NGA ARSIMI TEK MEDIAT: GJURMËT E “FUQISË SË BUTË” KINEZE NË MAQEDONINË E VERIUT

Në vitet e fundit, debati mbi ndikimin e aktorëve të jashtëm në Maqedoninë e Veriut është fokusuar kryesisht te Rusia. Megjithatë, paralelisht me rënien e pranisë ruse pas agresionit në Ukrainë, një tjetër aktor po konsolidon ndikimin e tij në mënyrë më të heshtur dhe më të qëndrueshme: Kina. Ndryshe nga qasja konfrontuese e Moskës, Pekini po ndërton praninë e vet përmes arsimit, bashkëpunimit akademik dhe shkëmbimeve kulturore – mekanizma që njihen si “fuqi e butë”. Ky artikull analizon se si këto instrumente funksionojnë në Maqedoninë e Veriut, me fokus të veçantë te Instituti Konfucij në Shkup dhe dilemat që ngrihen mbi transparencën, lirinë akademike dhe interesin publik në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për BE.

Shkruan: Enis Shaqiri

Në dekadën e fundit, Maqedonia e Veriut ka qenë cak i hapësirës së ndikimit të fuqive autoritare – kryesisht Rusisë dhe Kinës – të cilat, përmes mjeteve të ndryshme, kanë synuar të zgjerojnë ndikimin e tyre politik, ekonomik, mediatik dhe kulturor, në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Megjithatë, pas agresionit rus në Ukrainë (24 shkurt 2022) dhe pas sanksioneve të vendosura nga ShBA-të dhe BE-ja, roli i Moskës në vend është zbehur, duke krijuar një boshllëk që, sipas analistëve, po mbushet gjithnjë e më shumë nga Kina.

Me faktin se Kina po tenton të instalojë ndikimin e saj në hapësirën e dominuar deri më tani nga Rusia, nuk nënkupton një konkurrencë midis dy fuqive të Lindjes. Përkundrazi, të dyja shtetet tregojnë një koordinim të ngjeshur përballë Perëndimit të unifikuar, që nga Ukraina e deri te luftërat në Lindjen e Mesme. Kjo sinergji midis Moskës dhe Pekinit, e pranishme edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Rusia vazhdon të ruajë ndikimin nëpërmjet kishës ortodokse ndërsa Kina shtrin ndikimin në ekonomi dhe media”, thotë analisti politik Xhelal Neziri.

Në praktikë, vërejnë analistët, qasja kineze në Maqedoninë e Veriut dallon nga ajo ruse. Ndryshe nga Moska, ndikimi i së cilës u shfaq hapur gjatë krizës politike të vitit 2016, Pekini vepron në mënyrë më pak konfrontuese dhe më të fragmentuar, duke u fokusuar në instrumente ekonomike, kulturore dhe mediatike, që krijojnë ndikim afatgjatë, pa përplasje të drejtpërdrejta politike.

Konkretisht për Kinën, vitet e fundit duket se ndikimi i saj është në rënie, të paktën sa i përket gatishmërisë së autoriteteve maqedonase për të bashkëpunuar me Kinën, veçanërisht në projekte të mëdha ose në fusha të ndjeshme. Por, nga ana tjetër, Kina është shumë aktive në nivel bazë (grassroots) dhe bashkëpunimi me aktorë të komunitetit akademik, mediat, komunat, madje edhe sektorin e OJQ-ve, është më intensiv se kurrë më parë”, thotë për Institutin Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC), Ana Krstinovska, eksperte e ndikimit kinez.

Në këtë kontekst, institutet kulturore dhe programet akademike të mbështetura nga Pekini, zënë më shumë vend dhe shfaqen si mjete kyçe për ndërtimin e një imazhi pozitiv të Kinës jashtë kufijve të saj.

Një prej tyre është Instituti Konfucij në Shkup – një qendër që, për studentët, ofron “gjuhë dhe mundësi konkrete akademike”, ndërsa për ekspertët hap dilema “mbi transparencën, ndikimin dhe kufijtë mes shkëmbimit kulturor dhe fuqisë politike”.

Kush po e dominon botën – Kina apo Perëndimi?

Mes nesh hapen ndonjëherë biseda. Flasim për fuqinë ekonomike të Kinës, për raportet mes Kinës dhe Perëndimit, kush ka teknologjinë më të fortë, SHBA, Kina apo Evropa, e të ngjashme. Por këto janë biseda të lira dhe spontane, më shumë për t’u relaksuar dhe për debat mes nesh”, tregon për BIRC një student 21-vjeçar nga Shkupi, i cili ndjek kurse dhe programe të në Institutin Konfucij.

