ARSIMI I LARTË NË MAQEDOINË E VERIUT DHE DOMOSDOSHMËRIA PËR REFORMA
Sipas standardeve, së paku evropiane, mesatarisht në rreth një milion banorë ka një universitet publik, ndëkohë që tek ne i bie në më pak se 250 mijë banorë! Të merremi vesh: Nuk kemi as standard, as resurse e aq më pak nevojë për këtë tejdimensionim. Sigurisht, specifikat gjuhësore dhe etnike të vendit nuk mund të mos e ndikojnë këtë numër, por sërish jo kaq të fragmentuar. Mendoj dhe jam i bindur se optimizimi institucional i arsimit të lartë është i nevojshëm dhe do të ndodhë. Çështja është kur dhe si? Sa më parë të fillojë do jetë më mirë dhe më lirë dhe ky duhet të jetë proces, jo akt! Proces që do zhvillohet me mbështetje të regullatorit të veprimtarisë, por me marrëveshje ndëruniversitare dhe me një tranzicion të caktuar kohor (së paku një cikël studimor deridiplomik). E kuptoj natyrën e mendësisë politike për të kalkuluar politikisht (kosto/përfitim) nga procesi i konsolidimit, por me rëndësi është kush dhe kur e filloi, si ishte i planifikuar e dizajnuar procesi, si mbikqyret cilësia e transformimit,… sesa akti administrativ i një bashkimi mekanik dhe fizik!
Shkruan: Akademik Abdylmenaf BEXHETI
Arsimi i lartë si hallka kulmore e sistemit arsimor, për nga rëndësia kërkon trajtim dhe shtjellim permanent, për shkak se është përcaktues dhe matës i zhvillimit të një vendi dhe një shoqërie, në përgjithësi. Përgjatë tri dekadave të fundit, disa herë e kam shtjelluar këtë temë, si nga aspekti ekonomik, por edhe politik, posaçërisht në fillim të viteve të 90-ta të shekullit kaluar.
Aktualiteti i debateve publike rreth ndryshimeve sistemore të arsimit lart e imponon nevojën e ritrajtimit të kësaj teme me rëndësi madhore për shoqërinë. Që në fillim dua të nënvizoj se në sektorin e arsimit lartë ka përjashtime pozitive, si institucionale, ashtu edhe individuale, por kësaj radhe trajtoj fenomenin dhe situatën e përgjithshme. S’do mend se gjendja është jo e mirë për të mos thënë e keqe! Ajo karakterizohet dhe dominohet nga komponenti sasior përkundër atij cilësor. Në fjalorin ekonomik do e definoja si sistem me masovitet sasior në ofertë dhe kërkesë rënëse në cilësi që prodhon kryesisht diploma me inflacion të lartë!
Nisur nga numri i madh i institucioneve arsimore, si ato publike (gjashtë universitete), një unik privato-publik, e aq më tepër private (mbi 20 universitete, kolegje e fakultete) me më pak se 1,5 milion banorë të pranishëm në shtet, edhe s’ka se si të priten rezultate më të mira se këto që i kemi. Edhe ato pak universitete e thënë më mirë fakultete të caktuara në kuadër të universiteteve që bëjnë përpjekje dhe ende po ia dalin me sukses të ruajnë dhe çojnë përpara cilësinë janë të sfiduara nga shumica dërmuese që prodhon diploma dhe jo dije, sepse edhe kërkesa për këtë është në rritje. Nëse do shohim numrin e fakulteteve të njëjta (prijnë fakultete e drejtësisë të pasuara nga ato të ekonomisë) e për numrin e programeve studimore të mos flasim se tejkalon margjinat e ulta të katërshifrorit! Nga kjo rrethanë, s’do mend, se çfarë prodhojmë – shikoni si e kemi drejtësinë dhe ekonominë, njëkohësisht! Sigurisht, gjithmonë respekt për përjashtimet, por ata shpejt ia mësyjnë Perëndimit, ngaqë atje edhe vlerësohen shumë më mirë!
