UNIVERSITETI DHE REFORMAT, NË KËRKIM TË NJË MODELI TË RI
Çdo vit, mijëra të rinj diplomohen në universitetet e Maqedonisë së Veriut. Për shumë prej tyre, diploma është fillimi i një jete të re, ndërsa për të tjerë shndërrohet në një biletë për largim.
Në Bashkimin Evropian, universitetet konsiderohen motorë të zhvillimit ekonomik. Përveç përgatitjes së kuadrove, ato prodhojnë kërkim shkencor, inovacion, sipërmarrje dhe zgjidhje për industrinë. Për këtë arsye, lidhja ndërmjet universiteteve dhe ekonomisë është gjithnjë e më e rëndësishme, ndërsa suksesi i një universiteti nuk mund të matet vetëm me numrin e studentëve që diplomojnë.
Universiteti si faktor i zhvillimit ekonomik
Profesori universitar Sefer Tahiri vlerëson se universitetet kanë jo vetëm rol arsimor, por edhe përgjegjësi të drejtpërdrejtë ndaj zhvillimit ekonomik.
“Sigurisht që universitetet ndikojnë në rritjen ekonomike, për shkak se ato janë të detyruara, e kanë mision, e kanë detyrim shoqëror, por edhe e kanë detyrë parësore që të krijojnë kuadro të cilët do të jenë të gatshëm të kontribuojnë në tregun e punës dhe, me këtë, të zhvillojnë ekonominë, të zhvillojnë produktivitetin industrial dhe, në përgjithësi, të sjellin modele të reja të zhvillimit të biznesit”, thotë Tahiri.
Edhe Dimitar Nikollovski nga “Eurothink” e sheh rolin e universiteteve përtej përgatitjes tradicionale të kuadrove. Sipas tij, universitetet teknike ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik përmes teknologjisë dhe inovacionit, ndërsa universitetet dhe fakultetet e shkencave shoqërore kanë rëndësi të veçantë për krijimin e një klime ku zhvillohet mendimi kritik.
Në të njëjtën linjë është edhe gazetarja hulumtuese Katerina Topallova, e cila thekson se universitetet duhet të krijojnë profesionistë dhe inovacione që janë konkurruese në treg.
“Universitetet nuk krijojnë vetëm kuadro. Ato krijojnë njerëz dhe inovacione që duhet të jenë konkurruese në treg. Sa më e ngushtë të jetë lidhja ndërmjet universiteteve dhe ekonomisë, aq më të mira do të jenë rezultatet”, shprehet Topallova.
Por kjo lidhje ende mbetet e kufizuar. Problemi nuk qëndron vetëm te numri i të diplomuarve, por edhe te aftësitë që ata fitojnë dhe mundësia që këto aftësi të përdoren në ekonominë reale. Sipas Irina Janevskës nga ARNO, hulumtimet e realizuara tregojnë një mospërputhje ndërmjet arsimit universitar dhe asaj që kërkohet realisht në tregun e punës.
Universiteti mes autonomisë dhe përgjegjësisë
Një nga debatet më të ndjeshme lidhet me autonominë universitare. Ajo konsiderohet një nga themelet e universitetit modern, sepse garanton lirinë akademike, lirinë e kërkimit shkencor dhe të drejtën për zhvillimin e mendimit kritik pa presion politik. Por autonomia, sipas bashkëbiseduesve, nuk duhet të nënkuptojë mungesë të çdo forme përgjegjësie dhe kontrolli të cilësisë.
Profesori Sefer Tahiri mbështet fuqishëm autonominë universitare, duke theksuar se pavarësia e sferës akademike është ndërtuar me shekuj. Megjithatë, ai argumenton se në kushtet e Maqedonisë së Veriut duhet të ekzistojë edhe një mekanizëm mbikëqyrjeje për universitetet publike.
“Patjetër, autonomi universitare, për shkak se koncepti i pavarësisë së sferës akademike është i ndërtuar me shekuj në botën e civilizuar”, thotë Tahiri, duke shtuar se shteti nuk duhet të tërhiqet plotësisht nga mbikëqyrja e universiteteve publike.
Profesori Ali Pajaziti e vendos theksin te nevoja për një ekuilibër ndërmjet autonomisë dhe kontrollit të cilësisë. Sipas tij, liria absolute mund të krijojë hapësirë për anarki, korrupsion, nepotizëm dhe rënie të cilësisë së mësimdhënies. Për këtë arsye, mekanizmat e akreditimit duhet të sigurojnë kontrollin e cilësisë pa ndërhyrë në autonominë akademike.
“Autonomia akademike, mendimi i lirë dhe fjala e lirë janë fjalët kyçe të universitetit”, vlerëson Pajaziti.