“Kjo ndodhë kur ne ‘provokojm’ ndonjëherë, gjatë bisedave…”.

Studenti, i cili nuk dëshiron të identifikohet me emër e mbiemër, sqaron se instituti nuk ofron vetëm kurse gjuhe, por edhe kampe verore, programe studimi në universitete kineze, bursa studentore, si dhe veprimtari sportive e kulturore. Për shumë të rinj, shton ai, kjo është një mundësi konkrete për të udhëtuar, për të marrë bursë ose për të krijuar kontakte.

Kam pasur shumë dëshirë të shkoj në një kamp veror në Kinë, por pandemia Covid-19 i prishi planet dhe u anulua”, tregon ai.

“Nuk është gjuha problem, por rregullat dhe transparenca”

Gazetari hulumtues Bojan Bllazhevski, i cili prej vitesh ndjek temat që lidhen me ndikimin kinez në Maqedoninë e Veriut, argumenton se, për shkak të modelit politik të Kinës – komunist – dhe kontrollit të fortë shtetëror mbi mediat dhe shoqërinë, hapësira e bashkëpunimit “të butë” është më e lehtë të kanalizohet përmes gjuhës dhe kulturës, dhe më pak përmes formave të tjera të bashkëpunimit shoqëror.

Nuk shoh problem në mësimin e gjuhës kineze dhe njohjen e disa aspekteve të kulturës kineze”, thotë ai, duke shtuar se njohja e gjuhës dhe kontekstit ndihmon edhe për të kuptuar më mirë Kinën sot.

Megjithatë, ai ngre dilema mbi përzgjedhjen e temave dhe narrativave që mund të promovohen përmes aktiviteteve të institutit, sidomos në një shtet si Maqedonia e Veriut që synon integrimin në BE.

Në disa fakultete, ky bashkëpunim është krejtësisht i papërshtatshëm, madje edhe i rrezikshëm, si p.sh. fakultetet e shkencave politike, gazetarisë, dhe të sigurisë. Maqedonia e Veriut, si vend anëtar i NATO-s, mendoj se është e papërshtatshme të kenë studentë ose profesorë që shkojnë për studime në Kinë dhe, pasi kthehen, të punojnë në pozita kyçe në sektorin e sigurisë. Ose, çfarë mund të mësojnë gazetarët maqedonas nga vizita në një media shtetërore kineze?”, pyet ai.

Të mësojnë si ta përsosin propagandën shtetërore apo si të shtypet liria e fjalës? Bashkëpunime të tilla me Kinën nuk janë aspak të përshtatshme në disa veprimtari brenda arsimit të lartë”.

Prandaj, Instituti Konfuci është një mjet i fuqisë së butë të shtetit kinez, që ndjek narrativat zyrtare të regjimit njëpartiak, jodemokratik. Nuk mund të konstatoj modele të indoktrinimit direkt të qytetarëve maqedonas nga ky institut, por ai përshtatet shumë mirë me narrativën e dëshiruar të Kinës ndaj popullsisë së huaj – të paraqitet si një superfuqi normale, pa probleme, me qytetarë të kënaqur dhe me teknologji të avancuar”, thotë gazetari Bllazhevski.

Çfarë është “fuqia e butë”?

“Fuqia e butë” i referohet mënyrës se si një shtet ushtron ndikim pa përdorur forcë apo presion të drejtpërdrejtë. Në vend të instrumenteve të “fuqisë së fortë”, si kërcënimet, shtrëngimi ekonomik apo ndërhyrja ushtarake, fuqia e butë synon zgjerimin e ndikimit përmes tërheqjes dhe bindjes: kulturës, arsimit, diplomacisë, reputacionit ndërkombëtar dhe narrativave që e paraqesin një vend si partner “të besueshëm dhe të dëshirueshëm”.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme të merret parasysh edhe Indeksi Global i Fuqisë së Butë, i cili identifikon dhe teston narrativat kryesore të kësaj fuqie duke matur shkallën në të cilën ato rezonojnë me opinionin publik në shtatë kategori, përfshirë arsimin dhe shkencën. Në këtë fushë, Kina renditet e dyta në nivel global – pozicioni i saj më i lartë deri më tani – çka pasqyron zgjerimin e vazhdueshëm të imazhit dhe tërheqjes së saj globale.

