TË BËHET NJË NDARJE E QARTË MIDIS KRITEREVE MËSIMORE-SHKENCORE DHE ATYRE MËSIMORE-ARTISTIKE
Analizë e arsimit të lartë me fokus në propozim-ligjin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës
Prof. dr. Aleksandar Trajkovski
Tendenca e çdo ligji të ri në përgjithësi, e kështu edhe në ligjet për arsimin e lartë, është të miratohen akte që do të jenë më të mira dhe më cilësore se ato të mëparshmet dhe ekzistuese, me çka do të kontribuohej në procesin e zhvillimit dhe avancimit të tij. Me shumë gjasë, edhe qëllimi i miratimit të Ligjit të ri për arsimin e lartë, i cili në periudhën e fundit është vënë në shqyrtim publik, është në të njëjtin drejtim, por pas shqyrtimit dhe analizës së drejtpërdrejtë të përmbajtjes së tij, hapen disa çështje për diskutim.
Për shkak të profilit dhe veprimtarisë së autorit të kësaj analize, fokusi i saj do të drejtohet te ato nene të projektligjit të propozuar që trajtojnë arsimin e lartë artistik, për të cilat konsiderohet se nuk janë më të favorshmet dhe se nuk do të kontribuojnë në përmirësimin e tij.
Së pari, mund të interpretohet neni 123, paragrafi 9 nga versioni i parë i projektligjit (Cikli i dytë i studimeve akademike – studimet pasuniversitare), ku parashikohet që institucioni i arsimit të lartë nuk do të lejojë mbrojtjen e temës së magjistraturës për një kandidat i cili para mbrojtjes nuk ka publikuar dy punime shkencore nga tema e magjistraturës si autor i parë. Një dispozitë e tillë nuk është në përputhje me realitetin në fushën e arteve, pasi ato (filmi, teatri, muzika, artet vizuale dhe të aplikuara, etj.) bazohen në praktikë artistike, vepër autoriale dhe prezantim publik, dhe jo në prodhim klasik kërkimor-shkencor. Në një numër të konsiderueshëm disiplinash artistike, nuk ekzistojnë revista shkencore përkatëse, as traditë e publikimit të punimeve shkencore si parakusht për fitimin e gradës master. Studimet master në fushat artistike në pjesën më të madhe organizohen si projekt artistik, performancë publike, ekspozitë, vepër filmike ose skenike e shoqëruar me elaborim teorik. Kërkesa e detyrueshme për dy punime shkencore të publikuara si autor i parë është joproporcionale dhe e pazbatueshme në fushat artistike, mund të çojë në pamundësi reale për mbrojtjen e temës së magjistraturës dhe nuk korrespondon me praktikën evropiane në arsimin e lartë artistik.
Pozitive është se, pas vërejtjeve të paraqitura, në versionin e dytë të propozuar, ky paragraf është fshirë plotësisht, jo vetëm për studimet pasuniversitare në fushën e arteve, por në përgjithësi për të gjitha.
Paragrafi 6 i të njëjtit nen (123) parashikon që programi studimor për studimet pasuniversitare në fushën e arteve përfshin edhe punim magjistrature në formë të shkruar dhe performancë/përfaqësim publik të një vepre artistike ose ekspozite. Për shkak të specifikës së arsimit artistik, më e përshtatshme do të ishte që ligji të ofrojë mundësinë që në studimet pasuniversitare në fushën e arteve të bëhet zgjedhje dhe paragrafi i propozuar të zëvendësohet me: “Programi studimor për studimet pasuniversitare në fushën e arteve përfshin edhe punim magjistrature në formë të shkruar dhe/ose performancë/përfaqësim publik të një vepre artistike ose ekspozite”. Megjithë vërejtjet, versioni i dytë e ruan këtë paragraf, me çka cenohet parimi i specifikës së arsimit artistik dhe vendoset një model uniform shkencor që nuk është i përshtatshëm për të gjitha fushat.
Në lidhje me dispozitat e projektligjit për arsimin e lartë (nenet 162–169), në pjesën e fushave artistike mund të theksohet një vërejtje e përgjithshme për pazbatueshmërinë e modelit shkencor në veprimtaritë artistike. Përkatësisht, dispozitat e propozuara për zgjedhje dhe avancim në tituj mësimor-shkencorë dhe mësimor-artistikë në fushën e arteve, të përfshira në nenet 162–169, në thelb e marrin mekanikisht modelin e disiplinave shkencore dhe e zbatojnë mbi fushat artistike, pa marrë parasysh specifikën e tyre thelbësore, traditën dhe praktikën ndërkombëtare. Krijimtaria artistike, ndryshe nga veprimtaria kërkimore-shkencore, bazohet në vepër autoriale, praktikë artistike, receptim publik, vlerësim kritik dhe njohje institucionale, dhe jo në indikatorë klasikë shkencorë.
