MES BOLONJËS DHE REALITETIT, UNIVERSITETI NË KËRKIM TË SË ARDHMES

Më shumë se dy dekada pas përfshirjes së Maqedonisë së Veriut në Procesin e Bolonjës, arsimi i lartë vazhdon të përballet me probleme që prekin mobilitetin e studentëve dhe stafit, autonominë universitare, lidhjen me tregun e punës dhe cilësinë e arsimit. Ekspertët dhe ish-drejtuesit universitarë vlerësojnë se reformat janë zbatuar më shumë në aspektin formal sesa në atë përmbajtësor, ndërsa mungesa e analizave të tregut të punës dhe procedurat burokratike rrezikojnë ta thellojnë edhe më shumë hendekun mes universitetit dhe ekonomisë.

Kur Maqedonia e Veriut iu bashkua Procesit të Bolonjës në vitin 2003, pritjet ishin të mëdha në drejtim të krijimit të një sistemi të arsimit të lartë të përafruar me standardet evropiane, rritjes së mobilitetit të studentëve dhe stafit, fleksibilitetit të studimeve dhe lidhjes më të fortë të universiteteve me nevojat e ekonomisë.

Por, më shumë se dy dekada më vonë, mbetet pyetja se deri në çfarë mase këto objektiva janë realizuar në praktikë.

Aziz Polozhani, i cili në atë kohë, si ministër i Arsimit dhe Shkencës, e nënshkroi Procesin e Bolonjës, thotë se synimi ishte që sistemi i arsimit të lartë të përshtatej me modelet që i përgjigjeshin ekonomisë evropiane.

“Unë e kam nënshkruar Procesin e Bolonjës si ministër. Faktikisht ishte synimi ynë që nëpërmjet tij të përshtatemi në modelet e arsimit të lartë i cili është në përputhje me synimin e ekonomisë evropiane”, shprehet Polozhani.

Procesi i Bolonjës, më shumë formë sesa përmbajtje

Një nga problemet kryesore, sipas bashkëbiseduesve, është se parimet e Bolonjës janë pranuar kryesisht në aspektin formal, ndërsa transformimet e thella të sistemit kanë mbetur të papërfunduara.

Polozhani vlerëson se disa vende nuk ishin të gatshme për ndryshimet e brendshme që kërkonte procesi. Sipas tij, në vend të transformimit të universiteteve, në shumë raste u zgjodh zbatimi mekanik i disa segmenteve të Bolonjës.

Kjo vërejtje mbështetet edhe nga ish-rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Abdylmenaf Bexheti, i cili thekson se Bolonja nuk kishte për qëllim vetëm ndryshime juridike dhe administrative.

“Në disa aspekte, Procesi i Bolonjës është zbatuar, por jo në kuptimin përmbajtësor të tij. Ky proces ka nënkuptuar ndryshime cilësore në arsimin e lartë, jo vetëm aspekte formale juridike”, thotë Beqeti.

Sipas tij, një prej parimeve themelore të Procesit të Bolonjës, mobiliteti i studentëve dhe stafit akademi, nuk është realizuar në masën e parashikuar.

Ideja ishte që studentët të mund të ndjekin lëndë në universitete të tjera, të kalojnë një semestër ose një pjesë të studimeve në një shtet tjetër dhe të kenë mundësi të lëvizin ndërmjet institucioneve universitare me programe të përafërta. Por, sipas Beqetit, ky mobilitet mbetet i kufizuar jo vetëm për studentët, por edhe për stafin akademik.

Autonomia universitare mes lirisë dhe përgjegjësisë

Debati për reformimin e arsimit të lartë prek edhe një prej çështjeve më të ndjeshme, raportin ndërmjet autonomisë universitare dhe përgjegjësisë publike.

Projektligji i ri për arsimin e lartë ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen se si duhet të ndërtohet ky raport. Nga njëra anë kërkohen standarde evropiane, cilësi më e lartë dhe rritje e prodhimit shkencor, ndërsa nga ana tjetër, një pjesë e komunitetit akademik shpreh shqetësimin se reformat mund të ndikojnë në autonominë e universiteteve.

Dilema, në thelb, mbetet se si të gjendet ekuilibri ndërmjet lirisë akademike dhe përgjegjësisë publike.

Autonomia universitare, në këtë kuptim, nuk mund të kuptohet si izolim i universitetit nga shoqëria dhe shteti, por as përgjegjësia publike nuk duhet të shndërrohet në ndërhyrje që cenon pavarësinë akademike.

Nostrifikimi, pengesë për mobilitetin

Një tjetër problem që del në pah është mënyra se si trajtohen diplomat e fituara jashtë vendit.

Çdo vit, një numër i konsiderueshëm të rinjsh kthehen në vend pas përfundimit të studimeve në universitete evropiane. Por, në vend që kthimi i tyre të shoqërohet me integrim të shpejtë në tregun e punës, ata shpesh përballen me procedura të gjata dhe të ndërlikuara administrative për njohjen e diplomave.

Gordan Georgiev, kryetar i FRP-së, e përshkruan këtë përvojë në mënyrë veçanërisht kritike.

