PËRTEJ DIPLOMËS: SFIDA E PUNËSIMIT DHE PROGRAMET E MOBILITETIT

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
AUTOR: ENIS SHAQIRI
Lidhja ndërmjet arsimit të lartë dhe tregut të punës është një nga çështjet kryesore që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e një vendi. Universitetet nuk kanë vetëm funksion akademik. Ato duhet të krijojnë njohuri dhe kuadro që janë të afta të përshtaten me ndryshimet ekonomike, teknologjike dhe shoqërore.
Në Maqedoninë e Veriut, kjo lidhje vazhdon të jetë e dobët. Megjithëse gjatë viteve janë ndërmarrë reforma të ndryshme në arsim dhe punësim, një pjesë e komunitetit akademik ende konstatonë se ndërhyrjet shpesh kanë qenë të fragmentuara, afatshkurtra dhe pa koherencë të mjaftueshme sistemore. Nga njëra anë, institucionet vazhdimisht deklarojnë nevojën për përmirësimin e arsimit, ndërsa nga ana tjetër sektori i biznesit vazhdon të evidentojë mungesën e kuadrove me aftësitë dhe kualifikimet që kërkon ekonomia.
Ky problem bëhet edhe më i rëndësishëm për shkak të ndryshimit të shpejtë të tregut të punës. Teknologjia, digjitalizimi, automatizimi dhe Inteligjenca Artificiale po ndryshojnë profesionet dhe aftësitë që kërkohen. Universitetet, ndërkohë, janë sisteme më të ngadalta. Një program studimor mund të vazhdojë për vite me të njëjtën strukturë, ndërsa kërkesat e një sektori ekonomik mund të ndryshojnë brenda një periudhe shumë më të shkurtër kohore.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, në vitin 2025, popullsia aktive në Republikën e Maqedonisë së Veriut përbënte 796.399 persona, prej të cilëve 704.617 ishin të punësuar, ndërsa 91.782 persona ishin të papunë. Shkalla e aktivitetit në këtë periudhë ishte 52,5%, shkalla e punësimit 46,4%, ndërsa shkalla e papunësisë ishte 11,5%.
Pavarësisht se shkalla e papunësisë është ulur me më shumë se 16 pikë përqindjeje gjatë dekadës së fundit, ajo vazhdon të jetë ndër më të lartat në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Megjithatë, problemi nuk duhet parë vetëm përmes statistikave të punësimit dhe papunësisë. Ai ka edhe një dimension kulturor, i cili shpesh mbetet jashtë diskutimit për harmonizimin e arsimit me tregun e punës.
Në Maqedoninë e Veriut, koncepti i punës, sidomos te të rinjtë dhe studentët, vazhdon në masë të konsiderueshme të lidhet me domosdoshmërinë ekonomike dhe mbijetesën, dhe më pak me ndërtimin gradual të një karriere. Puna gjatë studimeve ose puna sezonale shpesh perceptohet si diçka që bëhet për shkak të nevojës financiare, e jo si investim në zhvillimin personal dhe profesional. Kjo krijon një dallim të rëndësishëm në raport me kultura të tjera të punës, ku përvoja e hershme profesionale konsiderohet pjesë normale e edukimit.
Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, nuk është e pazakontë që studentë të shkencave politike, ekonomisë apo fushave të tjera akademike të punojnë gjatë verës në restorante, parqe, kampe verore ose sektorë të shërbimeve. Vlera e këtyre përvojave nuk qëndron domosdoshmërisht në lidhjen e drejtpërdrejtë me profesionin e ardhshëm. Përmes tyre zhvillohet komunikimi, përgjegjësia, disiplina, puna ekipore, menaxhimi i kohës dhe, mbi të gjitha, kontakti me njerëz me karaktere dhe prejardhje të ndryshme. Në këtë kuptim, puna bëhet pjesë e procesit të edukimit dhe formimit të individit.
