LISTAT ZGJEDHORE NË RAJONIN E POLLOGUT, GRATË DHE TË RINJTË NË GARËN PËR KËSHILLTARË KOMUNALË
Zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në 19 tetor të këtij viti, në rajonin e Pollogut kanë sjellë një përqendrim të veçantë të vëmendjes tek listat për këshilltarë komunalë, duke u fokusuar në përfaqësimin gjinor dhe atë të të rinjve. Analiza e të dhënave të publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor shpërfaq një tablo të shumëllojshme nga një komunë në tjetrën. Edhe pse përfaqësimi i grave shënon përqindje të larta në disa raste, prania e të rinjve si kandidatë në listat për këshilltarë komunalë mbetet një element i rëndësishëm për dinamikën e ardhshme politike në këto komuna.
Përgatiti: Enis Shaqiri
Në Komunën e Tetovës, përfshirja e grave në listat për këshilltarë arrin në 45.25 përqind, që shënon një hap të rëndësishëm drejt barazisë gjinore në politikën lokale. Nga gjithsej 316 kandidatë për këshilltarë komunalë, 68 janë të rinj, gjegjësisht 21.5 përqind, një përqindje që pasqyron gjallërinë e listave dhe potencialin për energji të reja në Këshillin Komunal.
Në Gostivar, gratë përbëjnë 43.62 përqind të kandidatëve, një përqindje që tregon konsolidimin e tyre në listat zgjedhore. Nga gjithsej 188 kandidatë për këshilltarë komunalë, 44 janë të rinj, gjegjësisht 23.4 përqind, që realisht tregon një fuqizim të përfshirjes së të rinjve në listat zgjedhore.
Në Tearcë, përfaqësimi i grave është 40.22 përqind, duke ruajtur nivelin e kërkuar ligjor për barazi gjinore. Nga 92 kandidatë gjithsej, 25 janë të rinj, gjegjësisht 27 përqind, çka tregon një përqindje të konsiderueshme në raport me numrin total. Kjo përfshirje e gjeneratës së re premton një frymë të re për jetën politike në këtë komunë.
Komuna e Vrapçishtit shënon një përfaqësim gjinor në listat zgjedhore të zgjedhjeve lokale të tetorit prej 39.13 përqind, pak më poshtë mesatares së rajonit. Për më tepër, vetëm 9 nga gjithsej 46 kandidatë janë të rinj, gjegjësisht 19.6 përqind. Ky është një tregues se hapësira për përfshirjen e të rinjve është ende e ngushtë, duke shpaluar kështu nevojën për përfshirje më të madhe në të ardhmen.
Në Jegunovcë, përfaqësimi i grave është 43.10 përqind, ndërsa nga gjithsej 58 kandidatë, 24 janë të rinj, gjegjësisht 41.4 përqind. Ky raport i lartë i të rinjve e vendos komunën ndër më të spikaturat për gjeneratën e re, duke treguar një potencial për ndryshime progresive në strukturat vendimmarrëse.
Bogovina ka 40.68 përqind gra në lista, duke respektuar përfaqësimin minimal ligjor. Megjithatë, nga 59 kandidatë gjithsej, vetëm 6 janë të rinj, gjegjësisht 10.1 përqind, gjë që e bën një nga komunat me përfaqësimin më të ulët të kësaj kategorie.
Në Bërvenicë, përfshirja e grave në listat për këshilltarë komunalë është 41.13 përqind, ndërsa të rinjtë janë 32, gjegjësisht 25.8 përqind nga gjithsej 124 kandidatë për këshilltarë komunalë, që gjithashtu shënon një prani të konsiderueshme të brezit të ri në garën politike.
Në komunën e Mavrovës dhe Rostushës, përfaqësimi gjinor arrin 43.48 përqind, një nivel i lartë për një komunë me bazë më të vogël elektorale. Nga 46 kandidatë gjithsej, vetëm 13 janë të rinj, gjegjësisht 28 përqind, që mbetet në nivele realitivisht solide.
Zhelina ka një përfshirje gjinor prej 40.43 përqind në listat e kandidatëve për këshilltarë komunalë, ndërsa nga 47 kandidatë gjithsej, 22 janë të rinj, gjegjësisht 46.8 përqind. Kjo shifër është ndër më të lartat në përqindje për përfshirjen e të rinjve, duke e pozicionuar këtë komunë si një shembull të gjeneratës së re që hyn fuqishëm në skenën politike.
Të dhënat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor për zgjedhjet lokale të tetorit të këtij viti, shpërfaqin një tablo dinamike të përfaqësimit të grave dhe të rinjve në listat zgjedhore për këshilltarë komunalë në komunat e Rajonit të Pollogut. Në tërësi, Rajoni i Pollogut po shpërfaq një tendencë pozitive për konsolidimin e barazisë gjinore dhe për përfshirjen e gjeneratës së re në strukturat vendimmarrëse, megjithëse dallimet mes komunave mbeten të theksuara.
Në nivel rajonal, përqindja e grave në listat për këshilltarë komunalë lëviz mes 39 përqind dhe 45 përqind, duke respektuar në pjesën më të madhe kuotën ligjore prej 40 përqind. Komunat si Tetova (45.25%), Gostivari (43.62%), Jegunovca (43.10%) dhe Mavrovë-Rostusha (43.48%) dallohen me përqindje të larta që shënojnë një konsolidim të dukshëm të pranisë së grave në listat zgjedhore. Në anën tjetër, Vrapçishti (39.13%) qëndron nën pragun ligjor minimal, çka tregon se barazia gjinore në këtë komunë ende nuk është e konsoliduar si praktikë e qëndrueshme.
Dimensioni rinor shfaqet më heterogjen. Komuna e Zhelinës (46.8%) dhe Jegunovca (41.4%) regjistrojnë përqindjet më të larta të të rinjve në lista, duke treguar një tendencë të fortë të përfshirjes së të rinjve në listat zgjedhore. Ky nivel i lartë i pozicionon këto komuna si shembuj të integrimit të brezit të ri në proceset e vendimmarrjes. Në të kundërt, Bogovina (10.1%) dhe Vrapçishti (19.6%) paraqiten me përfshirje shumë të ulët të të rinjve, duke treguar mungesë hapësire dhe mekanizmash për inkuadrimin e tyre. Komunat e tjera, si Tetova (21.5%), Gostivari (23.4%) dhe Bërvenica (25.8%), ruajnë një prani solide të rinisë, ndërsa Tearca (27%) dhe Mavrovë-Rostusha (28%) ofrojnë një nivel të qëndrueshëm.
Nga analiza e të dhënave del se Rajoni Pollogut gradualisht tashmë ka përqafuar barazinë gjinore si pjesë të garës politike, ndërsa përfaqësimi i të rinjve mbetet ende një sfidë e hapur që varet nga gatishmëria e partive dhe strukturave lokale për të ofruar hapësira reale.
Sidoqoftë, zgjedhjet e tetorit pritet të jenë një test i rëndësishëm për të parë jo vetëm se sa do të reflektohet kjo barazi gjinore në përfaqësimin final, por edhe se si do të afirmohet energjia e të rinjve në këshillat komunalë të Pollogut , duke vendosur kështu bazat për një transformim të qëndrueshëm të kulturës politike në rajon.
Kjo analizë është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit “Zërat e Barazisë, Demokracisë për të Gjithë”, i zbatuar nga Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal – BIRC Tetovë. Ky projekt është një subgrantim i marrë në kuadër të “Mbështetja e BE-së për Qendrën e Burimeve për Shoqërinë Civile – Faza 2” e financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe të Qendrës së Burimeve për Shoqërinë Civile.

