UNIVERSITETI I SË ARDHMES, MË SHUMË AFTËSI DHE MË PAK MEMORIZIM
Universitetet duhet të kenë një rol të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, duke përgatitur kuadro të afta për tregun e punës dhe jo vetëm studentë që përfundojnë studimet me një diplomë, vlerëson profesori universitar Sefer Tahiri. Sipas tij, Maqedonia e Veriut prej kohësh po përballet me largimin e të rinjve, ndërsa universiteti i së ardhmes duhet të jetë më i digjitalizuar dhe më i orientuar drejt aftësive praktike.
Sipas Tahirit, universitetet nuk mund të shihen vetëm si institucione që ofrojnë arsimim formal dhe diploma. Misioni i tyre lidhet drejtpërdrejt me nevojat e shoqërisë dhe të ekonomisë, veçanërisht përmes përgatitjes së kuadrove që mund të kontribuojnë në tregun e punës.
“Sigurisht që universitetet ndikojnë në rritjen ekonomike”, thotë Tahiri, duke theksuar se ky ndikim buron nga vetë misioni shoqëror i universiteteve.
Sipas tij, universitetet kanë detyrë parësore që të krijojnë kuadro të cilët do të jenë të gatshëm të kontribuojnë në tregun e punës. Kjo, sipas tij, nuk ndikon vetëm në punësimin e të diplomuarve, por edhe në produktivitetin dhe zhvillimin ekonomik.
Një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet vendi është largimi i të rinjve, veçanërisht i atyre që kanë potencial profesional dhe akademik. Tahiri vlerëson se kjo nuk është një dukuri e re.
“Maqedonia e Veriut moti kohë i humb të rinjtë”, thotë ai, duke e lidhur këtë fenomen me migrimin e trurit jashtë vendit.
Sipas tij, largimi i të rinjve ndodh kryesisht për arsye ekonomike. Kjo nënkupton se çështja e migrimit nuk mund të trajtohet vetëm si një problem demografik, por edhe si një problem i zhvillimit ekonomik dhe i funksionimit të tregut të punës.
Për Tahirin, çështja e autonomisë universitare nuk duhet të shihet si një privilegj institucional, por si një parim themelor i funksionimit të sferës akademike.
Në pyetjen nëse duhet të ketë autonomi universitare apo kontroll shtetëror, përgjigjja e tij është e prerë: “Patjetër, autonomi universitare.”
Ai e ndërlidh këtë qëndrim me traditën historike të institucioneve akademike dhe me nevojën që universiteti të ruajë pavarësinë e tij.
“Koncepti i pavarësisë së sferës akademike është i ndërtuar me shekuj në botën e civilizuar”, thekson Tahiri.
Në lidhje me universitetin e së ardhmes, Tahiri e vendos theksin te përshtatja me tregun e punës dhe te digjitalizimi.
Sipas tij, universiteti i së ardhmes duhet të jetë një universitet i cili i përshtatet kryesisht tregut të punës dhe njëkohësisht një universitet i digjitalizuar.
Por ndryshimi më i rëndësishëm, sipas tij, duhet të ndodhë në mënyrën se si përgatiten studentët. Universiteti nuk duhet të prodhojë diplomantë që vetëm kanë memorizuar materiale dhe ligjërata, por profesionistë që dinë ta zbatojnë atë që kanë mësuar.
“Një universitet i cili prodhon kuadro që nuk do të memorizojnë thjesht mësimet apo ligjëratat, por do të jenë të aftë të praktikojnë, pra të zbatojnë aftësitë e tyre në jetën profesionale”, shprehet Tahiri.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
