ELMEDINA ABDULAHI: GRATË DHE TË RINJTË – SPEKTATORË NË VENDIMMARRJEN LOKALE

Pavarësisht kuotave ligjore dhe obligimeve formale, përfaqësimi i grave, të rinjve dhe bashkësive më të vogla etnike në pushtetin lokal ende nuk po arrin të kthehet në ndikim real. Aktivistja Elmedina Abdulahi, në një intervistë për BIRC, paralajmëron se kjo qasje formale rrezikon ta kthejë demokracinë vendore në një proces të mbyllur dhe ekskluziv. Sipas saj, energjia e të rinjve, perspektiva e grave dhe zëri i pakicave mund të jenë shtylla të zhvillimit lokal, por vetëm nëse komunat kalojnë nga përfaqësimi simbolik drejt pjesëmarrjes substanciale dhe gjithëpërfshirëse.

BIRC: Si e shihni gjendjen e përfaqësimit të grave, të rinjve dhe bashkësive më të vogla etnike (turq, rom, serb…) në procesin e vendimmarrjes në pushtetin lokal?

ELMEDINA ABDULAHI: Gjendja e përfaqësimit të grave, të rinjve dhe bashkësive më të vogla etnike në procesin e vendimmarrjes në pushtetin lokal vazhdon të mbetet e pamjaftueshme. Megjithëse ligji siguron obligimin për të garantuar përfshirje të barabartë të të gjithë grupeve, përfshirja e grave veçanërisht është e rregulluar edhe me kuota të detyrueshme sipas Kodit zgjedhor, përfshirja e tyre shpesh realizohet vetëm për të plotësuar minimumin formal, pa u shoqëruar me rol real, ndikim të barabartë ose hapësirë për të kontribuar në mënyrë aktive në politikëbërje.

Kjo krijon një përfaqësim më shumë simbolik sesa substancial, duke i lënë këto grupe jashtë vendimmarrjes dhe duke i kufizuar mundësitë e tyre për të ndikuar në zhvillimin e komunitetit. Sipas të dhënave të monitorimeve të viti 2024, rreth 40% e komunave kanë themeluar Këshilla rinorë lokal, por shumë prej tyre mbeten joaktivë. Një situatë e ngjashme vërehet edhe në përfaqësimin e grave dhe komuniteteve më të vogla etnike, ku shpesh kuotat respektohen vetëm formalisht, pa krijuar hapësirë për pjesëmarrje të vërtetë dhe vendimmarrje me ndikim.

BIRC: Sa mendoni se të rinjtë, gratë dhe përfaqësues të bashkësive më të vogla etnike janë të motivuar të marrin pjesë në këtë proces?

ELMEDINA ABDULAHI: Ka të rinj, gra dhe përfaqësues të bashkësive më të vogla etnike që janë të motivuar për të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes dhe disa ende ruajnë shpresë për ndryshim, edhe pse shpesh janë zhgënjyer nga gjendja politike aktuale. Fatkeqësisht, ata me vullnet të mirë shpesh nuk kanë akses real, ndërsa ata që mendojnë ndryshe ose përpiqen të sfidojnë status quo-në përjashtohen ose marginalizohen, në mënyrë që të mos pengojnë funksionimin e kornizës ekzistuese, e cila shpesh është e dominuar nga një udhëheqje me profil maskulin.

BIRC: Si mund të ngritët vetëdija e aktorëve në pushtetin lokal dhe të sensibilizohet opinioni publik për nevojën e përfshirjes së këtyre kategorive në vendimmarrje?

ELMEDINA ABDULAHI: Së pari, udhëheqësia e komunave duhet të pranojë kritikat dhe sugjerimet që vijnë nga komuniteti. Është e rëndësishme të bëhet dallimi mes kritikës konstruktive dhe shpifjes, sepse jo çdo kritikë është keqdashëse. Përkundrazi, nëse merret parasysh zëri i komunitetit të gjerë, mund të gjenden zgjidhje më të përshtatshme dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët. Kjo është e mundur vetëm kur personat që kanë pozita vendimmarrëse veprojnë në shërbim të komunitetit dhe jo në interes të ngushtë të një grupi të caktuar.

Një rol kyç në këtë proces ka shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare, të cilat mund të shërbejnë si ura lidhëse mes qytetarëve dhe institucioneve lokale. Po ashtu, transparenca dhe llogaridhënia e pushtetit lokal mbeten thelbësore: përmes publikimit të të dhënave mbi nivelin e përfaqësimit dhe rezultatet e arritura, qytetarët mund të monitorojnë përmbushjen e obligimeve ligjore dhe të kërkojnë llogari nga institucionet. N;se përshtypja dhe rezultaten janë pozitive, ato mund të inkurajohen për të qenë pjesë e procesit vendimarrës.

