PESË PARAKUSHTET PËR DEMOKRACI FUNKSIONALE
A është dhe deri në çfarë mase është e mundur demokracia cilësore në një vend me një shoqëri multietnike, siç është Maqedonia e Veriut?
Shkruan: Xhelal Neziri
Edhe pse që nga viti 2009 ka marrë rekomandimin nga Komisioni Evropian (KE) për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), Republika e Maqedonisë së Veriut ende nuk konsiderohet një demokraci e konsoliduar. Shumica e raporteve e renditin atë në grupin e “regjimeve hibride”, larg grupit të “demokracive funksionale” ose “demokracive gjysmë-funksionale”. Arsyeja kryesore për këtë renditje është pavarësia e gjyqësorit dhe liria e mediave. Kështu thuhet në raportin e fundit për sundimin e ligjit nga Komisioni Evropian.
Por problemi për këtë renditje të dobët, që është në pragun e “regjimeve autoritare”, nuk ka të bëjë vetëm me dy dimensionet e mësipërme. Bëhet fjalë për plotësimin jo të tërësishëm të pesë parakushteve për një demokraci funksionale, që i theksojnë teoricienët Juan Linz dhe Alfred Stepan, që janë: shoqëria e lirë civile, shoqëria e pavarur politike, shoqëria ekonomike funksionale, shteti ligjor dhe administrata shtetërore efikase.
A është dhe deri në çfarë mase është e mundur demokracia cilësore në një vend me një shoqëri multietnike, siç është Maqedonia e Veriut?
Për t’iu përgjigjur pyetjes, fillimisht duhet të rendisim tetë dimensionet e ndryshme të cilësisë demokratike të teoricienëve Larry Daymond dhe Leonardo Morlino. Sundimi i ligjit, pjesëmarrja, konkurrenca, llogaridhënia vertikale dhe horizontale, sipas tyre, janë të rëndësishme për përmbajtjen, por janë kryesisht procedurale, duke iu referuar më së shumti rregullave dhe praktikave. Ata thonë se respektimi i lirive civile dhe politike dhe zbatimi progresiv i barazisë më të madhe politike, sociale dhe ekonomike është thelbësor. Dimensioni i përgjegjësisë, nga ana tjetër, lidhet me bazën për matjen e mënyrës sesi politikat publike (ligjet, institucionet dhe shpenzimet) u përgjigjen kërkesave të qytetarëve të legjitimuara përmes procesit politik.
Sipas autorëve, këto dimensione të ndryshme ndërveprojnë dendur dhe përforcojnë njëra-tjetrën, duke u konverguar përfundimisht në një sistem. Ata thonë se lidhjet midis elementëve të ndryshëm të demokracisë janë aq të dendura, ndërvepruese dhe të mbivendosura sa ndonjëherë është e vështirë të dihet se ku mbaron një dimension dhe fillon një tjetër.
Në këtë tekst do të përpiqem të vlerësoj të gjitha këto tetë dimensione që përcaktojnë demokracinë në Maqedoninë e Veriut.
1. Shteti i së drejtës. Sundimi i së drejtës do të thotë që të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Ligji duhet të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë nga një gjyqësor i pavarur. Sundimi i ligjit është boshti më i dobët i sistemit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosfunksionimi, partizimi dhe etnizimi i gjyqësorit është burim pengesash dhe komplikimesh pothuajse në të gjitha dimensionet e tjera. Ky partizim është një trashëgimi e sistemit të mëparshëm, kur gjyqësori ishte nën kontrollin e partisë-shtet, ku ishte përqendruar pushteti më i madh. Edhe pse me tranzicionin demokratik në vitin 1991, vendi mundësoi formalisht dhe ligjërisht ndarjen e pushteteve në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, përsëri pushteti ekzekutiv mbeti në qendër të pushtetit.
2. Pjesëmarrja. Ky dimension nënkupton detyrimin e çdo shteti demokratik për t’u siguruar të gjithë qytetarëve të tij të rritur të drejtat formale të pjesëmarrjes politike. Nëpërmjet kësaj pjesëmarrjeje qytetarët ndikojnë në procesin e vendimmarrjes: votojnë, organizohen, mblidhen, protestojnë dhe lobojnë për interesat e tyre. Në këtë dimension vendi është në gjendje më të mirë. Në përgjithësi garantohet dhe mundësohet e drejta e qytetarëve për të marrë pjesë në veprimtaritë politike të shoqërisë politike dhe civile. Dhe këtu problemi janë partitë, të cilat mbeten jomjaftueshëm të demokratizuara dhe të mbyllura për pjesëmarrjen e personave apo grupeve të reja.
3. Konkurrueshmëria. Daymond dhe Morlino thonë se për të qenë një demokraci e mirëfilltë, sistemi politik duhet të ketë konkurrencë elektorale të rregullt, të lirë dhe të ndershme ndërmjet partive të ndryshme politike. Modeli zgjedhor i vendit – proporcional me gjashtë zona zgjedhore – lejon konkurrencën dhe përfaqësimin gjeografik të të gjithë qytetarëve, por gjithsesi favorizon koalicionet ose partitë më të mëdha. Formula e D’Hont, e cila përdoret për ndarjen e mandateve gjatë numërimit të votave, e bën të pamundur hyrjen e partive të reja dhe më të vogla në Parlament. Kodi Zgjedhor, me ndryshimet e fundit, lejon një përfaqësim kryesisht të drejtë në media, e cila është gjithashtu e detyruar të sigurojë hapësirën e duhur për të gjithë konkurrentët për pushtet.
