ANËTARËSIMI I RMV-SË NË BE DERI NË VITIN 2030, MISION I (PA)MUNDUR!
Delegacioni i BE-së në Shkup sqaron se procesi i anëtarësimit nuk bazohet në kalendar, por në zbatimin e reformave dhe përgatitjen e shoqërisë dhe ekonomisë drejt BE-së. Ish-diplomati Nano Ruzhin, për Eurothink deklaroi se në BE askush nuk mund të premtojë se kur saktësisht vendi mund të anëtarësohet në familjen e madhe evropiane. Kjo sipas tij, nuk varet vetëm nga gatishmëria e BE-së dhe ambiciet e saj politike por varet edhe nga shteti aspirant. Aktivisti i shoqërisë civile Blendi Hodai, për Eurothink, deklaroi se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, është e realizueshme për shkak të planeve gjeostrategjike që ka duke përfshirë këtu luftën në Ukrainë. Nga Instituti për Politika Evropiane (EPI), kanë deklarua se është e qartë se pas pushtimit rus të Ukrainës nga shkurti 2022, ka një interes dhe vëmendje të shtuar për politikën e zgjerimit në nivel të BE-së.
Autor: Zenel Miftari
Ndërsa po rrjedhë fushata e dyfishtë në vendin tonë si ajo për presidencialet dhe për zgjedhjet parlamentare, politikanë dhe koalicione po premtojnë që viti 2030 është afati kohor kur Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian (BE).
Anëtarësimit nuk bazohet në kalendar, por në zbatimin e reformave
Por, nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup thonë se procesi i zgjerimit nuk lidhet me data por varet nga meritat e secilit shtet aspirant.
“Procesi i zgjerimit bazohet në merita, që do të thotë se çdo vend kandidat duhet të anëtarësohet kur të jetë gati, kur të përmbushë kushtet dhe kriteret e përcaktuara në traktatet e BE-së dhe të rënë dakord nga liderët e BE-së”, deklaruan nga Delegacioni i BE-së në Shkup, për Eurothink.
Delegacioni i BE-së sqaron se procesi i anëtarësimit nuk bazohet në kalendar, por në zbatimin e reformave dhe përgatitjen e shoqërisë dhe ekonomisë drejt BE-së.
“Sa më shpejt Maqedonia e Veriut të përmbushë detyrimet e saj dhe të zbatojë reformat e nevojshme, aq më shpejt vendi do të anëtarësohet në BE. Sa i përket datës 2030 – mund të jetë më herët, mund të jetë edhe më vonë. Kjo varet nga zbatimi i reformave në Maqedoninë e Veriut”, thanë nga delegacioni i BE-së.
Optimizëm i madh dhe pesimizëm te politikanët
Bujar Osmani, ministër i Jashtëm dhe përfaqësues i Frontit Evropian premton anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030.
”Zotimi i parë është Bashkimi Evropian deri në vitin 2030, duke qenë i bindur se kjo është e vetmja alternativë për të vazhduar zhvillimin e shtetit. Në vitin 2024, nuk ka qeveri para se të bëhen ndryshimet kushtetuese ose pa një marrëveshje për ndryshimet kushtetuese, ku do hapim kapitujt në vitin 2024 dhe me hapjen e kapitujve fillon reforma më e madhe në shtet”, deklaroi Osmani.
Por kandidati për president, Stevo Pendarovski, në një intervistë për REL-in, deklaroi se nuk beson se vendi do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, siç deklarojnë shumë përfaqësues të partive tjera politike.
“Me bllokadën bullgare dhe, për fat të keq, me konsensusin e plotë që është ende i vlefshëm dhe me shumë gjasa nuk do të ndryshojë në kuadër të BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj me konsensus, kam frikë se nesër Bullgaria mund sërish të përsërisë veton ndaj Maqedonisë së Veriut”, tha Pendarovski në një intervistë për REL.
Nga ana tjetër, ish-diplomati Nano Ruzhin, për Eurothink deklaroi se në BE askush nuk mund të premtojë se kur saktësisht vendi mund të anëtarësohet në familjen e madhe evropiane. Kjo sipas tij, nuk varet vetëm nga gatishmëria e BE-së dhe ambiciet e saj politike por varet edhe nga shteti aspirant.