Nga ana tjetër, Dimitar Nikollovski e sheh autonominë si parakusht për zhvillimin e mendimit kritik dhe të demokracisë. Sipas tij, kontrolli shtetëror mbi universitetet do të mund të sillte mbyllje dhe stagnim.
Shkenca mes cilësisë dhe garës për numra
Një tjetër dimension i reformave lidhet me mënyrën se si matet cilësia e kërkimit shkencor. Publikimet në revista të indeksuara në “Scopus” dhe “Web of Science” janë vendosur në qendër të debatit si mekanizma për ngritjen e standardeve akademike. Për mbështetësit e reformës, këto kritere mund ta rrisin cilësinë dhe konkurrueshmërinë e kërkimit shkencor, ndërsa kritikët paralajmërojnë se shkenca nuk duhet të reduktohet në një garë numrash.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, e konsideron publikimin në revista me impakt ndërkombëtar një mekanizëm të rëndësishëm për rritjen e cilësisë. Sipas tij, kriteret e reja synojnë të rrisin standardet për profesorët që avancojnë në titujt akademikë.
Por Katerina Topallova thekson se “Scopus” dhe “Web of Science” nuk duhet të jenë kriteri i vetëm.
“Ato janë të rëndësishme, por në asnjë rast nuk duhet të jenë kriteri i vetëm, sepse mendoj se shkenca nuk duhet të matet vetëm me numrin e punimeve të publikuara. Shkenca është shumë më tepër çështje cilësie sesa thjesht numrash”, thotë ajo.
Në këtë debat, Dimitar Nikollovski vë në dukje edhe pabarazinë e burimeve. Sipas tij, kriteret ndërkombëtare mund të favorizojnë studiuesit dhe shtetet që kanë më shumë resurse për kërkim, publikim dhe promovim të rezultateve shkencore.
“Mendoj se ato kanë vlerë, por shumë shpesh priren të favorizojnë shtetet më të zhvilluara ekonomikisht, përkatësisht studiuesit që kanë qasje në shumë më tepër burime”, thotë Nikollovski.
Një problem tjetër është dallimi ndërmjet disiplinave. Në shkencat natyrore rezultatet mund të publikohen dhe citohen relativisht shpejt, ndërsa në shkencat shoqërore ndikimi i një studimi shpesh mund të vlerësohet vetëm pas shumë vitesh. Për këtë arsye, ekspertët argumentojnë se i njëjti sistem i matjes nuk mund të zbatohet në mënyrë identike për të gjitha fushat shkencore.
Burokracia kundër universitetit fleksibil
Përveç standardeve akademike, një tjetër pengesë e rëndësishme është burokracia. Ndërsa teknologjia dhe tregu i punës ndryshojnë me shpejtësi, ndryshimi i një programi studimor mund të zgjasë me vite.
Marjan Bojaxhiev nga IOHN-S e konsideron këtë një nga problemet kryesore të sistemit. Sipas tij, universitetet shpesh nuk arrijnë të reagojnë në kohë ndaj ndryshimeve teknologjike, përfshirë nevojën për programe të reja që lidhen me inteligjencën artificiale.
Ai kritikon procedurat e komplikuara të akreditimit dhe elaboratet e gjata që, sipas tij, e bëjnë të vështirë ndryshimin edhe të një lënde të vetme për një periudhë të gjatë. Për këtë arsye, kërkon reduktimin e burokracisë dhe përshtatjen më të shpejtë të universiteteve me trendet globale.
Pikërisht këtu lidhet edhe reforma e re e arsimit të lartë. Sipas propozuesve, synimi është krijimi i një sistemi më fleksibil, më cilësor dhe më të harmonizuar me standardet evropiane. Në vitin 2026, Qeveria propozoi ndryshime të rëndësishme që përfshijnë kritere të reja për avancimin akademik, ndryshime në financim, forcimin e kërkimit shkencor, bashkëpunimin me ekonominë dhe reformimin e sistemit të akreditimit.
Universiteti dhe sfida e ikjes së trurit
Në sfondin e të gjitha këtyre problemeve qëndron një nga sfidat më të mëdha të vendit, largimi i të rinjve dhe i kuadrove të kualifikuara.
Çdo vit, mijëra të rinj largohen për të studiuar jashtë vendit. Për disa, kjo është një përvojë e përkohshme dhe një mundësi për të fituar njohuri ndërkombëtare. Për shumë të tjerë, studimet jashtë vendit bëhen fillimi i një jete dhe karriere të re jashtë Maqedonisë së Veriut.
Përvoja ndërkombëtare, sipas bashkëbiseduesve, u ofron studentëve jo vetëm njohuri, por edhe një kulturë tjetër akademike, mundësi praktike, kontakt me profesorë dhe studentë nga vende të ndryshme dhe një mënyrë tjetër të menduari.