Cilësia e studentëve që në hyrje, në përgjithësi, karakterizohet me nivel jo të duhur të dijeve paraprake. Sipas të gjitha analizave dhe statistikave studentore, janë reth 60% e aplikantëve që meritojnë të regjistrohen, për nga pragu i dijeve, edhepse pragu i notave që ata sjellin nga hallka paraprake e arsimit të mesëm, është asimetrike me nivelin e dijeve të nxëna! Si ligjërues me një përvojë 30 vjeçare në arsimin e lartë mendoj se nuk është problemi te hyrja pa kritere, por te kalueshmëria pa kritere, së paku me mësimnxënie minimalisht të nevojshme dhe të barabartë për të gjithë! Më anë tjetër, nuk do harruar faktin se rreth 10% e studentëve të shkëlqyeshëm, jo vetëm që janë skajshmërisht të mire, por edhe qëndrojnë si të tillë. Vijon një shtresë me përpjekje, jo më shumë se 30%. Në fakt, ajo që na mungon sot nga, krahasimisht para 30 e më shumë vitesh, është mesatarja e qëndrueshme e 50%-shit të studentëve që dikur me meritë arrinin te diploma, edhepse me pak vonesa! Sot kjo mungon dhe mund të thuhet se është përgjysmuar.
Ndryshimi radikal i mënyrës së mësimdhënies dhe më shumë edhe i mësimnxënies te gjeneratat e reja (gjeneratat Z) me preferencë të ulët të leximit dhe mbamëndjes, është fenomen global, bile edhe te universitetet më elitare në planet! Harward-i, është ankuara që para një dhjetëvjeçari për këtë situatë! Ata sot preferojnë të mësojnë me teknologjitë më të reja, mundësisht video dhe audio, jo në amfiteatro e klasa, por mundësisht të shtrirë në krevat apo divan! Megjithatë, së paku në arsimin e lartë, nuk mendoj se mund t’i ndryshojmë ata, nëse nuk ndryshohen këto shprehi në ciklet paraprake, siç po tentojnë aktualisht të veprojnë vendet skandinave (Danimarka, Finalanda e Suedia, posaçërisht). Në këto rrethana duhet të ndryshojmë ne – sistemi, institucionet me strukturat qeverisëse dhe menaxheriale, si dhe pedagogët e angazhuar në këtë mision.
Pra, arrijmë te kosntatimi se duhet të NDRYSHOJMË, të gjithë – nga sistemi, lidershipi, mësimdhënësit e deri te përshtatja ndaj nevojave të tregut dhe të shoqërisë! Do filloja nga etika dhe integriteti, por janë tema që, për nga natyra dhe kompleksiteti, kërkojnë zbërthim të veçantë, si filozofik, ashtu edhe sistemor!
Prandaj, pothuaj se ekziston konsensus i gjerë në komunitetin akademik (edhe këtu gjithmonë me përjashtime, jo edhe të vogla) për nevojën për ndryshime dhe bile të thella! Ky ka qenë konstatim i përgjithshëm, pothuajse në të gjitha debatet reth “pakos”, së tre propozim – ligjeve- atij të arsimit lartë, të cilësisë në arsimin e lartë dhe të veprimtarisë shkencore (tre ligje paralele). Bile jemi të vonuar në këtë proces!
Përpos pajtueshmërisë për nevojën e ndryshimeve, duhet nënvizuar se përgjatë asnjë inicijative për ndryshime që nga viti 2004, që janë bë më shumë se tri herë (e fundit ajo në vitin 2018), nuk ka patur kaq inkluzivitet apo gjithëpërfshirje në procesin e debatit – në çdo universitet publik, (përfshirë edhe UEJL-in së bashku me UShT-në njëkohësisht), ku propozuesi, në këtë rast MASh-i me në krye ministren, prof.Janevska, ka marrë pjesë për të dëgjuar kritikat, sugjerimet dhe propozimet nga stafi universitar. Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, nën moderimin tim, po ashtu, u zhvillua një debat shumë cilësor dhe i frytshëm. Presim të shohim sa do të merren parasysh ato. Rreth 10 ditë para “lansimit”, të projekt-ligjeve, ministrja Janevska thirri të gjithë rektorët e universiteteve publike, dhe dy ditë më vonë edhe universitetin privato-publik (UEJL-in), për t’i informuar rreth nismës. Mendoj se këtu ka patur edhe një paralajmërim, sipas meje të parakohshëm me këtë “pako”, të ligjeve, atë të nevojës për “bashkim”, të disa universiteteve publike, për të reduktuar numrin e tyre e që, që në fillim, ka shkaktoi keqkuptime! Them të parakohshëm, jo në aspekt të nevojës për këtë, por në aspekt të nismës së ligjeve në fjalë, sepse universitetet publike janë themeluar dhe funksionojnë sipas ligjeve specifike të gjithësecilit!
