KOLLOZOVA: SEKTORI PUBLIK DUHET TË KUPTOJË SE SHEFI I TIJ ËSHTË POPULLI, E JO NDONJË PARTI APO QEVERI
Intervistë me Dr. Katerina Kollozovën, drejtoreshë e Institutit për Shkenca Sociale dhe Humane, e cila së bashku me organizatat partnere realizon projektin “Përmes depolarizimit në institucionet demokratike, stabile dhe institucione gjithëpërfshirëse: Kontribut i shoqërisë civile”.
IMA: Çfarë qëllimi dëshironi të arrini me platformën e re mediatike #depolarizohu, e cila së fundi u lansua nga Instituti për Shkenca Sociale dhe Humane – Shkup?
Katerina Kolozova: Platforma i dedikohet kryesisht ndërgjegjësimit të qytetarëve, por edhe të një pjese të opinionit ekspert dhe mediatik, për parimin e institucioneve demokratike si vlerë, dhe jo vetëm si çështje teknike që lidhet me metodologjinë e re të integrimit evropian. Qëllimi është të bëhet e qartë dhe e kuptueshme diçka që fshihet pas terminologjisë tepër teknike të proceseve integruese evropiane: domethënë, institucionet mund të jenë edhe efikase edhe të punojnë sipas ligjeve, por jo domosdoshmërisht të jenë demokratike.
IMA: A mund të japim një shembull konkret se çfarë nënkuptohet me institucione demokratike?
Katerina Kolozova: Për shembull, në shtetet autoritare keni sundim të ligjit, por kjo sigurisht që nuk e vendos qytetarin në rend të parë. Përkundrazi, gati se është e kundërta, shteti është një sistem i vetëmjaftueshëm hiper-burokratik që i trajton qytetarët si dytësorë ndaj konglomeratit parti-biznes-shtet dhe shpesh si instrumente për qëllimet e veta. Metodologjia e re e qasjes (në BE) lejon matjen pikërisht të kësaj vlere përmes politikave specifike, të cilat, sipas definicionit, duhet të jenë ndërsektoriale (institucionet duhet të komunikojnë dhe bashkëpunojnë mes tyre, në vend që “askush të mos jetë përgjegjës”).
IMA: Si duhet të jenë politikat ndërsektoriale dhe çfarë nënkuptohet me një qasje ndërsektoriale?
Katerina Kolozova: Për një planifikim dhe zbatim të tillë politikash, nuk mjafton vetëm shkrimi dhe votimi i ligjeve dhe pajtueshmëria me Acquis (ligjeve të BE). Për këtë nevojiten praktika të reja institucionale, të cilat rrotullohen rreth grupeve të të drejtave dhe lirive sipas Kartës Evropiane, të përhapura në të gjithë sektorët (e drejta për arsim, punë, etj.). Për këto arsye, është shumë logjike që është e nevojshme një qasje ndërsektoriale: lëvizshmëria (mobility) e fuqisë punëtore varet nga lëvizshmëria në arsim, pjesë e së cilës është ekuivalenca automatike e diplomave, por edhe nga politikat e imigracionit që lejojnë ose jo fluksin e kapitalit, fuqisë punëtore dhe potencialit të inovacionit. Nuk është rastësi që arsimi dhe inovacioni shkencor bien në të njëjtin grup (klaster) me politikat ekonomike dhe zhvillimin.
IMA: Ç’është kyçe për suksesin e politikave ndërsektoriale dhe si të ndërtohen institucionet sipas nevojave të qytetarit?
Katerina Kolozova: Për një proces të këtillë dinamik, kyç është dixhitalizimi i procesit administrativ dhe fleksibiliteti i institucioneve në përgjithësi, por edhe aftësia për t’iu përshtatur çdo rasti individual, me historinë e tij personale. Emri i platformës #depolarizohu vjen nga iniciativat e mëparshme të Institutit me hashtag të njëjtë ose të ngjashëm, dhe rrjedh nga supozimi se nëse i trajtojmë këto tema në nivel ndërpartiak, ndëretnik, përtej polarizimeve ekzistuese shoqërore, do të ndihmonim si në ndërtimin e institucioneve evropiane dhe njerëzore, ashtu edhe në tejkalimin e vetë problemit të polarizimit shoqëror.
Platforma është pjesë e Aksionit të konsorciumit të Institutit, Institutit për Media dhe Analitikë (IMA), BIRC nga Tetova dhe Jetë me Sfida (Manastir, që vepron në nivel nacional), mbështetur nga programi Civica Mobilitas, kushtuar temës “institucionet demokratike” dhe depolarizimit si një mënyrë për t’i arritur ato (por edhe një efekt afatgjatë nëse institucionet tona me të vërtetë demokratizohen).
IMA: Në platformën e re ju ftoni qytetarët të tregojnë historitë dhe përvojat e tyre me institucionet autoritare të shtetit. Çfarë historish tregojnë qytetarët? Dhe, si të lehtësohen procedurat burokratike, të cilat pengojnë edhe ushtrimin e të drejtave themelore të njeriut, siç është e drejta për trajtim shëndetësor?
Katerina Kolozova: Qytetarët ftohen të tregojnë përvojat e tyre me institucionet, në të cilat ‘fjala e shkruar në letër’ e ndonjë procedure (të papërcaktuar deri në fund), arsyetimi i papranueshëm “askush nuk është kompetent”, dhe diktati i proceduralizmit bosh vendoset para fatit të njeriut apo qytetarit. Sipas metodologjisë së re, administrata është evropiane vetëm nëse qytetari vendoset para burokratizmit që fshihet pas të ashtuquajturit “sundim i ligjit”. Asnjë person nuk duhet të vdesë vetëm sepse nuk është kryer ndonjë procedurë e tenderit (në emër të procedurës). Gjithmonë ka një zgjidhje, nëse sektori publik e kupton që shefi i tij është populli, e jo ndonjë parti apo qeveri.
IMA: A mund të ketë një dialog kritik dhe të informuar mes pushtetit dhe qytetarëve, me ndihmën e shoqatave të qytetarëve që përpiqen t’i aktualizojnë problemet e qytetarëve?
Katerina Kolozova: Natyrisht që është i mundur, por është i domosdoshëm depolarizimi ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve, i cili është jashtëzakonisht i lartë, siç e tregon edhe një hulumtim që jemi duke e përfunduar dhe do të publikohet së shpejti. Nevojitet një komunikim i vullnetit të mirë, një dialog parimor kritik (ndonjëherë i ashpër), por në emër të përmirësimit të politikave, që kërkon vullnet për bashkëpunim nga të dyja palët. Organizatat civile janë kryesisht “avokatë” ose përfaqësues (avokimi është thelbi i veprimtarisë së tyre) dhe duhet të jenë të përgatitura për të negociuar me institucionet në emër të qytetarëve. Atëherë, qytetari fiton zërin e tij përmes këtyre organizatave.
IMA: Çfarë kontributi jep projekti juaj në sundimin e ligjit dhe në procesin e anëtarësimit në BE?
Katerina Kolozova: Në fazën e skriningut, në të cilën ndodhet shteti, “institucionet demokratike”, si parim, vlerë dhe cilësi e politikave që në metodologjinë e vjetër nuk ekzistonin në këtë formë të një rezultati konkret, të matshëm të politikave – është një nga çështjet kryesore të vlerësimit të progresit të vendit. Më tej, nëse shikoni seancat shpjeguese publike të procesit të skriningut nga vjeshta e kaluar (dhe fundi i verës), do të vini re se sa e rëndësishme është metodologjia ndërsektoriale e ndërtimit të politikave që konkretizojnë vlerat e Kartës Evropiane, e cila përfshin drejtësinë administrative, si dhe të gjitha të drejtat dhe liritë që duhet të materializohen në sektorin publik si shërbim ndaj qytetarit. Duke hulumtuar dhe mobilizuar publikun për sa i përket qëllimeve të këtij projekti, besojmë se po krijojmë një klimë të favorshme për institucionet, përmes kritikës së palodhshme konstruktive.
Projekti realizohet me mbështetje financiare përmes programit Civica Mobilitas