PËRMBLEDHJA JAVORE: DEBATI PËR LIGJIN E ARSIMIT TË LARTË, MES AKUZAVE PËR POLITIZIM DHE THIRRJEVE PËR REFORMË

Propozim-ligji për arsimin e lartë ka hapur një debat të gjerë mbi reformat në sistemin universitar. Ndërkohë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka paraqitur ligjin si një hap drejt modernizimit dhe rritjes së cilësisë, një pjesë e konsiderueshme e aktorëve akademikë  e kanë vlerësuar atë si një rrezik për autonominë universitare dhe zhvillimin e kuadrove të reja shkencore.

Brenda kohës, gjatë debatit aktual, ka pasur reagime të shumta, të cilat kryesisht janë fokusuar në cenimin e lirisë akademike, por edhe aspekteve tjera të ligjit, që shihen si pengesë për krijimin e hapësirës për zhvillim akademik të kaudrove të reja.

Ndërkohë, Sindikata e Pavarur Akademike, ka kërkuar në mënyrë të drejpërdrejtë tërheqjen e draftit. Sipas saj, ligji nuk është produkt i një reforme të mirëfilltë, por një instrument për rritjen e kontrollit institucional. “Kushtet e propozuara janë të papërshtatshme dhe të paarritshme për shkencëtarët e rinj. Në vend të cilësisë, ky hap do të ketë një efekt fatal, humbjen e plotë të kuadrit të ri në universitetet tona”, thuhet në reagimin e sindikatës.

Vërejtjet e sindikatës nuk janë fokusuar vetëm në nivelin e kritereve akademike. Sindikata ka shprehur shqetësim të thellë për atë që e quan ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike në universitet. “Ekzekutivi do të ketë fuqinë të shuajë apo të shkrijë universitete pa pëlqimin e tyre. Kjo nuk është reformë, por një ndërhyrje brutale politike në autonominë universitare”,  kanë theksuar nga Sindikata e Pavarur Akademike. Në këtë kontekst, autonomia universitare shihet si një nga shtyllat kryesore që rrezikohet nga Propozim-ligji për arsimin e lartë.

Një tjetër pikë e ndjeshme lidhet me financimin dhe menaxhimin e burimeve. Sipas sindikatës, ndërhyrja e institucioneve qeveritare nuk kufizohet vetëm në aspektet akademike, por shtrihet edhe në kontrollin e fondeve. “Shteti po tenton të mbajë nën kontroll edhe donacionet dhe fondet që universitetet sigurojnë nga projektet ndërkombëtare”, theksohet në reagim, duke ngritur  kështu dilema për pavarësinë financiare të institucioneve të arsimit të lartë.

Megjithatë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka kundërshtuar këto akuza, duke theksuar se procesi i hartimit të ligjit ka qenë gjithëpërfshirës dhe transparent. Sipas ministrisë, drafti është rezultat i një debati të gjerë publik dhe ka reflektuar një pjesë të konsiderueshme të vërejtjeve të komunitetit akademik. “Ligjet e reja janë produkt i një debati të gjerë publik dhe një pjesë e madhe e vërejtjeve janë përfshirë në tekstin përfundimtar”, theksohet në komunikatën e Minsitrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Ministria gjithashtu ka argumentuar se janë bërë përmirësime konkrete në kriteret për avancim akademik. “Është reduktuar numri i punimeve të kërkuara për gradat shkencore dhe është pranuar baza Scopus si relevante për pikëzim në shkencat shoqërore”, ka theksuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Në këtë debat të polarizuar, ka reaguar edhe Universiteti “Nënë Tereza”. Ky institucion nuk e ka kundërshtuar në tërësi ligjin, por ka kërkuar përmirësime të caktuara për ta bërë atë më të pranueshëm. Dekani i Fakultetit Juridik, Aleksandar Petkovski, ka theksuar se vërejtjet kryesore lidhen me dy çështje thelbësore, kriteret për avancim dhe rolin e ministrisë “. Ne kemi disa vërejtje që duhet ende të përpunohen, në mënyrë që teksti final i ligjit të jetë i pranueshëm për të gjithë”, ka theksuar ai.

