ALI PAJAZITI: MUNGESA E INVESTIMEVE NË SHKENCË PENGON ZHVILLIMIN TEKNOLOGJIK DHE INOVACIONIN

Mungesa e investimeve në arsim dhe zhvillim shkencor ndikon negativisht në përparimin e përgjithshëm shoqëror, veçanërisht në epokën e dijes dhe inovacionit, tha eksperti Ali Pajaziti, i cili njëherësh është edhe profesor në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) në Tetovë.
“Shtetet që kryesojnë në këtë fushë, si Izraeli, Koreja e Jugut, SHBA, Suedia dhe Zvicra, investojnë përqindje të konsiderueshme të GDP-së në kërkim dhe zhvillim. Izraeli, i njohur si ‘Startup Nation’, shpenzoi 5.56% të GDP-së në këtë sektor në vitin 2021, ndërsa Koreja e Jugut, një lidere në teknologjinë 5G, investoi 4.93%,” theksoi Pajaziti.
Në kontrast, vendet me investime të ulëta në kërkim dhe zhvillim përballen me inovacion të kufizuar, progres të ngadaltë teknologjik dhe humbje të talenteve. “Shkencëtarët dhe studiuesit që nuk gjejnë mbështetje të mjaftueshme ekonomike, e shndërrojnë universitetin në një hapësirë thjesht akademike, pa performancë të mirëfilltë kërkimore,” shtoi ai, duke theksuar rrezikun e “fake science” – prodhimit të dijes formale, por jo inovative.
Sipas tij, investimet e pamjaftueshme në shkencë dhe teknologji ngadalësojnë përmirësimin e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë, duke penguar gjetjen e zgjidhjeve për sfidat moderne në sektorë si shëndetësia, arsimi, energjia dhe mjedisi.
Në procesin e negociatave për anëtarësim në BE është edhe Klasteri 3, i cili përmban kapituj që kanë të bëjnë me reformat e nevojshme për harmonizimin e sistemit tonë arsimor me atë evropian. Çfarë mund të bëni ju në këtë drejtim?
Ali Pajaziti: Me ekspertizën në sferën e etikës mund të kontribuoj në afirmimin e një kodi për Kërkimin Shkencor që lidhet me parimet e integritetit në kërkimin shkencor, dinjitetin e profesionit, me zhvillimin dhe përmirësimin e vlerave morale dhe etike, mbrojtjen e vlerave të dijes e të ngjashme. Në aspektin sociologjik mund të ndihmoj në afirmimin e binomit “shkenca-shoqëria”, në krijimin e profilit të intelektualit publik, mund të (ri)marr pjesë në projekte të përbashkëta hulumtuese. Një aspekt tjetër ku mund të ndihmojmë është edhe promovimi i diversitetit kulturor, avancimi i shprehjes kulturore dhe artistike të çdo entiteti në RMV, nga të mëdhenjtë deri te minorët. Në këtë drejtim studimet tona lidhur me multikulturalizmin e kontekstit të RMV pas-ohridase (2001) janë sfond për integrimin e kulturës në zhvillimin e qëndrueshëm shoqëror.
Si duhet bindur opinioni publik dhe autoritetet për nevojën e metodologjisë ndër-sektoriale të qasjes, me fokus të veçantë te vlerat themelore, si e drejta për të studiuar, e drejta për të punuar dhe e drejta për administratë të mire pune?
Ali Pajaziti: Metodologjia ndërsektoriale si qasje bashkëpunuese mes aktorëve dhe hisedarëvë të ndryshëm për një kauzë apo për të adresuar një çështje të caktuar është e domosdoshme për funksionimin e shëndetshëm të shoqërisë. Opinioni publik dhe qeveritarët duhet bindur se qasja parcialiste është inefektive, se sektorë si arsimi, punësimi dhe qeverisja e mirë janë të ndërvarura mes vete dhe se sfidat e njërit prekin edhe tjetrin. S’ka shoqëri të shëndoshë dhe stabile (siç është parë edhe në rastin e Maqedonisë së dikurshme) nëse një pjese të popullatës i mohohet e drejta për të studiuar, nëse diskriminohet në punë(sim) dhe nëse kemi administratë jonfunksionale. Duhet të bindet komuniteti se qasje duhet të jetë “performance-based” jo etnike, religjioze, rajonale etj. Pa drejtësi sociale s’ka përparim ekonomik, mirëqenie, zhvillim të qëndrueshëm. Qasja funksionaliste që shoqërinë e sheh si një organizëm është shumë me peshë në këtë drejtim. Administrata e ngathët iu shkakton probleme të gjithëve, qeverisë, qytetarit, biznesit, OJF-vë, andaj të gjithë duhet të aktivizohen në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme, të shkathët dhe të drejtë.