BIRC: Sa mediat sigurojnë hapësirë adekuate për kandidatët apo të zgjedhurit nga këto kategori shoqërore?

ELMEDINA ABDULAHI: Sa i përket rolit të mediave, nga përvoja ime personale, me bindje mund të them se ato në përgjithësi sigurojnë hapësirë të mjaftueshme për kandidatët ose të zgjedhurit nga kategori të ndryshme shoqërore. Shpeshherë, një numër i konsiderueshëm i mediave kanë treguar gatishmëri për të bashkëpunuar dhe për të përcjellë qëndrime apo reagime lidhur me dukuri të caktuara, pa hezitim. Madje kemi pasur raste kur portale të ndryshme kanë publikuar ose kanë bërë lajm edhe reagimet tona individuale në profilet e rrjeteve sociale. Ky është një mekanizëm i mirë i shpërndarjes së lajmit dhe informatës, me kusht që përmbajtja të mos keqinterpretohet dhe të mos dalë nga konteksti.

BIRC: Si e vlerësoni rolin e këshillave rinor në komunat ku ato funksionojnë? 

ELMEDINA ABDULAHI: Edhe pse nuk kam përcjellur me vëmendje çdo aktivitet të tyre, po prsëri jam e bindur që roli i këshillave rinor në komunat ku ato funksionojnë është i rëndësishëm, sepse u jep të rinjve hapësirë për të shprehur idetë dhe shqetësimet e tyre, si dhe për t’u përfshirë në proceset vendimmarrëse. Megjithatë, nga përvoja shihet se funksionaliteti i tyre varet nga gatishmëria e komunës për t’i trajtuar si partnerë seriozë dhe për t’u krijuar hapësirë reale për ndikim, si dhe nga niveli i angazhimit të vetë të rinjve brenda këshillave. Vtëm nëse këto dy elemente ngërthehen, funksionimi i këshillave rinore mund të jetë i frytshëm, mund të forcojnë demokracinë lokale dhe mund të ris vetëdijen qytetare te gjeneratat e reja, ndërsa në mungesë të mbështetjes institucionale apo aktivizimit të tyre, rrezikojnë të mbeten struktura formale (vetëm për larje parash ose për prëmbushje të obligimit ligjor) pa ndikim real.

BIRC: Si mund të përmirësohet përfaqësimi i këtyre kategorive me qëllim të sigurimit të një përfshirje sa më të madhe në këtë proces?

ELMEDINA ABDULAHI: Një përfaqësim më i mirë i grave, të rinjve dhe komuniteteve më të vogla etnike mund të arrihet vetëm nëse institucionet vendore kalojnë nga qasja formale drejt një përfshirjeje substanciale. Kjo nënkupton që përfshirja e këtyre kategorive të mos bëhet vetëm si formalitet për të plotësuar hapësirën mediatike apo për qëllime të ngushta partiake dhe elektorale, por të shihet si vlerë reale për zhvillimin e komunitetit. Vetëm përmes një angazhimi të sinqertë, ku idetë dhe nevojat e tyre respektohen dhe kthehen në politika konkrete, mund të sigurohet pjesëmarrje e barabartë dhe vendimmarrje gjithëpërfshirëse.

BIRC: Si mund të rritet kualiteti i përfaqësimit të këtyre kategorive? 

ELMEDINA ABDULAHI: Vetëm nëse krijohen kushte të barabarta, të lira nga ndikimi politik, për të kontribuar dhe për të ndikuar në politika, përfaqësimi i këtyre kategorive mund të fitojë peshë reale dhe të rrisë cilësinë e vendimmarrjes. Kjo sepse sugjerimet dhe kritikat e tyre burojnë drejtpërdrejt nga nevojat dhe problemet ekzistuese dhe prandaj përfaqësojnë zërin autentik të komunitetit që duhet të merret seriozisht nga institucionet.

Kjo intervistë është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit “Zërat e barazisë, demokraci për të gjithë”, i zbatuar nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal – BIRC Tetovë. Ky projekt është një subgrantim i marrë në kuadër të “Mbështetjes së BE-së për Qendrën e Burimeve për Shoqërinë Civile – faza 2”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e intervistës është përgjegjësi e vetme e projektit dhe nuk pasqyronë domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe të Qendrës së Burimeve për Shoqërinë Civile.

 

Subscribe to our e-mail list and stay up-to-date with all our news.


B-IRC © 2025. All Rights Reserved. 
 Privacy Policy

to top