4. Përgjegjshmëria vertikale. Llogaridhënia është detyrimi i liderëve politikë të zgjedhur për t’u përgjigjur për vendimet e tyre politike kur pyeten nga votuesit ose organet kushtetuese, thonë Daymond dhe Morlino. Andreas Schedler, nga ana tjetër, thotë se përgjegjshmëria ka tre karakteristika kryesore: informacionin, justifikimin dhe ndëshkimin (ose kompensimin). Kjo lloj përgjegjshmërie quhet vertikale sepse shkon nga poshtë (qytetarët) në krye (udhëheqës). Llogaridhënia vertikale kërkon edhe një përbërje cilësore parlamentare, me deputetë të cilët në radhë të parë janë përfaqësues të qytetarëve, e më pas të partive politike. Deputetët aktivë mund të luajnë një rol ndërmjetësues në llogaridhënien ndërmjet qytetarëve nga të cilët janë zgjedhur dhe zyrtarëve të zgjedhur nga Parlamenti. E njëjta gjë mund të thuhet për mediat. Por Parlamenti është larg asaj që duhet të jetë, po ashtu edhe mediat. Partitë në pushtet mbeten qendrat kryesore të pushtetit, duke minuar këtë dimension cilësor të demokracisë.
5. Përgjegjshmëria horizontale. Për shkak se një zyrtar ose institucion i qeverisë i përgjigjet një tjetri afërsisht në të njëjtin nivel, kjo quhet llogaridhënie horizontale. Si shembuj të institucioneve me përgjegjësi horizontale, ata përmendin opozitën parlamentare, komisione të veçanta hetimore të krijuara nga legjislatura, gjykatat, agjencitë e auditimit, Komisioni Kundër Korrupsionit, Banka Qendrore, administrata e pavarur zgjedhore, Avokati i Popullit apo organe të tjera të ndryshme, misioni i të cilit është të kryejë mbikëqyrje të hollësishme dhe kufizimin e pushtetit të atyre që qeverisin. Ashtu si me sistemin gjyqësor, në këtë rast llogaridhënia horizontale nuk funksionon plotësisht për shkak të fuqisë së tepërt të përqendruar në degën ekzekutive. Me përjashtim të opozitës, institucionet e tjera që kanë kompetenca për mbikëqyrje dhe kontroll japin rezultate të dobëta që shumë rrallë përfundojnë me dënim për bartësin e detyrës që ka vepruar në mënyrë të paligjshme ose të pahijshme gjatë ekzekutimit të së njëjtës.
6. Liria. Sipas Daymond dhe Morlino, liria përbëhet nga tre lloje të drejtash: politike, civile dhe sociale (ose socio-ekonomike). Dhe ky dimension është i ndërthurur me të tjerët dhe përcaktohet nga cilësia e demokracisë në tërësi. Partitë me mungesë të demokracisë së brendshme, media pjesërisht të lirë dhe një sistem gjyqësor joefektiv krijojnë një mjedis të pafavorshëm për ushtrimin e tre të drejtave të mësipërme që përbëjnë lirinë.
7. Barazia. Vetë fjala demokraci, sipas Daymond dhe Morlino, zakonisht simbolizon barazinë formale politike dhe ligjore të të gjithë qytetarëve. Ata thonë se një demokraci e mirë siguron që qytetari dhe grupi të kenë të njëjtat të drejta, mbrojtje të njëjtë ligjore, dhe qasje të shpejtë në drejtësi dhe pushtet. Diskriminimi në vend është ende i pranishëm pothuajse në çdo formë – gjinore, rajonale, etnike, partiake etj. Në një anketë të Qendrës Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar, të kryer në vitin 2011, shumica e qytetarëve (53,3%) besojnë se ka diskriminim në Maqedoninë e Veriut dhe diskriminimi në bazë etnike është i dyti më i përhapur, pas atij në baza politike.
8. Responsiviteti matet me masën në të cilën qytetarët do të jenë të kënaqur me performancën e demokracisë, e cila do ta legjitimojë atë. Autorët thonë se është aftësia e institucioneve dhe autoriteteve për t’iu përgjigjur pozitivisht çdo kërkese apo nevoje legjitime të qytetarëve. Rënia e vazhdueshme e besimit ndaj demokracisë në Maqedoninë e Veriut, e treguar në anketën e fundit të IRI-së, është tregues se ky sistem nuk i adreson të gjitha nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Me një shkallë të papunësisë rreth 15%, me pagë mesatare neto prej rreth 30 mijë denarë, me shkallë të lartë të korrupsionit dhe përgjithësisht me cilësi të ulët të jetës, demokracia në këtë vend nuk jep rezultatet e pritura.
Kjo do të thotë se Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të punojë shumë për të përmirësuar cilësinë e demokracisë. Por duket se shteti nuk është në gjendje të zbatojë vetë reformat e nevojshme. Shumë vende nga Evropa Qendrore dhe Lindore arritën t’i përfundojnë me sukses tranzicionet e tyre vetëm përmes procesit të integrimit në BE. Vendi i ka nisur negociatat kah fundi i vitit 2022, ndonëse rekomandimi për hapjen e negociatave për anëtarësim ka që nga viti 2009. Bllokada nga shtetet anëtare të Unionit kanë zgjatur 12 vjet. Fillimisht Greqia, pastaj Franca për metodologjinë dhe në fund Bullgaria përdori të drejtën e vetos në institucionet evropiane. Nëse viti 2023 do të humbasë edhe në debatet për historinë e Ballkanit, mbetet për t’u parë.
#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas