DIGJITALIZIMI DHE SFIDAT E SIGURISË KIBERNETIKE

Maqedonia e Veriut, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, nuk qëndron edhe aq mirë, me procesin e digjitalizimit në shërbimet publike. Vendi deri në dhjetor të vitit 2022, ka numëruar vetëm 226 shërbime nga të cilat 94 kanë qenë komplet ne mënyrë elektronike.  Ndërkaq ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) Azir Aliu, në një auditorium të organizuar nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC), muaj më parë, tha se MSHIA, deri në fund të këtij viti (2023), planifikon të digjitalizojë edhe 150 shërbime të reja, por shtoi se momentalisht vendi nuk qëndron mirë për nga numri i shërbimeve të digjitalizuara.

Shkruan: Enis Shaqiri

Digjitalizimi i shërbimeve administrative gjatë viteve të fundit ka qenë dhe është një ndër prioritetet kryesore edhe për Republikën së Maqedonisë së Veriut dhe njësive të administratës publike. Transformimi digjital sot imponohet në radhë të parë si nevojë për hir të qytetarëve. Ky proces i digjitalizimit garanton transparencë, gjithëpërfshirje (inkluzivitet) dhe mundëson një administrate më efikase, duke plotësuar kështu edhe parakushtet për një qeverisje të mirë.

Nëse ju referohemi librave amë, Drejtoria për Menaxhimin me Librat Amë, thotë se të gjitha shërbimet që u jepen qytetarëve janë të digjitalizuar, si p.sh., lëshimi i certifikatës elektronike ndërkombëtare, lëshimi i certifikatës elektronike për statusin i/e pamartuar, regjistrimi onlajn i fëmijës së porsalindur, dorëzimi onlajn i kërkesës për martesë në terren, të cilat mund të kryhen nëpërmjet portalit “E-shërbime”.

LIBRAT AMË NË RMV “TË HAKUAR”

Sidoqoftë, megjithëse po ndërmerren hapa, punët në terren nuk janë të shkëlqyera. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, hodhi dyshime serioze për tregti me miliona të dhëna personale të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Rasti i referohet digjitalizimit të librave amë, me të dhëna për personat e vdekur, personat e lindur dhe atë të martesave, të realizuar nëpërmjet të Drejtorisë për Menaxhimin e Librave Amë (DMLA), në një tender të cilin e ka fituar kompania Novatek Inv SHPKNJP. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit njoftoi për padi penale kundër dy ish drejtorëve të kësaj drejtorie. Sipas antikorrupsionerëve, në dy procedurat e tenderit nuk janë paraparë masa adekuate të mbrojtjes për ruajtjen e privatësisë, gjegjësisht të dhënave personale të qytetarëve të RMV-së gjatë skanimit, kontrollit, menaxhimit, transmetimit dhe trajtimit të të dhënave personale nga ana e operatorëve ekonomik të angazhuar mbi bazë të marrëveshjeve të lidhura me Drejtorinë për Udhëheqjen e Librave Amë. Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska tha se te kjo lëndë ekziston një rrezik më i lartë sidomos për tregtimin me të dhënat personale dhe tha se shpreson që analizat e Komisionit do ju shërbejnë e hetuesve gjatë procedurave që do i ndërmarrin.

Nëse e shikojmë Strategjinë për Reforma në Administratën Publike (RAP), 2023-2030, mund të shohim se për të krijuar mjedis të përshtatshëm për transformimin digjital që do të automatizojë procesin e ofrimit të shërbimeve publike në shkallën më të lartë të mundshme, duhet ndërhyrje në tre aspekte: Korniza organizative dhe institucionale, ku thotë se “mungesa e profesionistëve të IT-së në sektorin publik paraqet sfidë themelore për realizimin e përpiktë të digjitalizimit të proceseve në administratën publike”. Korniza teknike (infrastruktura), e cila është bazë e transformimit digjital të administratës së Maqedonisë. Megjithatë, qasja e fragmentuar institucionale ndaj furnizimit të pajisjeve të IT-së, zhvillimit të zgjidhjeve elektronike, shërbimeve të kolokacionit ose shpenzimeve të mirëmbajtjes rezulton me kanalizim joracional të burimeve dhe përpjekjeve që synojnë zhvillimin e kapaciteteve teknike të institucioneve, si dhe Korniza ligjore, e cila përbëhet nga disa zgjidhje ligjore horizontale, ku secila zgjidhje ligjore rregullon një aspekt të caktuar të punës së administratës publike, si dhe të sektorit privat.