Midis “fuqisë së butë” dhe “fuqisë së fortë” qëndron “fuqia e mprehtë” – një formë ndikimi e lidhur shpesh me propagandën, manipulimin e informacionit dhe dezinformimin. Ndryshe nga fuqia e butë, e cila fiton terren përmes besueshmërisë dhe tërheqjes, fuqia e mprehtë synon të ndikojë duke turbulluar realitetin dhe duke shtrembëruar debatin publik.

Joseph Nye, politologu i ndjerë që konceptoi idenë e “fuqisë së butë”, argumentonte se dallimi thelbësor midis fuqisë së butë dhe “fuqisë së mprehtë” qëndron në marrëdhënien e tyre me të vërtetën dhe transparencën: fuqia e butë mbështetet në besueshmëri, ndërsa fuqia e mprehtë varet nga manipulimi, duke u shndërruar, në thelb, në “një armë të formuar plotësisht”.

Çfarë dihet publikisht për Institutin Konfucij në Shkup?

Sipas të dhënave publike, Instituti Konfucij në Shkup është themeluar në shtator 2013 në kuadër të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij” – UKIM – me vendim të Senatit dhe në partneritet me Southwestern University of Finance and Economics në Chengdu, kryeqyteti i provincës Sichuan, që gjendet në jugperëndim të Kinës. Ndërkohë, mësimi zhvillohet edhe me ligjërues nga Kina, ndërsa instituti vepron në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare Universitare “Shën Kliment Ohridski”, në bulevardin “Goce Delçev” në Shkup.

Biblioteka Universitare Kombëtare “Shën Kliment Ohri” në Shkup. Foto: Enis Shaqiri

Megjithatë, për burimet e financimit të institutit, numrin e saktë të stafit, ligjëruesve dhe studentëve, UKIM dhe Instituti Konfucij nuk publikojnë statistika të detajuara në materialet e hapura, të paktën jo në dokumente që mund të verifikohen lehtë online.

Për t’i sqaruar më qartë çështjet e financimit, statusin e personelit, përdorimin e hapësirave universitare, përmbajtjen e materialeve mësimore, si dhe sa janë programet e institutit të integruara në ofertën studimore të UKIM-it dhe çfarë efekti kanë këto trajnime (treg pune, diplomaci kulturore, shkëmbime), BIRC u përpoq të kontaktojë përmes telefonit dhe e-mailit zyrtar, Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” dhe Institutin Konfucij, por, deri në përfundim të këtij artikulli, përgjigje nuk morëm.

Universiteti "Shën Kirili dhe Metodi" në Shkup,
Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Maqedoni e Veriut. Foto: Enis Shaqiri

Në mungesë të këtyre përgjigjeve, BIRC kërkoi qëndrim nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në përgjigjen e së cilës thuhet:

Institucionet e arsimit të lartë në Maqedoni (të Veriut) janë autonome në menaxhimin e tyre dhe vetë ndërmarrin iniciativa për bashkëpunim me subjekte të jashtme. Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbështet promovimin e gjuhëve të huaja në kuadër të institucioneve të arsimit të lartë nëse ka interes për to, por gjithashtu është e orientuar drejt promovimit të gjuhës maqedonase përmes hapjes së lektorateve në universitete të huaja”.

Të dhëna orientuese nga njoftimet publike

Përtej heshtjes nga institucionet, disa të dhëna orientuese dalin në publik vetëm përmes njoftimeve dhe raportimeve mediatike.  Për shembull, në një njoftim të publikuar më 13 korrik 2020, portali fakulteti.mk shkruajti se, “që nga themelimi, mbi 1.500 kursistë të moshave të ndryshme i kanë ndjekur kurset e gjuhës kineze të organizuara nga Instituti, për nivele të ndryshme”. Në të njëjtin njoftim përmenden edhe kurset verore online falas, të planifikuara në dy grupe (deri 18 vjeç dhe mbi 18 vjeç), me mësimdhënës nga Kina.

Ndërkohë, drejtori i Institutit Konfucij, Vlatko Stoilkov gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, publikuar më 25 shtator 2024, kishte njoftuar se gjatë vitit 2023 “janë regjistruar 1.067 nxënës të rinj dhe 260 kanë vazhduar nga më herët”, pra rreth 1.380 në total, në kuadër të orëve falas të gjuhës kineze nëpër shkolla.

Përveç Universitetit “Shën Kirili dhe Metodij”, bashkëpunimin  me universitetet dhe institucionet kineze kanë zhvilluar edhe dy nstitucione tjera të  arsimit të lartë nga vendi, Universiteti i Ohrit “Shën Apostulli Paul” dhe Universiteti i Shtipit, “Goce Dellçev”

A e kuptojnë studentët dhe stafi akademik dimensionin gjeopolitik?