Petkovski ka shprehur një shqetësim të veçantë për raportin ndërmjet universiteteve dhe institucioneve shtetërore. “Ministria ka shumë instrumente ndikimi ndaj universiteteve, ndërsa universitetet kanë shumë pak ndaj ministrisë”, ka theksuar ai, duke sjellë si shembull procedurat e punësimit dhe miratimit të buxhetit. Ai ka paralajmëruar se me ligjin e ri, kompetencat e ministrisë mund të zgjerohen edhe më tej.  “Ministrja mund të anulojë një akt të universitetit, madje mund të vendosë edhe për shuarjen e universitetit”, ka theksuar Petkovski.

Në një shkrim analitikë mbi Propozim-ligjin për arsimin e lartë, ish-inspektori i arsimit, Gjorgji Ilievski, e sheh ligjin si një mekanizëm që krijon pabarazi të thellë brenda komunitetit akademik. Ai argumenton se rritja e kritereve nuk zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë. “Më shumë se 50 për qind e profesorëve të rregullt nuk preken fare nga ndryshimet, ndërsa pjesa më e madhe e barrës bie mbi asistentët dhe kuadrot e rinj”, ka vlerësuar Ilievski.

Sipas tij, dispozitat kalimtare krijojnë një sistem me dy standarde. “Një pjesë tjetër prej 20–30 për qind e stafit përfiton lehtësime, ndërsa në fund mbetet vetëm një përqindje e vogël që përbëhet nga asistentët, të cilët përballen me kushte dukshëm më të rënda për avancim”, ka vënë në dukje ai. Ky realitet, sipas Ilievskit, rrezikon të dekurajojë gjeneratat e reja dhe të përshpejtojë largimin e tyre nga vendi.

Një tjetër dimension i kritikës së tij lidhet me përputhshmërinë me standardet evropiane. “Kërkesat si mesatarja e studimeve apo përvoja e detyrueshme si asistent nuk janë standard në vendet e Bashkimit Evropian”, ka theksuar ai, duke sugjeruar se ligji devijon nga praktikat e zakonshme të Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë.

Në një analizë autoriale për portalin Civilmedia, Aleksandër Ivanov, e ka vendosur këtë debat në një kontekst më të gjerë strukturor. Sipas tij, arsimi i lartë në vend ndodhet “në një pikë kritike, i shtrënguar mes reformave të shpallura ambicioze dhe problemeve të thella sistemike që e gërryejnë cilësinë dhe legjitimitetin e tij”.

Ivanov e ka problematizuar një nga shtyllat e reformës, gjegjësisht fokusin e draftit tek publikimet ndërkombëtare dhe “impact factor”. Ai e ka quajtur këtë një “mit”, duke theksuar se “cilësia e punës shkencore barazohet si burokraci vetëm me dukshmërinë në baza prestigjioze si Web of Science dhe Scopus”. Sipas tij, ky model krijon barrë financiare për studiuesit dhe prodhon një formë të “kolonializmit digjital”, ku karrierat akademike varen nga platforma private ndërkombëtare.

Ai ka paralajmëruar se kjo qasje margjinalizon temat lokale . “Margjinalizohen temat shkencore me rëndësi lokale, ndërsa kërkesa për ‘shkencë botërore’ në kushte pa infrastrukturë përkatëse paraqet një absurd”, ka vlerësuar Ivanov. Sipas tij, reforma nuk guxon të jetë emër tjetër për heqjen e të drejtave, përndryshe çdo e drejtë bëhet një dhuratë e përkohshme administrative dhe jo një garanci ligjore.

Debati aktual për Propozim-ligjin e ri tashmë po reflekton një dilemë më të gjerë për drejtimin e arsimit të lartë në vend, dilemën substanciale nëse duhet të fokusohet reforma në rritjen e standardeve formale apo në krijimin e kushteve reale për zhvillim shkencor.

 

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

to top