SISTEMI I FONIT PËR SIGURIM SHËNDETËSOR U HAKUA

Një tjetër sfidë është se muajt e fundit institucionet të caktuara shtetërore, siç janë ministritë e Bujqësisë, Arsimit dhe Shkencës, janë përballur me sulme kibernetike, nga ku janë vjedhur të dhënat e qytetarëve dhe në disa raste për ta sulmuesit kërkuan shpërblim në kriptovaluta. Ndër sulmet më serioze ka qenë ai muajin shkurt të vitit 2023 ndaj  sistemit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor, me çka u krijua ndërprerja e pagave për punonjësit e shëndetësisë dhe marrja e ilaçeve. Në rrjetin e Fondit janë të dhënat personat e të gjithë perosnave me siguri shëndetësor në Maqedoninë e Veriut. Sistemi shërben për qytetarët që të mund të kontrollojnë sigurimin e tyre shëndetësor, zgjedhjen e mjekut amë, ndërsa vetë të punonjësit shëndetësor mund të kontrollojnë informacionet për pacientët e tyre dhe shërbimet tjera.

E për këtë Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, ka informuar se do të krijojë agjenci të digjitalizimit për siguri kibernetike.

Siguria kibernetike është sfidë për gjithë botën. Sa më shumë që digjitalizohemi, aq më shumë kemi mundësi për t’u ekspozuar ndaj sulmeve kibernetike. Ideja për Agjenci të Digjitalizimit është ajo, të jetë ombrellë për gjithë shtetin në të cilin përpos infrastrukturës, zgjidhjet softuerike, një ndër shtyllat kryesore të jetë siguria kibernetike. Fatkeqësisht, jemi ende larg këtij realizimi. Pritet që për pesë – gjashtë muaj deri në një vit ta kemi atë agjenci”, tha Aliu.

Shëndeti im”, “Telemedicina”, “E-receta” janë vetëm disa nga shërbimet digjitale që ofron Ministria e Shëndetësisë akses në të dhënat e plota shëndetësore të qytetarëve, por meqë kohëve të fundit kemi qenë dëshmitar të një sërë sulmesh të hakerëve në sistemet elektronike të disa institucioneve shtetërore, përfshirë Fondin e Shëndetësisë, qytetarët në një farë mase disa shërbime digjitale i shikojnë me rezervë, sidomos kur bëhet fjalë për të dhëna sensitive, siç janë të dhënat shëndetësore. Meta.mk, ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë, se sa të sigurt janë këto aplikacione digjitale, dhe nëse qytetarët mund t’i aksesojnë dhe t’i përdorin me besim të plotë.  Nga aty janë përgjigjur se i kushtohet rëndësi e madhe sigurisë së të gjithë sistemit, përfshirë të dhënat personale të qytetarëve. Deri më tani, siç thotë Ministria, është kryer një test i gjerë i sigurisë së sistemit (Penetration Test) dhe janë aplikuar dhe inkorporuar në sistem të gjithë mekanizmat e nevojshëm për mbrojtjen e të dhënave.

