UNIVERSITETI PËRTEJ DIPLOMËS, DREJT INOVACIONIT DHE DIGJITALIZIMIT
Universitetet nuk duhet të shihen vetëm si hapësira të ligjërimit, amfiteatrove dhe mësimdhënies, por edhe si qendra të kreativitetit, inovacionit dhe shpikjeve, të cilat bashkëpunojnë ngushtë me industrinë dhe në këtë mënyrë kontribuojnë në rritjen ekonomike. Kështu vlerëson Ali Pajaziti, profesor dhe sociolog, duke folur për rolin dhe transformimin e universiteteve në të ardhmen.
Sipas tij, universiteti bashkëkohor duhet të tejkalojë modelin tradicional të institucionit ku studentët ndjekin ligjëratat dhe në fund marrin një diplomë. Universitetet, në këtë kuptim, duhet të shndërrohen në qendra të dijes, kreativitetit dhe inovacionit, me lidhje më të drejtpërdrejta me ekonominë dhe industrinë.
Duke folur për raportin mes autonomisë universitare dhe kontrollit shtetëror, Pajaziti thekson nevojën për të gjetur një ekuilibër ndërmjet lirisë akademike dhe mekanizmave institucionalë të kontrollit. Sipas tij, një autonomi e pakufizuar mund të krijojë hapësirë për probleme serioze brenda institucioneve akademike.
“Nëse universitetet lihen në liri absolute, mund të shkohet deri në anarki”, shprehet Pajaziti, duke paralajmëruar për rrezikun e përhapjes së korrupsionit dhe nepotizmit, si dhe për rënien e cilësisë së mësimdhënies.
Pikërisht për këtë arsye, ai e sheh të nevojshëm ekzistimin e mekanizmave shtetërorë të akreditimit, të cilët duhet të garantojnë standardet dhe cilësinë, pa ndërhyrë drejtpërdrejt në përmbajtjen akademike dhe në autonominë e universiteteve.
Në këtë raport mes kontrollit dhe autonomisë, Pajaziti veçon tri elemente themelore të universitetit, autonominë akademike, mendimin e lirë dhe fjalën e lirë.
Sipas tij, kontrolli institucional nuk duhet të shndërrohet në ndërhyrje politike apo administrative në jetën akademike. Përkundrazi, mekanizmat e akreditimit duhet të shërbejnë për garantimin e standardeve, ndërsa universiteti duhet të ruajë hapësirën e nevojshme për mendimin kritik dhe lirinë akademike.
Transformimi më i madh, sipas Pajazitit, pritet të ndodhë në mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të procesit mësimor. Duke iu referuar edhe shkrimeve të Yuval Noah Hararit për të ardhmen e arsimit dhe teknologjisë, ai vlerëson se universiteti i vitit 2035 nuk do të jetë më universiteti klasik.
“Universiteti i së ardhmes nuk do të jetë universiteti klasik me ligjërata ballë për ballë”, thekson Pajaziti, duke paralajmëruar një transformim të thellë digjital të arsimit të lartë.
Sipas tij, gjithçka do të jetë gjithnjë e më e digjitalizuar, ndërsa kjo do të ndryshojë edhe mënyrën se si vlerësohet performanca e studentëve.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