Sipas standardeve, së paku evropiane, në rreth një milion banorë ka një universitet publik, ndëkohë që tek ne i bie në më pak se 250 mijë banorë! Të merremi vesh: Nuk kemi as standard, as resurse e aq më pak nevojë për këtë tejdimensionim. Sigurisht, specifikat gjuhësore dhe etnike të vendit nuk mund të mos e ndikojnë këtë numër, por sërish jo kaq të fragmentuar. Mendoj dhe jam i bindur se optimizimi institucional i arsimit të lartë është i nevojshëm dhe do të ndodhë. Çështja është kur dhe si? Sa më parë të fillojë, do jetë më mirë dhe më lirë dhe ky duhet të jetë proces, jo akt! Proces që do zhvillohet me mbështetje të regullatorit të veprimtarisë, por me marrëveshje ndëruniversitare dhe me një tranzicion të caktuar kohor (së paku një cikël studimor katërvjeçar). E kuptoj natyrën e mendësisë politike për të kalkuluar politikisht (kosto/përfitim) nga procesi i konsolidimit, por me rëndësi është kush dhe kur e filloi, si ishte i planifikuar e dizajnuar procesi, si mbikqyret cilësia e transformimit,… sesa akti administrativ i një bashkimi mekanik dhe fizik!
Procese të tilla ndodhin gjithnjë e më shumë gjithandej në Perëndim. Në vitin 2017 në Francë u bashkuan dy universitete më elitare për të rrit dukshmërinë dhe konkurrencën globale (Sorbona me Pierre e Marie Curie), vitin e kaluar në Zvicër u bashkuan gjashtë universitete publike,…etj.
Meqë hapsira është e ngushtë për të elaboruar “pakon” e propozim-ligjeve që qëndruan në platformën e MASh-it (ENER), do mundohem të sintetizoj disa aspekte parimore të rëndësisë së veçantë ku duhet përkujdesje në rregullim përmes ligjeve bazike të veprimtarisë së arsimit të lartë e shkencor si dhe të cilësisë në këtë veprimtari.
E para dhe konceptuale: Duhet të definohen qartë dhe të kihen parasysh specifikat ekzistuese të universiteteve në vend – për nga madhësia, struktura (numri i njësive), statusi (integruar/çintegruar), mosha nga themelimi, prapavija historike nga krijimi, territori e lokacioni, kushtet hapësinore, teknike dhe infrastrukturore, baza kadrovike,…etj. Nuk do ishte logjike, e krahasueshme dhe aq më pak e drejtë, të instalohen kritere të njëjta të veprimtarisë për një universitet me moshë mbi 75 – vjeçare, që thith mbi 50% të buxhetit të përgjithshëm për arsimin e lartë (mbi 125 mil.euro)-UKIM dhe një tjetër që thith më pak se 2% (Apostol Pavle-Ohër), apo 3,5-4% (UNT)! Për shkak të konfliktit të interesit, duhet të mbetem i kujdesshëm kur përmendi UEJL-in me vetëm 1% (buxhet nga shteti) krahasimisht me rezultatet që krijon në tregun e punës dhe në shoqëri. Bile jemi në raport 3:1 si financues neto i buxhetit-tri hise japim dhe një hise marrim! Prandaj, kriteret e përcaktuara duhet të kenë periudha të tranzicionit për përmbushje për universitete specifike e kjo rregullohet me normat kalimtare të ligjeve!
E dyta dhe më sensitive: Autonomia universitare mbetet goxha e diskutueshme! Trupi mbikqyrës dhe qeverisës, i ashtuquajturi Këshill i AL, si nga përbërja (me komponent të lartë politike) e struktura cilësore personale, ashtu edhe nga përgjegjësitë që i jepen! Madje, juristët thonë se drejtpërdrejt shkel Kushtetutën! Standardet ndërkombëtare dhe Magna Karta ku shteti dhe universitetet janë anëtare – e kundështojnë një ndërhyrje të tillë.
Mendoj, edhepse nuk mund ta arsyetoj, se rrethanat e deritanishme të qeverisjes dhe menaxhimit të universiteteve publike, me joefikasitet dhe joefiçencë e deri në fenomene të keqeverisjes (korrupsioni, nepotizmi, mungesa e llogaridhënies, mostransparenca, punësimet jomeritore, …etj) kanë sfiduar autoritetet politike që të mendojnë për nevojën e madhe të ndërhyrjes dhe të mbikëqyrjes! Në të gjitha debatet tona në të kaluarën, edhe nga pozita e Rektorit, kam bërë përpjekje të promovoj konceptin se autonomia fillon aty ku mbaron përgjegjësia dhe llogaridhënia. Bile në të gjitha trajnimet e stafit të UEJL-it (besoj mund të dëshmojnë të gjithë ata që i kanë ndjekur), gjithmonë e kam promovuar dhe besoj edhe praktikuar këtë ekuacion. Sadoqë dua të mbaj distancën nga institucioni ku akoma shërbej, në listën e transparencës së Forumit për reforma në arsim, UEJL-i ishte bindshëm i pari në Maqedoninë e Veriut, madje – madje edhe para UKIM-it! Edhe buxhetin analitik e ka në web faqen e tij, aniqë nuk është pastër publik!
E treta dhe e pabarabarta: Nuk mund të instalohen kritere të njejta për punësim, zgjedhje dhe avancim në karrierën akademike dhe shkencore në të gjitha fushat shkencore, sepse dallimet dhe rrethanat janë skajshmërisht të ndryshme. Shkencat humane, filologjike dhe shoqërore nuk mund të publikojnë nëpër revista shkencore me faktor ndikimi (Web of science) bile jo edhe në ato relevante të pa ranguara me faktor ndikimi (Scopus, etj), si ato mjekësore, matematiko-natyrore apo edhe teknike! Komuniteti akademik dhe shkencor këtë e dijnë fare mirë dhe jo vetëm këtu tek ne! Për Hirsch indexin nuk ia vlenë të flitet – ai mat vetëm sasinë mekanike e jo cilësinë!
E katërta dhe më e padrejta: Favorizimi i gjeneratave të moshuara dhe ngulfatja e kuadrove të reja që është në kundërshtim me të gjitha nevojat dhe përshtatjet për gjenaratat që vijnë! Një i moshës sime mund të ketë përparsitë e përvojës në akademi e shkencë, ama jo edhe atë të mendësisë dhe teknologjisë e deri tek intelegjenca artificiale sot! Nesër edhe më keq! Imagjinoni dallimin në mendësi e kulturë të një 60-vjeçari me një 19-vjeçar sot!
Prandaj them se këto kritere shpërfaqin demagogjinë retorike (të politikanëve më së shumti) se ardhmëria është te të rinjtë! Në anën tjetër kjo shkakton vjetërsinë moshore të universiteteve, në vend se të ishte krejt e kundërta.
Dija shumë e nevojshme, por karakteri e njerzillëku, mbi të gjitha! Herën tjetër, pra – për aspektet e integritetit dhe etikës në arsim!
Teksti është zhvilluar në kuadër të projektit “Përfaqësim për zhvillim gjithëpërfshirës”, i mbështetur financiarisht nga Qeveria e Zvicrës përmes programit Civica Mobilitas.
Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi e vetme e Forumit për Politika të Arsyeshme, IOHN dhe BIRC dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Qeverisë së Zvicrës, Civica Mobilitas ose organizatave të saj zbatuese.