Të dhënat e qytetarëve janë në një lokacion qendror të vendosur në qendrën e të dhënave të fakultetit FINKI. Çdo akses i paautorizuar është i ndaluar. Çdo i siguruar, nëpërmjet portalit dhe aplikacionit celular, mund të aksesojë vetëm të dhënat e tij personale dhe mjekësore të autorizuara, por më parë i është nënshtruar një kontrolli sigurie me shumë shtresa. Nga ky këndvështrim, ne vendosëm të përdorim eID, të cilin përdoruesi duhet ta ketë të paktën – një nivel të ulët eID, që nënkupton se gjatë procesit të regjistrimit, në një moment të caktuar, identiteti fizik është kontrolluar dhe konfirmuar me praninë tuaj personale, duke bashkangjitur një dokument identifikimi personal të vlefshëm dhe me një kontroll shtesë dhe konfirmim të të dhënave tuaja në Regjistrin Qendror të Popullsisë (RQP). Në bazë të identitetit tuaj fizik të konfirmuar, krijohet eID-ja juaj e nivelit të ulët”, thanë për Meta.mk nga Ministria e Shëndetësisë.

SA NJOHURI BAZË KA MAQEDONIA E VERIUT NË DIGJITALIZIM

– Sipas një analize ”Macedonia 2025” të bazuara tek të dhënat e Enti Shtetëror të Statistikave, si dhe sistemi statistikor të BE-së – Eurostat, qytetarët e Maqedonisë së Veriut, mbeten dukshëm prapa qytetarëve  të BE-së përsa i përket aftësive digjitale, si dhe përdorimit të aftësive digjitale në jetën e përditshme dhe në punë. Këto të dhëna tregojnë se Maqedonia e Veriut ka një rrugë të gjatë përpara për të arritur një nivel më të lartë të digjitalizimit, dhe kjo vlen për të gjithë aktorët në shoqëri: qytetarët, Qeverinë dhe kompanitë. Konkretisht, të dhënat e Eurostat tregojnë se vetëm 35% e popullsisë në vitin 2021 zotëronte nivelin bazë ose mbi nivelin bazë të aftësive digjitale krahasuar me 54% të popullsisë së BE-së.

Të dhënat gjithashtu tregojnë se as qasja dhe as disponueshmëria në internet dhe pajisjeve nuk mund të shpjegojnë nivelin e ulët. të aftësive digjitale në Maqedoninë e Veriut. Përkatësisht, mungesa e aftësive digjitale është kryesisht rezultat i mungesës së programeve për përvetësimin e aftësive digjitale, kërkesës së ulët për programe të tilla, që ndërlidhet me Kornizën organizative dhe institucionale të stratetgjisë së Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

Sipas të njëjtës analizë, në vitin 2021, vetëm 29% e qytetarëve në RMV përdorën internetin për të bashkëvepruar me institucionet shtetërore, që është më pak se gjysma e mesatares së BE-së (63%). Analiza krahasuese tregon se qytetarët e Maqedonisë së Veriut e përdorin pak internetin për të hyrë në shërbimet elektronike të Qeverisë në raport me vendet e BE-së, por edhe në raport me rajonin ku kryeson Serbia.

Kurse në vitin 2022, sipas një infografike të portalit KDP.MK, Maqedonia e Veriut, bazuara tek të dhënat e EUROSTAT, zotëron 34.62% njohuri bazë digjitale, krahasuar me 53.92% të popullsisë së BE-së. Kurse Mali i Zi me 47.21%, dhe Serbia me 41.3%, qëndrojnë më mirë, kundrejt Shqipërisë e cila gjendete në fund të listës me 23.8%, dhe Bosnje Hercegovinës me 34.6% të njohurive bazë të digjitalizimit.

98.6% E FAMILJEVE NË MAQEDONINË E VERIUT KANË QASJE NË INTERNET

Sipas Agjencisë së Komunikimeve Elektronike (AEK) në periudhën nga 26 qershori deri më 18 korrik të këtij viti, qasje në internet në familje kanë 98,6 për qind e të anketuarve në Anketën e Opinionit Publik të përdoruesve rezidencialë për tregun e komunikimeve elektronike në vend. Sipas teknologjisë së qasjes në internet në shtëpi, interneti optik përdoret nga 33,6 për qind, kabllor 31,5 për qind, ADSL\VDSL (21,8 për qind), 3G/4G (10 për qind), interneti përmes USB 0,3 për qind dhe interneti me valë (WiMax, Canopy, WiFi), 0.2 për qind.