“Vetëm nëse e shohim mobilitetin edhe nga aspekti i nostrifikimit të diplomave, tek ne ai trajtohet sikur të ishim ende në vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar”, thotë Georgiev.

Ai tregon edhe përvojën e tij personale, pasi ishte kthyer nga studimet në Francë dhe Angli dhe duhej t’i nostrifikonte diplomat.

“Duhej t’i nostrifikoja diplomat e mia. Kjo ishte një rrugë e vërtetë ferri, sepse shkon nga një zyrë në tjetrën dhe vazhdimisht të kërkohen dokumente të reja dhe procedura shtesë”, shprehet ai.

Këto procedura, përveçse e ngadalësojnë integrimin profesional të personave që kanë studiuar jashtë, mund të shndërrohen edhe në një faktor shtesë që i shtyn ata të largohen përsëri nga vendi.

Universiteti dhe tregu i punës, një hendek që zgjerohet

Një prej sfidave më serioze të sistemit është mospërputhja ndërmjet asaj që prodhojnë universitetet dhe asaj që kërkon ekonomia.

Problemi nuk është vetëm numri i të diplomuarve, por edhe struktura e tyre, aftësitë që fitojnë dhe mundësitë reale për punësim pas përfundimit të studimeve.

Ish-rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zeneli, vlerëson se programet studimore duhet të forcojnë komponentin praktik dhe të krijojnë bashkëpunim më të drejtpërdrejtë me institucionet dhe ndërmarrjet.

“Mendoj se këtu duhet të forcohet jo vetëm aspekti teorik, por kryesisht të ketë më shumë prioritet në disa programe aspekti praktik”, thotë Zeneli.

Sipas tij, në këtë proces duhet të përfshihen edhe vetë studentët. Ata duhet të kenë mundësi të shohin nga afër se si funksionojnë ndërmarrjet dhe cilat janë nevojat e tyre, ndërsa kompanitë duhet të kenë mundësi të vlerësojnë aftësitë dhe kompetencat e studentëve.

Kjo do të mundësonte që në fund të një programi studimor të vlerësohej jo vetëm se çfarë kanë mësuar studentët, por edhe se sa të përgatitur janë për realitetin profesional.

Kur universiteti prodhon më shumë kuadro sesa kërkon tregu

Mungesa e një planifikimi sistematik të nevojave të tregut të punës shfaqet veçanërisht në disa profesione.

Georgiev sjell si shembull stomatologjinë, duke krahasuar situatën në Maqedoninë e Veriut me atë në Slloveni. Sipas tij, ndërsa Sllovenia diplomon rreth 16–17 stomatologë në vit dhe paraprakisht vlerëson nevojat e tregut, në Maqedoninë e Veriut diplomojnë më shumë se 200 në vit.

Sipas tij, nëse konstatohet mungesë e profesionistëve në fusha të caktuara, atëherë duhet të mbështeten dhe stimulohen pikërisht ato programe studimore, në vend që të prodhohen vazhdimisht kuadro në fusha ku nuk ka vende të mjaftueshme pune.

Reformat evropiane kërkojnë meritokraci

Në procesin e integrimit evropian, ndryshimi nuk mund të kufizohet vetëm në miratimin e ligjeve dhe dokumenteve të reja.

Polozhani vë në dukje se vlerat evropiane duhet të zbatohen në praktikë dhe se vendi duhet të ndryshojë mekanizmat përmes të cilëve njohuria dhe kapacitetet profesionale shndërrohen në rezultate konkrete.

Në këtë proces, ai e vendos meritokracinë dhe depolitizimin në qendër.

“Meritokracia, krijimi i njerëzve të ditur dhe dijenia si kriter për të marrë pozitat e merituara është një nga parakushtet e përgatitjes”, thotë Polozhani.

Sipas tij, vendi ka kapacitete, por duhet të ndryshojë mënyrën se si ato kapacitete përdoren dhe si njohuria zbatohet në praktikë.

Në të njëjtën kohë, Bexeti paralajmëron për mungesën e kapaciteteve dhe për standardet jo të njëjta brenda vetë sistemit arsimor. Sipas tij, kriteret për përzgjedhjen e stafit akademik janë devalvuar dhe mungojnë standarde objektive që do të garantonin një nivel të krahasueshëm të kompetencave në të gjitha universitetet.

Kjo, sipas tij, krijon dallime edhe brenda vendit: një i diplomuar në Tetovë duhet të ketë njohuri dhe kompetenca të krahasueshme me një të diplomuar në Shkup apo Shtip.

Maqedonia e Veriut nuk ka mungesë të talenteve, universiteteve, profesorëve dhe studentëve. Problemi kryesor është nëse sistemi është në gjendje t’i mbajë dhe t’u krijojë atyre hapësirë për zhvillim.

Më shumë se dy dekada pas fillimit të Procesit të Bolonjës, debati nuk është më vetëm për përafrimin formal me Evropën, por ndërlidhet me çështjen nëse universitetet do të arrijnë të bëhen institucione që krijojnë dije, aftësi dhe mundësi reale për të rinjtë.

 

Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.

Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.

to top