A po zbatohet siç duhet Procesi i Bolonjës dhe sa e ofron vlerën e tij themelore – mobilitetin?
Ali Pajaziti: Maqedonia e Veriut nga viti 2003 është pjesë e procesit të Bolonjës, gjegjësisht e filozofisë së Bolonjës, si një qasje e re. Sipas Raportit të KE-së të vitit 2024, në RMV sfidë kryesore mbetet përmirësimi i cilësisë së arsimit të lartë përmes zhvillimit të proceseve të akreditimit dhe sigurimit të cilësisë. Duhet të miratohet një model i ri për financimin e arsimit të lartë. Sipas Bankës Botërore (2017) kompanitë në Maqedoninë e Veriut raportojnë vështirësi në gjetjen e punonjësve me aftësi teknike dhe aftësi më të gjerë kognitive, sociale dhe emocionale. 1/3 e të diplomuarve ka një kualifikim që nuk përshtatet mirë me kërkesat e punës së tyre, ndërsa 1/3 tjetër e të diplomuarve janë tepër të arsimuar për punën që bëjnë (ETF, 2017). Te ne procesi i Bolonjës më tepër është reduktuar në formë sesa në esencë. Një problem tjetër janë kreditë; studentët me 180 kredi, për shkak të prob;lemeve në punësim, janë të detyruar që të vazhdojnë masterin.
Në periudhën 2014-2020 në kuadër të projekteve të ndryshme 3.291 studentë (në studime dhe traineeship) dhe 893 profesorë kanë realizuar lëvizshmërinë akademike mes Maqedonisë së Veriut dhe shteteve anëtare të BE-së dhe shteteve kandidate, kurse 107 mësimdhënës (training, teaching) në vendet joanëtare. Mundësitë janë shumë të mëdha, por nga universitetet shqiptare shfrytëzimi i fondeve për mobilitet është i pakënaqshëm. Ka raste kur mobliteti më tepër shihet si aventurë, turizëm sesa si eksperiencë dhe shans për avancim akademik dhe profesional.
Si duhet ngritur vetëdija e publikut profesional dhe më gjerë për rëndësinë e Procesit të Bolonjës?
Ali Pajaziti: Duhet të ketë fushatat edukative; institucionet qeveritare, universitetet dhe organizatat profesionale përmes seminareve, punëtorive dhe burimeve online duhet t ta shpjegojnë Procesin e Bolonjës, objektivat e tij dhe përfitimet për shoqërinë më të gjerëjo vetëm për popullatën akademike (mësimdhënësit dhe studentët). Ata duhet të ngulmojnë në avantazhet afatgjata për studentët, edukatorët dhe ekonominë, duhet të tregohet rëndësia e nxitjes së hulumtimit dhe inovacionit, mobilitetit të studentëve, standardizimit të strukturave akademike, të arsimit të bazuar në kompetenca (e jo në teori të thatë dhe banale), njhohjen ndërkombëtare të kualifikimeve, rritjes së transparencës dhe përgjegjësisë dhe të mësimit të bazuar te studenti (student-centred learning). Në këtë drejtim mund të ndihmojnë edhe stafi dhe studentët përfshirë në mobilitet që janë storje suksesi, figura publike etj.
Pse në rajon ende kemi barriera administrative kur bëhet fjalë për njohjen e diplomave? Çfarë duhet bërë për t’i eliminuar ato?
Ali Pajaziti: Shtetet duhet të kuptojnë rolin e kapitalit njerëzor në ekonominë moderne si një nga faktorët kyç për rritjen shumëpërmasore të shoqërisë. Si shkaqe mund të jenë mungesa e procedurave të standardizuara, burokratizimi Balkan style, proceset e ngadalshme dhe dhe komplekse administrative, dallimet në programet mësimore, sistemet e ndryshme të vlerësimit… problemet politike si mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë drejtim mund të ndihmojë harmonizimi i strukturave akademike, fuqizimi i bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, ndjekja e kërkesave si ato të BE-së për njohje të ndërsjellë nëpërmjet harmonizimit dhe logjikës së utilization of skills. Vetë procesi i Bolonjës, përmes European Higher Education Area – EHEA ka për qëllim të lehtësojë lëvizjen e studentëve dhe stafit, të bëjë arsimin e lartë më të përfshirë dhe të aksesueshëm, dhe të bëjë arsimin e lartë në Evropë më tërheqës dhe konkurrues në shkallë globale, të sjellë më tepër koherencë në sistemet e arsimit të lartë gjithandej Europës.