Dimitar Nikollovski tregon se studimet jashtë vendit i dhanë mundësinë të fitojë një perspektivë më të gjerë dhe përvojë ndërkombëtare, ndërsa Katica Janeva kujton se studimet e saj jashtë vendit në vitin 2009 i ofruan programe dhe metoda që në atë kohë nuk ekzistonin në të njëjtën formë në vend.
Por problemi lind kur përvoja e fituar jashtë nuk kthehet në vend. Ikja e trurit nuk përfaqëson vetëm humbjen e një individi, por edhe humbjen e investimit që shoqëria ka bërë në arsimimin e tij.
Matea Kargovska nga “Eurothink” e lidh këtë fenomen me korrupsionin, partizimin dhe mungesën e meritokracisë.
“Absolutisht. I ka humbur, po i humb dhe do të vazhdojë t’i humbasë, sepse e gjithë shoqëria është tepër e ngarkuar me korrupsion dhe partizim”, thotë Kargovska.
Edhe Irina Janevska thekson se largimi nuk prek vetëm të rinjtë me diploma universitare. Sipas saj, nga vendi po largohen edhe njerëzit që kanë aftësi profesionale të kërkuara në treg.
Kjo e bën problemin e universiteteve pjesë të një problemi shumë më të gjerë: aftësia e shtetit për të krijuar një mjedis ku arsimi, puna dhe perspektiva profesionale lidhen me njëra-tjetrën.
Universiteti i së ardhmes, më shumë aftësi, më shumë inovacion
Transformimi teknologjik po ndryshon mënyrën se si mësojmë, punojmë dhe krijojmë dije. Inteligjenca artificiale, automatizimi dhe teknologjitë e reja po ndryshojnë kërkesat e tregut të punës, duke i detyruar universitetet të përshtaten më shpejt.
Driton Sulejmani pranon se në këtë drejtim vendi ka mbetur prapa dhe se duhet të përshpejtojë hapat për t’i ndjekur ndryshimet që tashmë po ndodhin në universitetet në mbarë botën.
Për Sefer Tahirin, universiteti i së ardhmes duhet të jetë më i lidhur me tregun e punës dhe më i digjitalizuar, por mbi të gjitha duhet të prodhojë njerëz që dinë të zbatojnë njohuritë, jo vetëm t’i memorizojnë ato.
“S’mendoj që duhet të jetë një universitet i cili i përshtatet kryesisht tregut të punës, një universitet i digjitalizuar, një universitet i cili prodhon kuadro që nuk do të memorizojnë thjesht mësimet apo ligjëratat, por do të jenë të aftë të praktikojnë, pra të zbatojnë aftësitë e tyre në jetën profesionale, në punë, në ekonomi, në biznes dhe në fusha të tjera”, vlerëson Tahiri.
Për Irina Janevskën, universiteti i vitit 2035 duhet të vendosë studentin në qendër dhe të krijojë hapësira për prototipe, mentorim dhe kërkim shkencor. Universiteti, sipas saj, duhet të shndërrohet në motor të ekonomisë dhe burim të kuadrove të kualifikuara.
Në këtë model, fakultetet duhet të hapen më shumë ndaj sektorit civil, kërkimit shkencor dhe sipërmarrjes. Hapësirat për zhvillimin e prototipeve, “makerspaces”, hakatonet dhe puna me mentorë mund t’u japin studentëve mundësinë të krijojnë zgjidhje reale që më pas mund të shndërrohen në iniciativa dhe biznese.
Transparencë dhe demokraci universitare
Universiteti i së ardhmes nuk lidhet vetëm me teknologjinë dhe tregun e punës, por kërkon edhe më shumë transparencë dhe demokraci të brendshme.
Universitetet publike duhet të jenë institucione të hapura ndaj shoqërisë dhe të japin llogari për mënyrën se si funksionojnë, si bashkëpunojnë me sektorin privat dhe si përdoren burimet e tyre. Goran Lefkov nga SCOOP-Maqedonia thekson rëndësinë e transparencës aktive dhe nevojën që universitetet të publikojnë më shumë informacione dhe të jenë më të pranishme në platformat digjitale.
Një universitet demokratik kërkon edhe pjesëmarrjen e studentëve. Sipas Lefkovit, studentët duhet të jenë pjesë e organeve dhe mekanizmave vendimmarrës, së bashku me profesorët dhe përfaqësuesit e sektorit të biznesit.
Edhe Janevska thekson se studentët nuk duhet të jenë vetëm përfitues pasivë të dijes. Ata duhet të vetorganizohen, të përfaqësojnë interesat e tyre dhe të kërkojnë arsim më cilësor.
Reforma e arsimit të lartë nuk është vetëm debat për ligjet. Ajo është debat për modelin e zhvillimit të shtetit, për ekonominë, shkencën dhe mundësitë e brezave të rinj.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
