ARSIMI I LARTË NË KOHËN E INTELIGJENCËS ARTIFICIALE: “UNIVERSITETET DUHET TË NDRYSHOJNË RITMIN”

Inteligjenca artificiale, automatizimi dhe transformimi digjital po ndryshojnë me shpejtësi mënyrën se si funksionon tregu i punës, duke krijuar kërkesa të reja për aftësi dhe profesione. Në këtë realitet, ekspertët vlerësojnë se universitetet duhet të përshtatin mënyrën e të mësuarit, në mënyrë që studentët të jenë të përgatitur jo vetëm për vendet e punës që ekzistojnë sot, por edhe për ato që do të krijohen në vitet në vijim.

Asistenti universitar në Fakultetin e Shkencave Bujqësore dhe Bioteknologjisë në Universitetin e Tetovës, Besnik Xhezairi, përmes një video analize për Institutin BIRC shpjegon se një nga sfidat më të mëdha të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut është përgatitja e të rinjve për një treg pune që ndryshon shumë më shpejt sesa programet universitare.

“Universiteti nuk duhet të jetë një institucion që përgatit të rinjtë për tregun e djeshëm të punës, por për realitetin e nesërm. Pikërisht këtu qëndron një nga sfidat më të mëdha të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut”, thotë Xhezairi.

Sipas tij, universitetet nuk duhet ta matin suksesin vetëm me numrin e studentëve të regjistruar apo të diplomuar, por me aftësinë e tyre për t’u punësuar, për t’iu përshtatur ndryshimeve teknologjike dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit.

Edhe raportet e organizatave ndërkombëtare, përfshirë Forumin Ekonomik Botëror (WEF), vlerësojnë se zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjive të reja do të transformojë miliona vende pune gjatë viteve të ardhshme, ndërsa aftësitë digjitale, analitike dhe teknologjike do të jenë ndër më të kërkuarat në tregun global të punës.

Xhezairi paralajmëron se, nëse universitetet nuk arrijnë të ndjekin ritmin e këtyre ndryshimeve, hendeku mes diplomimit dhe punësimit do të vazhdojë të thellohet.

Besnik Xhezairi, asistenti universitar në Fakultetin e Shkencave Bujqësore dhe Bioteknologjisë në Universitetin e Tetovës.

“Nëse universitetet vazhdojnë të ecin me ritmin e së kaluarës, ndërsa tregu i punës me ritmin e revolucionit teknologjik, hendeku midis diplomës dhe punësimit do të zgjerohet edhe më shumë. Kjo nuk është vetëm një sfidë arsimore; është një sfidë zhvillimore për të gjithë shoqërinë”, shprehet ai.

Duke folur për reformat, Xhezairi thotë se universitetet duhet të harmonizojnë programet studimore me nevojat e tregut të punës, të kalojnë nga mësimdhënia kryesisht teorike drejt zhvillimit të kompetencave praktike dhe të forcojnë bashkëpunimin me sektorin privat.

Ai propozon gjithashtu praktikë profesionale të detyrueshme dhe cilësore gjatë studimeve, integrimin e aftësive digjitale dhe inteligjencës artificiale në të gjitha fushat e studimit, zhvillimin e shërbimeve për orientim në karrierë dhe vlerësimin e cilësisë së universiteteve bazuar në punësueshmërinë e të diplomuarve.

“Reforma universitare nuk duhet të kufizohet në ndryshime administrative apo në rishikimin formal të planeve mësimore”, përfundon Xhezairi.

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

 

to top