Ne kemi rreth një mijë qytetarë që aktivisht kërkojnë punë, por në anën tjetër ka mungesë të kuadrit për mbi 10 mijë vende të lira pune. A po i përgjigjet sistemi ynë arsimor nevojave të tregut të punës?
Ali Pajaziti: Këto shifra tregojnë një diskprepancë mes orientimit profesional dhe tregut të punës, tregojnë se sistemi arsimor nuk është duke i pajisur individët me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për t’i përmbushur kërkesat e tregut të punës, se ka një hendek të madh midis trajnimeve dhe kualifikimeve që ofron sistemi arsimor dhe nevojat reale të punëdhënësve në sektorë të ndryshëm. Një sistem që ka lanë anash shkollat e zanateve dhe zejeve, ato tregtare, arsimin profesional ose aftësitë teknike të nevojshme për të kryer detyra të veçanta në lëmi të ndryshme natyrisht se do të përballet me një dukuri të tillë. Te ne mbizotëron ideja se mbizotëron ideja se nxënësit e mirë shkojnë në gjimnaz kurse të dobëtit në shkolla profesionale, ku nuk ka para, nuk ka karrierë, ndërsa sot trendet flasin ndryshe. Punëtorët që zotërojnë zanate paguhen thuajse sa akademikët, madje edhe më shumë; janë të kërkuar edhe në vendet perëndimore. Sot me gjimnaz je i gatshëm për çdo drejtim, por je edhe në një mjegullnajë të madhe lidhur me profesionin e së ardhmes. Jo të gjithë duhet të mendojmë brenda kornizës “juridik, ekonomik, mjekësi”. Ka të rinjë që humbin talentin e bashkëlindur duke mësuar diçka që nuk iu shkon. Detektimi i talenteve duhet të jetë agjendë nr. 1 e mësimdhënësve, kuptohet në bashkëpunim me prindërit.
Vendi ndan më pak se 1% të GDP-së për shkencë dhe zhvillim inovativ. Si reflekton kjo në zhvillimin e përgjithshëm?
Ali Pajaziti: Normalisht se ndikon negativisht duke pasur parasysh se jetojmë në shoqërinë e dijes dhe të shkencës, kur avancimi në shkencë është shtylla kryesore e zhvillimit të përgjithshëm shoqëror. Shtetet që prijnë në në këtë drejtim janë Izraeli që më 2021 ka investuar në arsim dhe zhvillim 5.56 % të GDP-së (e mbiquajtur Startup Nation), KOrea Jugore (4.93 %), e njohur me 5G teknologjinë, SHBA dhe Suedia 3.46 %, Zvicra 3.36 %, Mbretëria e Bashkuar 2.91 %, Slovenia 2.13%, të cilat kur i krahasojmë me vendin tonë e vërejmë se pse jemi aty ku jemi. Refleksion i kësaj shifre të vogël janë inovacionet e kufizuara në numër dhe avancimin teknologjik i mangët, ngadalësimi i përparimit teknologjik që është thelbësor për përmirësimin e produktivitetit, konkurrueshmërisë dhe për zgjidhjen e sfidave moderne në sektorë si shëndetësia, arsimi, energjia, mjedisi. Ndërkohë shteti dhe qytetarët e humbin hapin në zbulime/shpikje, në konkurencën globale, ndodh tretja apo humbja si shiu në zhavor të talenteve të reja (talent drain), “gjenitë” zgjedhin vendet ku ata do ta gjejnë veten (brain drain) etj. Shkencëtarët dhe hulumtuesit që nuk janë të motivuar edhe materialisht universitetin e shndërrojnë në zonë ligjërimi, mësimdhënieje, pa performanca të mirëfillta kërkimore; pikët e kërkuara nga platformat e ndryshme të evaluimit të artikujve dhe avancimet në thirrje arrihen në këtë ose në atë mënyrë, por ama hulumtimet e mirëfillta inovative mungojnë. Pra kjo shkakton gjenerimin e FAKE SCIENCE, shkencës së formalitetit.
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.