Një qasje e tillë mungon ende në masë të konsiderueshme në Maqedoninë e Veriut. Puna studentore dhe sezonale duhet të largohet nga perceptimi i saj si aktivitet i lidhur vetëm me mbijetesën ekonomike dhe të shihet si mundësi për zhvillimin e kulturës së punës. Universitetet dhe punëdhënësit mund të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim duke promovuar praktikat profesionale, punën me kohë të pjesshme, angazhimet verore dhe format e tjera të përvojës së hershme profesionale si pjesë të zhvillimit të karrierës.
Mobiliteti studentor si dimension i munguar
Një dimension tjetër, veçanërisht i rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, është mobiliteti i studentëve. Në një ekonomi të vogël dhe në një sistem arsimor që përballet me kufizime strukturore, kontakti me universitete, kompani, institucione dhe kultura të tjera nuk duhet konsideruar luks, por pjesë e rëndësishme e zhvillimit të kapitalit njerëzor.
Në periudha të caktuara, programet e mobilitetit, veçanërisht Erasmus+, krijuan interes të madh te studentët. Për shumë të rinj, përveç dimensionit akademik, këto programe përfaqësonin edhe mundësinë e parë reale për të jetuar përkohësisht jashtë vendit, për të njohur vende të tjera dhe për të krijuar kontakte ndërkombëtare. Sot, ky entuziazëm duket se është zbehur dhe se te një pjesë e të rinjve është krijuar një logjikë shumë më binare: ose të largohen nga vendi me synimin për të mos u kthyer, ose të qëndrojnë në vend duke pasur relativisht pak kontakt me sistemet, praktikat dhe mundësitë që ekzistojnë jashtë tij.
Pikërisht ndërmjet këtyre dy alternativave ekziston një hapësirë që duhet zhvilluar shumë më tepër: mobiliteti qarkor. Një i ri nuk duhet domosdoshmërisht të zgjedhë ndërmjet qëndrimit përgjithmonë dhe emigrimit përgjithmonë. Ai mund të studiojë një semestër jashtë vendit, të marrë pjesë në një shkollë verore, trajnim apo praktikë profesionale, të krijojë rrjet ndërkombëtar dhe më pas ta sjellë atë përvojë përsëri në vend.
Programet si Erasmus+, Erasmus Mundus, RYCO, WBF MOVE, CEEPUS, European Solidarity Corps, programet e praktikave dhe shkëmbimeve ndërkombëtare, si dhe iniciativat rajonale të mobilitetit, krijojnë mundësi që studentët të ekspozohen ndaj mënyrave të tjera të të menduarit, studimit dhe punës. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, rëndësia e tyre shkon përtej përfitimit individual të studentit.
Një student që kalon disa muaj në një universitet ose institucion jashtë vendit nuk merr vetëm njohuri akademike. Ai sheh se si funksionojnë institucionet, si organizohet puna, si komunikohet në mjedise multikulturore, si ndërtohen marrëdhëniet profesionale dhe çfarë standardesh kërkohen në tregje më konkurruese. Kur këto përvoja rikthehen në vend, ato mund të krijojnë impulse të reja edhe brenda universiteteve, institucioneve dhe kompanive vendore.
Prandaj, harmonizimi i arsimit me tregun e punës nuk duhet të reduktohet vetëm në pyetjen nëse një universitet prodhon profilin profesional që kërkon një kompani. Çështja është më e gjerë. Ajo lidhet me krijimin e një kulture të punës, me ekspozimin e studentëve ndaj përvojave praktike, me mobilitetin ndërkombëtar dhe me aftësinë e sistemit arsimor për të krijuar individë që mund të përshtaten me një ekonomi që ndryshon vazhdimisht.
Në këtë kuptim, investimi në mobilitetin studentor, praktikat profesionale dhe përvojën e punës gjatë studimeve është njëkohësisht investim në arsim, në tregun e punës dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Për Maqedoninë e Veriut, sfida nuk është vetëm t’i mbajë të rinjtë në vend. Sfida është të krijojë një sistem ku të rinjtë mund të dalin, të mësojnë, të krijojnë kontakte dhe të marrin impulse nga jashtë, por njëkohësisht të kenë arsye dhe mundësi që njohuritë dhe përvojën e fituar t’i rikthejnë dhe t’i përdorin në zhvillimin e vendit.
