Pushteti lokal: Pjesëmarrja e grave dhe të rinjve shënon përparim të lehtë

Hulumtimi i fundit i Institutit BIRC mbi “Përfaqësimin e grave, të rinjve dhe bashkësive më të vogla etnike në procesin e vendimmarjes në nivel lokal” në kuadër të projektit “Zërat e barazisë, demokraci për të gjithë”, i financuar nga Bashkimi Evropian, rezulton se përfshirja e këtyre grupeve në Rajonin e Pollogut është bërë më formale sesa efektive: gratë, të rinjtë dhe komunitetet më të vogla etnike shpesh hyjnë në listat zgjedhore për të plotësuar kritere ligjore, por ndikimi i tyre në vendimmarrje mbetet i kufizuar.
Hulumtimi tregon se gratë përbëjnë rreth 33% të këshilltarëve të zgjedhur në rajon, megjithatë në disa lista komunale pjesëmarrja e tyre ka qenë mbi 40%. Në Tetovë gratë zunë 45.25% të vendeve në lista, por vetëm 35.5% të këshilltarëve të zgjedhur ishin gra, në Gostivar përputhjet ishin 43.62% në lista kundrejt 34.8% në këshill. Edhe në komunat më të vogla si Jegunovcë dhe Zhelinë pjesëmarrja në lista mbetet e lartë, por përzgjedhja reale në vendimmarrje ndryshon ndjeshëm. Kandidimi i grave për poste ekzekutive mbetet i vogël: vetëm 10.4% e kandidatëve për kryetar komune në nivel nacional ishin gra, dhe në Rajonin e Pollogut vetëm dy nga nëntë komunat patën kandidate për kryetare.
Për të rinjtë, raporti regjistron kontraste të forta: vetëm rreth 16% e këshilltarëve të zgjedhur në rajon janë në moshën 18–29 vjeç, por në komunat më të vogla si Jegunovca përqindjet e të rinjve në këshill janë shumë më të larta (54.5% e këshilltarëve të zgjedhur). Kjo tregon se prania në listat zgjedhore nuk garanton automatikisht pjesëmarrje reale në vendimmarrje, dhe se koncentrimi i përfaqësimit të të rinjve ndodh shpesh në komuna të vogla.
Sa i përket bashkësive më të vogla etnike, raporti vë në dukje se përfaqësimi i tyre shpesh është simbolik dhe i kanalizuar përmes partive etnike ose koalicioneve me partitë kryesore. Përfaqësimi rom dhe turk u pa në lista dhe në disa kandidatura të veçanta — për shembull kandidatura e Samka Ibraimoski — por ndikimi i zërave të këtyre komuniteteve në politikat lokale mbetet i kufizuar për shkak të mungesës së mekanizmave konsultativë dhe burimeve.
Si rekomandim kyç, Instituti BIRC kërkon:
– mekanizma konkrete për të kthyer përfaqësimin formal në ndikim real (stabilizim i kuotave me rregulla zbatimi),
– programe trajnimi dhe mbështetje financiare për gratë dhe të rinjtë që garojnë dhe që bëjnë politikë lokale,
– politika për rritjen e dukshmërisë dhe zërit të komuniteteve më të vogla etnike përmes këshillave ndër-etnike dhe organizatave qytetare, dhe
– monitorim të vazhdueshëm për të matur progresin dhe barrierat. Raporti thekson se pa këto hapa, përfaqësimi formal do të mbetet kryesisht simbolik.
Ky hulumtim është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit “Zërat e barazisë, demokraci për të gjithë”, i zbatuar nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal – BIRC Tetovë. Ky projekt është një nën-grant i dhënë në kuadër të “Mbështetjes së BE-së për Qendrën Burimore për Shoqërinë Civile – faza 2”, të financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e këtij hulumtimi është përgjegjësi e vetme e zbatueseve të projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian ose të Qendra për Burime Qytetare (GRC).
