ANKETË E “EUROTHINK”: ANËTARËSIMI NË BE, ALTERNATIVA MË E MIRË PËR RMV-NË
Shumica e qytetarëve besojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është gjëja e duhur për vendin dhe se BE-ja është alternativa më e mirë, por shumica konsiderojnë gjithashtu se qëndrimi i BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut është i padrejtë, arrogant dhe shantazhues. Këto të dhëna u prezantuan në kuadër të anketës “Eurometër 2023” të realizuar nga “Eurothink”, sipas së cilës, edhe përkundër skepticizmit në rritje për hyrjen e vendit në BE, 53 për qind e të anketuarve pajtohen se hyrja në BE është një gjë e mirë për vendin, krahasuar me 49 për qind në vitin 2022. Nga të gjitha temat, interes të veçantë qytetarët kanë treguar për gjyqësinë dhe të drejtat fundamentale që janë ranguar me 54%.
“Të gjitha temat e potencuara për BE-në, qytetarët i konsiderojnë se janë të rëndësishme, përderisa gjyqësia dhe të drejtat fundamentale janë të ranguara më lartë me 54 për qind, ndërsa sa u përket negociatave për aderim në BE, 54 për qind prej të anketuarve potencojnë lirinë, drejtësinë dhe sigurinë, ndërsa temat e punësimit janë lartë të ranguara me 54 për qind. 35 për qind prej të anketuarve duan të informohen për integrimet nga ekspertë, 18 për qind nga gazetari që ndjek temën dhe 11 për qind duan të informohen nga politikanët.”, ka theksuar koordinatorja e projektit, Violeta Gligorovska.
“Kemi parë se 40 për qind konsiderojnë se nuk ka demokraci në shtet. Në çfarë drejtimi po shkojmë, 54 për qind konsiderojnë se drejtimi i gabuar, në drejtim të duhur vetëm 12,6 për qind, por sërish në këtë aspekt se a po përmirësohen gjërat shohim përmirësim nga viti i kaluar”, ka theksuar drejtori ekzekutiv i Qendrës për Strategji Evropiane “Eurothink”, Dimitar Nikollovski.
Sipas tij, shqiptarët janë shprehur më optimistët në vend.“Krahasuar me parametrat etnik, apo urban-rural dhe arsimimin mund të vërehet se tek shqiptarët e anketuar cilësimi si ‘punë e mirë’ është shumë më i lartë se sa tek maqedonasit dhe etnitetet tjera. Dhe sërish, sipas përkatësisë etnike shohim që te shqiptarët dhe etnitete tjera shifrat janë më të larta që BE është opsioni më i mirë, kurse tek maqedonasit shohim kuotën 49,3% kur kërkohet opsion jashtë BE-së”, ka theksuar Nikollovski.
Hulumtimi i mendimit publik është realizuar në kuadër të projektit “Media për BE-në”- Programi i shoqërisë civile për pjesëmarrjen e mediave në negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, që realizohet nga Eurothink, ALDA dhe Instituti BIRC.
Anketa “Eurometar 2023” është zbatua nga agjencia BRIMA gjatë muajit shtator, në një kampion përfaqësues prej 1003 të anketuar, të gjithë të moshës së rritur.