strukturën e BE-së.

Kjo intervistë u përgatit brenda kuadrit të projektit “Përfshirja e të rinjve për europianizimin e Ballkanit”, i zbatuar nga BIRC Institute nga Maqedonia e Veriut, OJQ GLAS nga Mali i Zi dhe CFID nga Kosova, me mbështetje nga Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe bashkë-financim nga Bashkimi Evropian.

Kjo intervistë u përgatit me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja është përgjegjësi ekskluzive e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top