ZËRI I TË RINJVE PËR NJË TË ARDHME EVROPIANE TË BALLKANIT PERËNDIMOR
Më 7 korrik 2025, Podgorica ishte mikpritëse e konferencës hapëse “Të rinjtë për europianizimin e Ballkanit Perëndimor”, ku pata nderin të marr pjesë si një nga katër përfaqësuesit e përzgjedhur të rinj nga Maqedonia. Në këtë konferencë morën pjesë të rinj nga Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia, të cilët së bashku debatuan, shkëmbyen ide dhe vizione për të ardhmen e rajonit brenda Bashkimit Evropian.
Shkruan: Sara Neshkovska
Konferenca u zhvillua në gjuhën angleze, gjë që mundësoi një lidhje edhe më të fortë dhe dialog të hapur mes të rinjve nga vende të ndryshme. Pata nderin të jem folëse në temën “Ne të gjithë të rinjtë, së bashku për evropeizimin e Ballkanit Perëndimor”. Fjalimi im u përqendrua te mënyrat se si të rinjtë mund të jenë ura mes realitetit aktual dhe vlerave evropiane që dëshirojmë – demokracia, të drejtat e njeriut, drejtësia sociale dhe barazia.
Ajo që e bëri këtë përvojë vërtet të veçantë ishte mundësia për t’u lidhur me të rinj të cilët, megjithëse vijnë nga vende të ndryshme, përballen me sfida të ngjashme, por ndajnë të njëjtën motivim për ndryshime pozitive. Krahas nesh, të rinjve, në konferencë morën pjesë edhe ligjërues me përvojë – punonjës mediatikë, ekspertë komunikimi dhe analistë të integrimeve në BE, të cilët me bujari ndanë dijen dhe përvojën e tyre. Ata na ofruan këndvështrime mbi mënyrën se si e shohin procesin e evropeizimit dhe na dhanë udhëzime për mënyrat se si ne, të rinjtë, mund të përfshihemi aktivisht në të.
Kjo konferencë ishte vetëm fillimi. Hapi i radhës është forumi në Prishtinë më 25 gusht, pas të cilit në shtator do ta përmbyllim nismën me konferencën përmbyllëse në Shkup – ku ne, të rinjtë nga Maqedonia, do të jemi mikpritësit. Me padurim pres vazhdimin e këtij udhëtimi, sepse besoj se ne, të rinjtë, kemi një rol kyç në krijimin e së ardhmes që e dëshirojmë – evropiane, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Ky tekst është realizuar në kuadër të projektit “Përfshirja rinore për evropeizimin e Ballkanit”, i zbatuar nga Instituti BIRC nga Maqedonia e Veriut, OJQ GLAS nga Mali i Zi dhe CFID nga Kosova, me mbështetje nga Fondi për Ballkanin Perëndimor dhe bashkëfinancim nga Bashkimi Evropian.
Ky tekst është përgatitur me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.