Sipas Bllazhevskit, shumica e studentëve i shohin këto programe vetëm si mundësi praktike: kurse, bursa, udhëtime dhe përvojë.

Është mirë që si qytetarë, jemi të hapur për të njohur kultura të reja dhe gjuhë të ndryshme. Nuk shoh problem këtu. Problemin e shoh te universitetet shtetërore maqedonase dhe te vetë autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Duhet vendosur një kufi i qartë se çfarë lejohet si shkëmbim i përshtatshëm kulturor mes dy vendeve dhe ku është “vija e kuqe” kur një bashkëpunim i tillë mund të shndërrohet në ndikim të huaj malinj për vendin tonë”, përfundon ai.

Në Maqedoninë e Veriut, bashkëpunimi me Kinën në fushën e shkencës dhe teknologjisë mbështetet në Marrëveshjen për bashkëpunim shkencor dhe teknik, të nënshkruar më 7 mars 1995.

Kjo marrëveshje krijon kornizën ligjore për zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore mes dy vendeve, si dhe u hap rrugë universiteteve dhe institucioneve kërkimore maqedonase të lidhin memorandume bashkëpunimi drejtpërdrejt me institucionet homologe në Kinë.

Çfarë thonë raportet e organizatave ndërkombëtare për Institutin Konfucij?

Këto shqetësime nuk janë të izoluara vetëm në kontekstin lokal. Raporte të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe lirinë akademike kanë dokumentuar se materialet mësimore të Instituteve Konfucius, në nivel global, ofrohen dhe miratohen nga struktura shtetërore kineze të lidhura drejtpërdrejt me Pekinin.

Sipas këtyre raporteve, temat e ndjeshme politike dhe historike – përfshirë protestat e Tiananmenit të vitit 1989, statusin e Tajvanit, Tibetin apo çështjet e të drejtave të njeriut – shpesh shmangen, relativizohen ose paraqiten ekskluzivisht përmes narrativës zyrtare të Partisë Komuniste të Kinës.

Organizata si Human Rights Watch kanë paralajmëruar se ky model i Institutit Konfucij përbën rrezik për lirinë akademike dhe krijon mjedis vetë-censure, veçanërisht në universitete që bashkëpunojnë ngushtë me këto institute. Kurse në Maqedoninë e Veriut, një hulumtim i fundit, i Institutit Estima, tregon se rreth një e treta e mësimdhënësve universitar në Maqedoninë e Veriut, janë përfshirë në ndonjë formë të bashkëpunimit akademik me Kinën.

Për shumicën, kjo ka nënkuptuar botime të përbashkëta ose pjesëmarrje në aktivitete projektesh të vogla, shpesh të nxitura nga rrjete individuale ose mundësi të rastësishme. Ndërkohë, një grup më i vogël ka marrë pjesë në shkëmbime zyrtare të financuara nga shteti”, thuhet në studim.

Në këtë panoramë, Instituti Konfucij në UKIM përmendet si platforma më e dukshme dhe më e strukturuar e këtij bashkëpunimi dhe, që nga viti 2013, ka pasur rol qendror në mësimin e gjuhës dhe kulturës kineze. Megjithatë, hulumtimi tregon se, shkëmbimet mbeten të ulëta: studentët nga vendi shkojnë në Kinë në numra të vogël, ndërsa ardhjet nga Kina në universitetet e RMV-së janë pothuajse të papërfillshme, krahasuar me partneritetet e zhvilluara përmes Erasmus+, CEEPUS dhe kuadrove të tjera të BE-së.

Burimi: Universitetet
Burimi: Universitetet

Instituti Konfuci nuk operon vetëm në Shkup. por edhe në vende të tjera të Evropës Juglindore – Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Shqipëri, Mali i Zi, Kroaci, Slloveni, Greqi dhe Bullgari – pra me një kontekst pak a shumë të ngjashëm me Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe nga këto vende të Evropës Juglindore, ku Instituti Konfucij ka funksionuar pa rezistencë të dukshme publike ose ndërhyrje nga autoritetet, në disa shtete të Evropës Perëndimore –  si Britania e Madhe dhe Gjermania – si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo strukturë është përballur me kritika të ashpra, presion institucional dhe, në shumë raste, me mbyllje të plotë, për shkak të shqetësimeve lidhur me lirinë akademike, mungesën e transparencës dhe ndikimin politik të shtetit kinez.

Shënim: Ky është artikulli i parë i një serie në dy pjesë. Në ditët në vijim, BIRC do të publikojë pjesën e dytë, e cila trajton ndikimin e Kinës përmes mediave.

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2026. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top