STUDENTËT DHE TREGU I PUNËS: A PO I PËRGATITIN UNIVERSITETET PËR SFIDAT E PUNËSIMIT?

Për shumë të rinj në Maqedoninë e Veriut, përfundimi i studimeve universitare nuk garanton domosdoshmërisht një kalim të lehtë drejt tregut të punës. Përveç diplomës, punëdhënësit gjithnjë e më shumë kërkojnë aftësi praktike, njohuri digjitale, përvojë pune dhe kompetenca që nuk fitohen vetëm përmes mësimit teorik, tregojnë të rinjtë në Maqedoninë e Veriut.

Ngjashëm, edhe studentja e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), Luisa Residi, vlerëson se universitetet janë pjesërisht të përshtatura me nevojat e tregut të punës, por sfida kryesore, tregon ajo, mbetet përgatitja e studentëve për kërkesat reale të punësimit.

Sipas saj, një pjesë e institucioneve të arsimit të lartë shpesh fokusohen më shumë në numrin e diplomave të dhëna sesa në krijimin e profileve profesionale që mund të integrohen lehtë në ekonomi.

“Mendoj që universitetet sot janë deri diku të përshtatura me nevojat e tregut të punës, për shkak se ata më së shumti janë të koncentruar që të japin sa më shumë diploma, se sa të përgatisin profile të mira që më pas të zënë vende pune”, thotë Residi.

Ajo thekson se në disa raste ekziston një hendek mes asaj që kërkon tregu i punës dhe përgatitjes që marrin studentët gjatë studimeve, gjë që vështirëson punësimin pas diplomimit.

Sipas Residit, universitetet duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi zhvillimit të aftësive që nuk mund të zëvendësohen lehtë nga teknologjia, si mendimi kritik, lidershipi, aftësitë digjitale dhe komunikimi.

“Universitetet duhet të koncentrohen në dhënien e disa aftësive studentore, që teknologjia nuk mund t’i zëvendësojë, siç është arritja e njohurive digjitale, lidershipi, mendimi kritik dhe shumë aftësi tjera të buta, siç është të folurit në publik”, shprehet ajo.

Megjithatë, Residi vlerëson se përgjegjësia nuk qëndron vetëm te universitetet. Sipas saj, edhe studentët duhet të kërkojnë më shumë mundësi për përvojë profesionale gjatë studimeve, pasi mungesa e eksperiencës shpesh paraqet pengesë gjatë hyrjes në tregun e punës.

Ajo propozon që universitetet të investojnë më shumë në laboratorë, kërkime shkencore, programe të shkëmbimit studentor dhe bashkëpunim me institucionet publike dhe sektorin privat, në mënyrë që studentët të fitojnë përvojë praktike që gjatë studimeve.

“Duhet të kontribuohet tek lidhja ndërmjet universiteteve, institucioneve publike dhe bizneseve, ashtu që studentët, teksa studiojnë, të krijojnë edhe përvojën e tyre profesionale”, thotë Residi.

Sipas saj, diploma nuk duhet të shihet si qëllimi përfundimtar i arsimit universitar, por si një pikënisje për zhvillim të mëtejshëm profesional dhe personal.

“Për studentët nuk duhet të jetë diploma si një arritje suksesi përfundimtare, por duhet të jetë një pikënisje ku ata të nxiten edhe më shumë që të mësojnë dhe të vazhdojnë të kontribuojnë”, përfundon Residi.

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

to top