PORTALI “E-SHËRBIME” NË NEVOJË TË PËRMISIMIT

Në Maqedoninë e Veriut, qytetarët hasin vështirësi në përdorimin e shërbimeve elektronike, apo në nxjerrjen e dokumenteve “vetëm me një klikim”. Kjo ndodh për shkak të kufizimeve të ofruara nga shteti në fushën elektronike. Në të njëjtën kohë, potenciali i portalit nacional nuk shfrytëzohet ndërkaq ka banorë edhe pse kanë pajisje, ata nuk kanë informata të mjaftueshme për shërbimet elektronike.

ÇKA NËNKUPTOJNË “E-SHËRBIMET”

E-shërbimet nënkuptojnë më shumë sesa thjesht një ueb-faqe aktive, nënkupton futjen në përdorim të zgjidhjeve praktike të TIK-ut me të cilat lehtësohet aksesi në shërbime për qytetarët dhe jetën e tyre të përditshme dhe, më e rëndësishmja, pasi këto zgjidhje të mundësohen dhe integrohen, nevojitet qëndrueshmëri në menaxhimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

KU GJENDET MAQEDONIA E VERIUT ME PROCESIN E DIGJITALIZIMIT NË SHËRBIMET PUBLIKE

Maqedonia e Veriut, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, nuk qëndron edhe aq mirë, me procesin e digjitalizimit në shërbimet publike. Vendi deri në dhjetor të vitit 2022, ka numëruar vetëm 226 shërbime nga të cilat 94 kanë qenë komplet ne mënyrë elektronike.  Ndërkaq ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) Azir Aliu, në një auditorium të organizuar nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC), muaj më parë, tha se MSHIA, deri në fund të këtij viti (2023), planifikon të digjitalizojë edhe 150 shërbime të reja, por shtoi se momentalisht vendi nuk qëndron mirë për nga numri i shërbimeve të digjitalizuara.

Në aspekt të digjitalizimit me keqardhje e themë se RMV, nuk qëndron mirë jo në përputhshmëri me Bashkimin Evropian, por as edhe me vendet e tjera të rajonit, siç është Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Bullgarinë, Greqin. Momentalisht shteti jonë i ka vetëm 94 shërbime të digjitalizuara. Pikërishtë për këtë problematik, një nga agjendat më të shpejta në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, e kemi që të bëjmë digjitalizimin e Shërbimeve”, ka theksuar Aliu.

Kujtojmë se Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera të rajonit po i prin procesit të digjitalizimit në shërbimet publike, me 1225 shërbime elektronike, që në përqindje kjo i bie se Shqipëria ka të digjitalizuara 95% të shërbimeve publike.

DANILOVSKA: PËRFITIMET JANË TË MËDHA…

Mila Josifovska Danilovska, menaxhere e Programit, Përgjegjësia Sociale dhe të Drejtat e Njeriut Online në Fondacionin Metamorfozis, gjatë një bisede me portalin KDP.MK, kohë më parë, ka thënë se në këtë periudh të cilën po e jetojmë, teknologjia digjitale është mjeti kryesor për vendosjen e urës ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve.

Teknologjia digjitale është një nga mjetet më të rëndësishme për vendosjen e urës ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, si dhe rritjen e efikasitetit të funksionimit të institucioneve shtetërore dhe llogaridhënies së tyre ndaj qytetarëve. Nëpërmjet e-qeverisjes sigurohet transparenca në atë mënyrë që të rriten mundësitë/kanalet e qytetarëve për të komunikuar me institucionet, të përmirësohet efikasiteti i administratës publike, të rritet llogaridhënia e institucioneve ndaj publikut dhe sigurisht dhe përmes internetit qytetarëve tu mundësohet të marrin pjesë më shumë në proceset politike. Rritja e transparencës nënkupton qasje më efikase në informacion për punën e përgjithshme të administratës publike, nga strategjitë, planet, buxhetet, dhe  veçanërisht është e rëndësishme sepse kontribon në mënyrë thelbësore në parandalimin e korrupsionit dhe rritjen e besimit në institucione”, ka thënë Danilovska.

