PËRMBLEDHJE JAVORE: INTENSIFIKOHET DEBATI PËR ARSIMIN E LARTË, MES PRITJEVE DHE DYSHIMEVE
Debati mbi propozim-ligjin për arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut, gjatë kësaj jave ka fituar një intensitet më të madh. Debati, ndërkohë po shfaqet si një proces i ngarkuar me pritshmëri për reformë dhe modernizim, por njëkohësisht edhe me dyshime të thella mbi efektivitetin e ndryshimeve të propozuara. Në qendër të debatit qëndron tensioni mes vizionit institucional për një sistem të bazuar në meritokraci, performancë dhe llogaridhënie, dhe kritikave që e shohin reformën si të pamjaftueshme për të adresuar problemet strukturore të arsimit të lartë, duke e hapur kështu një debat më të gjerë mbi cilësinë, autonominë dhe funksionimin real të universiteteve në vend.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka shfaqur tone optimiste dhe përfshirëse, duke lënë të kuptohet se ekziston një bazë e gjerë mbështetjeje politike dhe profesionale për ligjin. Ajo ka theksuar se komunikimi me të gjithë aktorët do të vazhdojë si në universitete, po ashtu edhe në Kuvend. Në këtë linjë, Janevska e ka paraqur reformën si një kthesë të domosdoshme përtej ndikimeve politike.
Ajo e ka konkretizuar këtë model të ri përmes një diskurse reformash, duke nënvizuar se ligji “ofron meritokraci përmes treguesve për produktivitet kërkimor, internacionalizim dhe bashkëpunim ndërmjet universiteteve, matje të cilësis dhe përfitime për studentët”.
Në këtë linjë është edhe prononcimi më i fundit i kryeministri Hristijan Mickoski, i cili është përpjekur ta depolitizojë debatin duke e ngritur atë në nivelin e interesit shtetëror. Sipas tij, ky nuk është një ligj qeverita, por një çështje shtetërore nga e cila varet e ardhmja e vendit. Ai ka kritikuar gjendjen ekzistuese, ndërkohë që tha theksuar se arsimi i lartë ka pësuar dëme të mëdha, me cilësi të reduktuar”, dhe duke e justifikuar kështu ligjin si një përgjigje ndaj kësaj rënieje.
Në këtë kuadër, krzeministri Mickoski ka theksuar se fokusi është tek të rinjtë që qëndrojnë në shtëpi dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu. Sipas tij, për herë të parë, studentët më të mirë do të kenë përparësi gjatë punësimit në universitetet shtetërore. Ai gjithashtu ka theksuar se po vendoset një model i ri i financimit.
Megjithatë, ky optimizëm institucional sfidohet nga kritika të forta që vënë në dyshim thelbin e reformës. Blendi Hodai nga Forumi për Ndryshime në Arsim ka theksuar se cilësia në arsimin e lartë është në rënie të lirë. “Jemi të vonuar për reformat në arsim”, ka theksuar ai në një debat televiyiv. Edhe pse e përshëndet hapjen e debatit, ai është skeptik për efektin real të ligjit, duke e cilësuar atë si një konstrukt më shumë simbolik sesa transformues. “Janë më shumë iluzione për cilësi sesa zgjidhje ligjore”, ka theksuar ai.
Ai gjithashtu ka shprehur shqetësim për pasojat e mundshme, duke paralajmëruar se “me këtë ligj do të rritet dembelia e një grupi të caktuar”, ndërsa ka kritikuar procesin e hartimit, duke theksuar se “vërejtjet e studentëve nuk janë marrë parasysh”.
Profesori universitar, Bashkim Ziberi, në një debat tevelviziv, ka vënë në pah hendekun mes konsultimeve formale dhe reflektimit real të tyre në tekstin ligjor. “Vërejtjet tona shumë pak janë të vendosura në ligj”, ka theksuar ai. Megjithatë, ai pranon se ndërhyrja është e domosdoshme. “Sigurisht që jemi shumë vonë me këtë ligj”, ka theksuar Ziberi.
Ziberi e ka vënë theksin edhe në dimensionin e autonomisë dhe llogaridhënies, duke sugjeruar se universitetet duhet të jenë më transparente për mënyrën se si i menaxhojnë burimet. “Duhet të ketë llogaridhënie se çka kanë bërë universitetet me mjetet vetanake dhe sa transparent janë”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, studenti , Aleksandar Nikollovski, anëtar i grupit për reforma në arsimin e lartë dhe ish-kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” , ka theksuar se trupi kombëtar studentor që përfaqëson të gjithë studentët në vend ende nuk është i njohur zyrtarisht, sepse nuk është parashikuar në ligj.
Në lidhje me përfaqësimin studentor, ai ka theksuar se “kërkesa jonë ishte dy vjet pa të drejtë rizgjedhjeje”, duke kundërshtuar modelin e propozuar me rizgjedhje. Sipas tij, “nëse mandatet zgjasin katër vjet me rizgjedhje, cenohet demokracia”.
Nikollovski ka kritikuar edhe përdorimin e mesatares kumulative, duke theksuar se “mesatarja kumulative i fsheh dallimet mes cikleve, një kandidat mund të ketë 6 në studimet bachelor dhe 10 në master”. Ai ka ngritur gjithashtu shqetësime për gjendjen infrastrukturore të universiteteve, duke përmendur se “në disa fakultete, ka çati që rrjedhin dhe nuk ka ngrohje të mjaftueshme”.
Ndërkohë, në planin politik dhe strategjik, VLEN ka theksuar nevojën për një qasje më të gjerë reformuese, ku ligji për arsimin e lartë shihet si pjesë e një pakete më të madhe që përfshin edhe ligjin për cilësi dhe atë për kërkim shkencor. Sipas tyre, këto iniciativa synojnë “krijimin e një kornize ligjore moderne dhe funksionale”, me qëllim “rritjen e transparencës dhe forcimin e rolit të kërkimit shkencor”.
Në tërësi, qëndrimet e aktorëve shpërfaqin një përplasje të qartë mes një diskursi politik që e paraqet ligjin si një reformë historike dhe gjithëpërfshirëse dhe një diskurs kritik që e sheh atë si të pamjaftueshëm për të adresuar krizën strukturore të arsimit të lartë. Megjithatë, përtej dallimeve, ekziston një pikë e përbashkët, pranimi i faktit se sistemi aktual ka dështuar në prodhimin e cilësisë dhe se ndërhyrja është e pashmangshme.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