Gjithashtu, duhet të theksohet fakti i mungesës së doktorëve të shkencave (doktorëve të arteve) në disa disiplina konkrete artistike. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por edhe më gjerë – në nivel evropian dhe botëror, shumë të rrallë janë pedagogët me titull doktor në një sërë fushash thelbësore artistike dhe të aplikuara, si: kamera filmike dhe televizive, montazhi filmik dhe televiziv, aktrimi, regjia (në kuptimin praktik-artistik), skenografia, kostumografia, lëvizja skenike etj. Në këto fusha, njohja më e lartë ndërkombëtare nuk fitohet përmes punimit doktoral, por përmes veprave autoriale me peshë, pjesëmarrjes dhe çmimeve në festivale ndërkombëtare relevante, praktikës afatgjatë profesionale, ndikimit në skenën kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare etj. Prandaj, kërkesa për posedim të detyrueshëm të gradës shkencore doktor në fushën përkatëse (neni 162, paragrafët 1–3) është objektivisht e pazbatueshme dhe çon në përjashtimin e artistëve më relevantë dhe më me reputacion nga procesi mësimor.
Në disiplinat artistike, vlerësimi artistik dhe profesional manifestohet përmes veprave autoriale dhe artistike, dhe jo përmes faktorëve të impaktit. Këtu, në plan të parë vendosen kritika artistike, seleksioni dhe prezantimi publik. Prandaj, kriteret për numrin e punimeve shkencore të recensuara, publikimi në revista me bord editorial ndërkombëtar, si dhe projektet kërkimore-shkencore në kuptimin klasik, janë plotësisht të pazbatueshme për fushat artistike dhe krijojnë jofunksionalitet juridik dhe institucional.
Një zgjidhje e tillë normative krijon rrezik dhe hap mundësi për formalizëm dhe zhvlerësim të arsimit artistik, pasi do të vendoset praktikë që kuadri mësimor të zgjidhet sipas përmbushjes formale të kritereve të paarritshme, në vend të cilësisë reale artistike, përvojës dhe reputacionit ndërkombëtar. Kjo do të rrezikojë drejtpërdrejt cilësinë e arsimit të lartë artistik, autonominë e akademive artistike dhe konkurrueshmërinë e institucioneve artistike maqedonase në hapësirën evropiane të arsimit të lartë.
Sa i përket praktikës ndërkombëtare dhe zgjidhjeve krahasuese, mund të vërehet se në shumicën e vendeve evropiane, zgjedhja në tituj mësimor-artistikë bëhet mbi bazën e portofolit të veprave autoriale, projekteve artistike të realizuara dhe të prezantuara publikisht, vlerësimeve kritike pozitive, çmimeve dhe mirënjohjeve, si dhe përvojës pedagogjike dhe mentoruese, dhe jo ekskluzivisht përmes publikimeve shkencore ose titujve doktoralë. Ky përfundim është nxjerrë mbi bazën e hulumtimit dhe analizës së disa modeleve evropiane për zgjedhje në tituj akademikë, si ato në Gjermani, Francë, Itali, Austri, Holandë, Belgjikë, Mbretërinë e Bashkuar, Slloveni, Kroaci dhe Serbi.
Për të gjitha këto arsye, ky Ligj për arsimin e lartë do të ketë sukses shumë më të madh nëse bëhet një ndarje e qartë midis kritereve mësimore-shkencore dhe atyre mësimore-artistike dhe nëse vendoset një regjim i veçantë për veprimtaritë artistike, i bazuar në referenca artistike dhe jo në indekse shkencore. Gjithashtu, funksionaliteti i tij do të jetë në një nivel më të lartë nëse pranohet ekuivalenca e arritjeve kulmore artistike me kualifikimet shkencore, si dhe nëse fakulteteve dhe akademive artistike u mundësohet autonomi më e madhe në përcaktimin e kritereve për zgjedhje. Më e përshtatshme do të ishte që kriteri për titull të detyrueshëm doktor në fushat artistike të zëvendësohet me titullin master, si dhe të ruhet mundësia për zgjedhje në tituj nderi (docent i titulluar) – mundësi që projektligji i ri nuk e parashikon.
Në formën aktuale, një pjesë e dispozitave të propozuara të projektligjit për arsimin e lartë në pjesën e fushave artistike janë strukturalisht të papërshtatshme, metodologjikisht të gabuara dhe praktikisht të pazbatueshme, dhe nëse mbeten të pandryshuara, do të çojnë në pasoja serioze për arsimin e lartë artistik.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
