LIRIA E MEDIAS VLERË THEMELTARE E DEMOKRACISË

“Liria e shtypit, nëse ka ndonjë domethënie, do të thotë liri për të kritikuar dhe kundërshtuar”  (George Orwell)

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Liria e shtypit mbetet një ndër kryeshtyllat e demokracisë. Sot është Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, një moment për të reflektuar të gjithë mbi këtë vlerë të pakontestueshme në hapësirën e lirisë politike dhe demokratike.

Liria e shtypit mbetet vlerë themeltare e botës së lirë demokratike, e gjithë asaj që nënkupton progres, që nënkupton funksionim të papenguar të mediave, si një hapësirë në të cilën merr kuptim ideja për të qenë i informuar dhe për të qenë subjekt aktiv në jetën demokratike.

Në asnjë rast nuk mund të ketë një demokraci funksionale, nëse mediat nuk janë të lira. Lira e shtypit performon gjithë planimetrinë e jetës institucionale dhe shoqërore në hapësirën e jetës publike dhe të interesit të përbashkët.

Mediat janë vektorë të pakontestueshëm në dinamikat politike, shoqërore dhe kulturore.

Ato krijojnë ndjeshmërinë politike dhe përgjegjësisë qytetare ndaj qeverisjeve, si një ndërvarësi kualitative demokratike në funksion të dinjitetit dhe mirëqenies njerëzore.

Në një botë të digjitalizuar tërësisht, njeriu shfaqet si qenie mediatike, si qenie që recepton pandalshëm informacione. Ai është subjekt i kësaj hapësire mediale dhe bashkë me këtë edhe subjekt i jetës demokratike. Marrja e informacionit cilësor është predispozitë vendimtare për një qytetar të mirëinformuar, i cili gjithnjë mbetet një subjekt i dinjitetshëm në hapësirën demokratike. Në këtë mënyrë, ai, bëhet një individ aktiv, një qenie e përgjegjshme mbi proceset politike dhe shoqërore.

Mediat janë zëri dhe hapësira e domosdoshme e qytetarit aktiv dhe të përgjegjshëm në hapësirën publike. Mediat janë sheshi i debatit të përhershëm, i lirisë në kuptimin politik, demokratik dhe kulturor. Pa këtë dimension të fisëm, bota njerëzore rrezikon t’i ekspozohet fuqisë së pushtetit, cenimit të lirisë, cenimit të vlerave demokratike që i japin kuptim qenësisë njerëzore.

Mediat janë hapësirë e lirisë, e interesit publik, e gjithë asaj që nënkupton sistem vlerash dhe funksionimi demokratik. Jo njëherë, kjo hapësirë lirie ka qenë e atakuar nga fuqia e pushtetit, nga ideologjitë e ndryshme, nga gjithë ata forca jodemokratike që kërkojnë dëgjueshmëri të heshtur dhe hije totalitare. Një tjetër atak ndaj kësaj lirie tashmë vjen edhe nga dezinformomi dhe lajmet e rrejshme, të cilat përbëjnë një rrezik të përhershëm për informim kualitativ të qytetarëve.

Për më tepër mediat e pavarura janë kusht për demokraci funksionale. Nuk mund të ketë shoqëri të lira dhe progresive pa media të pavarura. Nga kualiteti i informacionit varet edhe kualiteti i demokracisë. Gazetaria profesionale dhe kualitative ndodhet përpara sprovave të mëdha. Sa më tepër që forcohet gazetaria profesionale, aq më tepër demokracia fiton gardianin e përhershëm të vlerave të saj.
Padiskutim, tashmë ndodhemi edhe përpara një interaksioni jetik dhe përmbajtësor mes mediave të pavarura që kultivojnë dhe promovojnë gazetari profesionale dhe qytetarëve si pjesë e pandashme e proceseve demokratike.

Në një kohë manipulimesh të shumta mediale, mbetet imperativ koncepti i edukimit dhe shkrim-leximit mediatik, si një predispozitë për të krijuar një hapësirë të mirëqenë informacioni dhe komunikimi. Tendenca për ta rrënuar hapësirën e informacioneve cilësore, detyrimisht duhet të gjejë një reagim urgjent në promovimin dhe aplikimin e shkrim-leximit mediatik si një predispozitë kryesore për të dekoduar manipulimet mediatike dhe për të konstruktuar një interaksion të mirëqenë mes mediave të pavarura dhe qytetarëve aktiv në jetën publike.

Vetëm duke synuar me ngulm në edukimin dhe shkrim-leximin mediatik, mund të krijohet një predispozitë tjetër e informimit cilësor mediatik, duke shmangur kështu gjithë atë vëllim lajmesh të rreme dhe dezinformacioni tjetër që krijon kakofoni mediatike dhe huti te qytetarët.

Dita e Lirisë së Shypit mbetet një moment reflektues pikërisht mbi këtë imperativ, që tash e tutje duhet të gjejë mbarështrimin e vetë gjerësisht në hapësirën funksionimit demokratik dhe mediatik.

Gjerësisht dhe profesionalisht duhet të mendohet dhe të projektohet ky edukim, sidomos në kohën e gjithëpranisë së informacionit, në kohën e vërshimit të lajmeve që bazohen në gjysëm te vërteta, në agjenda dhe në konspiracione të gjithëfarëllojshme.

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top