Ndryshe, nga këndvështrimi i përfitimeve Josifovska Danilovska ka theksuar se qytetarët nga procesi i digjitalizimit përfitojnë, jo selektivitet në ofrimin e shërbimeve publike, shmangie nëpër sportele, mbështetje për të ashtuquajturën ekonomi e gjelbër, si dhe shmangie të proceseve të ndryshme burokratike. Ndërsa transformimi digjital, sipas saj, në të gjitha sferat dhe për të gjitha grupet shoqërore (pa përjashtim) është një mekanizëm efektiv për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Përfitimet për qytetarët nga përdorimi i shërbimeve elektronike në vend që t’i presin në sportel janë të shumta – nga kursimi i kohës dhe shmangia e proceseve të ndryshme burokratike për të cilat qytetarët në mënyrë të pashmangshme kalojnë nga sporteli në sportel, deri te kursimet në buxhetin e tyre të brendshëm, të paktën për shkak të rrugës  që do të kalojnë duke shkuar nga institucioni në institucion, për të mbrojtur shëndetin e tyre etj. Në kushte ideale, me ndërveprueshmëri të mirëvendosur ndërmjet institucioneve si dhe shërbime elektronike me shkallën më të lartë të sofistikimit, qytetarët duhet të shpenzojnë disa minuta për të marrë një shërbim elektronik nga institucionet, në vend që ta presin me ditë, në disa raste edhe javë. dhe muaj.Mundësimi i shërbimeve elektronike do të thotë transparencë më e madhe e proceseve publike si dhe më pak hapësirë për korrupsion. Në vend që qytetarët të ndjekin sportelet me zyrtarët dhe të kërkojnë dikë që t’i “mbarojë punët” më shpejt, ata e marrin shërbimin e tyre elektronik përmes një sistemi që është i njëjtë për të gjithë dhe që ofron shërbimin automatikisht”, ka theksuar Danilovska.

Kujtojmë se procesi i zhvillimit të e-Qeverisjes në nivel qendror dhe lokal në RMV filloi në fund të shekullit të 20-të, por implementimi më serioz vijoi pas përgatitjes së Strategjisë Nacionale për zhvillimin e shoqërisë informatike dhe planit të veprimit të Republikës së Maqedonisë në vitin 2005, si dhe zhvillimi i partneritetit me “Microsoft”, që rezultoi në krijimin e portalit www.uslugi.gov.mk. Që nga viti 2005 deri në vitin 2009 procesi i digjitalizimit u zhvillua pa një strategji të qartë.

Në vitin 2008 është themeluar Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA). MSHIA është organi më i lartë i administratës shtetërore i ngarkuar me zbatimin e strategjisë për e-qeveri dhe zhvillimin e shoqërisë informatike.

Në periudhën 2010-2012 është miratuar dhe zbatuar strategjia e parë kombëtare për e-qeveri. Në vitin 2015 u miratua një Strategji afatshkurtër e TIK-ut për periudhën 2015-2017, si hap i pare drejt miratimit të një strategjie kombëtare afatgjate.

Në shkurt të vitit 2018 u miratua Strategjia për reforma në administratën publike 2018-2022 me një plan veprimi, ku theksi vihet në problemin e digjitalizimit, veçanërisht në aspektin e prokurimit publik dhe ndërveprueshmërisë. Si pjesë e rritjes së cilësisë dhe aksesit në shërbimet publike, vëmendje përkatëse i kushtohet ngritjes së kapaciteteve të administratës publike për zbatimin e digitalizimit. Në vitin 2020, RMV miratoi një draft strategji dhe plan veprimi për Strategjinë Kombëtare për TIK 2021-2025. Në kuadër të tekstit të strategjisë, janë paraqitur edhe informacione për gjendjen e dixhitalizimit dhe progresin në aprovimin e shërbimeve elektronike në punën e institucioneve publike.

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

 

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2024. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top