“Sa i takon RMV-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ne gjendemi në një “garë të vdekur” por megjithatë është një interes i përbashkët, i interesave gjeopolitike të BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor që dëshirojnë me dekada të jenë anëtare të BE-së. Pse them interesa gjeopolitikë, pasi Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, kanë marrë status kandidatë për shkak ambicieve gjeopolitike të BE-së. Ndërsa ne kemi mbetur të margjinalizuar. Këtu mund të përfshihen edhe për interesat ekonomike të cilat ka BE-ja ndaj lindjes dhe për proceset e paqes, ambiciet territoriale etj. Por në një kontest më të gjerë, është e rëndësishme se çfarë do të ndodhë me luftën në Ukrainë, kush do të jetë fituesi dhe si do të jetë epilogu paqësor. Çfarë dispononi do të ketë BE-ja në aspektin institucional dhe ekonomik për t’i pranuar shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Ruzhin.
Ai shtoi se shtetet e Ballkanit Perëndimor do të hynë në BE me reforma permanente, me elita që kanë orientim pro-perëndimor, me zhvillimin dhe përmirësimin e kapaciteteve ekonomike. Sipas tij, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në pozitë më të favorshme nga vendet e Ballkanit është Mali i Zi dhe Shqipëria edhe pse kanë probleme të shumta me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
“Maqedonia ka pasur rezultate më të mira se këto dy shtete, por problemi me kornizën negociuese dhe hapjen e kushtetutës veçanërisht preambula për të vendosur pakica bullgare bashkë me pakicat tjera nuk po zhvillohet sipas ritmit të duhur. Kështu që edhe në vet fushatën e opozitës VMRO-DPMNE, ndoshta do të jenë fitues në këto zgjedhje, nuk shihet disponimi të kapërcehet ky problem dhe prandaj mendoj që rruga e Maqedonisë së Veriut deri në BE, ndërlikohet edhe më shumë sepse nëse ju keni premtuar gjatë kohës së fushatës dhe keni luftuar kundër ndryshimit të kushtetutës kjo nuk mund të ndryshoj brenda ditës. Përveç që nëse nuk ka ndonjë marrëveshje të fshehtë ose “gënjeshtër politike” – atëherë mund të flasim më ndryshe”, nënvizon Ruzhin.
Ai shtoi se sido që të jetë, Ballkani Perëndimor po lëviz shumë ngadalë drejt BE-së, performancat ekonomike janë katastrofë, sundimi i së drejtës është shumë keq, korrupsioni dhe krimi i organizuar po lulëzojnë dhe kjo nuk varet se cila parti është në qeveri pasi edhe në komunat ku është e djathta në pushtet, kemi probleme me korrupsionin.
“Popujt e Ballkanit Perëndimor, në kushte të ekonomisë së sotme, polarizimit dhe krizës sociale e kështu me radhë dhe duke u bazuar në traditën e “bakshishit”, besoj se ende nuk jemi në situatë dhe kondicion t’i tejkalojmë këto “sëmundje kronike” të tranzicionit”, theksoi Nano Ruzhin, ish-diplomat.
Shoqëria civile me dylbi nga BE-ja
Aktivisti i shoqërisë civile Blendi Hodai, për Eurothink, deklaroi se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, është e realizueshme për shkak të planeve gjeostrategjike që ka duke përfshirë këtu luftën në Ukrainë.
“Por kjo nuk na siguron anëtarësimin “blanko” të shtetit në BE. Maqedonia e Veriut duhet të fillojë me reformat radikale që BE është duke i kërkuar, reforma në gjyqësor, reforma në sistemin e taksapaguesve, sundimin e ligjit, uljen e korrupsionit dhe pa anashkaluar edhe reformat në arsim. Të gjitha këto duhet të bëhen nga ne, sepse ndryshe në situatën të cilën më pak se katër për qind e qytetarëve i besojnë gjyqësorit, as te dera e BE-së nuk na lejojnë të afrohemi”, u shpreh Hodai, aktivist.
Nga Instituti për Politika Evropiane (EPI), kanë deklarua se është e qartë se pas pushtimit rus të Ukrainës nga shkurti 2022, ka një interes dhe vëmendje të shtuar për politikën e zgjerimit në nivel të BE-së.
“Nga kjo perspektivë viti 2030 është një mundësi reale për rajonin, por sigurisht që varet nga secili prej vendeve se si do të përparojë. Në rastin tonë, qeveria që do të formohet pas zgjedhjeve do të duhet të fokusohet në zbatimin e angazhimeve tona për anëtarësim në BE, duke përfshirë sigurimin e vazhdimësisë për zbatimin e agjendës së reformave për planin e rritjes”, shprehen nga atje.
Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.